Kosovarët para një zgjedhjeje super të vështirë

   Edhe 48 orë dhe shqiptarët e Kosovës do të gjenden para kutive të votimit. Edhe një herë tjetër ata do të duhet të zgjedhin qeverinë që do të drejtojë vendin përgjatë 4 viteve të ardhshme.

     Nuk ekziston asnjë dyshim se zgjedhjet e së dielës do të jenë më të vështirat që kur Kosova u çlirua nga aleatët këtu e 25 vjet më parë.  Janë më të vështirat se kosovarët sot janë para një dileme hamletiane : kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin ?

     Sepse është në pikëpyetje sovraniteti i vetë Kosovës, tërësia e saj territoriale ! Sepse ndryshe nga shumë vite më parë, sot duket sikur Kosova ka kundër gjithë botën mbarë. Bashkimi Europian i ka vënë sanksione. Rusia dhe Kina kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë mbështetëse të hapura të Beogradit, aq sa nuk e kanë pranuar shkëputjen e Kosovës nga Serbia !

     Dhe më e keqja e të këqijave është se sot edhe Amerika, aleati tradicional i kombit shqiptar, duket se nuk interesohet më për fatin e saj. « Marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë në nivelin më të ulët që kanë qënë ndonjëherë », – pohoi vetëm 2 ditë më parë, njëri nga njerëzit më të afërt të presidentit Trump, i ngarkuari me misione të posaçme pranë Shtëpisë së Bardhë, Riçard Grenell.

     Në lojë sot është e ardhmja e Kosovës. Prandaj këto zgjedhje janë tejet dramatike. Nga njëra anë kemi « armikun“  e betuar të perëndimorëve, kryeministrin e tashëm Albin Kurtin dhe nga ana tjetër pothuajse gjithë spektrin opozitar, i përbërë nga LDK-ja, PDK-ja e të tjera parti.

        « Molla e sherrit », ajo që ka prishur dhe ndarë Perëndimin me qeverinë e tashme në Prishtinë, ka qënë dhe mbetet « asosacioni » ! Që do të thotë krijimi i një bashkësie administrative dhe juridike serbe në Kosovë, që nuk do të varet më nga Prishtina !

        Ajo, siç është nënvizuar edhe në marrëveshjen e Ohrit, do të ketë përfaqësuesin e saj zyrtar që do mbajë marrëdhënie sa me Beogradin, aq edhe me kryeqytetet e mbarë botës. Pra do të jetë një entitet pothuajse i pavarur brenda republikës kosovare!

       Dhe këtu rreh çekani. Albin Kurti nuk e ka pranuar kurrsesi ngritjen e kësaj republike të re serbe në Kosovë, e ngjashme me atë që ekziston tash e prej 25 vjetësh në Bosnje. Ndërkohë që opozita kosovare nuk guxon të shprehet as kundër dhe as pro këtij përbashkimi të komunave serbe, por veçse e akuzojnë Kurtin se i ka prishur lidhjet diplomatike me Perëndimin!

         Po a është vërtet faji i Kurtit këtu?!  A është ai që ka ndryshuar kursin e marrëdhënieve me Uashingtonin, Brukselin etj, apo është Perëndimi që ka ndryshuar qasje ndaj pavarësisë së Kosovës?! Kjo është pyetja.

       E vërteta është që Perëndimi, sidomos pas konfliktit Ukrainë – Rusi, ka bërë gjithçka është e mundur që ta mbajë Serbinë në vathën e tij. Punë e kotë. Kur dihet që Serbia është kjo që është sot, veçse falë lidhjeve shekullore që ajo ka pasur me Rusinë që në kohën e carëve.    

          Dhe këto lidhje historike, politike, fetare dhe shpirtërore ajo nuk ka ndërmend t’i shkëpusë për hir të syve të bukur të Perëndimit. Aq më shumë që serbët ia kanë inatin Natos të udhëhequr nga Amerika e Clinton-it që bombardoi për mbi 70 ditë caqet dhe shenjestrat serbe sa në Kosovë, por po aq edhe në Beograd.

       Ndryshe Perëndimi duket se nuk po mban dot në vathën e vet as edhe vende të tij anëtare, anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian, siç janë ndër të tjera Hungaria dhe Sllovakia, dhe jo më të të arrijë të prishë marrëdhëniet e Moskës me Beogradin!

      Por fakti është se disa vende perëndimore janë penduar tani për ndërhyrjen e NATO-s ndaj Serbisë në 1999-tën, që mundësoi çlirimin e Kosovës nga çizmja serbe.  Ata, dhe jo vetëm ata, e konsiderojnë këtë ndërhyrje tani si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

     Një qëndrim i tillë është vënë re sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës. “Përse ne të mos kemi të drejtë t’i shkëpusim Ukrainës pjesën e populluar me rusë, si NATO i shkëputi Serbisë pjesën e populluar me shqiptarë të Kosovës”?! — pyesin botën Kremlini dhe mbështetësit e tij.

      Asnjë justifikim nuk bën fajde në këtë drejtim. Aq më shumë që edhe Ukraina i ka keqtrajtuar rusët e Donbasit, saqë u ka pas ndaluar edhe gjuhën e tyre të përditshme rusishten, duke e zëvendësuar me ukrainishten.

       Dhe tani shqiptarët e Kosovës duhet të zgjedhin. Ndërmjet qëndrimit nacionalist dhe kokëlartë të pozitës së sotme qeverisëse të Albin Kurtit me qëndrimin bindës dhe të përulur properëndimor të opozitës. Një zgjedhje kjo hamletiane.

      Askush nuk mund ta parashikojë rezultatin e vërtetë të këtyre zgjedhjeve. Megjithatë sipas parashikimeve dhe matjeve në terren Kurti do ta humbasë shumicën e tashme absolute në Parliament. Megjithëse Vetvendosja do të mbetet forca e parë në Kosovë.

       Dhe ndofta do të jetë më mirë kështu. Albini bëri sa mundi për të shpëtuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore të vendit të tij. Tani ndofta u vjen rradha Haradinajt, Limajt, Mustafës, Hotit dhe kompani që të marrin në dorë fatet e saj.

      A do ta pranojnë ata asosacionin?! A do ta luftojnë ata korrupsionin siç veproi qeveria e Kurtit?! Askush nuk e di. Prandaj Kosova gjendet sot para një udhëkryqi të vështirë. Nga t’ia mbajë?!

       Aq më shumë që në kohën e sotme nuk po pyetet shumë as për ligje dhe as edhe për drejtësinë ndërkombëtare. Në fuqi ka rihyrë ligji i më të fortit, interesi kombëtar. Në Gaza po flitet dhe po punohet për dëbimin „me dëshirën e tyre“ të 2 milionë palestinezëve. Aq sa është sot edhe popullsia e Kosovës! Ukrainës nga ana tjetër i është bërë e qartë se në rast të një armëpushimi apo „paqeje“ të imponuar, ajo duhet të heqë dorë nga krahinat e pushtuara deri më tash nga Rusia. Që përbëjnë afërsisht dhjetëfishin e sipërfaqes së Kosovës. Ndërkohë që për 20 milionë kurdët të ndarë në 5 shtete nuk shqetësohet më askush!

      Atëhere me të drejtë lind pyetja: Po sikur Serbia të sajojë një pretekst dhe të fusë trupat në veriun e Kosovës dhe ndofta edhe pak më thellë, kush do të shqetësohet apo do reagojë?! Me shumë gjasa askush.

     Sot bota ka probleme tejet të mëdha sa që të merret me Kosovën. Presidenti Trump i ka hedhur sytë nga Groenlanda, Panamaja dhe Kanadaja. Palestinezët le t’i braktisin vatrat e tyre dhe t’ia falin ato Izraelit, – shprehet ai.

       E keqja është se edhe me ndryshimin e regjimit në Prishtinë, me shumë gjasa politika perëndimore ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Veçse qeveria e re do të detyrohet të pranojë me dashje apo jo krijimin e republikës serbe në vendin e tyre. Dhe kjo do të jetë e keqja më e vogël. Në rast se Serbia nuk ndërmerr ndonjë agresion të armatosur atje.

       Dhe atëhere bota, me siguri, do të mbështesë një plan edhe për ndarjen e Kosovës. Askush nuk do të dëshirojë hyjë në luftë me Serbinë. Dhe do të gjendemi kështu para faktit të kryer.

       Ndofta Rexhep Qosja pati të drejtë kur disa vite më parë u shpreh në favor të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, si mënyra e vetme për të siguruar pavarësinë e Kosovës. Por tani është shumë vonë.

      Atëhere çfarë do bëjnë shqiptarët e Kosovës?! Si do sillen ata para kutive të votimit?! Kujt do ia besojnë ata votën e tyre?! Të gjitha këto pikëpyetje do të marrin një përgjigje të dielën në mbrëmje. Le të presim atëhere edhe 48 orë. Por e ardhmja duket e zymtë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment