Ne që e kemi jetuar epokën e miqësisë së „pathyeshme » Shqipëri – Kinë e mbajmë mend shumë mirë se si reaguan kinezët ndaj Mao Ce Dun-it kur në këtë vend nisën reformat ekonomike të nxitura nga Ten Hsio Pin në vitin 1977.
Kinezët nuk e hodhën poshtë Mao Ce Dun-in dhe as nuk ia rrënuan statujat. Por e kritikuan hapur dhe ashpër për gabimet e tij, sidomos gjatë të ashtuquajturit « Revolucion kulturor ».
Populli kinez ishte i mendimit se Mao Ce Dun kishte më bërë shumë punë të mira se sa vepra të këqija gjatë 27 vjetëve të sundimit të tij diktatorial (1949- 1976). Dhe siç është traditë në kulturën kineze ata vunë në balancë 14 të mirat dhe 7 të këqijat e udhëheqësit të tyre.
Prandaj edhe sot në sheshin Tien An Men gjen foton e udhëheqësit komunist. Po ashtu edhe në bankonotat e shtypura shihet kudo figura e tij.
Por ky shkrim nuk ka si qëllim të vlerësojë apo denigrojë figurën e udhëheqësit kinez. Por që të përdorë metodologjinë kineze për të vlerësuar po ashtu njërin nga udhëheqësit më të fuqishëm të botës sot, presidentin amerikan Donald Trump.
Dihet dhe pranohet gjërësisht se asnjë njeri mbi këtë Dhé nuk është i përsosur dhe i përkryer. Secili prej nesh ka anët e tij të mira dhe të këqia, vese dhe virtute. Kështu ngjan edhe me udhëheqësit e botës apo politikanët anë e mbanë globit. Edhe ata janë të mbruajtur dhe formuar sipas traditave, kulturës dhe edukatës në familje, shkollë dhe shoqëri si gjithë të tjerët.
Ja psh Donald Trump. Që kur u rikthye në postin e presidentit ndaj tij nuk kanë rreshtur kritikat. Sa në Europë, por po aq edhe në Kanada, Amerikën e Jugut, Kinë, etj. Pasi Trump, ndër të tjera, ka vënë në pikëpyetje deri edhe aleancën amerikano – europiane që ka sundur botën që nga vitit 1945 deri më sot.
Por bota ka ndryshuar dhe po ndryshon me shpejtësi. Europa e ndarë dhe e përçarë në shumë principata nuk ndjell më interesin e perandorisë amerikane. Aq më shumë që në horizont kanë filluar të shfaqen fuqi të tjera kërcënuese si psh Kina apo India me mbi 1 miliard njerëz. Ndërsa në Europën e sotme, të ashtuquajtur të bashkuar, secili vend mbron me forcë veçse interesat e tij, shpesh herë të kundërta me ato të fqinjit!
Shihet pra qartë se presidenti amerikan, si një njeri jashtë skemave dhe sistemit, po ndjek një politikë krejt të ndryshme nga paraardhësit e tij. Strumbullari i kësaj politike të re përmblidhet në dyfjalëshin „America first“, Amerika e para.
Pra ai po i ndryshon raportet politike dhe ekonomike me vendet e tjera të globit, duke mbajtur parasysh gjithmonë në rradhë të parë interesat e vendit të tij.
Taksa doganore Kanadasë, Meksikës, Kinës, Europës dhe mbarë botës. Pikërisht kjo politikë ekonomike nuk i ka pëlqyer asnjërit nga miqve apo armiqve të Amerikës. Edhe sepse ato humbin shumë.
Po a ka ndonjë faj Trump që mbron interesat e vendit të tij ndaj vendeve të tjera. Ja psh në tregtinë e pabarabartë me Kinën, Amerika humbiste çdo vit mbi 800 miliardë dollarë. Ndërsa me Bashkimin Europian afro 320 miliardë! Flasim këtu për qindra miliarda dollarë, jo për gurë lumi.
Kina sidomos paraqiste dhe paraqet një konkurrente të rrezikshme tregtare për Amerikën. Pasi ajo nxit dhe mbështet eksportet e saj ndaj Amerikës, por e pengon këtë të fundit të ndjekë të njëjtën politikë ekonomike ndaj saj !
Por me masat që ai po merr, shihet qartë se presidenti merikan thjesht po mbron ekonominë e vendit të tij, po forcon dollarin, por po hap dhe do krijojë edhe më shumë vende pune dhe do rrisë mirëqënien e njerëzve të tij ! Ku është e keqia këtu ?! A nuk duhet që çdo vend të mbrojë ekonominë e vet nga konkurrenca e më të fuqishmve?!
Ja psh një palë këpucë që prodhohen në Kinë, një kompjuter apo 100 metra stof kushtojnë sa gjysma e vlerës së të njëjtit produkt prodhuar në Perëndim ! Kjo ndër të tjera edhe sepse pagesa e krahut të punës atje llogaritet në afro 400 dollarë në muaj, ndaj më shumë se 2 000 dollarëve në vendet e Perëndimit. Si mund t’i rezistosh dot një konkurrence të tillë ?! Prandaj prodhimet kineze po përmbytin tregjet e botës, sidomos ato perëndimore. Duke bërë që në këto vende fabrikat dhe uzinat të falimentojnë njëra pas tjetrës se nuk mund të konkurrojnë dot me çmimet e mallrave kineze !
Dhe Trump kërkon që kësaj praktike dhe këtyre politikave të « dyerve të shqyera » tu jepet fund. Sipas doktrinës së Trump secili vend duhet të mbrojë prodhimin e tij kombëtar. Doktrinë kjo që vetëm para pak kohësh përbënte një herezi aq të rrezikshme saqë gjithkush që e përmendte do ta meritonte turrën e druve ! Ndryshe një politikë e tillë shihet si një përplasje e qartë e dy teorive ekonomike, asaj të mbrojtësve të globalizmit me atë të përkrahësve të nacionalizmit ekonomik.
Një tjetër fushë ku Trump ndryshon dukshëm nga paraardhësit e tij është edhe konflikti Ukrainë – Rusi. Trump, krejt ndryshe nga Biden, kërkon që ky konflikt të përfundojë sa më shpejt. Aq më shumë që Amerika ka shpenzuar deri më tani 170 miliardë dollarë në formë ndihmash financiare dhe ushtarake për Ukrainën ! «
Ne nuk kemi asnjë interes ekonomik apo gjeopolitik në Ukrainë » – shprehen sot zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë. Atëhere përse të shpenzojmë gjithë këto para për diçka që nuk na hyn fare në xhep ?! – pyesin ata.
Se Trump nuk e sheh Putinin dhe as Rusinë si armike të Perëndimit. Krejt ndryshe nga Biden dhe disa udhëheqës europianoperëndimorë.
Ja pra që mbrojtja e interesit kombëtar si dhe dhënia fund e një lufte që ka shkaktuar qindra mijëra të vdekur dhe rrënim total të shumë qyteteve të Ukrainës përbëjnë sot 2 pluse të mëdha për presidentin amerikan.
Ndërkohë një qëndrim krejt të kundërt dhe tejet negativ, ai po mban ndaj konfliktit në Gaza. Ideja e tij e dëbimit të 2 milionë palestinezëve nga vatrat e tyre, ku ata kanë jetuar pa ndërprerje së paku prej 1 000 vitesh, ka ngjallur pakënaqësi të madhe dhe moskuptim në shumicën e vendeve të botës.
Dhe ky qëndrim për shumëkënd përbën një minus të madh për presidentin e tashëm amerikan. Shkaqet e një qëndrimi të tillë janë të shumta dhe të larmishme. Po për to do shkruajmë një herë tjetër.
Ja pra që edhe presidenti Trump u ngjaka shumë politikanëve të tjerë anë e kënd globit. Interesi personal apo ai kombëtar pa dyshim që mbizotëron mbi gjithë të tjerët dhe duhet mbrojtur, por pa kaluar në ekstrem. Se ndryshe do i afrohemi asaj shprehjes dhe politikës së një figure të errët në historinë shekullit të kaluar, që proklamonte me të madhe : « Deutschland über alles » ! Dhe dihet se sa gjak dhe masakra ngjalli ajo doktrinë.
Duke vënë gjithmonë në jetë filozofinë kineze të Yin dhe Yang, të së mirës dhe së keqes etj, mund të thuhet se Trump deri më tani ka shfaqur dy anë pozitive dhe një negative. Pra 2 të mira dhe 1 të keqe në veprimet e tij si president i Amerikës gjatë këtyre 3 javëve të para.
Sigurisht që ky vlerësim nuk është absolut dhe i pagabueshëm. Pasi shumëçka varet edhe nga këndvështrimi i gjithkujt. Por shihet dhe ndihet se Njerëzimi sot, në epokën e bombave bërthamore, ka nevojë më shumë se kurrë më parë për paqe dhe mirëkuptim.
Lufta në Ukrainë për pak sa nuk e futi gjithë botën në një konflikt sa të paparë,por edhe aq të përgjakshëm. Por megjithatë le të presim dhe të shohim se si do rrjedhin ngjarjet në të ardhmen dhe si do vlerësohet presidenti amerikan qoftë sipas llogjikës njerëzore apo edhe filozofive kineze, budiste, evangjeliste etj.etj.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment