Në këto çaste që po shkruajmë këtë artikull, hirësia e tij, kryepeshkopi Anastasios Janullatos, është ende në jetë. Nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve grekë në Athinë. Dhe nuk është aspak mirë të ndjellësh vdekjen e dikujt, qoftë ai edhe armiku yt më i madh !
Por mjekët pohojnë se gjendja shëndetësore e hirësisë së tij është tejet kritike. Dhe kur sjellim ndermend edhe moshën e tij, 95 vjeç, nuk ka si të mos arrish në përfundimin se misioni i tij në jetë, dhe po ashtu edhe në Shqipëri, është drejt fundit.
Që do të thotë se që tani duhet menduar për zëvëndësimin e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri. Do Zoti dhe Janullatosi ia « hedh » edhe kësaj rradhe, por është e qartë tani, se si pasojë e moshës së tij të shtyrë dhe gjendjes së tij shëndetësore, si në Tiranë, por po aq edhe në Athinë apo Stamboll (ku gjendet edhe patriarkana), po mendohet dhe po flitet me zë të ulët se cili mund të jetë pasardhësi i tij i mundshëm.
Dhe nëse ky pasardhës duhet dhe do të jetë me rrënjë shqiptare, apo mund dhe të jetë i huaj, siç është edhe rasti i zotit Janullatos. E vërteta është se në « kanunin » e Kishës Ortodokse të Pavarur Shqiptare, hartuar nga ish- kryepeshkopi shqiptar, rilindasi patriot Fan Noli, shkruhet e zeza në të bardhë, se çdo kryepeshkop në Shqipëri duhet të ketë rrënjë shqiptare.
Por përkrahësit e Janullatosit e kundërshtojnë këtë mundësi duke u shprehur se deri sa Janullatosi ishte me kombësi dhe nënshtetësi greke dhe u pranua nga shteti shqiptar si udhëheqës i « grigjës » ortodokse, nuk ka arsye që ky rast të mos përsëritetë edhe një herë tjetër.
E vërteta është se shugurimi i hirësisë së tij, Anastasios Janullatos, në krye të kishës ortodokse shqiptare, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, nuk u prit mirë në opinionin publik shqiptar. Kjo për shkak të politikës aneksioniste dhe shoviniste të Athinës gjatë 200 viteve të fundit. Që kur u krijua si shtet, andej rreth viteve 1830 të shekullit të 19-të, politika greke nuk ka lënë rast pa shfrytëzuar për të shtrirë ndikimin e saj në jugun e Shqipërisë. Me synimin final gllabërimin edhe të kësaj pjese të rëndësishme të vendit. Politikë që vazhdon edhe sot e kësaj dite me të njëjtat synime. Mjafton të kujtojmë me këtë rast sjelljen e Athinës në Himarë !
Njëlloj si pushtuesit turq, edhe veglat e Greqisë, si një farë Shën Kozmai, e mallkuan gjuhën shqipe, faktorin bazë të njehsimit dhe dallimit të kombit shqiptar. Njëlloj si flamuri me dy krena dhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Po çfarë mund ngjasë tani kur ka dalë në plan të parë zëvendësimi i kryepeshkopit Janullatos ?! A do të jetë pasardhësi i tij me prejardhje shqiptare apo jo?! Si do e trajtojnë këtë problem Athina dhe Tirana zyrtare?!
Me shumë gjasa Patriarkana greke e Stambollit do të ndërhyjë edhe kësaj rradhe fuqishëm në gjetjen e një kryepeshkopi tjetër që të jetë i lidhur me interesat aneksioniste të Athinës. Po shteti shqiptar si do të veprojë?! A do pranojë ai që për Kishën Ortodokse shqiptare të vendoset në Athinë apo Stamboll, apo do ta marrë vetë këtë çështje në dorë?! Dhe së fundmi si do ndikojë kjo “përplasje “ e re në marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë?!
Rasti më i fundit i përplasjeve Tiranë – Athinë ngjau gjatë zgjedhjeve për kryebashkiakun e Himarës. Greqia përdori të gjitha kartat që kishte në dorë për të mundësuar fitoren e kandidatit te saj vorio-epirot Fredi Beleri. Ndërsa qeveria e Ramës iu kundërvu fuqishëm këtij plani, madje duke e futur edhe në burg për disa muaj përfaqësuesin e Athinës në Himarë.
Por Greqia diti të hakmerrej. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian, të mbajtura disa muaj më parë, ajo propozoi në Greqi si kandidat të sajin, pikërisht përfaqësuesin e saj në Himarë, Fredi Belerin. I cili, pa fare çudi, u zgjodh si eurodeputet me votat e qytetarëve grekë!
Megjithatë gjërat kanë ndryshuar dukshëm në krahasim me fillimvitet e 90-tës, kur Greqia bënte ligjin në Shqipëri. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe zëri i saj dëgjohet edhe në korridoret e Bashkimit European në Bruksel.
Shqiptarët vetë, në shumicën dërrmuese të tyre, dhe pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, janë pro emërimit të një prelati me prejardhje shqiptare në postin e lartë të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale. Por fatkeqësisht duket se praktikisht nuk është punuar fare në këtë drejtim.
Ndryshe, gjatë këtyre 30 e ca vjetëve, udhëheqësit e kishës ortodokse kanë punuar me synime të largëta për të siguruar vazhdimësinë e fortlumturisë së tij në fronin e kryepeshkopit. Një aradhe e tërë prej tyre, janë përgatitur sa në Shqipëri, aq edhe në Athinë, për një zëvendësim të “qetë” dhe pa bujë të kryepeshkopit të tashëm grek me një të njëjtë.
Por a do pranojnë shqiptarët emërimin e një kryepeshkopi tjetër nga Patriarkana greke dhe Athina?! Duke injoruar kështu tërësisht sovranitetin e shtetit shqiptar në çështjen e fesë?!
Se pikërisht për këtë pavarësi nga Athina dhe Patriarkana, luftoi dhe punoi edhe Fan Noli si sot 100 vjet më parë. Kur u shpall edhe autoqefalia e kishës ortodokse shqiptare, pra pavarësia e saj. Synimi i At Fan Nolit në atë kohë, ishte pikërisht ta ndante kishën shqiptare nga ajo greke. Dhe jo ta shpallte të pavarur nga shteti shqiptar!
Normalisht është shteti shqiptar autoriteti më i lartë në vend edhe në fushën e kulteve për të pranuar apo jo emërimin e një kleriku të lartë në institucionet fetare në vend. Me një fjalë a do pyetet dhe a do merret edhe mendimi i qeverisë shqiptare para se të caktohet zëvendësuesi i kryepeshkopit aktual?! Kjo është çështja.
Çështje që mund të shkaktojë tallaze të reja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, pa folur këtu për çështjen e detit apo për ligjin e luftës me Shqipërinë që parlamenti grek ende nuk e ka anulluar. Kur në të njëjtën kohë ai e ka anulluar këtë ligj me Italinë, prej së cilës u sulmua në kohën e Duçes, njëlloj si dhe Shqipëria!
Shqiptarët kanë një fjalë të urtë që thotë: “Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda”! Që mund të transkriptohet në gjendjen aktuale se më mirë që vendi i kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të mbetet bosh, sesa të emërohet dikush tjetër pa marrë më parë edhe pëlqimin e shtetit shqiptar.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment