Gjithçka vërtitet dhe rrotullohet rreth kësaj pyetjeje. Ky ishte edhe shkaku i përplasjes në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet presidentit amerikan dhe zëvendësit të tij me presidentin e Ukrainës.
Për sa kohë që shteti amerikan drejtohej nga ish presidenti Biden, kjo pyetje as nuk shtrohej në rendin e ditës. Perëndimorët, qoftë amerikanët, qoftë britanikët, francezët, gjermanët etj ishin të vendosur që lufta të zgjatej deri sa Putini të mposhtej, ose deri sa ushtari i fundit ukrainas të binte në fushën e betejës.
Ideja ishte që Putini me çdo kusht dhe me çfarëdo sakrifice duhej ta humbte këtë luftë. Sepse ishte në lojë, veç të tjerave, edhe vetë prestigji i Perëndimit që u sfidua haptazi nga presidenti rus. Prandaj edhe mjetet financiare dhe ushtarake nuk u kursyen për këtë qëllim. Vetëm dy gjëra ishin të ndaluara për Zelenskin : armët atomike dhe prania fizike e ushtarëve të NATO-s në territorin e Ukrainës. Pra do të shmangej çdo përplasje ndërmjet forcave ruse dhe atyre të vendeve perëndimore.
Përveç tyre miliardat drejt Kievit nuk ndaleshin. Njëlloj me tanket, kundra tanket, raketat, predhat dhe bombat. Ndryshe me qindra specialistë të NATO-s filluan të angazhoheshin dhe të shërbenin në Ukrainë. Vetëm CIA kishte ngritur aty 12 qendra zbulimi. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për rrjetin satelitor “StarLink” të miliarderit amerikan dhe krahut të djathtë të presidentit të tashëm amerikan, Elon Musk.
Dhe ky rrjet satelitor, që e ndërpreu aktivitetin sot më 4 mars, ishte një ndihmë e paçmuar për forcat ukrainase. Ndryshe ato ishin sytë dhe veshët e tyre. Pra ndihma e Perëndimit dhe sidomos ajo amerikane ishin faktorët kryesorë që mundësuan stopimin e forcave ruse në Donbas. Po të mos ishte kjo ndihmë e gjithanshme dhe e pakursyer, trupat ruse do të kishin hyrë me kohë në Kiev.
Ndryshe vetëm ndihma ushtarake amerikane kapi shifrën e 64 m i l- i a r d ë dollarëve! Pa folur këtu për ndihmat miliardëshe që Britania, Polonia, Franca etj i ofruan edhe ato Kievit. Shifra këto që po të përdoreshin për ndalimin e luftës dhe paqen në botë do ia kishin ndryshuar faqen Dheut!
Por me kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë politika amerikane ka ndryshuar 100 për qind. Sa në fushën politike, aq edhe në atë ekonomike. Trump nuk e sheh dhe nuk e konsideron presidentin e Rusisë si një armik të Amerikës dhe Perëndimit. Krejtësisht ndryshe nga Biden që kishte mbetur një nga dinozaurët e fundit amerikanë të Luftës së Ftohtë.
Për presidentin e tashëm të Amerikës, supermacia e vendit të tij kërcënohet sot rrezikshëm veçse nga Kina. Pra të gjitha bateritë, e gjithë vëmendja dhe të gjithë forcat duhen përqëndruar drejt gjigandit aziatik.
Ndryshe Trump është i mendimit se kjo luftë midis „vëllezërve armiq“, Ukrainës dhe Rusisë, nuk kam më kuptim. Aq më shumë që këto vende i lidh bashkë gjuha, kultura, feja, traditat, historia etj.
Dhe në fakt lufta pati si arsye kryesore shkëputjen e Ukrainës nga sfera e influencës ruse drejt Perëndimit. Kështu duhet parë dhe kuptuar edhe „revolucioni portokalli“ i sheshit Majdan të Kievit gjatë vitit 2014.
Ish presidenti i atëhershëm, Janukoviç, i zgjedhur me votat e ukrainasve autentikë dhe atyre rusofonë, ishte i kësaj linje, pra i barazlargësisë së Kievit nga Rusia dhe Perëndimi. Por ai u dëbua nga pushteti falë edhe ndërhyrjes së vetë Amerikës së Obamës në atë kohë. Mbahet mend mirë shprehja e diplomates së lartë amerikane Victoria Nulland në prill të vitit 2014, „Fuck Europe“!
Shkaku i zemërimit të saj ishte qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Nikola Sarkozy, të cilët nuk e shihnin me sy të mirë afrimin dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO! Dhe koha tregoi se ata u treguan realistë dhe në fund të fundit patën të drejtë.
E vërteta është se lufta 3 – vjeçare në Ukrainë rrezikonte nga një çast në tjetrin të kthehej në një luftë ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Dhe presidenti ukrainas nuk ka lënë gur pa lëvizur që edhe NATO të futej në luftë kundër Rusisë.
Por kthimi i konfliktit nga Ukrainë – Rusi në NATO – Rusi me shumë gjasa do të bënte që të shpërthente edhe Lufta e III Botërore. Sepse Kina nuk do të lejonte që aleati i saj, Rusia, të fundosej. Se e dinte se kush e kishte rradhën në rast se NATO thyente Rusinë.
Por hyrja në luftë e Kinës në ndihmë të Rusisë do kishte si kundërveprim edhe hyrjen në luftë të Japonisë, Australisë, Koresë së Jugut etj në ndihmë të NATO-s. Dhe askush nuk mund të siguronte se bombat atomike nuk do fluturonin atëhere sa nga një krah në tjetrin.
Prandaj Trump ka të drejtë kur kërkon që kjo luftë të ndalet. Me çdo kusht dhe me çdo çmim. Pa dyshim që Ukraina do të jetë ajo që do e paguajë „çmimin“ „ kësaj paqeje. Por Kievi e pati rastin e tij të artë që të ruante integritetin e vendit të tij, në rast se do kishte zbatuar marrëveshjen 1 dhe 2 të Minskut. Në ato marrëveshje, që u pranuan dhe u nënshkruan edhe nga Kievi, Moska, Berlini dhe Parisi, Ukraina ruante tërësinë tokësore të saj, (me përjashtim të Krimesë).
Krahinat e Donbasit të banuara në shumicë nga rusophonë dhe shumë të pasura me minerale të rralla, mbeteshin po ashtu në shtetin e Ukrainës, por fitonin një autonomi të gjërë. Por këto marrëveshje nuk u vunë kurrë në jetë. Dhe kjo për faj të presidentëve ukrainas dhe disa vendeve perëndimore që mbështesnin deri në fund luftën.
Duke pasur parasysh të gjitha këto ngjarje dhe rreziqe për paqen në botë, që para 2 vjetësh kam shkruajtur në këtë blog se lufta Ukrainë – Rusi duhet të përfundojë patjetër dhe me çdo kusht. Lexuesit e këtij bllogu mund ta verifikojnë dhe ta rilexojnë pa vështirësi, nëse duan, këtë artikull.
Ndryshe nuk duhet konsideruar si fundi i botës në rast se kjo luftë përfundon. Përkundrazi. Edhe në rast se Ukraina humbet Donbasin. Dhe nuk është hera e parë që një vend humb një pjesë të territorit të tij, sepse nuk ka ditur të trajtojë atje si duhet popullsinë vendase.
Prandaj Trump, pavarësisht se çfarë thonë disa, ka të drejtë që akuzon Zelenskin se ai nuk është i gatshëm t’i japë fund kësaj lufte, që në fund të fundit, ka vazhduar deri më tani, veçse falë ndihmës dhe mbështetjes së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prandaj kjo luftë duhet tê përfundojê sa më shpejt. Ai qê po vuan është populli i Ukrainës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment