Jam më në fund dy partitë kryesore në vend, PS-ja dhe PD-ja, shpallën listat e tyre me kandidatët për deputetë. Ajo që bien në sy është fakti që deri në fund askush nga deputetët e sotëm nuk e dinte nëse do të ishte apo jo kandidat në zgjedhjet e 11 majit të ardhshëm. As nëse do të ishin në « listë të hapur » apo të « mbyllur ».
Ishin “padishahët” Berisha me Ramën që dinin dhe vendosnin gjithçka. Dhe siç edhe pritej, disa emra, që nuk i njeh njeri as sot, pas 4 vitesh si “baballarë të kombit”, janë hequr. Disa të tjerë, po aq të panjohur, janë shtuar.
Dhe asnjë spjegim se përsi iksi u hoq dhe ypsiloni u vu ! As Rama dhe as Berisha nuk mund ta ulnin veten aq poshtë sa të japin spjegime. Por « loja » e Berishës ishte më e hapur se ajo e Ramës. Ai mbajti pranë vetes, ose vendosi në lista të sigurta, vetëm ata që ai i cilëson si më besnikë ndaj tij. Ky ishte kriteri i tij kryesor i përzgjedhjes.
Ndërsa te Rama ra në sy përpjekja për të hequr qafe, disa që i kanë mbetur nëpër këmbë këto legjislaturat e fundit, dhe që nuk po arrin dot t’i largojë. Sepse edhe ai dëshiron që të ketë si deputetë vetëm ata që i mbeten atij mirënjohës që nga askushi i bëri dikushi!
Ideja e tij kryesore është ta mbushë parlamentin, madje edhe qeverinë, me njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, me Partinë Socialiste. As në ideologji, as në praktikë. Për më shumë ai, siç ka bërë gjithmonë, ka zgjedhur për në postin e lartë të deputetit, siç thamë njerëz të marrë nga rruga. Pa njohje në publik, pa reputacion, pa ndonjë arritje në fushën profesionale!
Sa e tmerrshme është të krahasosh këta lepurushët e sotëm, që nesër do të jenë bërë milionerë, me viganët që mbushnin dikur sallat e Kuvendit Kombëtar në kohën e Nolit apo të Zogut, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, etj etj. Njerëz që ishin në ballë të popullit. Me shkolla dhe kulturë perëndimore. Me dashuri të madhe për Atdheun. Që kishe lezet t’i dëgjoje kur flisnin.
Madje edhe në fillimet e demokracisë, parlamenti pluralist i viteve 1991 – 1992 ishte i mbushur me profesorë dhe kandidatë shkencash. Sidomos te PS-ja. Madje edhe të burgosurit politikë dalloheshin për kulturën dhe nivelin e tyre të lartë intelektual.
Ndërsa sot situata është katastrofike. Pothuajse asnjë emër nga ata të „rinjtë“ që sheh në listën e PS-së dhe PD-së nuk të mbetet në mendje. Për asnjërin nuk mund të thuash: „Ah sa mirë që i paska vajtur mendja për ta propozuar këtë për deputet“!
Jo, jo. Thjesht njerëz të marrë nga rruga. Sepse as Rama dhe as Saliu nuk kanë nevojë për njerëz me integritet, që mendojnë me kokën e tyre, që japin mendime dhe sugjerojnë zgjidhje.
Sepse më shumë se për vendin ata të dy mendojnë për karrigen e tyre. Aq më shumë që të dy të sipërpërmendurit kanë nja 30 vjet në jetën politike. Saliu nga 25 vjet me teserën e kuqe të Partisë së Punës, tani po bën 35 vjet me tesërën blu të Partisë Demokratike. 35 vjet që ai nuk lëshon pe. Që nuk i hap rrugën asnjë tjetri. Veçse ndonjë marionete të teatrit politik të kukullave, siç bëri me Bashën!
Sepse që të dyve u është mbushur mendja top se fati i tyre është i lidhur me fatin e vendit. Se pa ta Shqipëria përfundoka në humnerë! Ndërsa Berisha ka edhe një arsye më shumë për të mbetur në krye të partisë, deri sa të japë shpirt. Njëlloj si Stalini, Enveri, Mao Ce Duni dhe gjihë diktatorët e tjerë « popullorë“! Se ai e përdor PD-në si çadër mbrojtëse ndaj drejtësisë. Me ta si dhe me djemtë e Mamurrasit! Por asnjë lloj „drejtësie“ duket se nuk guxon të merret me të. Se të gjithë përfaqësuesit e saj kanë dalë nga prehri i tij, me shkollën e plepave.
Ndërsa Edi Rama e sjell ndryshe « sherjanë ». Ai, siç ka pohuar vetë, nuk mban asnjë përgjegjësi për veprimet e atyre që ai i ka zgjedhur me dorën e vet. Po aq sa mban përgjegjësi ai që i var mëlçitë ujkut në qafë. Apo që vë hajdutët si roje të bankave ! » Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë » – kjo duket se është motoja e Ramës.
Të dy si Rama, si Berisha, sillen si pashallarë. Ata nuk duan t’ia dinë për opinionin e popullit. Dhe i kujtojnë dhe i trajtojnë zgjedhësit sikur të jenë një tufë delesh.
Dhe askush nuk i pyet : « Pse e hoqe filanin dhe pse e vure fistekun ? ». Se e dinë përgjigjen : « Se kështu më do qejfi » ! Ndofta nuk shprehen kështu haptazi, por me veprimet e tyre, me përzgjedhjet që bëjnë, e tregojnë hapur përbuzjen dhe përçmimin e tyre ndaj popullit, që ka rënë nga shiu në breshër.
Në këto kushte a nuk do të ishte mirë që zgjedhësit të votonin për partitë e vogla, për ato që sapo janë shpallur. Jo se këto partiçka do bëjnë namin ! Jo se ato janë më të mira dhe më të drejta se ato të gozillave PD dhe PS. Por vetëm se kështu do i japin një dackë të mirë surratit si Ramës ashtu edhe teseraxhiut të përjetshëm Sali.
Dhe ndofta mund të bëjnë që asnjë nga këto parti të mos fitojë shumicën e cilësuar në Kuvend dhe të detyrohen të bëjnë kompromise dhe koalicione. Ky ndofta do të jetë edhe hapi i parë dhe i vërtetë drejt demokracisë reale në Shqipëri.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment