Një ditë pasi përshëndeti besimtarët në sheshin Shën Pal të Romës, Papa Françesku ndërroi jetë. Vdekja e tij, megjithëse e pritshme, për shkak të moshës së shtyrë dhe shëndetit jo të mirë, zgjoi një valë reagimesh në mbarë botën. Dhe jo vetëm te të krishterët katolikë. Por edhe në vende që nuk mbajnë marrëdhënie të mira me botën perendimore, siç është psh Irani.
Udhëheqësit e botës u përpoqën të gjejnë sot fjalët më prekëse për të shprehur dëshpërimin e tyre, të vërtetë apo të shtirë, pas vdekjes së pasuesit të Shën Palit në Vatikan.
Dymbëdhjetë (2013 – 2025) vjet nuk janë shumë në “mbretërimin” e një Pape. Por këto 12 vjet kanë lënë gjurmë të thella sa në jetën e kishës katolike, por po aq edhe në zemrat e katolikëve anë e mbanë botës. Dhe përtej tyre.
Për ne shqiptarët ky Papë ishte krejt i veçantë. Pasi menjëherë sapo u ngjit në postin më të lartë të Kishës Katolike, Jorgo Maria Bergoglio, emri i tij i lindjes, vizitoi Shqipërinë. Vizita e tij e parë si Papë në një vend të huaj. Dhe kjo nuk është pak.
Sepse at Françesku vizitoi atëhere një vend me shumicë myslimane, por që dallohet për tolerancën e tij fetare. Vizitoi po ashtu një vend ku për afro çerek shekulli kishat, manastiret, xhamitë dhe teqetë ishin të nxjerra jashtë ligjit nga regjimi ateist i asaj kohe. Dhe pa me sytë e tij edhe fotot e dhimbshme të martirëve të Kishës katolike martirizuar nga regjimi i diktaturës së proletariatit!
Por ky Papë, që u nda nga të gjallët e kësaj bote, në ora 7 e 37 të kësaj të hëne të Pashkëve, ka lënë mbresa dhe përshtypje të veçanta anë e mbanë botës. Sidomos për qëndrimin e tij parimor dhe guximtar edhe ndaj të fuqishmëve të këtij globi.
Për të, të gjithë njerëzit janë vëllezër dhe duhen trajtuar si të tillë, pavarësisht nga raca apo feja e tyre. Humanizmi i tij i tejkalonte kufijtë e botës katolike dhe prekte dhe takonte mbarë Njerëzimin. Gjithmonë i qeshur, gjithmonë i thjeshtë, gjithmonë në krah të të varfërve, ai predikonte një krishtërim autentik, i mbështetur në mësimet dhe doktrinën e Krishtit vetë.
Deri ditën e fundit, dje, të dielën e Pashkëve katolike, ortodokse dhe protestante, ai nuk u nda nga njerëzit. Madje në mënyrë të paparashikuar, ai iu bashkua edhe një herë tjetër turmës së njerëzve të mbledhur në sheshin Shën Pal, për ta ndjerë dhe festuar bashkarisht festën më të madhe të Krishtërimit, atë të Ringjalljes.
Dhe duket se vdiq vetëm kur e ndjeu se misioni i tij krah njerëzve kishte përfunduar. Dhe siç themi ne shqiptarët: “Jetoi sa deshi dhe vdiq si deshi”.
Por një gjë është e sigurt. Kisha katolike do ta ketë shumë të vështirë zëvendesimin e tij. Jo se nuk gjen dot një papë tjetër ndërmjet atyre qindra kardinalëve, por do jetë e vështirë të gjejë një papë si ky që mbylli sytë sot. I papërsëritshëm në humanizmin e tij, në thjeshtësinë dhe dashurinë e tij për njerëzit, në guximin për t’iu kundërvënë të fuqishmëve të kësaj bote, si psh në çështjen e emigracionit etj etj.
Papa Françesku ndiqte me vëmendje dhe shqetësim edhe ngjarjet në këtë botë. Si pasojat e urisë në shumë vende të Afrikës, luftën në Ukrainë, gjenocidin në Gaza dhe nuk ngurronte të shprehte me këtë rast edhe mendimin e tij.
Prandaj ai gëzonte një respekt dhe dashuri të madhe, jo vetëm në gjirin e katolikëve, por edhe të anëtarëve të feve të tjera, madje edhe midis ateistëve. Sepse mesazhet e tij në mbrojtje të paqes, barazisë dhe vëllazërisë ndërmjet njerëzve preknin mbarë botën.
Prandaj edhe mund të thuhet pa frikë se ky ka qënë një nga Papët më popullorë, më të dhimbsur dhe më të thjeshtë që Vatikani ka pasur jo vetëm gjatë këtij shekulli, por edhe gjatë historisë së tij pothuajse 2 000 vjeçare.
Një gjë është e sigurt: Bota humbi sot një Njeri të madh.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment