Udhëheqësit e Kosovës duhet të kthjellohen

        Deklarata e para dy ditëve e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, se presidentët Obama dhe Biden nuk i kanë dhënë mbështetjen e duhur Kosovës, ka ngjallur reagime sa në politikën vendase, por po aq edhe në atë ndërkombëtare.

         I pari që reagoi me ashpërsi ndaj këtyre deklaratave ishte i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Riçard Grennell. Siç dihet Grenell ka qënë emisari special për Kosovën gjatë presidencës së parë të Trump-it (2016 – 2020).

    Prandaj ai e njeh mirë situatën atje dhe sidomos marrëdhëniet e tensionuara Serbi – Kosovë. Për më shumë Grenell është i njohur edhe si mik i Vuçiçit dhe oponent i Kurtit!  Aq sa e „rrëzoi“ një herë këtë të fundit nga pushteti kur Kurti ishte në aleancë me Mustafën e LDK-së.

     “Ata kaluan katër vjet duke komplimentuar Joe Biden dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tyre. Pse nuk u ankuan atëhere më parë?”, – pyeti Grenell.

       Dhe këtu ai ka plotësisht të drejtë. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta kuptojnë një herë e mirë se Amerika nuk i ka asnjë borxh Kosovës. Krejt e kundërta është e vërtetë.

       Po ashtu Konjufca me shokë duhet të kuptojnë se Kosova nuk paraqet sot asnjë rëndësi për Amerikën. Qoftë sikur në pushtet të jenë demokratët, qoftë republikanët!

       Por sidomos këta të fundit, të udhëhequr tashmë nga Trump, kanë një qasje tejet pragmatike ndaj zhvillimeve në botë dhe rolit të Amerikës në to.

        „Ne shpesh herë kemi marrë pjesë në konflikte që nuk kanë qënë të tonat dhe nuk paraqisnin asnjë interes për Shtetet e Bashkuara të Amerikës“ – ka theksuar Trump pak kohë më parë.

        Udhëheqësit e Kosovës duhet të kuptojnë tani dhe sa më shpejt që tê jetë e mundur se bota ka ndryshuar 100 për qind në krahasim me vitin 1999, kur NATO e udhëhequr nga Amerika e Klinton-it, çliroi Kosovën nga çizmja serbe.

          Sot Kosova është dhe mbetet veçse një pikë e vogël në hartën e botës për të cilën sot pothuajse askush nuk shfaq interes. Aq sa edhe baza ushtarake e Bondstill një ditë të bukur mund të mbyllet.

          Ukraina, Lindja e Mesme dhe Kina – janë pikërëndesat e politikës së sotme amerikane. Pa folur për interesat e saj gjeostrategjike në Groenlandë, Kanada apo Panama.

        Përveç Rusisë dhe Kinës, edhe Venezuela, Kuba, Koreja e Veriut etj gjenden sot nën lupën e Amerikës. Ndërsa vetë Europa nuk ngjall më aq shumë interes për administratën e re të Uashingtonit. Kjo e fundit ka konstatuar se ballanca tregtare midis Amerikës dhe Europës anon nga kjo e fundit. Sipas shifrave të publikuara si në Uashington apo edhe në Bruksel, Europa përfiton çdo vit nga 150 deri 300 miliardë dollarë nga import/eksportet e saj me Amerikën. Dhe Trump ka premtuar se do ta rregullojë këtë problem.

     Pyetja që shtrohet sot është: Pse Amerika duhet të mbrojë apo të përkrahë ende Kosovën?! Këtë pyetje duhet t’ia drejtojnë vetes edhe politikanët në Prishtinë. Për të arritur të kuptojnë se deklarata si ato të Konjufcës nuk e ndihmojnë Kosovën. Përkundrazi.

     Dhe ata duhet të shohin tani pak më larg se maja e hundës së tyre. Sot po flitet që Ukraina t’i dorëzojë agresorit Putin 20 përqind të territorit të saj. Që do të thotë nga 100 000 deri në 120 000 kilometra katrore. Afërsisht sa dhjetë herë sipërfaqja e Kosovës! Kjo është politika dhe qëndrimi i Trump-it, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo nuk i vjen për shtat Zhelenskit.

      Pra shpërblehet agresori. Po ashtu Trump hoqi dy ditë më parë të gjitha masat dhe shtrëngimet që administrata e Joe Biden kishte vendosur ndaj kolonëve izraelitë në pjesën perëndimore të lumit Jordan, e njohur ndryshe si Cisjordani. Që do të thotë që kolonët izraelitë kanë dorë të lirë tani të sillen edhe aty si në tokën e tyre!

      Atëhere çfarë dëshmojnë këto shembuj për Kosovën?! As më shumë dhe as më pak që e njëjta politikë mund të ndiqet edhe ndaj saj. Një incident i ngjarë apo i provokuar aty nga serbët, mund të bëjë që Trump të dërgojë aty Riçard Grennell-in. Dhe zgjidhja e konfliktit në rastin më të mirë mund të jetë shkëputja e 4 komunave serbe në veri të Kosovës dhe bashkëngjitja e tyre me Beogradin. Ndërsa në rastin më të keq mund të kemi edhe një ndarje 40 përqind me 60 përqind, ku Serbia do të rivendosë sovranitetin e saj mbi manastiret serbe në Deçan e kudo tjetër si dhe mbi komunat e tjera me shumicë serbe atje.

          Kush mund ta pengojë një mundësi të tillë?! Kina,India, Rusia janë mbështetëse të forta të Serbisë. Njëlloj si vendet e botës së tretë apo Jugu Global, – siç njihet sot. Ndërsa Europa, dhe sidomos Gjermania, Anglia, Franca etj; nuk dinë sot ku kanë kokën. Aq u është vështirësuar situata e brendshme ekonomike, politike dhe ajo e rendit.

        Para sa të merren me Biden apo Obama, udhëheqësit kosovarë duhet tu dalin përpara planeve serbe të ndarjes së Kosovës. Dhe kur po ndahet Ukraina, që ka derdhur gjithë atë gjak gjatë këtyre 3 vjetëve luftë, qindra mijëra të vrarë, pse nuk mund tu ndaka Kosova?!

      Sot gjithçka është çështje interesash. Kush paraqet më shumë interes sot për Amerikën?! Kosova apo Serbia?! Vetë Bashkimi Europian pohon se tani duhet të marrin në duar fatin e tyre në të gjitha fushat. Dhe të mos mbështeten më te Amerika. A nuk duhet të nxjerrë mësime edhe Kosova nga ky ndërrim i situatës?!

        Në gjendjen e sotme duhet treguar kujdes i madh. Pavarësisht zgjedhjeve të muajit të ardhshëm pozita dhe opozita, si dhe gjithë inteligjenca kosovare duhet të hartojnë një plan të përbashkët në të mirë të sovranitetit dhe progresit të vendit. Të hartojnë një platformë strategjike e cila duhet tu kundërvihet planeve të Serbisë.

      Dhe që në fundt të fundit duhet t’i përgjigjet pyetjes: Si duhet të sillemi, si duhet të veprojmë nëse në tavolinë rishfaqet përsëri plani i ndarjes së Kosovës apo i shkëmbimit të territoreve?! Kjo është e gjitha.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment