Krishtlindjet dhe misteri i jetës

         Pas disa orësh një mbrëmje tejet e veçantë fillon për afro 2 miliardë të krishterët anë e mbanë botës. Se si sot 2024 vjet më parë thuhet se ka lindur Jezu Krishti, profeti i paqes për disa dhe biri i Zotit për disa të tjerë.

           Prandaj sot do të shkëputemi nga politika e ditës, nga dordolecat  politiqenë dhe do t’i dedikohemi shpirtërores. Asaj të padukshmes, asaj që nuk shihet me sy, por besohet. « I lumtur ai që beson pa prova » – Shën Thomai !

         Ka pasur disa profetë dhe shënjtorë kjo botë si psh Muhameti, Buda apo të tjerë. Por Krishti dallohet nga gjithë për fjalën e tij, për mesazhin që ai përcjell, deri te ajo që për ne duket e papranueshme : « Atij që të godet në një faqe, ktheji tjetrën » ! Kjo është vërtet e pamundur ! Mos vallë çifutët kanë më të drejtë kur besojnë se në këtë botë asgjë nuk vlen më shumë sa praktika « dhëmb për dhëmb dhe sy për sy » ?!

          Por mesazhi i Krishtit duhet kuptuar dhe trajtuar jo në formën litterale, pra fjalë për fjalë, por në sensin fillozofik. Që do të thotë se e keqja nuk luftohet me të keqe. Se duhet të falim dhe të harrojmë të këqijat dhe padrejtësitë që na ka bërë i afërti apo i largëti qoftë. « Forget and forgive » – thonë britanikët.

          Ndërsa Krishti i tërheq vëmendjen njerëzve edhe me shprehjen lapidare se “kush vret me shpatë, nga shpata do vdesë”!  Çfarë të kërkosh më shumë?!  Prandaj edhe Herbert Wells, “babai” i universit fantastiko-shkencor dhe autori i “Luftës së botëve”, Makina e kohës”, “Njeriu i padukshëm”, “Ishulli i doktorit Moreau” etj etj e ka cilësuar Krishtin në veprën e tij” Një skicë e historisë njerëzore” si revolucionarin e parë mbi Tokë.

         Ndofta nisur edhe nga predikimet e tij se “po pate dy këmishë, njërën jepja atij që nuk ka”, apo “Më lehtë hyn gamilja në vrimën e gjilpërës, se i pasuri në Mbretërinë e Zotit”! Por ndofta edhe nga sjellja e tij ndaj farisejve, (fajdexhinjve), në tempullin e Jeruzalemit, ku ai i dëboi me kamxhik në dorë mashtruesit.

       Prandaj edhe për këto arsye këtij Njeriu të jashtëzakonshëm i festohet dhe i përkujtohet tash e 2 000 vjetë dita e lindjes. Pavarësisht se askush nuk është i sigurt se Krishti është biri i Zotit, se ai u ringjall, se ngjalli Llazarin, se e ktheu ujin në verë, se eci mbi ujin e detit etj etj.

      Sepse askush sot nuk zotëron prova të pamohueshme se vetë Zoti ekziston?! Se ai i ka sytë dhe zëmrën drejt nesh. Se neve na pret parajsa apo ferri për veprimet e kryera mbi Tokë etj etj.

        Fetarët dhe ata që besojnë në Zot sjellin si provë të pamohueshme ekzistencën e Universit apo edhe vetë jetën dhe gjallimin tonë mbi Tokë ! “A besoni vërtet se jeni produkt i rastësisë të dalë nga hiçi, apo ekzistoni, së bashku me Tokën dhe Universin mbarë, si pasojë e një projekti të mirëmenduar ?!” – pyesin ata.

        Edhe vetë një nga kokat më të mëdhe të Njerëzimit, Enstein-i vetë, ka pohuar se çdo sahat ka sahatbërësin e tij! Siç ka thënë po ashtu se “Zoti nuk loz me zare”!

       Por në këtë botë sa të magjishme, por po aq edhe mizore, jetojnë e gjallojnë edhe ateistët që njihen ndryshe edhe si evolucionistë apo darvinistë. Ata nuk besojnë fare në Zot. Prandaj janë të bindur se gjithçka, duke nisur nga Universi dhe deri te ne : njerëzit, jemi produkt i rastësisë. Ndryshe i ligjeve të evolucionit !

      Gjithmonë sipas tyre jeta në Tokë ka lindur thjesht nga krijimi i disa aminoacideve në një pellg me ujë, ku papritur ra rrufeja. Dhe ashtu papritur dhe pa kujtuar lindi edhe  bakteria e parë mbi Dhé, e quajtur Ameba. Kjo bakterie filloi pastaj, (Zoti e di pse !) të shtohet dhe shumohet pa mbarim për qindra milionë vjet me rradhë. Dhe si pasojë lindën bimët, kafshët, Njeriu, dinozaurët, mikrobet, kërpudhat dhe gjithçka që të zë syri dhe të kap dora !

       Dashur pa dashur këta ateistë, disa prej të cilëve bëjnë pjesë edhe në majën e botës së shkencës, i japin Amebës atributet e Zotit. Veçse ata e konsiderojnë këtë bakterie si të padenjë për t’iu falur, ndryshe nga besimtarët që mbushin çdo të premte, të shtunë apo të dielë, sipas besimeve të tyre,  institucionet e kultit.

          Atëhere a e kemi prejardhjen nga Ameba apo nga Zoti?! Jemi rastësisht mbi këtë Tokë apo gjithçka ka qënë e programuar që para miliarda vjetësh ?! Rrjedhim nga majmuni, siç pohonte dikur Darvini, apo jemi një specie e veçantë e paraprojektuar për të qënë këta që jemi.  Po tigri dhe maçoku nga e kanë origjinën ?!

         Kur ishim nxënës në shkollë të mesme na mësonin se „materia është një kategori fillozofike e përjetshme, pa kohë dhe pa fund dhe që nuk ndryshon » ! Materia : kategori fillozofike ?! Me siguri një term i marrë dhe i përkthyer keq në atë epokë nga shkolla ruse.

        Mbaj mend se profesori ynë i fizikës i asaj kohe na ngriti të gjithëve në dërrasë duke na pyetur rreth konceptit të materies, bazë e ideologjisë ateisto/ komuniste së bashku me darvinizmin. Duke mos i dhënë rëndësinë e duhur asaj “kategorie fillozofike” nuk isha fare i përgatitur për atë temë dhe prandaj edhe mora një 2-sh të mirë.

      Sot mendoj se nuk e kam pasur edhe aq gabim. Sidomos tani që flitet edhe për Big Bang-un nga e cila paska filluar gjithçka. Pra nga një kokërr „bizele“ me një energji të pafundme brenda saj, e cila kur shpërtheu krijoi edhe universin që njohim sot. I cili edhe 14,5 miliardë vjet pas shpërthimit vazhdon ende të shtrihet dhe përhapet! Po nga doli kjo kokërr „bizeleje“?! Kësaj pyetjeje asnjeri nuk i jep dot përgjigje!

      Ndryshe askush nuk di gjë. As papa i Romës, as Rabini i Madh i Jeruzalemit, as Myftiu I Stambollit. Të gjithë besojnë atë që duan të besojnë: në ekzistencën e Zotit dhe të jetës së përtejme.

       Por mënyra e vetme për të arritur në një përfundim llogjik dhe racional të prejardhjes së jetës në Tokë dhe krijimit të Universit mbetet … shkenca. Po, po – shkenca.

      Sepse vetë shkenca ka filluar të tronditet. Jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur sot se baza e jetës në Tokë vjen nga Ameba. Se vetë ata nuk ia kanë arrirë dot, edhe pas shumë përpjekjesh eksperimentale shumëvjeçare dhe dëshpëruese, të krijojnë bakterie që vetëshumohen apo jo.

       Ata nuk janë në gjendje të spiegojnë po ashtu se përse bebja e syrit, shenjat e gishtërinjve dhe ADN-ja janë të veçanta dhe të papërsëritshme te çdo njeri?!  Se si spjegohen 20 konstantet e Universit që e mbajnë atë „në këmbë“. Aq sa sikur të ndërrosh një numër të këtyre koefiçientëve pas shifrës së nëntë dhjetore, Universi nuk do të ekzistonte fare! Ata nuk po dinë po ashtu si të spjegojnë vegimet e NDE-së (Near Death Eksperience) për të cilat flasin dhe dëshmojnë sot me mijëra pacientë që i kanë shpëtuar për një qime vdekjes klinike?!

        Dhe mbi të gjitha pyetjes vrastare: “Përse ka diçka (Universi) në vend që të mos kishte asgjë?!“. Ndryshe pse ekzistojmë ne, pse ekzistojnë galaksitë e pafundme kur do ishte më e thjeshtë që asgjë të mos ekzistonte?!

        Para kësaj mjegullnaje  vetë Einstein-i është shprehur se „ai beson te Zoti i Spinozës, te Natyra, te Universi! Dhe se ai nuk beson te një qënie me mjekër të bardhë që rri mbi re dhe na vështron ne natë e ditë se çfarë bëjmë“!

       Ka mijëra vjet që Njerëzimi, (shenjtorët, profetët, fillozofët, dijetarët, shkencëtarët etj etj) po përpiqet tu japë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistencialiste, por pa as më të voglin sukses. Ndofta, dhe ka shumë gjasa, që këto pyetje do të ngelen përjetësisht pa përgjigje.

         Sidoqoftë Gëzuar Krishtlindjet! Si për ata që besojnë edhe për ata që nuk besojnë. O Holy Night.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment