I humburi i madh sot është populli i Ukrainës. Po nesër?.. ai i Kosovës?!

        Përplasja e mbrëmshme në Shtëpinë e Bardhë në Uashington ndërmjet presidentit amerikan dhe atij ukrainas, shkaktoi pothuajse një “tërmet” të paparë në kancelaritë politike të mbarë botës.

        Një “clash” i tillë as që pritej dhe as që kishte ngjarë më parë. Trump dhe Zhelenski u ndanë madje pa i dhënë dorën njëri – tjetrit. Për më shumë ishin zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët  i bënë të ditur presidentit të Ukrainës, se ai nuk kishte çfarë të bënte më atje. Pra në zyrën e presidentit më të fuqishëm të botës. Duke përjashtuar këtu ndofta atë të Kinës.

        Zhelenski kishte vajtur në Uashington me një kërkesë të qartë: ai ishte i gatshëm të pranonte shfrytëzimin e pasurive të tij nëntokësore nga biznesmenët amerikanë, por kërkonte si shpërblim një përkrahje të plotë nga Amerika për të siguruar kufijtë e vendit të tij.

       Por biznesmeni amerikan dukej se nuk dëgjonte nga ai vesh. “Ne do të vendosim paqen. Por ti duhet të pranosh humbjen përfundimtare të tre rajoneve të Donbasit. Dhe as që flitet më për Krimenë. Po ashtu Ukraina duhet ta harrojë anëtarësimin në NATO. Dhe pasuritë e saj nëntokësore duhet t’ia falë të paktën për 50 vjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës”! Kjo ishte paqja e propozuar nga Trump. i cili për më shumë nuk pranoi as të garantonte sigurinë e Ukrainës nga një sulm tjetër i Rusisë!

       Ne shqiptarëve këto sjellje dhe këto terma na kujtojnë ultimatumet e Duçes drejtuar mbretit Zog, disa ditë para se Italia fashiste të pushtonte Shqipërinë. Sigurisht që Amerika demokratike nuk mund të krahasohet me Italinë fashiste të Musolinit. Por Rusia po. Dhe tërheqja e Amerikës nga mbështetja për Ukrainën, mund t’i duket Putinit si një ftesë për ta shqyer prenë e tij.

        Me një fjalë Zhelenski dilte si rruar qethur nga kjo marrëveshje paqe. Ai humbiste gjithçka, ndërsa të vetmit fitues ishin Putin me Trump.

        Ukraina i besoi një herë Perëndimit kur ajo hoqi dorë nga stoqet e saj bërthamore në vitin 1991, kur u njoh edhe pavarësia dhe sovraniteti i saj i plotë. Dhe vetëkuptohet se po t’i kishte ruajtur ato armë atomike, Putini nuk do të kishte guxuar kurrë ta sulmonte atë.

       Presidenti i tashëm amerikan Trump në fakt duhet përgëzuar për nismën e tij të rivendosjes së paqes në Ukrainë. Aq më shumë që Biden dhe europianoperëndimorët kishin deklaruar deri pak javë më parë se nuk duhej lejuar kurrsesi që Putini ta fitonte këtë luftë. Dhe të gjitha këto vende prej 3 vitesh nuk e ndalën asnjë çast ndihmën e tyre të gjithanshme ndaj Ukrainës së sulmuar nga Rusia.

      Tri vjet luftë e përgjakshme si pasojë e së cilës Ukraina është shkatërruar sot materialisht. Numri i të vrarëve dhe gjymtuarve arrin në disa qindra mijëra. Po ashtu 7 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre dhe janë çvendosur në Poloni, Gjermani, Francë, Britani etj dhe duket se nuk kanë ndermend të kthehen në vendin e tyre të shkatërruar totalisht.

      Sikur të mos mjaftonin gjithë këto mënxyra, tani edhe Trumpi i kërkon Ukrainës që ajo t’i dorëzojë asaj mineralet nëntokësore dhe ato të rralla për të kompensuar 350 miliardë dollarët, që Amerika i paska dhënë Ukrainës gjatë këtyre 3 viteve!

       Por ka diçka që nuk shkon këtu. Kur Biden i ofroi këto ndihma financiare dhe ushtarake, ishte e qartë se ato do të përdoreshin për t’i bërë ballë agresionit rus. Pra nuk ishin borxhe, por ndihma që Perëndimi i ofronte aleatit të tij.

      Por Trump, si një biznesmen që është, e sheh ndryshe këtë punë. Ai kërkon tani që Amerikës t’i kthehen paratë që ajo vetë ia dhuroi Ukrainës, si kontribut në luftën ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

       Ukraina ra në grackë. Ajo tani i ngjan kafshës së plagosur të cilën bishat e egra po përpiqen ta shqyejnë.

        Gjithçka nisi në vitin 2014 kur në sheshin Maidan të Kievit filluan demonstratat ndaj presidentit legjitim, Jakunoviç. “Gabimi” i tij ishte se ai donte të mbante një ballancë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Si pasojë e këtyre demonstratave presidenti Jakunoviç u rrëzua nga pushteti dhe vendin e tij e zunë presidentët pro-perëndimorë, Poroshenko dhe Zhelenski.

      Madje Zhelenski u zgjodh në postin e presidentit me premtimin e bujshëm se ai do të vendoste me çdo kusht paqen. Por jo vetëm që ai nuk punoi në rivendosjen e paqes, por e intensifikoi edhe më tej luftën. Madje nuk pushonte së deklaruari se nuk do të kishte paqe pa rivënë nën kontroll edhe Krimenë, bashkëngjitur Rusisë më 2014-tën, por po ashtu edhe 3 republikat e Donbasit. Vendet perëndimore i mbështesnin pa kursim këto synime.

       Por gjërat ndryshuan rrënjësisht me kthimin e Trump në Shtëpinë Bardhë. Ky i fundit ka marrëdhënie tepër të ngrohta me presidentin rus Putin. Dhe lufta në Ukrainë nuk ka edhe aq shumë rëndësi për të. Synimi i tij është ta afrojë Rusinë dhe ta ndajë atë nga Kina. Se Trump, ndryshe nga Biden, konsideron si armikun më të madh të Amerikës jo Rusinë, por Kinën. Ndërsa lufta Ukrainë – Rusi e hodhi pikërisht këtë të fundit në krahët e Kinës.

       Aleancat janë përmbysur. Armiku i djeshëm bëhet sot miku yt më i mirë dhe e kundërta. Amerika e Trumpit nuk do t’ia dijë më për marrëdhëniet ndërkombëtare, për historinë e aleancave të shkuara. „America first“ – është deviza e saj.

      Po nesër çfarë mund të ngjasë me NATO-n, me marrëdhëniet Europë – Amerikë apo edhe me Kosovën?! Asgjë nuk është sot më e pasigurt. Ukraina është ndofta viktima e parë e ndryshimit të lidershipit në Shtëpinë e Bardhë. E dyta është Gaza.

        Trump ka propozuar që 2.4 milionë palestinezët që kanë jetuar prej shekujsh në ato treva, të dëbohen dhe të vendosen ndofta në Arabinë Saudite, Egjipt, Senegal dhe pse jo edhe në Shqipëri?! Dhëndrri i tij izraelit, Jared Kushner, mund të ndërtojë resorte madhështore në bregdetin e boshatisur të Gazës. Njëlloj si ato që ka paraparë të ngrejë në Sazan!

     Po me Kosovën çfarë do ngjasë?! Aq më shumë që Trump një ditë të bukur mund të tërheqë trupat amerikane nga “Bondstil”-i. Dhe në rast se Serbia, mikja e Rusisë dhe e Grenellit, fut trupat në veriun e Kosovës dhe më gjërë, kush mund t’ia mbajë dorën?!

     Kohë të vështira po vijnë për gjithë botën. Sidomos për të vegjëlit dhe të dobëtit. Është rikthyer koha e perandorive të mëdha që shtypin me këmbë ata që nuk u binden.

     Braktisja e Ukrainës, afrimi i Amerikës me Rusinë, largimi dhe distanca me Bashkimin Europian, –  nuk janë shenja të mira. Kushedi se çfarë do të na shohin sytë muajt dhe vitet në vijim.

       Europa jetoi, lulëzoi dhe përparoi si kurrë më parë gjatë këtyre 80 viteve paqë. 1945 – 2025. Kësaj periudhe prosperiteti, progresi dhe mirëqënieje po i vjen fundi. Dhe fundi do të jetë i dhimbshëm pa asnjë dyshim.

      “Zoti na ruajt”, – siç thoshin dikur të vjetrit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment