A mund të jenë shqiptarët me popullin palestinez?!

          Kjo pyetje më erdhi ndër mend kur lexova në një nga portalet më të njohura shqiptare, pamfletin e një publicisteje kosovare, me qëndrim në Amerikë, e cila shkruante se, po e citoj:”… nuk do të hesht kur shoh se si në emër të ‘solidaritetit islam’ promovohet një urrejtje që nuk ka të bëjë as me lirinë, as me të drejtat e njeriut.

         Ju që sot bërtisni për palestinezët pse heshtni për kurdët që i vret Erdogani, për jemenasit që po zhduken nën bombardimet e Arabisë Saudite?

         Pse nuk e ngritët zërin për gratë iraniane, afgane, jazide që po terrorizohen nën regjimet islamike? Sepse ju nuk e keni hallin tek njerëzit — ju përdorni gjithçka për të promovuar urrejtjen tuaj, për të shfajësuar antisemitizmin tuaj dhe për të minuar çdo vlerë perëndimore…”.

         Po a është vërtet kështu? Dmth që në qoftë se ti shpreh mbështetje për kauzën e popullit palestinez, qënke antisemit, radikal Islamist, terrorist, antiperëndimor etj etj?!

        Ndryshe është 100 për qind e vërtetë se islamizmi radikal përbën kërcënimin më të madh për shqiptarët. Se ekstremizmi islamik është një ideologji  e dhunshme, që përfaqëson edhe një anti-amerikanizëm të hapur. Dhe përbën edhe një agjendë të qarqeve antishqiptare që po përpiqet të helmojë rininë tonë si dhe po kërcënon po ashtu orientimin tonë euro-atlantik.

         Por këtu kemi të bëjmë me dy çështje dhe dy tema krejtësisht të ndryshme: njëra ka të bëjë me rrezikun real që u kanoset shqiptarëve nga islamizmi (dhe këtu autorja ka plotësisht te drejtë) dhe tjetra ka të bëjë me të drejtën apo jo të shqiptarëve për të mbrojtur kauzën e popullit palestinez.

         Dhe këtu ngatërrohet pak “muhabeti”. Disa thonë që nuk kemi punë me palestinezët se ata kanë qënë kundër Kosovës së pavarur. Disa të tjerë se ata janë myslimanë. Se ndryshe nga ata, Izraeli e njeh Kosovën etj etj

        Por ajo që më bëri të shkruaj këtë artikull është qëndrimi i saj arrogant “ex katedra” se si u dashka të mendojnë njerëzit. Cili është kufiri që ata nuk guxokan ta kalojnë, se ndryshe i presin rrufetë e Minervës!

         Dhe kështu rivijmë te titulli i shkrimit:” A mund të jenë shqiptarët me popullin palestinez”?!  “Pse nuk mbroni edhe gratë afgane, iraniane, kurdët, jemenitët, por vetëm palestinezët?” – pyet gazetarja kosovare, para se ta ngulë thikën edhe më fort në mish: – Se ju jeni antisemitë dhe islamistë të thekur!

         Po a është vërtet kështu?! Dhe ku e gjen ajo këtë guxim të karakterizojë njerëzit në pro dhe antiamerikanë, në pro dhe anti perëndimorë, vetëm sepse ata janë me popullin palestinez?! Me të drejtën e tij për të pasur shtetin e vet, krah atij izraelit?!

      Në të gjithë Europën dhe Amerikën studentët, por edhe një pjesë e mirë e qytetarëve psh kanë dalë në mbrojtje të Palestinës. As mos do t’i cilësojmë sot studentët e Columbias University si terroristë, meqë ata bllokuan leksionet si mbështetje ndaj kauzës palestineze?!

          Pyetja shtrohet: Me çfarë guximi kjo gazetare u heq të drejtën njerëzve të jenë me një popull që nuk ka atdhe?! Që po shtypet dhe nëpërkëmbet sot e 60 vjet nga sionistët?!

        E vërteta është se edhe 20 milionë kurdët që i kanë ndarë në 5 shtete, meritojnë të kenë atdheun e tyre. Me hir apo me pahir. Por bota në të cilën jetojmë nuk është e drejtë. Në këtë botë peshku i madh e ha të voglin. Nëse dikush shqetësohet për kurdët dhe palestinezët, dikush tjetër shqetësohet për jemenasit apo tibetianët!

         Prandaj këtu nuk bëhet fjalë për “solidaritet islam”, por thjesht për solidaritet njerëzor. Ai muhamedan psh që mbron kurdët ndaj turqve, (të dy palët myslimanë), nuk e ndërmerr psh këtë veprim për “solidaritet islamist”, por për hir të së vërtetës dhe së drejtës.

        Është plotësisht e vërtetë që Hamasi është një organizatë terroriste – islamike. Që ai kreu një operacion makabër, gjakatar dhe mizor më 7 tetorin e vitit 2023. Siç është po aq e vërtetë se numri i palestinezëve të  vrarë nga ushtria izraelite, pleq, gra, burra, fëmijë, është dhjetëfish më i lartë se ai i vetë izraelitëve! Dhe se palestinezët rrezikojnë sot të dëbohen përfundimisht edhe nga vatrat e tyre.

        Pa asnjë dyshim çdokush sot ka të drejtën e tij të ketë opinionin e vet për këtë çështje dhe të tjera. Dhe ta shprehë atë pa frikë kudo.

        Por, në rastin konkret, duhet mos harruar asnjë çast se përveç ekstremizmit islamik ekziston edhe një lloj fondamentalizmi kryqtar. Dhe shqiptarët nuk duhet të bien në këtë grackë. Askush nuk ka të drejtë t’i fryjë zjarrit dhe të akuzojë të tjerët me çfarëdo epitetesh , vetëm e vetëm se ata nuk mendojnë si ty. Kështu veprojnë vetëm diktatorët, ose ata që mendojnë se janë më të zgjuar dhe më të mençur se të tjerët!  Ndryshe ky është një qëndrim prej kryqtareje radikale antimyslimane dhe prosioniste.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment