Disa meditime pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Janullatos

      Një debat i flaktë ka nisur dhe vazhdon këto ditë në Shqipëri, pas ndarjes nga jeta të klerikut të lartë grek dhe njëkohësisht kryepeshkopit të Kishës autoqefale Shqiptare, z. Anastasios Janullatos.

     Tema e debatit: A ka qënë kryepeshkopi Janullatos një agjent i Athinës në Shqipëri apo një njeri i Zotit që punoi veçse në të mirë të forcimit të ortodoksisë në këtë vend?! Dhe ndryshe a e humbi kisha shqiptare ortodokse e Fan Nolit autoqefalinë e saj, (pavarësinë), që kur në krye të saj u vu një prelat i lartë grek?!

        Mendimet dhe opinionet për këto çështje kanë qënë tërësisht të ndryshme, deri edhe kundërshtuese me njëra – tjetrën. Nga ana tjetër dhe megjithëse ka vepruar me shumë kujdes dhe vetëpërmbajtje, duhet pohuar se veprimtaria e hirësisë së tij ka pasur edhe dritë – hije të dukshme. Pra të dyja palët kanë argumenta pro dhe kundër.

        Një debat i tillë ndaj një drejtuesi të një institucioni të lartë fetar në vend nuk ka ngjarë kurrë më parë. Edhe kur Vatikani ka fronëzuar në krye të Kishës katolike shqiptare kryepeshkopë me origjinë të huaj. As edhe kur me qindra fondacione arabe apo turke e kanë stërmbushur vendin me xhami, megjithëse shumica e tyre mbeten bosh.

       Kjo, sepse marrëdhëniet shqiptaro- greke ngërthejnë në vetvete një histori të ndërlikuar, që shpesh herë është karakterizuar edhe nga rrjedhja e gjakut. Dihet se qarqe të caktuara në Greqi kanë pretenduar gjithmonë se ortodoksit shqiptarë janë vorio- epirotë. Aq sa dikur të dërguarit e tyre kanë vrarë edhe klerikë të njohur ortodoksë shqiptarë vetëm se ata meshonin në shqip!

      Po ashtu mbetet një fakt i pamohueshëm  që Greqia ka pasur dhe ka prej 200 vjetësh synime aneksioniste ndaj Shqipërisë. Rasti më i fundit është ai i zgjedhjeve bashkiake në Himarë.  Ndryshe kisha dhe skolitë në gjuhën greke (shkollat), kanë qënë kuajt e saj të betejës për ta çuar kufirin e Vorio Epirit deri në Elbasan.  

          Madje edhe njëri nga shenjtët e kishës ortodokse, një klerik i quajtur Kozma, luftoi dhe punoi me të gjitha forcat e tij kundër përdorimit të gjuhës shqipe. Njëlloj si turqit.

        Në fakt e mira do të ishte që këta emisarë të huaj të veshur me veladon, që vijnë shpesh herë si mirëbërës, qoftë nga Meka apo Stambolli, qoftë nga Athina dhe Vatikani, të mos lejoheshin fare të hynin në Shqipëri. Kultet fetare duhet të drejtohen detyrimisht nga prelatë dhe klerikë shqiptarë. Ky duhej të ishte ligj.

         Por në Shqipërinë e sotme, e nxjerrë në shitje me gjithë rreckat e saj, kjo ishte dhe mbetet e pamundur. As Berisha, as Nano, as Meta dhe as Rama nuk e kanë stofin e atdhedashësit. Pushteti dhe paraja vlen 1 000 herë më shumë për ta se patriotizmi i mallkuar i turmave!

        Të gjithë këta klerikë të huaj që janë vënë në krye të kishave shqiptare, apo ata që luten dhe mallkojnë Skënderbeun në namazgjatë e tyre në prani të Edi Ramës dhe Erdoganit, kanë si synim të vetëm të mbajnë të lidhur pas vetes “grigjën” e tyre. Dhe mundësisht ta largojnë atë nga besimtarët e feve të tjera.

         Fatkeqësisht shqiptarët, ndryshe psh nga italianët, grekët, serbët apo spanjollët, ndahen në të krishterë dhe muhamedanë dhe saktësisht në katër bashkësi besimtarësh. Siç janë sunitët, bektashinjtë, katolikët dhe ortodoksët. Dhe siç ka dëshmuar shpesh herë edhe historia,  kaq mjafton për t’i vënë flakën një vendi. Ngjarjet në Bosnjë apo Liban dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe delikate është qetësia dhe siguria në një vend të ndarë në shumë fe dhe besime.

        Dërgimi i emisarëve të huaj në Shqipëri shpesh herë nuk i shërben interesave të shtetit shqiptar. Sepse këta emisarë nuk kanë lidhje me ndjenjën kombëtare të shqiptarëve. Për ta përparësore mbetet frymëzimi dhe ideali i tyre fetar, frymëzim që ata përpiqen tua ngulfatin edhe të gjithë besimtarëve të tyre.

         Ndryshe asnjë prej tyre nuk është i interesuar për unitetin e kombit tonë, por vetëm për interesin e “hises” së tyre. Edhe sikur ata të jenë më të mirët dhe më të drejtët e botës, detyra e tyre, që është forcimi dhe shtrirja e fesë së tyre sa më thellë në vend, dëmton kohezionin e kombit shqiptar.  Dhe Janullatosi nuk mund të bënte përjashtim në këtë drejtim.   

       Ndryshe mund të thuhet pa frikë se forcimi i identitetit fetar dëmton rëndshëm apo edhe shkatërron krejt unitetin kombëtar, prandaj edhe Pashko Vasa, që para 200 vjetësh u bëri thirrje shqiptarëve tu kthejnë kurrizin kishave dhe xhamive.

        Shqipëria e ka nevojë urgjente sot të rikthehet në një shtet laik apo ateist. Ndërsa feja të mbetet diçka personale dhe familjare dhe mos dali jashtë këtij kuadri. Ato demonstrimet e forcës që kryejnë sunitët radikalë, kur pushtojnë dy herë në vit sheshin “Skënderbe”, deri duke e mbuluar statujën e heroit tonë edhe me një rreckë të zezë, janë veprime antikombëtare, të nxitura nga shërbime të huaja me bazë në Turqi apo në vendet e tjera arabe.

       Ka ardhur dhe ka kaluar koha që shteti shqiptar ta vendosë me kushtetutë që gjithë drejtuesit e katër besimeve fetare në vend të jenë me rrënjë shqiptare. Një vendim i tillë ka të bëjë me të ardhmen e vendit, me sigurinë dhe paqësinë e tij.

        Nuk mund të vazhdohet gjatë me tolerancën mitike shqiptare ndaj të gjitha feve. Se një ditë prushi nën hi mund të shërbejë si një eshkë për t’i vënë zjarrin vendit! Një rrezik i tillë u vu re edhe këto ditë në debatet e ndezura dhe komentet e përflakura kundër kryepeshkopit Janullatos!

          Por udhëheqësit e sotëm shqiptarë nuk kanë këllqe për të ndërmarrë veprime të tilla.  Atyre u ka munguar gjithmonë dhe u mungon vizioni dhe atdhedashuria. Prandaj edhe paqja ndërfetare në vend nuk është ende e siguruar.  Për fat 90 për qind e shqiptarëve nuk janë të dhënë sot shumë pas feve. Edhe periudha 30 vjeçare ateiste si dhe martesat e përziera kanë ndihmuar në këtë drejtim.

        E thënë ndryshe, feja duhet të mbetet në shtëpi. Feja e shqiptarit duhet të jetë sot e mot Shqiptaria.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment