A ishte Hitler-i komunist?!

       Kjo pyetje mund të duket e çuditshme. Pasi deri më tani të gjithë njerëzit e dinin që Hitleri ishte armik i betuar i komunizmit!  Por mbrëmë ishte vetë udhëheqësja e partisë së të djathtës ekstreme në Gjermani, AfD, Alice Weidel, që deklaroi gjatë një bisede live me  personalitetin më të njohur dhe të debatuar sot në Perëndim, miliarderin Elon Musk, se Hitleri i takon së majtës dhe nuk ka të bëjë fare me partinë e saj!

      Kjo deklaratë ngjalli kundërshti dhe debate të shumta ndërmjet atyre që e ndoqën live këtë dialog, që zgjati më shumë se 1 orë. Shumica e dëgjuesve duke u nisur edhe nga emërtimi i partisë së Hitlerit si Die Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei (NSDAP) ose shkurtimisht Nazi, ishin të mendimit se udhëheqësja e Alternativës për Gjermaninë kishte të drejtë. Meqë vetë partia e themeluar nga “Führer”-i emërtohej si partia Nacionalsocialiste e Partisë së Punëtorëve të Gjermanisë!

      Pra ajo kishte brenda dy terma të së majtës: socializmin dhe punëtorinë. Edhe sot partia që udhëheq në Britaninë e Madhe quhet Labour Party, Partia e Punës! A nuk quhej kështu edhe partia komuniste që sundoi për 45 vjet me në vendin tonë?!

      Pra në vështrim të parë duket sikur komentuesit e shumtë që debatuan gjatë dhe pas emisionit kishin relativisht të drejtë. Megjithëse historia flet ndryshe.

        Dhe historia ka vendosur një ndarje të qartë ndërmjet socializmit perëndimor, komunizmit dhe nacional-socializmit hitlerian. (Ose fashizmit Musolinian).

      Normalisht një parti dallohet nga tjetra sidomos për sa i takon formës ideologjike të saj, por po ashtu edhe programit ekonomik. Partitë e majta ndahen nga të djathtat, kryesisht ndaj rolit të shtetit në ekonomi. E majta ku përfshihen partitë socialiste, socialdemokrate, komuniste dhe shpesh herë edhe ato ekologjiste, janë në mbrojtje të shtetit “providencë”, pra të shtetit që merr dhe mban përsipër jo vetëm drejtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, por po ashtu edhe mbrojtjen sociale, shëndetësinë, arsimin etj etj.

      E djathta mbështet tek forca dhe gjenia e individit. Shoqëria dhe shteti jo vetëm që nuk duhet të pengojnë sipërmarrjen e lirë, por edhe duhet ta mbrojnë dhe ta nxisin atë – shprehen mbështetësit e kësaj ideologjie.

     Pas këtij “kursi” të ekonomisë politike le të kthehemi te debati i mbrëmshëm.  Dhe siç mund të merret lehtë me mend aty nuk u fol vetëm për Hitler-in, por edhe për emigracionin, rendin dhe sigurinë, Lindjen e Mesme, Izraelin, konfliktin Ukrainë – Rusi, madje edhe për ekzistencën apo jo të Zotit!

     Lidhur me këtë çështjen e fundit, Elon Musk, u shpreh se ai mbetet i hapur ndaj një mundësie të ekzistencës së diçkaje që e tejkalon logjikën dhe kapacitetet njerëzore.

     Pra ishte një debat gjithëpërfshirës, që kapi dhe trajtoi tema të parrahura edhe aq shumë në mjediset dhe kulturën politike perëndimore.

     Por ka diçka që “kërciste” në  avokatinë e drejtueses së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani. Sidomos në qëndrimin e saj ndaj Hitlerit, të cilin ajo e përmendte me emrin e plotë Adolf Hitler!

       Duke qënë se kam pasur rastin të lexoj që në kohên e diktaturës në Shqipëri librin e Hitlerit, “Mein kampf” (Jeta ime) përkthyer në italisht në kohën e Musolinit, dhe që gjendej në bibliotekën e gjuhëtarit të njohur dhe njeriut tim të afërt, Petër Elezi, vura re edhe kontradiktat në frazeologjinë e drejtueses së partisë së dytë në Gjermani.

       E cila, duhet pohuar, se pas kësaj bisede me Elon Musk, transmetuar drejtpërsëdrejti nga rrjeti i tij social “X”, do t’i rrisë padyshim pikët kësaj partie, ecuria e së cilës po ndiqet me shqetësim nga partitë demokratike dhe liberale të Bashkimit Europian.

     Në librin e tij dy vëllimesh, Hitler-i, dëshmonte që në fillim të tij, një urrejtje të pakufishme ndaj komunizmit. Të cilin ai e konsideronte si armikun e tij më të madh ideologjik. Madje urrejtja e tij ndaj komunizmit hera herës dukej sikur e tejkalonte edhe atë ndaj çifutëve. Dhe në fakt libri i tij ishte i mbushur me një lloj urrejtje pasionante ndaj ebreo/bolshevizmit!

      Urrejtje që ai e vuri menjëherë në praktikë kur mori pushtetin në Gjermani dhe i shpalli luftë si Francës, Amerikës dhe Anglisë, por sulmoi befasishëm edhe ish-Bashkimin Sovjetik. Me të cilin më parë kishte arritur edhe në një marrëveshje mos-sulmimi gjatë traktatit të njohur si Ribentrop – Molotov.

      Dhe sulmi ndaj Rusisë nuk u ndërmor veçse për të zgjeruar zonat jetike të Gjermanisë, proklamuar nga nazistët si “lebensraum” apo edhe për të gllabëruar pasuritë e saj nëntokësore. Por ky agresion kishte si synim parësor që të zhdukte një herë e mirë komunizmin nga faqja e dheut.

      Dhe ta zëvendësonte me teorinë dhe praktikën hitleriane të racës ariane, të sundimit të më të fortit ndaj më të dobtit, me dhomat e gazit etj etj.

      Në fakt shmangia e drejtueses së partisë së djathtë gjermane nga trashëgimia makabre e Adolf Hitlerit duket në vështrim të parë si diçka pozitive. Dmth që ajo publikisht e dënon dhe nuk pranon të lidhë me partinë e saj të shkuarën e tmerrshme dhe kriminele të regjimit hitlerian, që shkaktoi më shumë se 50 milionë viktima në mbarë botën.

     Por edhe Hitleri, ende pa e marrë pushtetin, ka pasë shkruar në “Mein kampf” se kundërshtarëve politikë duhet tu thuash shpesh herë atë që ata kanë qejf të dëgjojnë!

      Prandaj AfD-ja, Alternativa për Gjermaninë, duhet të gjykohet së pari nga programi dhe jo nga fjalët e bukura të drejtueses së saj.  Dhe para se ajo të ketë marrë pushtetin. Se ndryshe nuk dihet se çfarë kjo parti mund të ndërmarrë dhe çfarë mund të ngjasë nëse ajo kthehet ndonjë ditë në pushtet!

     Dhe ka disa fakte që janë shumë shqetësuese. Si psh largimi prej AfD-së, e akuzuar si tepër radikale dhe antidemokratike, e partisë së ekstremit të djathtë francez “ Rassemblement National” e udhëhequr nga Marine Le Pen, vajza e udhëheqësit historik të së djathtës ekstreme franceze, Jean Marie le Pen. I cili, duhet thënë, ndërroi jetë pak ditë më parë. Ky i fundit u shpreh gjatë garës presidenciale në vitin 2002 kundër Jacques Chirac se ai ishte ideologjikisht i djathtë dhe ekonomikisht i majtë! Afërsisht siç pretendonte edhe diktatori gjerman.

      Por largimi dhe ndarja në grupin parlamentar europian i partisë franceze të ekstremit të djathtë nga partia gjermane “Alternativa për Gjermaninë” flet dhe tregon shumë. Që edhe parti nacionaliste dhe raciste si “Rassemblement National” nuk duan të kenë të bëjnë më me partitë simotra gjermane dhe austriake! Aq shumë i tejkalojnë këto parti në ekstremizmin e tyre homologet e tyre në Francë, Itali, Angli apo edhe në Hungari!

     Kështu p.sh partia austriake e lirisë, e cila u ngarkua para pak ditësh që të formonte qeverinë e re, nuk e ka fshehur asnjë çast se ajo do dëbojë nga vendi i saj edhe ata të huaj që kanë marrë nënshtetësinë gjermane!

     Si përfundim do të thuhej që jo vetëm që Hitleri nuk ishte komunist, siç pretendoi mbrëmë, Alice Weidel, por ai ka qënë armik i betuar sa i demokracive perëndimore,  por po aq edhe i komunizmit.

     Deklarata e shefes së partisë ekstreme gjermane për tu ndarë nga Hitleri, madje duke u përpjekur t’ia lëjë atë në derë partive të majta, duhet të konsiderohet thjesht si një tentativë politike, si një lloj makijazhi para zgjedhësve të saj të mundshëm.  I njohur dhe i konsideruar botërisht dhe me të drejtë si një Drakul apo një Attilë,  Alice Weidel u përpoq mbrëmë veçse ta heqë “kopilin” nga vetja. Me shpresë se mund të mashtrojë përkrahësit e saj potencialë në zgjedhjet që do të zhvillohen në Gjermani muajin e ardhshëm.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment