Nacionalizmi i Kurtit do ta dëmtojë Kosovën

      Albin Kurti ka sot një rast të artë të largohet me kokën lart nga pushteti. Se ai doli përsëri forcë e parë, duke fituar edhe më shumë vota se PDK-ja dhe LDK-ja së bashku. Dhe kjo fitore vjen pas 4 vjet persekutimesh, denigrimesh, sharjesh, shpifjesh dhe mallkimesh që nuk i janë ndarë kryeministrit të Kosovës gjatë këtyre 4 viteve që ai udhëhoqi si duhet shtetin e tij.

       Ai kishte mbetur si «  I vetëm dhe trim në luftë”, siç ishte edhe titulli i një libri të njohur, botuar në kohën e diktaturës në Shqipëri. Madje edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i preu tërësisht marrëdhëniet me të. Ndërsa Bashkimi Europian dhe Grenell, si përfaqësues i presidentit amerikan, u shprehën pothuajse njëkohësisht dhe vetëm dy ditë para zgjedhjeve kundër qeverisjes së Kurtit. Mesazhi i të gjithë atyre ishte tejet i qartë: “Na e hiqni qafe këtë kryeministër”!

      Por shqiptarët e Kosovës, si gjithmonë edhe kësaj radhe, u treguan tepër të pjekur politikisht. Ata votuan me mendjen dhe zemrën e tyre dhe nuk morën parasysh “këshillat” e miqve apo armiqve.

      Dhe me shumë gjasa Kurti mund ta krijojë përsëri shumicën e nevojshme prej 61 vendesh për të qeverisur vendin edhe 4 vite të tjera. Shumëçka do varet edhe nga qëndrimi i pakicave jo serbe, që me kushtetutë i kanë 10 vende të siguruara në parlamentin e Kosovës. Bashkë me 10 vendet e pakicës serbe!

      Vetëm këto pakica kanë të siguruara kështu 16 përqind të votave në parlamentin e Kosovës. Kjo e bën të vështirë ngandonjëherë edhe formimin e qeverisë në Prishtinë.

      Por prapëseprapë Kurti duhet të largohet. Sepse ai edhe këto ditë kur është kryeministër në detyrë, vazhdon pa ndërprerje të punojë për të vendosur sovranitetin e plotë të Kosovës në të katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës.

      Por Kurti nuk po e kupton që nuk po e kupton dhe duket se nuk don me e kuptu se bota sot po ndryshon me shpejtësi.  Dhe se veprimet e tij po pezmatojnë sa Amerikën, por po aq edhe Europën Perëndimore. Dhe kjo një ditë mund të sjellë pasoja tejet të padëshirueshme deri edhe për sovranitetin e Kosovës.

     Por kjo rrezikshmëri duket se nuk e tut fare kryeministrin e Kosovës. Ai luftoi dhe fitoi përsëri besimin e zgjedhësve të tij më 9 shkurt.

      Megjithatë disa veprime të Kurtit, edhe këto ditë, kur ai është kryeministër në hije, kanë ngjallur shqetësime në kancelaritë perëndimore. Kështu psh ambasada amerikane në Kosovë, jo më larg se dje është shprehur e shqetësuar për, siç ka thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.

       “Këto dhe veprime të tjera të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, është deklaruar në një reagim të ambasadës në rrjetin social X.

        Ky reagim vjen pas veprimit më të fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat i mbyllën të premten e kaluar katër objekte të qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme gjatë procesit zgjedhor”.

       Policia e Kosovës ka kumtuar përmes një deklarate se ajo  ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e qendrave për punë sociale, pasi katër punonjës të kësaj qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

        Sipas kësaj komunikate, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

       Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

         Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në objektet e këtyre qendrave, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

       Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se punonjësit e këtyre qendrave nuk do të mbeten pa paga, ashtu siç asnjë përfitues i ndihmave sociale nuk do të mbetet pa përfitimet që ua paguan atyre shteti i Serbisë.

      Dihet mirë se pjesëtarët e bashkësisë serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër e të ngjashme.

       Si dihet po ashtu se autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se veprimtaria e tyre është e paligjshme. Por Beogradi zyrtar pavarësisht prej të gjithave ka vazhduar t’iu japë paga dhe ndihma të gjithfarëllojshme.

      Ndryshe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka pohuar më 18 shkurt se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

       Edhe Nathalie Loiseau, (Luazo) shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati deklaruar më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë atje.

       Përpara këtyre fakteve të pohuara nga zyrtarë ndërkombëtarë të pavarur si spjegohet atëhere deklarata e ambasadës amerikane?! Përgjigja është tejet e thjeshtë. Miku më i madh i Kosovës deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë ndryshuar kursin e politikës së tyre të jashtme me 180 gradë.

        Deri më tani psh ata ishin mbrojtës të vendosur të Ukrainës. Sot po përqafohen me Kremlinin dhe po i kërkojnë Zelenskit miliardat që i kanë dhënë gjatë këtyre tre viteve luftë. Para që ishin dhënë vullnetarisht nga Amerika pa asnjë detyrim. Por Trump, po kërkon sot që ato para t’i marrë duke shfrytëzuar pasuritë nëntokësore të Ukrainës.

       Dhe për më shumë presidenti amerikan nuk garanton as tërësinë territoriale të saj. Sipas tij tokat e pushtuara nga Rusia deri më sot duhet t’i ngelin pushtuesit ! Dhe bëhet fjalë për 120 mijë kilometra katrore, afërsisht sa dymbëdhjetëfishi i sipërfaqes së Kosovës! Të cilat Trump po ia fal Rusisë, pa iu bërë vonë fare për gjakun e derdhur nga ukrainasit dhe sakrificat e tyre të patregueshme për të mbrojtur tokën e tyre.

       Po sikur e njëjta politikë të ndiqet edhe ndaj Kosovës?! Boll që atje të krijohen disa incidente me disa të vrarë. Dhe vëmendja e Trump dhe e botës rikthehet atje. Serbia për të vendosur „qetësinë“ e banorëve serbë në Kosovë fut atje ushtrinë e saj. Siç veproi Rusia në Donbas !      

      Deri atëhere KFOR-i dhe sidomos forcat amerikane mund të jenë por edhe mund të mos jenë më aty. Dhe Trump me një të rënë të shpatës vendos : « Ato toka i takojnë Serbisë ». Dhe ndofta edhe me Ujmanin dhe Trepçen bashkë. Kush mund ta ndalojë?!

      Prandaj politika e Kosovës duhet të ndryshojë. Si ndaj 10 komunave me shumicë serbe, por sidomos ndaj Uashingtonit. Duhet një koalicion tjetër që të jetë i ndëgjueshëm ndaj Fuqive të Mëdha perëndimore. Që të mos krijojë incidente të panevojshme. Që të mos tërheqë vëmendjen e botës. Dhe që në fund të fundit t’i lejë serbët në „punën“ e tyre.

         Pa dyshim që sovraniteti i Kosovës në këto komuna do të dobësohet ndjeshëm. Por është më mirë kështu, sesa që Serbia t’i marrë ato me forcën e armëve. Siç ka bërë gjatë shekujve.

       Jetojmë përsëri në kohën kur ligjin e bën më i forti. Prandaj nacionalizmi i Kurtit sot veçse prish punë.  Për të gjitha këto arsye ai duhet sot të largohet nga pushteti. Për të mirën e Kosovës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment