Ramës nuk ia ka fajin askush

    Kryeministri po sillet këto ditë si i revoltuar. Sidomos që kur SPAK arrestoi kryebashkiakun  e Tiranës, Erion Veliajn. Pasi ky veprim i papritur i këtij institucioni të drejtësisë ngjalli reagime të shumta dhe të menjëhershme sa në publikun e gjërë, por po aq edhe në masmediat dhe sidomos ndër politikanët e njohur.

     Në krye të këtyre reagimeve duket se është vënë tani vetë Rama së bashku me gjithë taborrin e tij. Të gjithë këta e akuzojnë SPAK-un se ai e ka dorën e gjatë ndaj funksionarëve socialistë dhe ngurron apo ka frikë të hetojë Sali Berishën deri edhe për vrasjet e 21 janarit !

      Dhe ka diçka të vërtetë këtu. Vrasjet më 21 janar të para 14 vjetëve janë një nga ngjarjet me të zeza në historinë e demokracisë së re shqiptare. Dhe autori i tyre është po i njëjti. Ai që e solli vendin në pragun e luftës civile më 1997. Ai që shkatërroi me themel gjithçka ishte ndërtuar gjatë 45 viteve të epokës social/komuniste. Që organizoi edhe grushtin e shtetit në vitin 1998. Që vrau, me ndihmën e të birit, edhe mbi 30 veta në Gërdec. Etj etj.

      Ndërkohë që SPAK tregohet shumë i zellshëm në marrjen në pyetje dhe dënimin e shumë politikanëve socialistë. Me ose pa të drejtë.

       Po si spjegohen veprime të tilla ?! Sidomos të një institucioni që mendohej se do ishte krejtësisht i pavarur ?! Aq më shumë që SPAK financohej dhe përkrahej edhe nga të gjitha ambasadat perëndimore në vend ?! Njëlloj si institucioni i Vettingut !

         Përgjigja është e qartë. Sistemi i drejtësisë ishte i molepsur dhe infektuar aq shumë, saqë nevojitej një reformë e thellë dhe tërësore që ai të ringrihej në këmbë dhe të vihej në rrugë të mbarë.

          Por pikërisht diçka të tillë nuk donte ta bënte Rama. Të pastronte sistemin e sëmurë të drejtësisë. Që kur mori pushtetin ai deklaroi hapur se nuk kishte ndërmend të pastronte as administratën nga militantët e Sali Berishës, as edhe sistemin e drejtësisë së „plepave“.

         Pra si Vettingu, ashtu edhe SPAK, u kthyen thjesht në një lloj makiazhi sa për të gënjyer njerëzit se tani sistemi i drejtësisë ishte pastruar.

         Sa ndryshe ka vepruar presidenti amerikan Trump që kur mori pushtetin para 3 javësh. Ai u bëri thirrje menjëherë nëpunësve të administratës së Shtëpisë së Bardhë që ata ose të jipnin dorëheqjen, ose të largoheshin duke përfituar edhe 8 muaj rrogë, ose thjesht do të pushoheshin nga puna pa dëmshpërblim.

        Trump nuk donte të kishte të bënte me njerëzit e vënë në këto poste nga Biden. Të cilët pa as dyshimin më të vogël do t‘i vinin gurë nën rrota politikës dhe iniciativave të tij.

       Pikërisht diçka të tillë Rama e refuzoi me këmbëngulje. Ai mbajti në administratë si dhe në sistemin e drejtësisë të gjithë militantët e Berishës. Madje edhe i shtoi ata. Siç ishte rasti, para disa viesh, i caktimit në rolin e kryeprokurores së vendit të një pinjolleje nga Fushë -Arrëzi e quajtur Arta Marku. Që vinte nga një familje den baba den e djathtë dhe përkrahëse e PD-së!

       Të kuptohemi: Nuk ka asgjë të keqe që dikush të jetë i djathtë, PD-ist, zogist apo ballist. Problemi është se Rama është zgjedhur nga populli socialist për të ndjekur një politikë të majtë. Dhe kjo politikë nuk mund të vihet në zbatim me njerëzit e Berishës në çdo cep të administratës.

       Ky qëndrim nuk vinte si pasojë e budallallikut apo mefshtësisë së Ramës. Jo. Kjo vinte nga bindjet e brendshme të tij. Se Rama brenda vetes së tij ka mbatur i djathtë, njëlloj si në kohën kur jepte mësim në Institutin e lartë të arteve. Prandaj edhe nuk i ka pasë për zemër socialistët. Sidomos ata të vjetrit, idealistë ndaj ideologjisë së majtë, që i largoi njëri pas tjetrit, për t’i zëvendësuar me figura të reja, të panjohura dhe të paprovuara për aftësitë dhe ndershmërinë e tyre. Si pasojë sot gjysma e të zgjedhurve të Ramës gjenden në burg apo nën hetim!

       Në mënyrë fëminore ai mendonte se demokratët e Sali Berishës do t’i shërbenin tani e tutje edhe atij me po atë përkushtim dhe devotshmëri. Gabim i madh. Sepse “demokratët” mbeten gjithmonë të lidhur shpirtërisht me të parin e tyre, njëlloj si malësorët dikur me bajrraktarin e krahinës.

       Prandaj ai sot nuk ka pse dhe kujt t’i ankohet. Se ai është vetë përgjegjësi kryesor i kësaj çorbe që ka sajuar. Për më tepër Rama po ashtu ka refuzuar të udhëheqë dhe drejtojë me dorë të fortë. Aq sa sot nuk ia ka frikën kush. Dhe prandaj edhe ministrat e tij ngelën në dyert e SPAK-ut. Jo se ata janë të kulluar, por se një gjë e tillë ishte e pamundur të imagjinohej në kohën e Berishës. Në atë kohë ai mbronte deri edhe dezhurnin e kryeministrisë!

       Rama nuk donte që nuk do ta kuptojë se Shqipëria dhe shqiptarët janë mësuar historikisht të qeverisen dhe të binden nga dora e fortë. Kjo që nga koha e turkut, Zogut, Enverit dhe Berishës. Me politikën e tij liberale, hiq e mos e këput, Rama nuk vuri dot kurrë rregull në vend.  Megjithëse ka 12 vjet kryeministër.

       Dhe si një i djathtë i vërtetë ai mbrojti dhe u mbështet në ekonomi veçse tek oligarkët. Kudo privatizime dhe tendera. Roli i shtetit në u barazua me zero. Gjithçka në dorë të privatëve! Asnjë uzinë, ndërmarrje apo fabrikë nuk është ndërtuar gjatë këtyre 12 viteve me ndërhyrjen e shtetit. Edhe PPP-të e tij të famshme (Partneriteti privat publik, ide kjo shumë e mirë) u vu në jetë veçse në ndërtimin e disa rrugëve!

      Pra nga çdo anë që ta kthesh „muhabetin“ përgjegjësia dhe faji bie kryekëput veçse mbi kryeministrin aktual. Pra ai nuk ka kujt t’i qahet, veçse vetes së vet. Se e mori drejtimin e shtetit me lehtësi si të ishte një ndeshje basketbolli. Kurrë nuk u angazhua me forcë që gjërat të viheshin mbi shina, por e la gjithka të ndiqte rrugën e saj pa pengesa dhe ndërhyrje.

       Gjithë këto dobësi të tij bëjnë që sot atij t’i qeshin pas shpine të gjithë prokurorët apo gjykatësit e vendit. T’i arrestojnë në kohë fushate edhe më të mirin e bashkiakëve që ka pasur ky  vend. Ndërsa ministrat dhe deputetët e duan dhe i bëjnë temena veçse që ai ti mbajë dhe t’i ricaktojë përsëri në këto poste.

        Si përfundim mund të thuhet se ai mbetet i zgjedhur dhe i rizgjedhur vetëm se ka në ballë një njeri që shumica e shqiptarëve nuk e duan dhe nuk e falin më, për gjithë të këqijat që i ka shkaktuar Shqipërisë. Por qeverisja e tij është e dobët, pa profesionalizëm dhe përkushtim.

         Prandaj edhe të gjithë hanë « kumbulla » pas kurrizit të tij.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment