Shkak për këtë shkrim u bë një debat në një kanal të njohur televiziv francez. Një nga « specialistët » e ftuar në studio, i mbushur me tituj dhe diploma, u shpreh se globalizmi, ose ndryshe tregtia e lirë pa dogana ndërmjet gjithë vendeve të planetit, u ndërtua për të mbrojtur të varfërit e vendeve perëndimore ! Të cilët patën mundësi kështu që të blenin mallra të lira të prodhuara në Kinë, Indi etj.
Është tashmë e qartë dhe e provuar se globalizmi nuk u ngrit për të mbrojtur nivelin e jetesës së më të varfërve. E kundërta është e vërtetë. Globalizmi u ndërtua nga të pasurit, për të pasurit.
Por le ta nisim nga fillimi. Të pasurve kishte kohë që u kishte ardhur në majë të hundës nga klasa punëtore në vendet e tyre kapitaliste. Nga grevat e tyre të vazhdueshme, nga kërkesat e pandërprera për rritjen e pagave, për një shpërndarje më të drejtë të fitimit etj etj.
Dhe me rënien e komunizmit të pasurve iu hap një bulevard i tërë për të investuar ku të donin dhe të shisnin ku u pëlqente. Atëhere filloi edhe globalizmi i papërmbajtur. Aq fort e mbështetën këtë praktikë vendet perëndimore, saqë të dilnje në atë kohë kundër kësaj praktike ekonomike, pra mondializmit, cilësoheshe pa një pa dy si komunist !
Të pasurit, të etur për fitime sa më të mëdha, ranë në grackën që u ngriti Ten Hsiao Pin në fund të viteve 1970 të shekullit të kaluar. « A e dini se ju mund të investoni në Kinë, të prodhoni atje dhe fitimet tuaja dhjetëfish më të mëdha mund t’i depozitoni në bankat që ju pëlqejnë ?! » – u tha ai një grupi biznesmenësh amerikanë që kishin vajtur aso kohe në Kinë. « Për më shumë ne nuk kemi as sindikata dhe rrogat e punëtorëve tanë janë së paku 30 herë më të ulta se ato të punëtorëve tuaj » – vazhdoi udhëheqësi kinez.
Dhe kaq mjaftoi që të mos ngelte më uzinë apo fabrikant në Perëndim që të mos transferohej në Kinë, duke marrë me vete edhe gjithë teknologjinë e tyre knowhow. Dhe që të shmangnin një rënie të rëndë të nivelit të jetesës së popujve të tyre, të cilëve u ishin mbyllur vendet e punës, elita ekonomike ndërkombëtare vendosi që ta mbajë këtë nivel të pandryshuar me anë të borxheve. Ose duke prodhuar para pa fund për tê luajtur në bursa. Ashtu siç bëjnë në fakt kambistët anë e mbanë botës. Që e nxjerrin jetën e tyre veçse duke luajtur me rritjen apo uljen e vlerës së valutave. Si pasojë pati një inflacion të pandërprerë të dollarit, euros dhe kështu me rradhë.
Ndryshe të pasurit e kanë mbështetur pasurinë e tyre në aksione, obligacione apo pasuri imobiliere, vlera e të cilave rritet pa ndërprerë. Ndërsa për të varfërit mjaftonin eurot apo dollari që e humbisnin vlerën e tyre çdo ditë.
Dhe erdhi çasti që presidenti amerikan Trump tha “enough is enough”, boll është boll. Se kohërat kishin ndryshuar. Tani nuk ishte më Amerika apo edhe Perëndimi që fitonte nga mondializmi i papërmbajtur, duke shitur mallrat e tyre ku të donin, por një shtet I përçudnuar: ideologjikisht komunist dhe ekonomikisht kapitalist!
Ishte Kina që në sajë të investimeve qindra miliardëshe perëndimore, për më shumë se 30 vjet me rradhë, u kthye në një superfuqi që po kërkon sot të sundojë botën. Ashtu siç ka bërë Anglia në shekullin e 18 – 19 apo Amerika në shekullin e 20-të.
Dhe nisën kështu tarifat amerikane ndaj 70 vendeve të botës, që kishin përfituar deri tani miliarda dollarë nga ndryshimi i përqindjes së taksave doganore me Amerikën. E para u prek pikërisht Kina që reagoi me ashpërsi. Vendet e tjera u tromaksën dhe kërkuan bisedime.
Dhe Trump, si një zotëri zëmërgjërë, pranoi të mërkurën të ndalonte për 90 ditë vendosjen e këtyre taksave hakmarrëse shtesë. Me përjashtimin e vetëm të Kinës, së cilës ai ia ngriti taksat doganore deri në 145 për qind!
Bursat u çmëndën. Treguesi i tyre shkonte si një shilarëse, herë lart dhe herë poshtë. Sipas sjelljes dhe tekave të presidentit amerikan. Në këtë përplasje gjigandësh Europa veçse rri dhe shikon. Ajo nuk po di se anën e cilit të mbajë.
Deri më tani tregtia e lirë, sidomos me Kinën, ishte në krye të politikës së saj ekonomike. Kjo si pasojë kryesisht e presionit gjerman. Në fakt Gjermania e ka pasë mbështetur suksesin e saj ekonomik te eksporti i automjeteve të saj të famshme siç janë Benz, Volkswagen, Porsche, Audi, BMW etj etj. Por këto dy tre vitet e fundit fitimet e saj kanë rënë dukshëm. Kina ka filluar të prodhojë edhe ajo automjete me cilësi të lartë dhe shumë më të lira se ato gjermane! Prandaj edhe në Gjermani sot po flitet për krizë! Aq më shumë që edhe Amerika ka parashikuar taksa doganore prej 25 përqindësh për automjetet gjermane që prodhohen në Europë.
Popujt europianë, sidomos shtresa më e ulët dhe e paarsimuar e tyre, i ashtuquajturi lumpen proletariat, ndihen sot të hutuar. Pa arritur të kuptojnë se çfarë po ngjet. Zëmërimi i tyre po drejtohet me kujdes kundër emigrantëve apo myslimanëve që gjenden në vendet europiane. Ata pothuajse po bëhen përgjegjësit kryesorë edhe për krizën që ka kaplluar ekonominë europiane.
Saqë partitë fashiste të ekstremit të djathtë po flasin sot për riemigrim.Pra për kthimin në vendin e origjinës të të gjithë emigrantëve që kanë lindur në ato vende. Edhe kur kanë fituar nënshtetësinë e vendit pritës !
Bota po ndryshon me shpejtësi. Dhe jo për mirë. Nga njëra anë kemi konflikte të armatosuara si ai Ukrainë – Rusi apo Izrael – Palestinë. Nga ana tjetër një luftë tregtare ndërmjet vetë vendeve perëndimore. Shtoji këtyre edhe klimën armiqësore ndaj të huajve, sidomos atyre me origjinë myslimane dhe tablloja nxihet krejt.
Kemi të bëjmë me një kthim mbrapsht. Në ide, ekonomi, emigracion, tregti etj. Çfarë do të ngjasë sot, nesër, pas 90 ditësh apo pas një viti ?! Askush nuk e di. Kohët e bukura duken se kanë marrë fund.
Vetë Bashkimi Europian, ku Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të hyjnë, a do tu rezistojë vallë këtyre dallgëve të egra ?! Të shohim dhe shpresojmë. Nuk thonë më kot që shpresa vdes e fundit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment