Ky ishte edhe mesazhi i disa partive nacionaliste dhe ekstremiste të mbledhur këto ditë në Madrid të Spanjës. Ta bëjmë Europën siç ka qënë dikur – është ëndrra e këtyre partive antiemigracion, antiwoke, antiekologji dhe antiglobalizëm. Ndër pjesëmarrësit më të njohur të këtij takimi, që tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave europiane, ishin kryeministri i Hungarisë, Orban, por edhe disa udhëheqës të disa nga partive më të fuqishme të Europës, si ajo e Gerd Wilders në Hollandë, e Marine Lë Pen në Francë, e Salvinit në Itali etj.
Duhet theksuar se në këtë takim nuk morën pjesë të gjitha partitë e ekstremit të djathtë european. Pra në të nuk merrte pjesë as kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe as Alternativa për Gjermaninë, AfD. Sepse këto parti bëjnë pjesë në grupime të ndryshme në gjirin e Parlamentit European.
Dhe janë jo pak, por tri grupime nacionaliste në institucionin e lartë europian. Të cilat së bashku kanë afro 200 europarlamentarë, nga 720 sa është numri i tyre i përgjithshëm. 87 prej këtyre 200 europarlamentarëve të ekstremit të djathtë, i takojnë grupimit të Patriotëve për Europën, që siç thamë u takuan këto ditë në kryeqytetin e Spanjës.
Atmosfera e këtij tubimi karakterizohej nga ideja se e ardhmja tash e tutje i takon nacionalistëve. Se globalizmi i udhëhequr nga manjati i financave, Xhorxh Soros, po jep shpirt. Dhe bashkë me të edhe politika e kufinjve të hapur, emigracionit të pakontrolluar, ekologjisë antiekonomike si dhe përkrahja e gjithanshme ndaj grupeve LGBTQ, transgjinorëve dhe pakicave të tjera.
Ky entuziazëm e gjente frymëzimin te fitorja e presidentit amerikan Donald Trump dhe politikave të tij shumë të afërta me ato të nacionalistëve europianë.
Dhe faktet dëshmojnë se partitë e krahut të djathtë ekstrem kanë arsye të gëzohen. Se kudo këto parti dhe ideologjia e tyre po ringjallet dhe fuqizohet si kurrë më parë, duke filluar nga Portugalia dhe Spanja, duke vazhduar me Francën, Hollandën, Italinë, Belgjikën, Gjermaninë, vendet nordike dhe deri në Bullgari dhe Rumani.
Kudo po forcohen partitë që kanë në plan të parë identitetin kombëtar dhe pak si fshhurazi edhe atë racor, kulturor, fetar etj etj.
Ndryshe forcimi i këtyre partive sjell si pasojë dobësimin në shkallë të barabartë të partive tradicionale europiane, siç janë ato kristian demokrate, popullore, republikane, të të majtëve, ekologjistëve etj. Aq sa në Bruksel janë tashmë goxha të shqetësuar mbi të ardhmen e vetë Bashkimit European.
Jo se Bashkimi European do të shpërbëhet! Por se ai do të ndryshojë rrënjësisht. Pra nuk do të kemi më një BE që zhvillon një tregëti të dyerve të hapura me të gjithë botën. Jo. Njëlloj si në Amerikën e Trump edhe bashkimi i ri europian do të vendosë tarifa doganore për të gjitha mallrat që do hyjnë brenda kufijve të tij. Edhe ai do luftojë emigracionin e paligjshëm si dhe politikat wok në mbështetje të pakicave dhe veçanësive!
Pra në vend të një tregu të hapur dhe kufijve të shqyer, jo më larg se pas 5 vitesh, mund të kemi një Europë të kombeve dhe shteteve krej të ndryshme nga kjo e sotmja. Ku secili vend do të mbrojë me thonj e me dhëmbë interesat e tij.
Dhe ata që do e pësojnë nga ky ndërrim kursi, do të jenë në rradhë të parë Kosova dhe Shqipëria. Pasi në përbërje të ekstremistëve të djathtë ka edhe shumë politikanë që janë shprehur haptazi se ndërhyrja e NATO-s për të çliruar Kosovën nga shtypja serbe ishte e padrejtë pasi ajo binte ndesh me ligjet ndërkombëtare.
Këto grupe nuk e duan Kosovën dhe Shqipërinë edhe për shkak të pretendimit se këto vende janë me shumicë myslimane. Një tjetër « lugat » ky për këto parti mbështetëse të krishtërimit ngadhnjimtar të kryqëzatave.
Dhe është po aq e sigurt se fitorja e partive nacionaliste europiane do i thotë po ashtu një herë e mirë “ndal » edhe përpjekjeve të Shqipërisë për tu integruar në BE. Vetë kandidatja për president e Francës, Marine Le Pen, është shprehur në një emission televiziv krejt hapur kundër pranimit të Shqipërisë nê Bashkimin European dhe pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës.
Pra forcimi i nacionalizmave në Europë nuk paraqet asgjë të mirë për popujt e vegjël dhe të pafuqishëm. Ka qënë vetë presidenti francez, Fransua Miterran, i cili pati deklaruar dikur me forcë se « nacionalizëm do të thotë luftë ».
Si rrjedhim duhet që si Kosova si Shqipëria të bashkojnë forcat dhe të forcohen ushtarakisht. Se askush nuk mund ta garantojë më një paqe të pafundme në Ballkan. Rajon ky me historira të përgjakshme dhe i cilësuar jo më kot si « fuçi baruti ».
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment