Dita e djeshme ishte një ditë e rëndësishme për ortodoksët shqiptarë. Pasi në këtë ditë u zgjodh edhe kryepeshkopi i ri i Kishës Autoqefale Shqiptare.
Shumë pak dihej deri dje për këtë klerik. Prandaj pati edhe reagime dhe spekullime të shumta. Shumica e ortodoksëve shqiptarë urojnë që kreu i ri i kishës së tyre të ndjekë rrugën e Nolit. Apo atë të priftërinjve patriotë ortodoksë shqiptarë, disa prej të cilëve Patriarkana greke i dogji të gjallë në gëlqere. Vetëm e vetëm se ata luftuan dhe punuan për një kishë ortodokse shqiptare e ndarë nga Athina, ku edhe meshat dhe lutjet të kryheshin në gjuhën shqipe. Rastet e martirizimit të Petro Nini Luarasit, At Melanit, Papa Kristo Negovanit dhe plot të tjerëve dëshmojnë se sa e vështirë ka qënë mbrojtja e ortodoksizmit shqiptar nga ndërhyrjet e Greqisë.
Në këtë kuptim është shumë domethënëse edhe poema që rilindasi i shquar arbëresh, Zef Skiroi, (1865 – 1927) shkruajti për martirin Papa Kristo Negovanin të cilën po e sjellim këtu më poshtë :
Rilindasi Zef Skiroi për vrasjen e Papa Kristo Negovanit
Të krështerë e myslimanë,
Tek i shkreti Negovan
E gjithku në Shqipëri
Mbajnë lip e rrijnë ndë zi
Cilido si për një bir
Çë la jetën me pa-hir
Cilido si për një vlla
Çë nga grekërit u vra
Jo në luftë e jo për ftesë*
Po ndë fshehie e me të pabesë
Jo te sheshi i burrëris
Por te prita e kusaris
Se çë faj po ka shqiptari
E nd’ Athinë e te Fanari ?
Fol o Marko Sulioti
O Xhavellë, o Kondurioti
Thoni o trima të Arbëris
Çë lirinë i dhat Greqisë
Se çë faj po ka shqiptari
E nd’ Athinë e te Fanari ?
Thoni ju e ta xënjë gjithë bota
Se po duallën gjith të kota,
Trimërit e gjaku i juaj
Çu munduat për ca të huaj
Thoni se edhe për të vrar
Papa Kriston të pa-gjar*
se punonte si Shqiptar,
Jo për rrogë dhe jo për ar
…
- Ftesë : – faj
- Pa-gjar : – i pashoq
Sepse që nga viti 1830, që kur Greqia u shpall e pavarur, ajo ka ndjekur një politikë që donte t’i kthente të gjithë ortodoksët shqiptarë në Vorio epirotë, dmth në minoritarë grekë. Politikë që vazhdon me të njëjtën forcë edhe sot e kësaj dite.
Siç dihet, pas ateizmit të detyruar komunist, kisha ortodokse shqiptare, u drejtua nga një prelat i lartë grek, Anastasios Janullatos, i cili ndrroi jetë para pak javësh. Janullatos, gjatë 30 viteve të misionit të tij, u përfol dhe u akuzua për gjithshka. Siç edhe u mbrojt dhe u respektua nga një pjesë e besimtarëve shqiptarë.
Dhe kryepeshkopi i ri, Joan Pelushi, i zgjedhur nga një përfaqësi e lartë e klerikëve ortodoksëve shqiptarë, i quajtur sinod, është rritur dhe formuar në këtë mjedis, nën mbikqyrjen dhe mirëdashjen e ish kryepeshkopit Janullatos.
Pyetja që shtron tani opinioni publik shqiptar ka të bëjë me personalitetin dhe rrugën që do ndjekë peshkopi i ri. A do jetë ai përfaqësues i autoqefalisë shqiptare, apo do të jetë një vegël e patriarkanës greke në Shqipëri ?!
Flitet se Joan Pelushi, i thirrur dikur Fatmir, përveç emrit ka ndërruar edhe fenë. Pra është një i konvertuar dyfish. Në biografinë e tij nënvizohet se ai ka ndjekur studime të avancuara në Amerikë në një universitet teologjik, ku përgatiten klerikë ortodoksë.
Megjithatë mbetet enigmë se kush e financon këtë universitet! Dhe si është e mundur që kryepeshkopi i ri i Kishës ortodokse shqiptare ka mundur të ndjekë tri herë studimet atje, deri sa u dorëzua peshkop! Kush ia financoi këto studime dhe përse!
Pra ka shumë hije në karrierën e zotit Pelushi. Prandaj disa janë edhe mosbesues ndaj tij. Sepse edhe sot, si 200 vjet më parë, ka ende shqiptarë ortodoksë që e ndjejnë veten të lidhur shpirtërisht me Athinën. Megjithëse shumica e ortodoksëve shqiptarë janë pasues të vijës patriotike të Fan Nolit me shokë.
Megjithatë shumëçka varet nga vetë besimtarët shqiptarë. Dihet se populli shqiptar nuk është dhe nuk ka qënë kurrë shumë i dhënë pas fesë. Ndofta edhe për shkak se ndahet në dy fe, në të krishterë dhe muhamedanë, që ndahen edhe ato në dy bashkësi fetare, në katolikë dhe ortodoksë dhe bektashinj dhe sunitë. Dhe këtu nuk po përmendim një pjesë të madhe të popullit shqiptar që nuk i takojnë asnjë feje të veçantë, pasi kanë lindur nga martesa të përziera apo janë formuar gjatë regjimit komunist në laikë dhe ateistë.
Prandaj pavarësisht punës së « palodhur » dhe parave të investuara nga përfaqësuesit e katër besimeve fetare në vend, përkushtimi fetar është i dobët në Shqipëri. Fatmirësisht shqiptarët nuk ndahen nga njëri tjetri për shkaqe fetare, sepse të gjithë e pranojnë se feja e vetme e shqiptarit, është dhe mbetet Shqiptaria.
Megjithatë është me interes të shihet se çfarë rruge do të ndjekë kryepeshkopi i sapozgjedhur. Nëse ai do i kthehet rrugës së klerikëve patriotë shqiptarë, apo do përpiqet që ta afrojë sa më shumë kishën e formuar nga Fan Noli me qarqet më ekstremiste fetare në Greqi !
Se dihet mirë që forcimi i identitetit fetar në vend dobëson atë kombëtar. Dy janë bashkësitë fetare në Shqipëri që gjenden sot nën një presion maksimal nga qarqet e huaja. Në rradhë të parë myslimanët sunitë shqiptarë dhe së dyti ortodoksët.
Kështu psh gjatë urimit të namazgjasë në Tiranë, një lloj katedraleje myslimane, myftiu turk nuk ngurroi të shante dhe denigronte në turqisht deri edhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin. Në një kohë që aty ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama!
Sot për sot duket sikur toleranca fetare, së bashku me indiferencën për fenë, janë mbizotëruese në Shqipëri. Por edhe sa kohë do të vazhdohet kështu. Kur vërehet edhe ndërhyrja e agjenturave greko – turke në vend ?!
Shembujt tragjikë në Bosnje dhe Liban dëshmojnë se shpesh herë kjo tolerancë varet në një fije peri. E keqja është se edhe politikanët shqiptarë, thjesht për të fituar vota, nuk lënë festë fetare pa i futur hundët, duke uruar herë një agjërim të lehtë apo edhe paqe dhe mirësi. Në vend që për të mirën e kombit, të tregoheshin thjesht indiferentë.
Këto ditë, dy nga festat kryesore të myslimanëve dhe të krishterëve, ajo e ramazanit dhe e kreshmave, kanë përkuar në të njëjtin muaj. Atëhere secili të ndjekë fenë që do, por pa i rënë në qafë askujt tjetër. Të krishterët, myslimanët, ateistët, laikët dhe agnostikët – janë të gjithë shqiptarë. Pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment