Shqipëria –  si një fshat i vogël turistik?

    A mos vallë Edi Rama ka pasur të drejtë para të gjithëve?! A mos vallë ai është treguar një vizionar i paparë, që kur foli për ndërtimin apo transformimin e 100 fshatrave turistikë në Shqipëri?!

     Se shihet dhe vërehet qartë se i pari i qeverisë shqiptare që prej 12 vitesh veçse ndërton rrugë, porte dhe aeroporte. Dhe asnjëherë deri më tani nuk është parë dhe as dëgjuar që Rama të ketë kërkuar ndërtimin e ndonjë fabrike! Qoftë për përpunimin e frutave, qoftë për prodhimin e sapunit!  Apo të ketë marrë pjesë në përurimin e ndonjë uzine. Jo. Ekonominë ai ia ka lënë krejtësisht në dorën e iniciativës private dhe oligarkëve. Shteti duket se as ndërhyn dhe as do të ndërhyjë në këtë fushë.

     Jemi shumë larg kohës kur njerëzit punonin në fabrikat dhe uzinat e shumta të vendit.  Apo kur fshatarësisë kooperativiste i ishte ngarkuar si detyrë sigurimi i bukës në vend.

      Sot jemi në një kohë krejtësisht tjetër. Bota ka ndryshuar dhe po përparon me shpejtësi, ndërsa Shqipëria duket sikur ka bërë hapa prapa. Në shumë drejtime. Së pari në prodhimin e përgjithshëm industrial. Sot as nuk kemi, dhe madje duket se as nuk kemi më nevojë, për ndonjë uzinë autotraktorësh në Tiranë, apo për uzinën e prodhimit të telave të bakrit në Shkodër, të azotikut në Fier,të superfosfatit në Laç etj etj. Na kanë mbetur nga ajo kohë vetëm hidrocentralet. Lavdi Zotit që nuk i shkatërruam edhe ato!

     Edhe në ekonomi dhe blegtori nuk jemi më mirë. Jo që nuk mbjellim më duhan dhe pambuk, por nuk plotësojmë as edhe nevojat tona ditore për bulmet!  Gjithçka vjen nga jashtë, gjithçka importohet!

     Ndryshe edhe në shifrat e popullsisë jemi në rënie. Normalisht sot duhet të ishim 4.5 milionë banorë në Shqipëri. Por kemi përfunduar si kokoshi një thelë. 2 milionë shqiptarë tashmë janë larguar nga vendi. Për një jetë më të mirë, më të begatë dhe më të sigurt në Perëndim.

             Po a i mbante dot Shqipëria me bukë dhe me një nivel mesatar jetese 4.5 milionë banorë? Kur për më shumë gjithçka e ndërtuar gjatë 45 viteve të epokës diktatoriale komuniste u rrafshua?!

       Natyrisht që jo. Se do të hante njeriu njerinë. Prandaj edhe sot e kësaj dite, 34 vjet pasi shqiptarët u kacavjerrën direkëve të vaporëve që do i çonin në itali, vazhdon emigracioni i pandalshëm.  Fitojnë shqiptarët, por fiton edhe Perëndimi nga gjaku i ri që u hyn në deje nga vendi i shqiponjave. Që i jep forcë dhe gjallëri një popullsie në plakje të vazhdueshme.

      Në këto kushte çfarë mbetej për Shqipërinë që ajo të mos zbrazej tërësisht ? Që t’i ktheheshim praktikave të dikurshme ekonomike, ishte vetëvrasje. Por as nuk kishim më këllqe. Sot nuk jemi në gjendje as të prodhojmë edhe njê revover, nga dy uzina ushtarake që prodhonin fishekë, predha dhe kallashnikovë deri në vitin 1990 ! Sot edhe ullinjtë u kanë ngelur në pemë bujqërve se nuk ka kush t’i vjelë !

       Prandaj nga e pati Edi Rama këtë ide hyjnore që ekonomia bazë e vendit të bëhej turizmi ?! Dhe në fakt po ta mendosh mirë e mirë, turizmi mund të jetë çengeli që do ta nxjerrë vendin në « selamet ».

       Një vend i vogël, që mezi gjendet në hartën e botës, me 2 000 000 banorë nga 8 000 000 000 qê mban bota,  por me bukuri aq të shumta. Me dete dhe liqene, me male të lartë dhe fusha të lulëzuara, me pyje dhe kodra, me liqenj dhe kullota, me fshatra malorë, sikur të jetë Zvicër dhe qyteza buzë detit.  Çfarë të kërkosh më shumë ?!

       Dhe për më tepër një vend i paeksploruar deri më tani, që dallohet për mikpritjen dhe respektin e banorëve vendas ndaj të huajve. Se këtu nuk kemi të bëjmë me Barcelonën apo Venecian që janë velur nga turizmi !

         Çfarë mund të kërkojë më shumë një turist i etur për aventura. Që mund të vizitojë fshatin malor të Thethit, luginën me ujin « brisk » të Valbonës (fjalë me rrënjë latine kjo që mund të shqipërohet si Lugina e bukur), Vermoshin me borë apo kanionet e Shqipërisë lindore për të zbritur më pas në fshatrat – qyteza të Bregut, si Dhërmiu, Vunoi, Piluri, Himara, Borshi etj etj.

           Ja pra që Rama paska zbuluar Sezamin magjik që duket se do i hapë perspektiva të papara vendit dhe do ngrejë mirëqënien e banorëve të tij pa u « vrarë » shumë.

           Megjithatë që tani në Shqipëri po ankohen me të drejtë për çmimet e larta. Por këto çmime dëshmojnë, veç të tjerash, se ekziston edhe një fuqi blerëse në këtë vend. Se njerëzit kanë para në duar. Sepse edhe sipas ligjeve më klasike të ekonomisë së tregut, çmimet nuk mund të kapin qiellin, siç do donin p.sh tregtarët dhe shitësit. Sepse ka një llogjikë këtu. Këto çmime mund të ngrihen deri aty sa malli tregtarëve të mos mbetet pa u shitur !

       Por rritja e çmimeve po shoqërohet fatmirësisht edhe me rritjen e pagave. Sot në Shqipëri nuk përbën më asnjë çudi që dikush të paguhet 800 – 1 000 euro në muaj. E pamendueshme kjo vetëm 20 vjet më parë.

      Dhe ka arsye për këto  përmirësime. Se shqiptarët e emigruar vazhdojnë pa ndërprerje tu dërgojnë para familjeve në vendin e tyre. Dhe këtu bëhet fjalë për qindra milionë euro që hyjnë « gratis » në vend. Këto para mbajnë me bukë me mijëra familje, pa llogaritur këtu paratë që këto familje fitojnë vetë nga puna e tyre. Gjithë këto para rrisin edhe kërkesat për mallra në treg.

     Nga ana tjetër shumë para futen në Shqipëri në mënyrë ilegale nga krimi i organizuar. Nga ata shqiptarë që merren me tregtinë dhe shpërndarjen e kokainës në shumë vende të Europës. Dhe këto para duhen investuar diku. Dhe meqë nuk mund të investohen në vendin « pritës », investohen në Shqipëri në ndërtimtari, hotele dhe restorante. Dikush tjetër ngre një fermë lopësh apo serra për kultivimin e domateve.

      Shtoi këtyre parave tani edhe ato të sjella tani nga miliona turistë që po vizitojnë vendin çdo vit e më shumë nga marsi në tetor dhe tablloja bëhet më e qartë. Dhe kjo tabllo spjegon edhe se përse vlera e lekut është forcuar aq shumë në krahasim me monedhat e huaja. Se përse çmimet janë të larta dhe përse ullinjtë mbeten të varur në pemë !

     A nuk përbëjnë të gjithë këta komponentë një zgjidhje ideale për ekonominë dhe mirëqënien në vend?!  Se pas shtrirjes dhe forcimit të sektorit të shërbimeve, domosdo do të pasojnë investimet e drejtpërdrejta në sektorin prodhues. Edhe sepse « parja pjell paren » siç thuhet te ne, por edhe sepse tregu i restoranteve dhe hoteleve do të “ngopet” një ditë. Sidomos kur edhe fluksi i turistëve të stabilizohet.

      Por pavarësisht kësaj tablloje idilike, jo çdo gjë shkon « vaj » në Shqipëri. Dhe këtë e dinë më mirë se kushdo pensionistët që mezi mbajnë frymën,  apo ata fatkeqë që nuk kanë shtëpinë e tyre. Si kudo në botë, edhe në Shqipëri ekziston një 10 përqindësh i popullatës që « noton » në mjerim dhe skamje. Sa nga fati i keq, sa nga zgjedhjet e gabuara në jetë, por po aq edhe nga paaftësia personale !

       Por si përfundim do të pohonim përsëri se kthimi i Shqipërisë në një « fshat turistik » në Europë nuk ka qënë fare ide e gabuar. Përkundrazi. Ndofta ka qënë dhe mbetet ideja më gjeniale dhe e vetmja për nxjerrjen e Shqipërisë nga bataku ku përfundoi gjatë viteve 1990 – 2000. Ndryshe çfarë mund të bëhej tjetër?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment