Sa më shumë që afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë pozita dhe opozita shtojnë përpjekjet për t’i bërë zgjedhësit për vete. Secili ka „marifetet“ e veta në këtë drejtim. Rama zakonisht në këto kohë zgjedh për deputet ndonjë figurë të paparashikuar, por që gëzon popullaritet te zgjedhësit. Kështu ngjau para 4 vitesh me atë inxhinjeren e njohur që u „zbulua“ gjatë tërmetit.
Kësaj rradhe ai ka vënë në listë të sigurt „neomalësoren“, siç e ka pagëzuar shtypi. Bëhet fjalë për një çikë që merret me një farë biznesi turistik andej nga Komani, në mos qofsha i gabuar. Berisha nga ana e tij nuk heq dorë nga „qëndrestarët“, siç ka qejf t’i quajë. Ai parapëlqen edhe figura të vyshkura, pa dije, që nuk tërheqin kërrkënd, por që kanë si karakteristikë kryesore besnikërinë ndaj të parit të fisit!
Por karta kryesore e Ramës gjatë kësaj fushate të re zgjedhore, (po merremi me Ramën se me Salën është e kotë të merresh. Shanset e tij janë zero) është përqëndruar fuqishëm kësaj rradhe te anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Edhe kur e pyesin në rrjetet sociale për çështje që nuk kanë të bëjnë me anëtarësimin, por me nivelin e jetesës, pensionistët, prodhimin bujqësor apo blegtoral, (se ai industrial është fshirë nga faqja e Dheut që para 35 vitesh), përgjigja e Ramës është gjithmonë e njëjtë: „Me mua Shqipëria do hyjë në Bashkimin Europian! Me mua do të fitoni pasaportën europiane“!
Si spjegohet një sjellje e tillë?! Kaq poshtë ka rënë « pazari » saqë Rama të përdorë sot atë kartën e vjetër që është përdorur aq shumë para tij edhe nga Berisha me Nanon! Nuk ka ai asgjë tjetër me të cilën të mburret ?! Në fakt përpos një qetësimi të vendit, normalizimi të tij, (gjatë sundimit 12 vjeçar të Ramës nuk ka vrasje në bulevard, nuk ka Gërdec, askush nuk ta bën surratin si sholla e këpucës etj etj) Rama nuk ka shumë për tu lavdëruar. Po të përjashtojmë këtu turizmin që ka marrë një nam, hov dhe shtrirje si kurrë më parë!
Po a do tu bëjë vërtet përshtypje shqiptarëve tundja e pashaportës europiane ?! Asgjë nuk është më pak e sigurt. Shqiptarët i janë bashkuar Europës dhe Perëndimit individualisht, dhe nuk e kanë pritur këtë « sihariq » nga Berisha, Nano apo Rama.
Ata tani e njohin mirë Perëndimin, me të gjithë të mirat dhe të këqijat e tij. Dhe parullës do të « hyjmë në Europë dhe atëhere do të hapet Sezami edhe për ju » nuk i beson sot askush më. Shqiptarët janë zgjuar.
Sot nuk është më viti 1992 kur shqiptarët e paditur, të verbuar dhe të trullosur i besonin propagandës se « sa të përmbysim komunizmin, por për 3 vjet bëhemi si gjithë bota » ! Si « gjithë bota » do të thoshte si vendet e zhvilluara perëndimore.
Por kaluan jo 3 vjet, por më shumë se 30, dhe nuk u bëmë që nuk u bëmë si gjithë bota. Përkundrazi filluam t’i ngjanim çdo ditë e më shumë Afrikës dhe Afganistanit.
Është e sigurt se Rama do t’i fitojë prapë zgjedhjet. Se nuk ka alternativë përballë tij. Berishës dhe Metës u kanë rënë patkonjtë me kohë. Ata nuk ngjallin më entuziazëm dhe shpresë. Rreziku më i madh Ramës mund t’i vinte nga brenda, pra nga gjiri i Partisë Socialiste. Por Rama ka bërë kujdes që jo vetëm ta tjetërsonte Partinë Socialiste, (e cila sot nuk ka asgjë të majtë) por t’ia hiqte edhe bërthamën e mbetur brenda saj. Prandaj ai çdo katër vjet së paku ndryshon listat e deputetëve si dhe ministrave të qeverisë. „Brenda“ i kanë ngelur vetëm disa kokrra që ai nuk di si t’i heqë, pasi ata gëzojnë ende popullaritet te njerëzit.
Rama po ashtu ka punuar që të ketë gjithmonë Berishën para vetes. Se e di mirë se me atë si kundërshtar ai mund të mbretërojë sa të dojë. Megjithatë të dy ata nuk luftojnë dot ndaj dukurisë kohë. Berisha sot po u afrohet të 80-ve. Ndërsa Rama ka edhe ai nja 25 vjet të mira në politikë. Herë si kryetar bashkie i kryeqytetit, herë si ministër dhe tani ka 12 vjet që drejton qeverinë Dhe plus 4 vitet e ardhshëm do t‘i bëhen 16 vite në postin e kryeministrit!
Ai e di edhe vetë që e ka mbyllur ciklin dhe se nuk ka çfarë jep më. Vetë fakti se ai po përdor si „karrem“ për zgjedhësit një parrullë të dalë boje prej vitesh, dëshmon se idetë po i shterrin!
Por pushteti është i ëmbël dhe Rama, me shumë gjasa, do ta mbyllë karrierën e tij politike diku rreth vitit 2030. „Pas meje qameti u bëftë“ – ka pasë deklaruar para afro 300 vitesh Luigji i 14-të. Edhe Rama atëhere do të largohet pa peng se ka dhënë çfarë kishte për të dhënë. Për mirë apo për keq edhe ai do mbetet në historinë e popullit shqiptar.
Megjithatë le të presim deri më 11 maj.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment