Ngandonjëherë është mirë të dish se çfarë mendojnë për ty, për familjen tënde apo edhe për vendin tënd të gjithë ata që na njohin. Atëhere mund të mësosh disa të vërteta që ose ia ke fshehur edhe vetes ose që mendon se të tjerët nuk i dinë. Kjo është edhe arsyeja që një dokumentar, i transmetuar mbrëmë nga rrjeti i mirënjohur televiziv franko – gjerman “Arte”, të ngjallte aq kërshëri. “A është Shqipëria e gatshme t’i bashkohet familjes europiane”?! – ky ishte edhe thelbi i këtij dokumentari, i mbushur me prova, dëshmi dhe reagime.
Shqipëria ose droga, dollari dhe diplomacia – ishte edhe titulli i këtij reportazhi. Një shoqëri klanike, e prapambetur dhe njëkohësisht edhe një vend që mëton të hyjë në Bashkimin Europian?! A mund të bashkohen këto dy veçori të kundërta për ta bërë këtë vend të pranueshëm në Bruksel?! – ky ishte edhe filli i kuq që shoqëronte këtë produkt mediatik franko/gjerman.
Aq më shumë që vetë kryeministri shqiptar e ka bazuar sot politikën e tij, dhe sidomos fitoren në zgjedhjet e 11 majit, pikërisht te pashaporta europiane! Po a është e gatshme shoqëria shqiptare që ta fitojë këtë pashaportë?! Ndryshe që edhe ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Europian?!
Duhet pranuar, që në fillim, se ky reportazh nuk ishte shumë pozitiv rreth aspiratave të populli shqiptar për tu bërë pjesë e familjes europiane, por po ashtu edhe për vetë kryeministrin Edi Rama. Madje nga mënyra se si fliste, si i zgjaste fjalët apo edhe se si i lëvizte duart, ky i fundit dukej se i ngjante shumë « Kumbarit » të Marlon Brando-s në filmin me të njëjtin titull. Prandaj edhe vetë dokumentari nuk kursehej në përcaktime dhe klasifikime negative si autokrat, mafioz, narcistik, megalloman etj etj.
Shqipëria në të përshkruhej si një vend që po „përparonte“ sidomos nga paratë e drogës dhe korrupsioni i gjithëpërhapur në çdo qelizë të shoqërisë. Vetë Berisha i intervistuar nuk ngurronte ta vinte theksin te narkoshteti që e kishte mbyllu në shtëpi, që ai të mos kishte mundësi të fitonte zgjedhjet.
Binte në sy se autorët e këtij reportazhi asnjëherë nuk e përmendën faktin se udhëheqësi i opozitës është shpallur non grata edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe si mbartës i korrupsionit, pengues i drejtësisë dhe pasurues i rrethit të tij familjar!
Prandaj ky prodhim i masmediave gjermane nuk dukej aq i pafajshëm dhe i pavarur sa mund të mendohej në vështrim të parë. Jo. Pyetjes kryesore nëse Shqipëria meritonte të futej në BE apo jo, reporteri dukej se i përgjigjej në mënyrë negative.
Shumë vend i ishte lënë në këtë dokumentar edhe çështjes së pritjes së refugjatëve nga Italia në Gjadër të Shëngjinit si dhe marrëdhënieve të ngrohta ndërmjet Ramës dhe Melonit! A mos vallë ky afrim i veçantë i Shqipërisë me Italinë e ka prekur Gjermaninë?!
Shumë vend zinin po ashtu në këtë dokumentar edhe zërat e përfaqësuesve të opozitës , si të një farë Genti Strazimiri apo Ylli Manjanit. Dhe kuptohet se ata e nxinin edhe më shumë tabllonë, që edhe kaq nuk është shumë idilike.
Shqipëria, platzdarm i shpërndarjes së kokainës në Europë. I lidhjeve të forta ndërmjet grupeve mafioze deri me të parin e qeverisë, hambar i prodhimit të hashashit, ish – bastion i komunizmit primitiv, i ndarë për 45 vjet nga bota dhe i fortifikuar me afro 700 mijë bunkerë etj etj. – kjo ishte pasqyra që teleshikuesi francez apo gjerman shihte në këtë reportazh.
Pa asnjë dyshim që Shqipëria vuan nga këto plagë, që nga viti 1990 e deri më sot. Por siç dihet monedha ka dy faqe.Veçse varet edhe se si e sheh gotën?: gjysëm bosh apo gjysëm plot?! Kjo është edhe çështja.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment