Europianët duken këto kohët e fundit shumë të shqetësuar, deri edhe tejet të nervozuar. Shkaku qëndron te prishja e marrëdhënieve më shumë se shekullore ndërmjet tyre dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq sa tashmë në korridoret e Bashkimit European në Bruksel po flasin hapur për « tradhti »! Aq keq u ka rënë në stomak ndryshimi i politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deri më tani gjithçka ishte e thjeshtë dhe e bukur në marrëdhëniet ndërmjet dy superfuqive. « Do të sulmojmë Irakun ? OK – pa problem. Do heqim Kadafin? OK – sa më shpejt, aq më mirë”. Etj etj.
Por me rikthimin e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë gjërat kanë ndryshuar. Thellësisht. Trump nuk i konsideron më europianët si aleatë të besueshëm, apo të nevojshëm.
Madje ai i konsideron si të dëmshëm ! Dhe ky qëndrim i ri përbën një kthesë 180 gradëshe në marrëdhëniet transatlantike. Ky ndryshim po bie në sy sidomos në qëndrimin e këtyre 2 fuqive të mëdha ndaj Ukrainës.
Europianët mbeten përkrahës të vendosur të Ukrainës në luftën e saj çlirimtare kundër agresionit rus. Pavarësisht rreziqeve të mëdha që ky konflikt paraqet për paqen në kontinentin tonë, por ndofta edhe në mbarë botën.
Ndërsa Uashingtoni mendon se ka ardhur dhe ka kaluar koha e vendosjes së paqes në Ukrainë. Madje, sipas tyre, ky konflikt as që duhej të kishte filluar. Siç duket Shtëpia e Bardhë mendon sot se politika e deridjeshme e Obamës dhe Biden-it për ta afruar Ukrainën me NATO-n dhe për ta ndarë nga Rusia, ka qënë e gabuar. Se Ukraina i takon sferës ruse të ndikimit. Njëlloj si Groenlanda dhe Kanadaja që i takojnë sferës amerikane !
Si rrjedhim gjithë ai revolucion i portokalltë në Ukrainë dhe përleshjet në sheshin Majdan të Kievit ishin të kota dhe të panevojshme! Ukraina ishte mirë aty ku ishte, e barazlarguar nga Perëndimi dhe Rusia.
Por kundërshtitë e tashme amerikano – europiane janë më të gjëra dhe më të thella sesa thjesht konflikti Rusi – Ukrainë.
Stafi i tashëm në Shtëpinë e Bardhë është tërësisht konservator. Ai mbështetet te familja tradicionale, te patriotizmi kombëtar, te mbrojtja e interesave ekonomike, nacionale, etj. Ndërsa europianët mbeten mbështetës të vendosur të lëvizjeve dhe promovimit të organizatave dhe teorive në favor të minoriteteve apo grupeve LGBTQ+. Siç janë po ashtu mbështetës të vendosur të mondializmit, tregtisë së lirë pa dogana dhe pa kufij.
Ndryshe Amerika po pyet tani veten: Për çfarë na nevojiten sot europianët ?! Pse duhet t’i mbajmë ata gjithmonë hopa ?! Siç dihet Amerika ka ndërhyrë dy herë ushtarakisht në Europë gjatë dy luftërave botërore të nisura pikërisht në kontinentin e vjetër. Me mijëra ushtarë amerikanë kanë lënë kockat në fushat e betejave sa në Francë aq edhe në Gjermani e tutje.
Nga ana tjetër Amerika ka dalë me humbje të mëdha edhe në fushën e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europian. Dhe kjo jo vetëm për shkak të sasisë dhe cilësisë së mallrave të tregtuara nga një breg në tjetrin të Oqeanit Atlantik. Por edhe për shkak të diferencës së taksave doganore që amerikanët dhe europianët i kanë vendosur njëri tjetrit.
Në ndonjë rast këto taksa, për mallra të njëjta, kanë qënë deri 4 herë më të larta në Europë sesa taksat që Amerika i kishte vënë mallrave europiane. Kështu spjegohet edhe diferenca prej 300 miliardë eurosh që Europa fitonte nga tregtia e saj me Amerikën.
Por tani në Shtëpinë e Bardhë gjendet një biznesmen që ia di vlerën parasë. Prandaj ai ka vendosur të ballancojë të ardhurat në tregtinë SHBA – BE, duke i vendosur vendeve europiane taksa shtesë. Dhe njëkohësisht një nacionalist që vë interesat e vendit të tij mbi ato të çdo vendi tjetër apo organizmi ndërkombëtar. Dhe ndryshe nga europianët, që janë mondialistë të papërkulur, Trump është edhe një proteksionit i flaktë.
Pra shumëçka ndan sot Europën nga Amerika, sa në fushat e politikës së jashtme, aq edhe në ato ekonomike, morale, societale etj etj. Dhe shumë pak i afron. Ndofta vetëm ekzistenca ende e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, nga e cila amerikanët fitojnë shumë nga blerja e armatimeve të tyre nga vendet europiane të NATO-s. Por nga ana tjetër amerikanët humbasin po aq shumë nga mbajtja e bazave të tyre sa në Gjermani, por po aq edhe në Itali, Turqi etj.
Këto baza ishin tejet të nevojshme gjatë kohës së Luftës së ftohtë, por sot ato duket se nuk shërbejnë për ndonjë gjë të madhe. Rusia nuk ka forca dhe fuqi të sulmojë vendet e Bashkimit Europian. Me një popullsi prej afro 145 milionë banorësh, nga 450 milionë sa është popullsia e Bashkimit Europian. Për më shumë Europa zotëron dhe një fuqi ekonomike, ushtarake dhe teknologjike që e kalon disa herë atë të Rusisë.
Aq më shumë që edhe pas tri vjet agresioni Rusia mezi ka arritur me zor të madh të pushtojë vetëm 18 për qind të Ukrainës me vetëm 45 milionë banorë!
Por një gjë është e sigurt. Marrëdhëniet Europë – Amerikë kanë marrë një të çarë të tillë që zor se do riparohen ndonjë herë. Europa sot duhet të mbështetet te forcat e veta dhe të mos presë ndihmë nga askush tjetër. Ajo duhet vetëm të zgjohet nga gjumi, nga limontia që e ka zënë, të rî-industrializohet dhe t’i kthehet shkencës dhe punës. Si dikur. Ndryshe do ta pësojë edhe ajo siç e kanë pësuar me rradhë të gjitha perandoritë që i ka „vrarë“ e mira.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment