Si sot 40 vjet më parë vdiq diktatori Enver Hoxha. Koha, që nga dita që ai ka vdekur dhe deri më sot (1985 – 2025) është e barabartë me kohën që ai qëndroi në pushtet. Pikërisht 40 vjet (1945 – 1985).
Vdekja e atij që për katër dekada me rradhë kishte sunduar me dorë të hekurt vendin, u pasua nga dy faza. Në fillim pati një lloj mpirjeje dhe heshtjeje totale. Për tri ditë me rradhë nuk u fol për ndonjë zi kombëtare apo « për fundin e botës », siç mund të pritej. Dukej se udhëheqja e asaj kohe po rrinte me veshët ngrehur për të ndjerë dhe matur pulsin dhe reagimin e njerëzve, para se të vepronte.
Madje një miku im i afërt, një koleg, i ndjeri Ilir Gurakuqi, më tha ato ditë në tarracën e 15-katëshit : « E shikon ? Këta duket se po e hedhin në plehra »! Në atë kohë punonja te « Zëri i Popullit » dhe pata rastin të shoh nga dritarja e redaksisë , që binte në oborrin e shtypshkronjës, Sofo Lazrin, ideollogun e kohës dhe njeriun e afërt të Ramiz Alisë, që po qeshte me punëtorët. Ishte hera e parë që pashë këtë figurë të lartë të PPSH-së të « zbriste » në mesin e punëtorëve ! Zakonisht ai vinte vetëm në redaksi ku jepte udhëzimet apo bënte kritikat e rastit. Herë të tjera ia kalonte këto porosi Miti Tonës, zëvendësit të tij.
Sofo Lazrin nuk dukej se e kishte pllakosur ndonjë gjëmë e madhe. Dhe megjithëse e kontrolloi numrin e gazetës, ku ishte vendosur edhe fotografia e ish – udhëheqësit të PPSH-së, ai la të kalonte në faqen e tretë shkrimin me titull: « Fëmijët e lumtur të Shkodrës » !
Pa asnjë dyshim ky shkrim ishte dërguar në redaksi 2 – 3 ditë para se të merrej vesh « hataja » e madhe, por një sy i stërvitur nuk mund ta linte të kalonte një artikull të tillë. Pikërisht ato ditë kolegu Musa Ulqini u shpreh disi i shqetësuar për pasojat e këtij shkrimi : »Zërit të Popullit i duhen 2 – 3 vjet punë të mira tani për ta shlyer këtë turp » !
Por jo të gjithë dukeshin se ishin të pandjeshëm ndaj vdekjes së njeriut që kishte vrarë pa iu dridhur dora aq shumë miq dhe armiq. Njëri nga këta ishte edhe kryeredaktori i asaj kohe i « Zërit të Popullit », një enverist i tërbuar. Ai e vuri gjithë makinerinë e gazetës në shërbim të kultit të Enver Hoxhës. Jo vetëm gazetarët, por sidomos edhe sektorin e letrave nga populli. Madje e nxiti në kulm shfrimin dhe dhimbjen e njerëzve. Aq sa edhe « Partia » u trondit. « Uleni këtë ton », erdhi porosia nga « lart ». Se po i bëni njerëzit të vrasin veten !
Dhe pak nga pak, ngashërimi fallco apo i vërtetë pushtoi vendin. Gratë e Gjirokastrës u betuan psh që për 5 vitet e ardhshme të mos vinin më të kuq buzësh ! Po kështu ngjau edhe në qëndra të tjera pune.
Udhëheqja e Partisë e kapi situatën. Dhe filloi kuja anë e mbanë vendit. Njerëzit i vunë fytyrës një maskë dëshpërimi. Se të gjithë ruanin njëri – tjetrin. U shpall zi kombëtare. U morën nisma për ta bërë ish- udhëheqësin të « pavdekshëm » ! Universiteti Enver Hoxha, pionierët e Enverit, Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve, buste dhe monumente madhështore në qëndër të Tiranës, Gjirokastrës etj etj.
Njëlloj si në Korenë e Veriut sot, njerëzit qanin dhe shkulnin flokët atëhere kur bënin homazhe para trupit të ballsamosur të atij që kujtoninin se duhej të ishte i përjetshëm.
Më pas gjërat u qetësuan dhe « lumi » u kthye në shtratin e tij. Jeta vazhdoi si më përpara. Por situata ekonomike mbeti dëshpëruese. Në treg mungonte pothuajse gjithçka. Vetëm veprat e Enverit ishin me shumicë dhe i gjenje pothuajse kudo. Ramiz Alia bënte një hap para dhe dy hapa pas. Sepse edhe vetë njerëzit rrinin me veshët ngrehur. Çfarë do të bëjë ky tani?! A do të shkelet”vija”?!
Deri sa erdhi viti 1989, kur në Rumani njerëzit u ngritën kundër sistemit dhe çifti Çaushesku u ekzekutua. Udhëheqja e Partisë së Punës atëhere u tremb me të vërtetë. Filluan reformat. Por ishte tepër vonë. Gorbaçovi, që e kishte marrë pushtetin në ish – Bashkimin Sovjetik, pikërisht në vitin 1985, i kishte filluar reformat me kohë. Perestrojka dhe Gllasnosti. Por në vend që ato reforma ta qetësonin vendin dhe njerëzit, dukej sikur i kishin hedhur benzinë zjarrit.
Askush në vitin 1989 nuk dëshironte më reformimin e sistemit komunist. Direktiva ishte : Shkatërrim total. Asnjë gjurmë mos i ngeltë mbi Dhé. Ramiz Alia përkundej si pehlivani mbi tel. Duke mos qënë mizor si paraardhësi i tij, atij po i shpëtonte situata nga dora. Njerëzit ishin të lodhur nga shtypja dhe varfëria 45 vjeçare dhe donin ndryshim. Dhe ndryshimin e shihnin te Perëndimi vezullues.
„Eh ç’na ka bota ne. Një bythë vend jemi! Për 3 vjet bëhemi si bota“ ! – këto ishin fjalët dhe shprehjet që dëgjoheshin rëndom në pazar. Kur flitej për „botën“ kuptohej Italia, Gjermania, Amerika etj etj. Askush nuk e kishte në „refene“ Afrikën, Azinë apo Amerikën Latine!
Shqiptarëve u ishte mbushur mendja se ata ishin qëndra e botës dhe se Perëndimi mezi po priste t’i ndihmonte. Sepse ishin mësuar keq me ndihmat e pakursyera nga Bashkimi Sovjetik apo Kina e Maos. Por Perëndimi, që e kishte vënë pasurinë e tij me aq sakrifica, me aq djersë dhe gjak, ua bëri të qartë shqiptarëve: „Ne një herë të japim një peshk. Herën tjetër të mësojmë si zihet peshku“! Ndryshe: – dilini për zot vendit tuaj.
Por disa, më të paduruarit, nuk pritën që Shqipëria të „bëhej“, por u kacavjerrën direkëve të vaporëve si mizat e lisit dhe u nisën drejt Italisë. Bota e tërë u çmerit. Pikërisht atëhere filloi edhe emigracioni masiv dhe i pakontrolluar i njerëzve të vendeve të varfëra drejt Eldorados perëndimore.
40 vjet kanë kaluar nga ajo ditë. Një kohë kjo tërësisht e mjaftueshme për të kundruar dhe gjykuar me qetësi të kaluarën. Shumë flitej në atë kohë për komunizmin apo socializmin si rendi më i përparuar i botës, që siguronte lirinë, begatinë, barazinë dhe mirëqënien për të gjithë.
Por realiteti ishte krejt ndryshe. Në vend të lirisë ekzistonte një parti unike në pushtet, me në krye një faraon apo sulltan të përjetshëm, që largohej nga kolltuku veçse kur jepte shpirt. Kështu ngjau me Titon, Stalinin, Maon, Enverin etj etj. Për ruajtjen e pushtetit personal, për kultin e tyre të individit, këta persona nuk ngurronin të bënin kurban edhe ish zëvendësit dhe shokët e tyre të luftës apo të punës.
Kështu psh veproi Stalini me Trockin, me Kamenievin, Zinovievin etj, Mao me Liu Shao Çi, Enveri me Mehmetin etj etj. Të pamëshirshëm me armiqtë, por po aq mizorë edhe me ish miqtë! Një kamp përqëndrimi i vërtetë.
Ligji kundër agjitacionit dhe propagandës bënte kërdinë. Njerëzit, që mendonin, kishin frikë të flisnin edhe me njerëzit e afërm. Sepse merrnje në qafë jo vetëm veten, por edhe gjithë rrethin tënd familjar. Që fillonte të të mallkonte. Kjo ishte metoda e diktatorëve për t’i bërë njerëzit zap. Nuk dënonin vetëm personin që « gabonte », por edhe familjen rreth e qark tij.
Situata ekonomike ishte po ashtu për të qarë hallin. Se diktatorët vërtet e zhvillonin vendin ekonomikisht, por ndihej se nuk e duronin dot rritjen e mirëqënies për popullin. Madje e thërrisnin këtë dukuri me përçmim si « borgjezim »!
Këtë situatë të mjerë e kuptoi së pari gazetari italian i « Corriere della Sera », Françesko Anxheloti, që shkruajti ato ditë kur « ziafeti » për përmbysjen e komunizmit kishte arritur kulmin : « Komunizmi nuk vdiq. Ai tani lindi » ! Që do të thoshte se komunizmi, ndofta, mund të mësonte nga gabimet e tij, dhe të rilindëte në një formë të re. Pra në një « komunizëm me fytyrë Njeriu », siç kishte kërkuar që në vitet 1970 udhëheqësi komunist çek, Dubçeku!
Por a mund të ekzistojë një komunizëm shumëpartiak, me ekonomi tregu mikste, ku të respektohen edhe të drejtat e Njeriut ?! Dhe një sistem i tillë a do të quhej më Komunizëm?!
Ndofta dekadat e ardhshme mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Por bathët nuk duken të mbara. Konceptet e barazisë, vëllazërisë, humanizmit etj – janë duke u harruar. Shoqëritë perëndimore po rrëshkasin njëra pas tjetrës drejt ekstremit të djathtë. Luftë kundër emigracionit, kundër islamizmit. Luftë ekonomike me tarifa tregtare ndaj çdo vendi tjetër! Nacionalizmi dhe individualizmi po rriten dhe fuqizohen. Aq sa po duket se po rikthehemi në vitet ’30 – të para Luftës së Dytë Botërore.
Sidoqoftë dita e sotme, 11 prill, nuk ka asgjë të veçantë. Asgjë që ia vlen të përkujtohet. Diktatorët komunistë si Enveri, Stalini, Mao etj ia bënë varrin një sistemi që dukej se do sillte barazi, liri dhe mirëqënie për të gjithë. Por që solli veçse varfëri dhe shtypje të paparë.
Marksi para 200 vjetësh pat shkruajtur se proletariati do të jetë varrmihësi i borgjezisë! Por ai nuk pati parashikuar atëkohë se diktatura e proletariatit, e partisë unike në pushtet, do të ishte varrmihësja e komunizmit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment