Urrejtja ndaj rrjeteve sociale

    Pa asnjë dyshim Interneti ishte një nga shpikjet më madhore të fundit të shekullit të 20-të. Ai u kthye papritur në një mjet të pazëvendësueshëm të transmetimit në çast të informacionit. Por me krijimin më pas edhe të motorëve të kërkimit,  ai u kthye edhe në një mjet të fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe diturisë anë e mbanë botës.

     Ti mund të banonje në një qytezë të Tanzanisë, Birmanisë apo Shqipërisë dhe mjaftonte të kishe një kompjuter, një prizë elektrike dhe një lidhje interneti dhe kishe gjithë botën në këmbët e tua. Ti do ishe po aq i mirinformuar sa ai që jetonte në Nju Jork apo Tokio. Veçse të kishe dëshirë.

     Menjëherë pas lindjes së internetit dhe pas krijimit edhe të motorëve të kërkimit si psh  Yahho, Google, Bing etj, lindën edhe rrjetet sociale. Tani ti jo vetëm informoheshe apo komunikonje me një mikun tënd që gjendej në hemisferin tjetër të globit, por kishe mundësi të shprehnje madje edhe opinionin tënd personal për gjithçka ndodhte në botë apo qoftë edhe në fshatin tënd. Ti mund të diskutonje me mijëra të njohur apo të panjohur në mbarë botën sa p.sh për sportin, por po aq edhe për politikën, për artin dhe për çdo problem apo temë që të pëlqente.

     Dhe ky ishte një revolucion I vërtetë në jetën njerëzore. Deri para 20 vitesh të gjithë ndiqnin lajmet në televizor apo lexonin opinionet e komentatorëve politikë apo sportivë në gazeta. Ti mund të ishte dakort apo jo me mendimet e tyre. Por askush nuk të pyeste ty. Madje ti nuk kishe asnjë mundësi praktike as  të shprehnje opinionin tënd, veçse në klubin tënd të preferuar.

     Por situatat ndryshuan dhe erdhi koha që kushdo, ti, unë po ai atje, me një fjalë gjithkushi që deri më tani ishte askushi, të shprehnin opinionin e tyre për çdo çështje që ngjallte interesin e njerëzve. Për çdo zhvillim shkencor, artistik, social etj etj që ngjante anë e kënd globit.

      Tani ti nuk ishe më një qënie passive që disa të zgjuar të mësonin se si t’i duhej të mendonje apo edhe flisnje.  Ti tani kishte të drejtën e pamohueshme të jepnje mendimin tënd për çfarëdo çështje dhe problem.  Madje mund të kritikonje psh hapur edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

       Dhe gjithë kjo në sajë të rrjeteve shoqërore si Facebook, “WhatsApp”,, Instagramm, “X” e kështu me rradhë. Për herë të parë edhe njerëzit e zakonshëm, ata që nuk llogariteshin,  mund ta ndjenin veten të barabartë me ata të cilëve u dëgjohej fjala. Dhe po aq të lirë për të shprehur hapur atë që ata mendonin për çfarëdo subjekti.

     Kështu spjegohet edhe “shpërthimi” i rrjeteve sociale. Facebook ka për shembull sot mbi 2 miliard ndjekës, ndërsa “X” mbi 400 milionë. Dhe të gjithë këta shkëmbejnë opinione, shpërndajnë informacione apo publikojnë video apo shkrime edhe te “You Tube”, Tik – Tok etj.

        Por pikërisht këtu filloi të ngecte edhe sharra në gozhdë. Disave filloi të mos u pëlqente se çfarë shkruanje apo mendonje ti, ta zëmë për Kim Kardashian apo Taylor Swift, apo për shtypjen e të drejtave të Njeriut në Arabinë Saudite apo Iran. Po ashtu mbi politikës kineze ndaj ujgurëve në rajonin perëndimor Xinjiang. Disa të tjerëve nuk u pëlqente që ti të kritikonje politikën izraelite në Lindjen e Mesme dhe kështu me rradhë.

       Pikërisht në atë kohë filloi të flitej edhe për “rrezikun” që përbënin rrjetet sociale. Ku një “askërkush” guxonte të kritikonte madje edhe veprimet politike të një aksh kryeministri apo presidenti! Se edhe liria duhet të ketë një kufi dhe të jetë e kontrolluar apo jo?!

     Por problem u malcua shumë këto kohët e fundit me blerjen e „X“-it, dikur „Twitter“, nga miliarderi amerikan Elon Musk. Si dhe nga fitorja në zgjedhjet e fundit amerikane e Donald Trump. Të dy këta përkrahës së vendosur të shprehjes së opinionit dhe lirisë së fjalës pa kufi.

     Ne shqiptarët, që kemi vuajtur 45 vjet nën diktaturën komuniste, e dimë mirë se sa rëndësi ka fjala e lirë. Aq më shumë që jo pak shqiptarë kanë vuajtur nga neni 55 i kushtetutës që dënonte nga 7 deri në 10 vite burg këdo që shprehte një opinion që binte ndesh me mendimet e „shokut Enver“ apo me vijën e Partisë!

           Por siç i thonë edhe fjalës“ gjella me kripë dhe kripa me karar“. Askush në botë nuk mund të lejojë në emër të lirisë së pakufizuar që dikush të përfitojë nga kjo liri për të shpifur apo sharë kë të dojë. Çdo shtet ka ligje në këtë drejtim, që mbrojnë çdo individ. Siç ka ligje kundër pedofilisë, pornografisë dhe nxitjes së veseve të këqija. Dhe për një censurë të tillë të gjithë janë dakort.

           Por si edhe në Shqipëri, problemi komplikohet kur dikush nuk është i një mendjeje me rrymën dhe platformën zyrtare. Kur ti i kundërvihesh opinionit zyrtar apo edhe politikave të caktuara. Atëhere ti shkel në „dërrasë të kalbur“!

       Dhe pikërisht këtu „çalon“ gomari. Se këto rrjete shoqërore kanë filluar të nxisin dhe shpërndajnë edhe një të vërtetë tjetër, që shpesh herë bie ndesh edhe me atë zyrtare.

       E drejta ndaj fjalës së lirë apo e vënies së saj nën kontroll shpërtheu me forcë përsëri këto ditë kur pronari i rrjetit „Facebook“, Mark Zuckerberg pohoi se ai i kishte larguar të gjithë ata qindra vetë që deri më tani paguheshin që të kontrollonin në rrjetin e tij se çfarë thonin njerëzit. Dhe nëse këto opinione binin apo jo ndesh me dogmat zyrtare!

      Këto përplasje midis opinionit zyrtar dhe atij kontravers ranë në sy sidomos gjatë krizës së Covid-it. Atëhere pati njerëz që u shprehën kundër efikasitetit të vaksinave apo mbajtjes së detyruar të maskave. Këta njerëz u emërtuan si komplotistë të rrezikshëm. Njëlloj si ata që kishin bindjen se kandidatit për president në vitin 2020, Donald Trump, iu vodhën votat.

       Dhe që atëhere janë ngritur në qiell zërat që rrjetet shoqërore duhen mbajtur nën kontroll dhe nuk duhen lejuar të shprehin çfarë i pëlqen çdonjërit!  Para pak muajsh në Europë madje u hartua edhe një ligj i posaçëm që dënonte me gjoba të rënda këdo që shpërndante lajme apo opinione që binin ndesh me të vërtetën zyrtare.

      Kulmi i ndërhyrjes kundër rrjeteve sociale u arrit para pak javësh kur Gjykata e Lartë në Rumani vendosi, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, anullimin e turit të parë të zgjedhjeve presidenciale atje. Në këtë tur kishte dalë fitues në mënyrë të papritur një kandidat i paparashikuar dhe i papëlqyer nga etablishmenti politik! Madje një ish zyrtar i lartë i Bashkimit Europian pohoi se ishte Brukseli, ai që e kishte anulluar këtë raund zgjedhjesh, dhe se ai do të vepronte po njëlloj edhe në Gjermani, nëse përsëritej i njëjti skenar!

      Sipas etablishmentit politik në Bukuresht dhe Bruksel, kandidati opozitar kishte dalë i pari në këto zgjedhje veçse në sajë të mbështetjes që kishte pasur nga rrjeti social Tik Tok!

      Këto veprime dhe ky qëndrim dëshmon ndër të tjera edhe për një përbuzje të pafund ndaj zgjedhësve sa në Rumani apo Gjermani, por edhe kudo ku votohet kundër kornizave të parapërcaktuara!

      A mos vallë këta njerëz, rumunët apo gjermanët, janë vërtet kaq budallenj dhe të influencueshëm saqë t’i tërheqë nga hunda Tik – Tok, „X“ apo Facebook?! A mos vallë jemi kthyer prapa në shekullin e 18-të kur shumica e njerëzve nuk dinin të hidhnin as firmën?! Sot kur po ëndërrohet që Njeriu të shkojë të jetojë në planetin Mars?!  

      Nuk qënkan në gjendje rumunët dhe gjermanët të mendojnë me kokën e tyre, por duhet të besojnë se çfarë shkruhet në rrjetet sociale?! Votojnë njerëzit apo voton Tik- Tok!

      Dhe tjetra: le ta zëmë sikur është e vërtetë se njerëzit atje qënkan kaq budallenj, po atëhere kush i paska manipuluar ata deri para se të lindnin rrjetet sociale?! Ndryshe për çfarë kanë shërbyer deri më sot gazetat, radiot dhe televizionet, disa prej të cilave kanë transmetuar edhe në gjuhë të huaja?! Pse problemi vjen vetëm nga rrjetet sociale ku kushdo mund të shprehë mendimin e tij të pavarur?!

      Edhe  më parë ka ngjarë që zgjedhësit kanë votuar kundër disa projekteve të servirura nga elitat zotëruese. Siç ka qënë psh rasti i referendumeve mbi kushtetutën europiane në vitin 2005, që u hodh poshtë nga votat e zgjedhësve në vitin 2005 si në Francë edhe në Hollandë.

      Por kjo nuk përbëri ndonjë problem të madh për establishmentin politik të BE-së në atë kohë.  Me anë të votimeve në parlamentet përkatëse rezultati i referendumeve popullore u hodh në kosh!

      Atëhere kë shqetësojnë sot rrjetet sociale dhe përse?! Dhe a është e drejtë tu hidhet atyre faji se shpërndajnë dhe mbrojnë atë që njerëzit mendojnë dhe thonë?! Në fund të fundit këto rrjete a e forcojnë apo e dobësojnë demokracinë?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment