Kush i gjykon gjykatësit?

     Ndarja dhe ekuilibrimi i pushteteve, përkatësisht i atij ekzekutiv, ligjëvënës dhe gjyqësor, përbëjnë një nga parimet bazë të çdo vendi demokratik.  Dhe  shumë mirë që është kështu. Se ndryshe çdo qytetar do t’i nënshtrohej dashur pa dashur forcës apo trilleve të një tirani, të një diktatori apo edhe të një më të « forti » !

     Dhe ne, shqiptarët, që kemi parë dhe vuajtur aq shumë nga diktatura e tiranit të pashoq Enver Hoxha, e dimë dhe e kuptojmë më mirë nga të gjithë se çfarë do të thotë dhe sa e rëndësishme është ndarja e pushteteve.

     Por « liri do të thotë përgjegjësi” – ka pohuar disa dhjetëra vite më parë dramaturgu i shquar britanik, George Bernard Shaw. Sepse pikërisht liria e tepëruar dëmton edhe lirinë e vërtetë.

      Se në këto tri kollona ku mbështetet shteti i së drejtës, një institucion, pra njëra nga këto tri shtylla, duket se nuk jep llogari askund. Që do të thotë se ekziston edhe mundësia e tejkalimit të së drejtës, e cili njihet ndryshe si abuzim.

     Dhe kjo kollonë, kjo shtyllë e demokracisë, është vetë sistemi i drejtësisë i pavarur tërësisht dhe krejtësisht!  Dhe kjo pavarësi tingëllon pak si e çuditshme. Pasi 2 institucionet e tjera, dmth ekzekutivi që zbaton dhe parlamenti që harton ligjet, përgjigjen për veprimet dhe mosveprimet e tyre të paktën një herë në 4 vjet. Kur dalin para sovranit, pra zgjedhësve, për të kërkuar besimin dhe aprovimin e tyre.

     Ndryshe është puna me gjyqësorin. Ky institucion nuk përgjigjet as para popullit, as para qeverisë dhe as para parlamentit. Dhe ky është problem i madh. Aq më shumë që gjyqësori, pra sistemi i drejtësisë,  nuk është diçka abstrakte apo hyjnore. E paprekshme dhe e pagabueshme. Jo. Se edhe ai përbëhet nga njerëz. Të cilët nuk janë as të pagabueshëm dhe as aq të drejtë dhe të ndershëm sa duhet.

       Sepse qënia njerëzore është një specie e komplikuar në të cilën gjallojnë dhe dominojnë shpesh herë instiktet dhe veset mbi arsyen dhe të drejtën. Dihet dhe është tejet normale që vetë pjesëtarët e administratës së drejtësisë të jenë shpesh herë tifozë apo përkrahës të  aksh apo iks skuadre futbolli. Apo fan të këtij apo atij VIP-i ! SIç mund të jenë po ashtu mbështetës të një ideologjie apo partie politike të caktuar. Se ashtu janë formuar që kur kanë qënë të vegjël në gjirin e familjes dhe më vonë në atë të shoqërisë apo shkollës që kanë ndjekur. Pra edhe gjykatësit dhe prokurorët janë qënie normale si gjithë të tjerët, me të mirat dhe të metat e tyre personale.

         Por këto qënie dhe ky sistem ka shumë herë në dorë jo vetëm fatet e një individi, por ngandonjëherë edhe të një kombi apo shteti të tërë. Sepse pavarësisht shkollës që kanë mbaruar edhe ata, gjykatësit apo prokurorët, janë qënie të tundueshme dhe shpesh herë edhe të gabueshme dhe të korruptueshme.

      Pa dyshim që çdo vend, çdo popull dhe çdo kohë ka nevojë për një sistem relativ drejtësie, që mund të përfaqësohet nga një gjykatës, veli, sherif etj etj. Jo më kot  mbreti asirian Hamurabi, krijoi që para 3 700 vitesh një tog ligjesh që rregullonin jetën e shoqërisë në atë kohë, i njohur botërisht si « Kodi Hamurabi ». Aty shkruhej se çfarë është e lejuar dhe çfarë jo. Dhe si duhet ndëshkuar fajtori që nuk zbaton këto ligje apo dëmton me dashje apo pa dashje dikë tjetër. E të tjera.

      Ndërsa disa krahina të vendit tonë janë qeverisur deri pak dhjetëvjeçarë më parë nga « Kanuni » i Lek Dukagjinit, një lloj kodi ky me shumë gjasa i hartuar aty rreth viteve 1200 – 1300 të kohës sonë.      

        Këta shembuj shërbejnë veçse për të dëshmuar nevojën dhe rëndësinë e një shoqërie njerëzore të pajisur me ligje që i mbrojnë të gjithë. Ndryshe p.sh. nga ligjet e xhunglës, ku më i forti ha më të dobëtin.

       Por shpesh herë edhe në shoqërinë njerëzore praktika dhe realiteti janë të ndryshme nga teoria. Jo më kot poeti ynë i njohur, Naum Veqilharxhi, ka shkruar 200 vite më parë se « kur sheh paranë, edhe veliu ters e kthen sherjanë » !

        Rastet e fundit të ngjara sa në Shqipëri, por po aq edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Kosovë dëshmojnë se jo gjithmonë sistemi i drejtësisë është i përsosur dhe i panjollë.

       Njihet psh rasti i prokurorit të shumëfolur amerikan, Jack Smith, i cili arrestoi komandantin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, kur ky po bëhej gati të nisej për në Uashington të takonte presidentin Donald Trump! Ishte po ky prokuror, ndër të tjerë, që ngriti padi të shumta edhe ndaj vetë presidentit Trump disa muaj më parë! Dhe pak para se Trump të fillonte detyrën ai dha dorëheqjen dhe u zhduk nga skena.

        Njëkohësisht një gjykatë në Prishtinë po heton tani kryeministrin Albin Kurti gjoja për allishverishe dhe korrupsion. Dhe i ka kërkuar të përgjigjet për këto akuza para saj. Dhe ka shumë gjasa dhe ekziston rreziku që po kjo gjykatë, e nisur thjesht nga qëllime politike, ta arrestojë Kurtin dhe ta nisë në Hagë, ditën kur ai nuk do të jetë më kryeministër. Po a është i drejtë dhe i nevojshëm gjithë ky pushtet i pakufizuar i këtij organizmi të pazgjedhur nga askush ?! A nuk mund t’i « mbahet dora » këtyre përfaqësuesve të drejtësisë që të mos bëjnë siç kanë qef apo siç i udhëzojnë kryetarët e tyre politikë ?!

         Kuptohet qartë se ideja e këtij shkrimi ka si bazë arrestimin dje të kryebashkiakut më të sukseshëm të Tiranës nga  Struktura e Posaçme AntiKorrupsion e njohur ndryshe si SPAK.

         Por duhet të bëhet tërësisht e qartë se  ky shkrim nuk ka fare si synim  për të mbrojtur kryebashkiakun e Tiranës, kryeministrin e Kosovës apo këdo tjetër. Por vetëm të drejtojë gishtin ndaj një mangësie të madhe dhe përçudnimi të frikshëm ndonjëherë të sistemit të ashtuquajtur demokratik. Për të dëshmuar nevojën absolute që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i detyruar të japë llogari diku. Se ndryshe edhe vetë demokracia rrezikohet, se ajo mund të shkelet me këmbë dhe vota e popullit të hidhet në kosh.

         Për kaq mjafton që ti si pushtet ekzekutiv apo gjyqësor të emërosh psh në Gjykatën Kushtetuese 6 gjykatës të dalluar për besnikërinë e tyre ndaj një ideologjie apo një personi !  Siç thuhet se ka qënë rasti i prokurorit që arrestoi dje kryebashkiakun e Tiranës.

        Sepse ngandonjëherë është parë dhe provuar se edhe drejtësia dhe demokracia mund të marrin nëpër këmbë deri edhe votën e popullit. A nuk ngjau kështu para pak javësh edhe në Rumani, ku u anulua zyrtarisht raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, pasi fituesi i vendit të parë doli dikush i paparashikuar dhe i padëshiruar ?!

        Që të jemi të qartë. Pavarësia e gjyqësorit është dhe duhet të mbetet si diçka e shenjtë dhe e paprekshme. Sidomos pavarësia ndaj pushtetit ekzekutiv, ndaj  çdo qeverisë apo kryeministri. Por këtu bëhet fjalë për pavarësinë e pakufishme të dikujt dhe abuzimin me këtë liri !     

         Normalisht dhe llogjikisht cilido institucion duhet të përgjigjet diku për punën e tij. A nuk do të ishte mirë psh që gjyqësori të përgjigjej para parlamentit, si institucioni më i lartë i vendit i zgjedhur nga populli ?!

           Kjo është pyetja. Ky është problemi.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment