Re të zeza mbi Kosovë

            Që kur nisi konflikti Rusi – Ukrainë nuk kanë rreshtur asnjë çast zërat që kanë hequr një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s ndaj Serbisë me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

          « A nuk i shkeli të gjitha ligjet ndërkombëtare NATO dhe Amerika kur bombarduan një shtet sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht si Serbia » ?! – pyesin ata. Po kur Amerika sulmoi Irakun gjoja se ai kishte armë bërthamore ai ishte e drejtë ?! Të njëjtën gjë po bën tani edhe Rusia me Ukrainën ! Pse duhet të tronditemi sot kaq shumë ?! – vazhdojnë « këngën » e tyre mbrojtësit e Rusisë.

       Edhe kur u tregon atyre se Serbia ka pasë keqtrajtuar shqiptarët e Kosovës, ata të tregojnë rastin kur mbi 40 rusofonë u dogjën të gjallë nga forcat nacionaliste ukrainase në një ndërtesë të sindikatave në Odesa !

      Së fundmi ishin dy figura të njohura në jetën politike dhe të shou-biznesit amerikan, përkatëisht regjizori Oliver Stone dhe gazetari kontravers Tuck Karlson, që gjatë një interviste televizive dënuan bomardimet e NATO-s ndaj Serbisë, si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare !

     Por të dy këta personalitete « harruan » të përmendnin krimet e përbindshme serbe në Srebrenicë apo Reçak, krime që patën si bazë të vetme krijimin e Serbisë së Madhe, apo « botës serbe », siç thërritet sot.

    Situata bëhet edhe më e zymtë kur kujton se marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin janë përkeqësuar ndjeshëm që kur kryeministri Albin Kurti ka hedhur poshtë projektin serb të asosacioneve të komunave serbe në Kosovë. Asosacion që do të krijonte pa asnjë dyshim një republikë tjetër të pavarur serbe brenda shtetit kosovar, njëlloj si ajo që ekziston sot në Bosnje.

    Por gjërat kanë pasë filluar të shkojnë keq me kohë. Sidomos që kur udhëheqësit e UÇK-së së lavdishme kanë përfunduar në Hagë njeri – pas tjetrit. Dhe duket se i njëjti plan po kurdiset edhe ndaj Albin Kurtit, sapo ai të humbasë postin e kryeministrit.

    Është një farë Gjykate Speciale në Kosovë që ka marrë atributet e shtetit dhe bën si i do qejfi. Kjo gjykatë që arrestoi me urdhër nga jashtë ish – presidentin Thaçi me shokë, po bëhet gati të fusë në burg tani edhe Albin Kurtin.

     Meqë nuk mund ta akuzonin për krime lufte apo shitblerje organesh te „Shtëpia e verdhë (!) », meqë ai në atë kohë kishte një alibi të fortë pasi mbahej si i burgosur politik në Serbi, kjo gjykatë e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës për shpërdorime dhe allishverishe në ekonomi !

      Pak nga pak dhe pa u ndjerë, por duke punuar me ngulm, Serbia po fiton aleatë dhe mbështetës sa në vendet perëndimore por po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhëndrri i presidentit Trump, Jared Kushner, parashikon të investojë në këtë vend disa miliarda dollarë. Ndërkohë që i ngarkuari i ardhshëm me detyra të posaçme i Shtëpisë së Bardhë, Riçard Grenell, është mik i afërt me presidentin serb Vuçiç dhe oponent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

     Vetë ndjekësi i kujdesshëm i politikave amerikane në Ballkan, profesori Daniel Serwer, u shpreh para dy ditësh se : «  Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë këtyre 4 vjetëve të shkuar ka zhvilluar politika veçse në favor të Serbisë.

      Eksperti amerikan për Ballkanin shprehu zhgënjimin e tij të thellë për faktin se si Biden, ashtu edhe Antony Blinken, Derek Chollet dhe Christopher Hill, që e njohin shumë mirë Ballkanin Perëndimor dhe vuajtjet e Kosovës, vendosën të zbatonin një politikë pro Beogradit.

       Sipas profesorit amerikan, vetë Gabriel Escobar, ish-zëvendës shef i misionit në Beograd e shndërroi formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në prioritetin e tij kryesor. Kjo i dha Beogradit atë që dëshironte më së shumti, ndërsa Prishtinës asgjë.

       Profesori shtoi se njerëzit e Bidenit u anuan edhe më shumë drejt Serbisë duke mos thënë asgjë të dobishme kur p.sh u rrëmbyen dy policë të Kosovës brenda territorit të saj.

          “Kur Vuçiç dërgoi njerëz të dhunshëm për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s, Uashingtoni foli shumë pak. Edhe kur Serbia organizoi sulmin terrorist në Kosovë, ata nuk bënë asgjë”, nënvizon Daniel Serwer.

       Eksperti amerikan për Ballkanin pohoi po ashtu se ai nuk shpreson që administrata e dytë e Trump të bëjë diçka ndryshe. Pasi pritet që së pari ajo të ketë si përparësi projektet ekonomike të dhëndrit, Jared Kushner, si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi. 

      Ka shumë gjasa që Trump të mos bëjë asgjë që rrezikon projektet e Kushner me paratë saudite. Kjo do të thotë se administrata amerikane do të vazhdojë të anohet edhe më shumë drejt Beogradit dhe larg Prishtinës”, – u shpreh profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

       Serwer phon se ledhatimi ndaj Beogradit do të vazhdojë, ndërsa parashikon një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, nëse Uashingtoni i rikthehet ideve për ndarjen e Kosovës në vija etnike!

      Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku. Ndarja e Kosovës ka qënë një projekt i vjetër në disa qarqe perëndimore prej shumë vitesh.  Dhe ky projekt me shumë gjasa do të ridalë në skenë së shpejti.

       Dhe më e keqja është se Kosova sot nuk ka më as aleatë. Rusia, Kina, India dhe ndofta së shpejti edhe Amerika do të gjenden në krah të Serbisë, sidomos në rast se Kurti vazhdon të mos e pranojë asosacionin.

         Megjithatë dhe pranimi i asosacionit sot nuk do të ishte i mjaftueshëm për Serbinë. Ajo do të dëshironte tani aneksimin e plotë të 4 komunave serbe në veri të Mitrovicës si dhe kontrollin tërësor të manastireve serbe në Deçan etj etj. Me një fjalë ndarjen faktike dhe praktike të Kosovës !

       Ky është edhe rreziku më i madh që i kërcënohet sot Kosovës! Për më shumë atë sot nuk ka më kush ta mbrojë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment