Koha për një bilanc dhe parashikimet bardhë/ e zi për vitin e ardhshëm

       Ja edhe viti 2024 po mbaron dhe njerëzit anë e mbanë botës po përgatiten për të festuar me shpresë dhe gëzim ardhjen e Vitit të Ri 2025. Mbyllja e një viti në jetën e një Njeriu i ngjan mbylljes së një kapitulli të një libri që pasohet nga një kapitull tjetër. Apo edhe kthimit të një faqeje të këtij libri që të afron gjithmonë e më pranë epilogut !

      Por pavarësisht të gjithave, Viti i Ri fillon gjithmonë me ëndrra dhe shpresa të reja, prandaj edhe në mesnatën e 31 dhjetorit nuk mungojnë urimet e pafundme për një vit të ri të mbarë dhe të lumtur.  Dhe duke ngritur dollitë për një vit të begatë dhe me fat, gjithkush e hedh paksa edhe vështrimin prapa dhe bën edhe një bilanc të vitit që po lëmë pas. Sa në fushën e arritjeve personale dhe familjare, por po aq edhe mbi situatën në vendin e tij apo edhe në botë.

        Sepse shpesh herë situata personale është e lidhur edhe me zhvillimet sa në vëndin tënd, por po aq edhe me ato ndërkombëtare. Kështu psh ukrainasit deri 2 – 3 vjet më parë jetonin relativisht të qetë në vendin e tyre, derisa kur mbi shtëpitë e tyre filluan të fluturojnë predhat dhe bombat. Njerëz që shihnin thjesht punën e tyre u përfshinë papritur në një vorbull luftimesh dhe shkatërrimesh të papara.

        Ndryshe në Shqipëri dhe Kosovë ngjarjet e vitit që po lëmë pas rrodhën normalisht. Jeta vazhdoi si gjithmonë me gëzimet dhe brengat e përhershme dhe të pashmangshme. Dhe kjo është diçka tejet pozitive.

        Ndërkohë në Palestinë vazhdoi kasaphana, ndërsa në Siri u përmbys një nga regjimet më autoritare dhe mizore. Për tu zëvendësuar nga …!  Zoti e di nëse për sirianët ndërrimi i një regjimi laik dhe diktatorial nga një regjim islamist do të jetë diçka pozitive apo negative.

        Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump fitoi garën presidenciale dhe rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Si do të ndikojë ky rikthim në zhvillimet në botë?! Këtë askush nuk mund ta parashikojë. Ndërkohë në Kinë nuk lëviz as miza. Ky vend vazhdon të fuqizohet dhe të armatoset pa pushim. Duke shpresuar se në një ditë jo shumë të largët do të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si superfuqia e parë në botë! Të shohim.

           Po si do të jetë viti 2025 ?! Këtë askush nuk mund ta parashikojë. Megjithatë analistët dhe studiuesit e zhvillimeve ndërkombëtare ndihet se janë tejet të shqetësuar. Ndofta edhe nga frika e një përhapjeje të vatrave të zjarrit sot, sa në Europë aq edhe në Lindjen e Mesme. Sepse askund nuk vihen re shenja qetësimi dhe zbutjeje. Lufta në Ukrainë me shumë gjasa do të vazhdojë edhe përtej vitit të ardhshëm. Se askush nuk do të dorëzojë armët. Edhe armëpushimi aq shumë i përfoluar ka pak gjasa të vihet në jetë.  

        Rusia mendon se një armëpushim i përkohshëm mund t’i shërbejë Ukrainës veçse si një mënyrë për tu riarmatosur. Prandaj Putini sot nuk mendon asfare për një armëpushim, që, sipas mendimit të tij, mund të rikthehet një ditë papritur në një konflikt të ri, edhe më i përgjakshëm se deri më tani. Të dyja palët ndërluftuese kërkojnë veçse kapitullimin pa kushte të kundërshtarit. Askush nuk beson te paqja pa eliminimin një herë e mirë të armikut.

       Ndërkohë palestinezëve u duhet të rigjejnë një atdhe të ri. Se objektivi i Izraelit nuk është zhdukja fizike e 4 milionë palestinezëve që jetojnë sot në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por dëbimi njëherë e mirë i tyre nga tokat që 2 000 vjet përpara i takonin izraelit biblik!

      Parashikimeve të zymta të analistëve për vitin që po afron, si për çudi u kanë paraprirë edhe profecitë e dy nga parashikuesve më të njohur të njerëzimit, Nostradamusit të famshëm të shekullit të 16-të dhe fallxhores me origjinë bullgare e shekullit të kaluar, e njohur ndryshe si Baba Vanga.

      Të dy këta fat-hedhës kanë parashikuar një vit të tmerrshëm. Me tërmete dhe përmbytje, me shpërthime vullkanike, me një ngrohje të globit dhe mbi të gjitha me luftëra gjakderdhëse ndërmjet kombeve !  

        A duhen marrë parashikimet e tyre seriozisht ?! Sigurisht që jo. Megjithatë këtu ka vend për shqetësim. Se thuhet psh  se Nostradamusi ka pasë parashikuar, ndër të tjera, edhe ardhjen e Hitlerit në pushtet, shkatërrimin e dy kullave binjake në Amerikë etj. Ndërsa fallxhorja bullgare ka profetizuar se fundi i botës fillon në vitin 2025 ! E të tjera e të tjera.

      Pyetja është:  A ka mundësi njeriu që të parashikojë të ardhmen. Ndryshe, në mënyrë shkencore, të « fluturojë » dhe të shohë të ardhmen. Pra çfarë e pret atë dhe botën?! Dhe këtu nuk bëhet fjalë për krijimin e një « Makine të kohës » përshkruar aq bukur nga H.B. Wells. Por për një udhëtim në kohë, sigurisht jo si një materie fizike, por si një objekt kuantik. Si një lloj fluturimi i « shpirtit » apo « energjisë » në kohë dhe hapësirë ?!

       Sipas shkencëtarit të njohur Steven Hawking (1942 – 2018) teorikisht dhe teknikisht një udhëtim në kohë është i mundur. I këtij mendimi ka qënë edhe Enstein.

       I zhytur në problemet e tij të përditshme, në luftën për ekzistencë, njeriu i zakonshëm nuk ka shumë kohë t’i kushtohet të ardhmes. Dhe as të kundrojë të shkuarën dhe të nxjerrë mësime nga ajo. Por shpesh herë rend si një maratonomak symbyllur drejt greminës.       

        Dhe kjo pavarësisht se njerëzit janë të prirur drejt paqes dhe vëllazërimit, – dashuria dhe mirëkuptimi, e keqja dhe e mira, e bukura dhe e shëmtuara, lufta dhe paqja, lindja dhe vdekja kanë qënë dhe mbeten bashkëudhëtare të vazhdueshme dhe të përhershme të marshimit të tij të pandalshëm mbi Tokë.

       Sidoqoftë, Gëzuar të gjithëve Vitin e Ri 2025. Që gjatë këtij viti paqja dhe arsyeja të rikthehen në planetin tonë. Që parashikimet ogurzeza të mos plotësohen dhe mirëkuptimi dhe dashuria të mbizotërojnë ngado !

Nga Viron Gjymshana


Lini një koment