Për bektashizmin, si një fe e veçantë dhe e çuditshme është folur dhe shkruar shumë. Sidomos në këto kohë kur islami politik është kthyer në një kundërshtar i vlerave perëndimore. Bota habitet që ekzistojnë edhe myslimanë tolerantë, që këndojnë dhe kërcejnë, që nuk i mbulojnë gratë, që pinë raki etj etj.
Siç dihet sekti alevi bektashi është një degëzim i shitëve, i krijuar pas ndarjes së madhe dhe të përgjakshme me sunitët arabë gjatë betejës së famshme të Qerbelasë në vitin 680 të erës sonë. Ndryshe themeluesi i këtij riti është Haxhi Bektash Veliu, prejardhja e të cilit shkon deri tek imami i 5-të pas profetit Muhamet.
Respekti për Zotin dhe frika prej tij, dashuria për mbarë njerëzimin është thelbi (quint-esenca) e alevizmit bektashian, që beson në krijimin e Njeriut nga Zoti dhe në pavdekësinë e tij. Por për të arritur këtë pavdekësi shpirti i njeriut duhet të dalë nga lëvozhga trupore nëpërmjet veprave të mira të kryera që në gjallesë, që do i mundësojnë shpirtit arritjen e të Vërtetës Hyjnore dhe shndërrimin e tij në Insami Kamil, ose Njeri i Përsosur!
Ky spiritualizëm ngjan shumë me atë të Nirvanas te feja budiste! Te një nga suratet e njohuara të bektashizmit pohohet se : « Njeriu gjendet në të Vërtetën e Zotit, dhe e Vërteta e Zotit gjendet tek Njeriu » !
Vitet e fundit, sidomos pas përhapjes së terrorizmit islamik, nga organizatat Al Qaida dhe ISIS, vërehet një ringjallje e interesimit të botës perëndimore ndaj këtij sekti që ndryshon kaq shumë sa nga radikalizmi sunit, por po aq edhe nga shitët konservatorë.
Bektashizmin ata po e konsiderojnë sot si një urë që lidh krishtërimin me botën myslimane. Ky është një myslimanizëm “cool” shkruante kohë më parë e përjavshmja “Slate”.
Perëndimi ka filluar vërtet të çuditet se si ekzistoka edhe një rrymë myslimane ku gratë nuk detyrohen të mbajnë ferexhe, ku ato falen së bashku me burrat, të cilët mund të pijnë edhe pije alkolike dhe të këndojnë dhe vallëzojnë, në një kohë që këto praktika janë të ndaluara në fenë sunite.
Njëlloj si në fenë e krishterë që i falet trinitisë së shenjtë: Zotit, Krishtit dhe Shën Mërisë, edhe bektashinjtë kanë trinitinë e tyre të shenjtë e përbërë nga Allahu, Muhameti dhe pasuesi i profetit, Aliu.
Madje edhe organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duket se është e mrekulluar nga sekti bektashi. Sidomos nga deklaratat e themeluesit të saj, Haxhi Bektash Veliu.
“Predikimet e filozofit të shekullit të 13 përmbajnë një mesazh që tetë shekuj më pas u përputhën me Deklarën Universale të të Drejtave të Njeriut aprovuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948” – vë në dukje me çudi organizata e Kombeve të Bashkuar për arsimin, shkencën dhe kulturën. Kjo habi është shkaktuar nga pohimi i Haxhi Bektash Veliut se “nuk ekziston asnjë dallim dhe ndarje në përballjet femër/mashkull” !
Ndërsa për botën, sidomos atë të krishterë, bektashizmi po përbën një risi dhe mrekulli, për shqiptarët ai është thjesht një nga katër besimet fetare që jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin.
Në Shqipëri bektashinjtë përbëjnë afro 20 për qind të popullsisë së përgjithshme. Afërsisht aq sa kanë mbetur edhe në Turqi. Njëlloj si në të kaluarën në Shqipëri, edhe në Turqi edhe sot e kësaj dite ata nuk njihen si bashkësi fetare e veçantë dhe nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga shteti. Që kur më 1923 Qemal Ataturku i përndoqi, i masakroi dhe i përzuri një pjesë të madhe të tyre. Sot bektashinjtë alevitë jetojnë të shpërndarë në 31 shtete të botës.
Për bektashinjtë, apo alevitët, siç thirren ndryshe, u fol shumë edhe këto muajt e fundit që kur grupi radikal sunit dëboi nga pushteti në Siri, diktatorin Bashar al Asad, i cili rridhte nga një familje alevitësh. Por po ashtu edhe në Turqi para afro 3 vitesh, kur Kemal Kiliçdaroglu, rivali kryesor i Erdoganit për postin e presidentit të vendit, pohoi se ai është me origjinë alevit/bektashi.”Besoj se kjo nuk përbën krim?” – pyeti ai.
Por kulmi i interesimit në Perëndim për sektin bektashi ngjau kur Edi Rama pohoi te „New York Times“ se selia ndërkombëtare e bektashizmit në Tiranë mund të fitojë statusin e një shteti të pavarur brenda shtetit shqiptar!
Nuk ka ngelur media në Perëndim që nuk ka komentuar dhe shpërndarë ato ditë lajmin e krijimit të një shteti të ri dhe të veçantë fetar në Tiranë
Një « Vatikan mysliman » në Shqipëri, e titullonte shkrimin e saj „Le Courrier International ». Ai do të ketë një të katërtën e sipërfaqes së Vatikanit – bënte të ditur e përjavshmja franceze.
ABC – Breaking News : Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një plan të tij për të transformuar selinë botërore të sektit bektashi në një shtet të pavarur – njoftonte media amerikane.
Shqipëria ka në plan krijimin e një mikroshteti sufi në Tiranë, lajmëronte po ashtu “France 24”.
Këtë njoftim e ka shpërndarë edhe media arabe në gjuhën angleze “Al Arabia”.
«Shqipëria gati të krijojë një minishtet mysliman bektashi, me një sipërfaqe prej 0.11 km² » vërente nga ana e saj « La Voix du Nord ».
Minoriteti shiit i bektashinjve do të ketë së shpejti kufijtë e tij legalë brenda kryeqytetit të Shqipërisë, bënte të ditur gjithashtu « Le Huffington Post »
« Një Vatikan mysliman për vëllazërinë sufite të bektashinjve » – vinte në dukje rrjeti televiziv « CNews »
Ndërsa media elektronike » 20 minutes » nënvizonte: « alkoli i lejuar, ferexheja dhe shamia jo të detyrueshme », ky është sekti bektashi që do ketë minishtetin e vet në Tiranë
« Shqipëria nxjerr në pah një islam të moderuar që do të ketë « shtetin » e tij në Tiranë, – shkruante në atë kohë nga ana e saj media italiane « Futuro Prossimo »
Po kështu mediat e mirënjohura „Euronews“, „Le Figaro », « La Croix » i kushtuan artikuj të veçantë këtij lajmi.
Edhe enciklopedia digjitale « Wikipedia » i ka kushtuar një informacion të hollësishëm kësaj nisme të paparë deri më sot. Njoftimi ishte i shoqëruar edhe me foton e selisë bektashiane në Tiranë si dhe me flamurin e saj të veçantë.
Ja se çfarë shkruante ajo : « Shteti Sovran i Rendit Bektashi është një mikroshtet evropian, tërësisht pa dalje në det në qytetin e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. E ideuar sipas modelit të Vatikanit për të qenë mbështetja territoriale e bektashinjve, një rend fetar ekzoterik i sufizmit, ai do të bëhet vendi më i vogël në botë kur të shpallet autonom.
Kompleksi i Tiranës përbën një territor bektashian që ndodhet në rrethet lindore të kryeqytetit. Fillimisht kjo sipërfaqe mbulonte 0,36 km², por ajo u pakësua me dy të tretat gjatë regjimit të diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxha, kur aty u ndërtuan magazina. Pas rënies së komunizmit në 1991, territori i Urdhërit pësoi humbje të mëtejshme, kur ndërmarrësit privatë të pasurive të paluajtshme ngritën ndërtesa pa leje, duke cenuar më tej domenin e këtij sekti.
Sot, kompleksi strehon selinë botërore të Urdhërit Bektashi, si dhe disa struktura fetare dhe kulturore, si mauzoleume, një bibliotekë, arkiva dhe një muze kushtuar historisë dhe traditave të Urdhërit. Lokali është gjithashtu një vend lutjeje dhe një qendër pelegrinazhi për adhuruesit bektashinj nga e gjithë bota ».
Më pas enciklopedia botërore spjegon origjinën e këtij sekti dhe transferimin e tij që para 100 vitesh në Tiranë.
«Urdhëri u themelua në shekullin e 13-të në Anadoll, nën Perandorinë Osmane. Në shekullin e 20-të, ai u ndalua nga Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi dhe presidenti i parë i Republikës së Turqisë, dhe u zhvendos në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Dhe këto ditë kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli planin për krijimin e shtetit sovran të Urdhërit Bektashi. Ky gjest synon të tregojë tolerancën fetare të vendit dhe të promovojë një vizion më pozitiv të Islamit ndërkombëtarisht, – nënvizonte Wikipedia.
Ishte një listë e gjatë mediash botërore që kishin shkruar dhe komentuar këtë propozim të kreut të qeverisë shqiptare. Nga mbi 40 të tilla u zgjodhën ato më të veçantat.
Sidoqoftë sot është festa e Novruzit, e vitit të ri bektashian. E ringjalljes dhe rifillimit të jetës. Gëzuar atëhere për të gjithë ata që besojnë dhe nuk besojnë
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment