Internacionalja sovraniste kundër internacionales globaliste

    Në qarqet e larta politike të Europës, njëlloj si edhe në selinë e  Bashkimit Europian në Bruksel, po mbizotëron një ndjenjë e rëndë shqetësimi dhe paniku. Se punët në Europë nuk po shkojnë edhe aq mirë. Ky kontinent i përbërë nga shumë « principata » mesatare dhe të vogla, po humbet shumë nga fama dhe roli i tij i dikurshëm, përballë gjigandëve ekonomikë dhe politikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Brazili, Rusia etj.

     Deri para disa vitesh situata ishte krejt ndryshe. Amerika dhe Europa ndiheshin një. Pothuajse aleatë të barabartë në gjirin e Aleancës Atlantike. Por gjeopolitika ndërkombëtare dhe bashkë me të edhe bota po ndryshojnë me shpejtësi.

       Tani nuk jemi më në vitet ‚70 – ‚80 të Luftës së Ftohtë, kur globi ishte i ndarë në dy blloqe. Madje nuk jemi më as në vitin 1990 kur Fukuyama shkroi esenë e tij të famshme të „Fundit të historisë“!

       Jo. Nuk ishte e mundur që historia njerëzore të përfundonte. Do të ishte më mirë të shkruhej se përfundoi një kapitull i historisë, për të nisur një tjetër.

       Dhe kapitulli i nisur ishte ai i globalizmit. I një bote pa kufinj,  që do qeverisej nga organizatat ndërkombëtare. Ku kombi, familja dhe shteti pak nga pak do ta humbisnin rëndësinë e tyre. Ku mallrat, teknologjia, fuqia punëtore etj do të lëviznin pa pengesa jo vetëm nga një vend në tjetrin, por edhe nga një kontinent në tjetrin. Prodho ku të duash dhe shit ku të pëlqejë – ishte deviza e kësaj bote të re.

       Dhe ishte Kina ajo që përfitoi më së shumti nga kjo politikë e “dyerve të hapura”. Pothuajse te gjitha trustet dhe koncernet ndërkombëtare e transferuan prodhimin e tyre në Kinë, ku pagat ishin më e pakta 30 herë më të ulta se në Europë dhe Amerikë.

      Por transferimi i uzinave dhe fabrikave perëndimore u shoqërua edhe me transferimin e teknologjisë, të cilën Kina e përvodhi dhe e kopjoi me aq mjeshtëri. Me duart e tyre këta investitorë perëndimorë e ngjallën dhe e shëndoshën dragoin,  aq sa ai po mendon tani se si do t’i gllabërojë!

    Por një pjesë e elitës politike, ekonomike dhe financiare perëndimore nuk ka qënë asnjëherë dakort me këto zhvillime.  Po ashtu edhe njerëzit si në Europë edhe në Amerikë dhanë shenjat e para se nuk mund të vazhdohej më kështu.

       Se kombi duhej mbrojtur nga dyndja e emigracionit të pakontrolluar. Se ekonomia duhej mbrojtur nga konkurrenca e mallrave të huaja, shumë më të lira se ato vendase, për shkak të rrogave tejet të ulëta në vendet prodhuese të këtyre mallrave.

     Njëkohësisht kombi dhe shteti kanë si qelizë bazë të shoqërisë – familjen. Familjen e shëndoshë dhe natyrale e përbërë nga nëna, babai dhe fëmijët !

      Fitorja e presidentit amerikan Donald Trump në vitin 2016 dha edhe sinjalin e parë tronditës për elitën globaliste se gjërat mund të ndryshonin. Pasi Trump ishte sa nacionalist aq edhe antiestablishment. Që do të thotë kundër elitave që kishin qeverisur Perëndimin këto 40 vitet e fundit.

      Rizgjedhja e tij e dytë në krye të shtetit amerikan ngjau në 5 nëntorin e vitit të kaluar. Që nga zgjedhja e tij e parë dhe deri në të dytën « erëra » të vrullshme përfshinë edhe kontinentin europian. Kudo po fitonin apo po përforcoheshin partitë e krahut të djathtë nacionaliste, antiemigracion, pro familjes, anti globaliste etj etj.

      Dhe sipas ligjit të fizikës së veprimit dhe kundërveprimit, ngandonjëherë ballanca shkon deri në majë të ekstremit të saj.      

       Kështu ngjau psh para dy ditësh në Austri, ku  presidenti i vendit, ekologjisti 80 vjeçar Aleksandër van der Bellen, u detyrua të ngarkonte kryetarin e partisë së ekstremit të djathtë, Herbert Kickl, për të formuar qeverinë. Kjo parti kishte dalë e para në zgjedhjet e mbajtura para pak kohësh në atë vend me 28 përqind të votave.

     Dhe siç thotë edhe ajo fjala e rënies së dardhës nën dardhë, kjo parti e formuar në vendlindjen e Hitlerit, ka në plan të saj edhe heqjen e nënshtetësisë për qytetarët me origjinë të huaj dhe dëbimin e tyre në vendin e origjinës! Si fillim do të dëbohen (me të drejtë) kriminelët apo terroristët islamikë, por me shumë gjasa do të vijë koha që edhe mospagimi i biletës në autobuz mund të konsiderohet si arsye e mjaftueshme për heqjen e nënshtetësisë! A nuk veproi kështu edhe Hitleri me çifutët?!

       Ndërsa dje ishte presidenti francez Emanuel Macron që për herë të parë foli rreth formimit së një internacionaleje reaksionare dhe sovraniste! Të gjithë e kuptuan se ai e kishte fjalën për qëndrimet dhe veprimet politike të miliarderit Elon Musk.

        Ky i fundit ka vënë në qëndër të shënjestrës kancelarin gjerman, Olaf Scholz si dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. Madje pronari i Tesla-s, i Neuralink-ut dhe platformës X”  deklaroi para pak kohësh se vetëm partia e krahut të djathtë AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë!

         Kjo deklaratë shkaktoi një bujë dhe jehonë të paparë sa në Europë, aq edhe në botë. Si ishte hera e parë që një personalitet i këtij kalibri, t’i dilte në krah një partie me konotacione të qarta fashiste! Aq më shumë kur dihet se Elon Musk jo vetëm që është sot njeriu më i pasur në botë, por ai është edhe një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump!

       Fatkeqësisht ky vend i madh i Europës (Gjermania), e cila së bashku me Francën, kanë qënë edhe motorët e Bashkimit European, gjendet sot në vështirësi të mëdha sa politike aq edhe ekonomike. Edhe në Francë punët nuk shkojnë më mire. Situata ekonomike atje është po aq e koklavitur. Saqë vetëm gjatë 12 muajve të fundit aty janë ndërruar katër qeveri, ndërsa borxhi me interesat e tij po kap qiellin!

        Atëhere si do i vejë filli Europës?! I vetmi kontinent që i mban ende kanatet të shqyera?! Nga një anë sulmet nga jashtë, nga ana tjetër tronditjet politike ekonomike nga brenda a nuk parangjallin tallaze dhe tronditje të paparashikueshme?

         A do t’i mbijetojë dot Bashkimi Europian këtyre sfidave të papara dhe të paparashikuara deri më sot?!     

              Pyetja është nëse ai do të ndryshojë nga brenda apo do të shpërbëhet fare?! Sepse ndihet se ai sot nuk ka më aleatë. Të gjithë duan ta shkelin me këmbë !

       Po e ardhmja e banorëve të tij, dhe e emigrantëve, cila do të jetë?! Të mos harrojmë se ka pothuajse tri vjet që edhe një konflikt i përgjakshëm po zjen në kufijtë e tij!

      Në vitin 1993 Samuel Huntington publikoi librin e tij të famshëm “The clash of civilisations”, (Përplasja e qytetërimeve). Sipas tij historia dëshmon për përplasje të përhershme dhe të pashmangshme sa ndërmjet perandorive, por po aq edhe ndërmjet qytetërimeve apo blloqeve me pikëpamje antagoniste. Sa për shkaqe materiale, por po aq edhe për arsye kulturore apo strategjike!

       Atëhere përplasja e re ndërmjet internacionales sovraniste me atë globaliste a do të jetë vërtet e pashmangshme?! Ndryshe a do të dijë dhe a do mundet Europa ta kapi përsëri veten?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment