Bota do të jetë ndryshe që nga sot

       Që nga sot, 20 janar 2025, Trump është rikthyer për së dyti në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hera e parë kur ai mbajti këtë post ishte gjatë viteve 2016 – 2020 si presidenti i 45 i këtij vendi.

       Sot të gjitha shenjat tregojnë se do të kemi të bëjmë me një president aktiv, të vendosur, nacionalist, që premton se do i kthejë Amerikës lavdinë e dikurshme.

       Dhe duket se të gjitha gjasat janë që Amerika e Trumpit të “ringjallet”! Tu kthehet ideve të saj të dikurshme. Të merret me problemet e vërteta që kalon vendi dhe bota, siç janë paqja, begatia, siguria, rendi, pavarësia ekonomike, krenaria kombëtare etj etj.

      Rikthimi i Trump në pushtet pas një “intermexoje” 4 vjeçare, kur vendin e drejtoi demokrati Joe Biden, për disa shihej sa i pamundur, aq edhe i padëshiruar. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që atij iu ngritën mbi 30 procese gjyqësore, të qëna dhe të paqëna.

      Por Trump, njëlloj si kaubojsit e shekullit të 19-të, i mori të gjithë përpara. Dhe sot ai po shijon revanshin e merituar. Revansh që u vulos më 5 nëntor të vitit të kaluar, kur ai fitoi bindshëm ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij.

      Dhe siç pohoi edhe ai vetë gjatë fjalës së tij të investiturës, nga sot fillon një epokë e re për Amerikën. Dhe shihej se Amerika kishte nevojë vërtet për një shkundje të fortë. Se dukej se po zinte myk në atë qetësinë dhe limontinë e saj. Aq më shumë që një kundërshtar tepër i rrezikshëm po i shfaqej në horizont – Kina.

     Një vend ky me ekonomi tregu, por i udhëhequr nga Partia Komuniste. Pra një vend ku gërshetohen çuditërisht kapitalizmi ekonomik me komunizmin ideologjik dhe diktatorial.

    Shumica e amerikanëve kishin kohë që po e ndjenin se po u shkiste toka nën këmbë, se ylli i Amerikës po zbehej, fuqia e saj po pakësohej, reputacioni po dobësohej. Se vendi në vend që të merrej me problemet që shqetësonin realisht popullsinë e saj, merrej me «  e lagu, s’e lagu » !

       Në Amerikë zhvilloheshin debate të ashpra nëse raca njerëzore përbëhej nga 2 gjini, apo 60 gjini dhe forma ndërgjinore ! Nëse meshkujt, që me anë të operacioneve ktheheshin në femra, duhet të kishin të drejtë të merrnin pjesë në garat femërore, apo po këto femra meshkuj a mund  të shpalleshin si Mis apo Mister Amerika apo jo ?!  Dhe plot budallalliqe të këtij lloji që kishin marrë superxhiro sa në Amerikë, por po aq edhe në të gjitha vendet perëndimore.

        Askush nuk kujtohej apo shqetësohej se në Perëndim fabrikat dhe uzinat po mbylleshin njëra pas tjetrës, si pasojë e mallrave më të lira që hynin dhe vazhdojnë të çajnë tregjet perëndimore !

       Dhe ishte pikërisht Trump që premtonte që gjatë fushatës presidenciale se do të vinte rregull në atë vend. Jo vetëm që mallrave të huaja, sidomos atyre kineze, do u viheshin taksa të forta doganore, por njëkohësisht ai nuk do lejonte po ashtu dyndjet e emigrantëve të paligjshëm, që për arsye të ndryshme, braktisnin vendin e tyre për një jetë më të begatë dhe të sigurt në Amerikë.

       Kjo politikë e re bie tërësisht ndesh me politikat liberale të ndjekura sidomos gjatë këtyre 40 viteve të fundit nga elitat sunduese libérale. Ky është edhe arsyeja, që po sot, ditën kur u betua për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump u zotua se do luftojë elitat e korruptuara që kanë udhëhequr vendin gjatë këtyre katër dekadave të fundit.

        Se Trump ndryshon shumë nga paraardhësit e tij që kanë qeverisur vendin, të paktën që nga koha e Reganit. Ai njihet se është së pari antiemigracionist, anti LGBTQ, antimondialist  dhe proteksionist, kundër plurigjinive, anti woke, anti-establishment dmth populist, anti-ekologist dhe kundër abortit !

      Po aq i rreptë dhe i vendosur duket presidenti i 47- të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar edhe përhapjen dhe shtrirjen e drogës në vend, që është duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në popullsinë amerikane.

              Shihet dhe ndihet shumë qartë se shumëçka do të ndryshojë në Amerikë duke filluar nga sot. Dhe Trump duket se nuk do të humbasë kohë. Veçse pak orë pasi bëri betimin si president, ai nënshkroi edhe 5 dekrete dhe urdhëresa të reja që hynë në fuqi menjëherë.

        Deri më tani që po shkruajmë këto rradhë askush nuk e di se çfarë përmbajnë këto dekrete. Nëse kanë të bëjnë me emigracionin, me tregtinë e jashtme, me rendin dhe sigurinë etj etj.

       Por një gjë është e sigurt. Gjithë bota e ndoqi me vëmendje dhe interesim të parë deri më sot këtë ceremoni investiture të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Disa me shqetësim dhe frikë, disa të tjerë me entuziazëm. Sepse që të gjithë, që nga Pekini, deri në Moskë apo Buenos Aires e kanë kuptuar se gjithçka këtej e tutje do të jetë ndryshe.

     Trump ngjan si ata flamurmbajtësit që udhëheqin trupat e tyre drejt betejave dhe fitoreve të reja. Por një gjë është e sigurt. Shumicës së njerëzve do u bien veshët tani rehat nga ato idiotësitë e „prindit 1 dhe prindit 2“. Jo më kot që në fjalën e tij të investiturës Trump, edhe ai me sa duket i xhindosur nga këto idiotësira societale, u shpreh se në këtë botë ekzistojnë vetëm dy gjini: mashkull – femër!

     Dhe kishte kohë që nuk dëgjoheshin deklarata të tilla. Përkundrazi dëgjoheshin deklarata se në konkurset vjetore të filmave, nuk do të pranohej më asnjë film ku nuk do të kishte diversitet, pra përzierje racash, si dhe heronj LGBTQ!

    „Amerika first“ – kjo është ideja fikse ku mbështetet edhe programi i presidentit të saporizgjedhur.  Po si do të reflektohet kjo politikë në botë?! Sidomos në vatrat e tashme të konflikteve si në Ukrainë apo në Gaza?! Po me kanalin e Panamasë apo me ishullin e Groenlandës cila do të jetë politika e Trumpit?! Si do i zgjidhi ai këto konflikte dhe interesa?!

     “Amerika first” – do të thotë që së pari , së dyti deri së dhjeti  se në qëndër janë interesat e Amerikës. Të tjerët, qofshin aleatë apo jo, do të jenë në funksion të interesave të saj. Rasti i kurdëve, që luftuan krahpërkrah forcave amerikane kundër organizatave terroriste islamike ISIS dhe Al Kaeda, dhe pas mposhtjes së tyre u braktisën nga Trump, mbetet tejet shqetësues.

    Megjithatë diçka duket e sigurt. Amerika do të rifuqizohet, do të riforcohet. Ajo do ta ruajë me çdo kusht primatin e saj në botë. Por për të tjerët asgjë nuk është më e sigurt. Aq më shumë që gjatë kësaj ceremonie presidenciale ran ë sy se ishin ftuar vetëm udhëheqës të partive nacionaliste apo të ekstremit të djathtë. Kështu psh me përjashtim të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në këtë ceremoni nuk merrte pjesë asnjë kryeministër tjetër European!

     Që tani gjallojnë shumë pikëpyetje dhe të panjohura rreth politikës së ardhshme të Amerikës ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve të saj. Por diçka mbetet e sigurt. Bota sot nuk do të jetë njëlloj me dje. Shumëçka do ndryshojë. Për mirë apo për keq. Të shohim dhe të shpresojmë.  Le të mbetemi pozitivë me shpresë se ditë më të mira mund të vijnë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment