Ekziston një lloj paradoksi me flamurin shqiptar. Shkaba me dy krena, por që shikojnë në anë të ndryshme! Kjo figurë letrare mu kujtua kur ndoqa takimin e djeshëm ndërmjet parlamenteve të dy “shteteve” tona: Shqipërisë dhe Kosovës.
Dhe dihet mirë se marrëdhëniet midis dy anëve të Drinit nuk kanë qënë kurrë më të ftohta dhe më të ngrira se sot. Disa për këtë gjendje ia hedhin fajin Ramës, i cili, sipas tyre, është bashkuar me ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe i është kundërvënë Albin Kurtit!
Disa të tjerë pohojnë se është Albin Kurti që formoi një parti anti-Rama gjatë zgjedhjeve të shkuara në Shqipëri, që i rrënoi si marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave, por po ashtu edhe midis dy vendeve!
Por arsyeja kryesore e prishjes së relatave midis Ramës dhe Kurtit ka si bazë qëndrimin e tyre krejtësisht të kundërt ndaj problemit të “asosacionit” të 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë. Rama përkrah qëndrimin e ndërkombëtarëve, që kërkojnë vënien në jetë sa më shpejt të kësaj “zajednice” të ngjashme me atë që ekziston në republikën serbe të Bosnjës.
Por Albin Kurti nuk dëgjon kurrsesi nga ai vesh. Sipas tij krijimi i këtij asosacioni me të drejta autonomie, përfaqësimi dhe marrëdhënieje individuale edhe me bashkësinë ndëkombëtare, krijon një minishtet në mes të shtetit kosovar. Por e keqja është se këtë asosacion e kanë pranuar dhe nënshkruar gjatë periudhës 2011-2013 ish udhëheqësit e Kosovës, Thaçi dhe Mustafa.
Në këto kushte askush nuk flet më për ëndrrën e “bashkimit kombëtar”! Të dy shetet, si dy krenat e shqiponjës, vështrojnë në kahe tê kundêrta, por kurrsesi jo drejt njëri tjetrit.
Çuditërisht ishte kryeministri i Kosovës që e hodhi përsëri këtë ide në tavolinë dje, gjatë takimit të parlamentarëve të të dy vendeve. Takim që u mbajt më shumë si i thonë: “më ka thonë nona me la gojën”! Pra në një atmosferë të ftohtë.
Aq sa kryeministri Shqipërisë, i gjendur 2 metra larg Kurtit, i dërgoi atij në mënyrë demonstrative një letër, në vend që të bisedonin të dy kokë më kokë si vëllezër mbi marrëdhëniet konfliktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si dhe rolit që mund të luante qeveria e Shqipërisë në këtë drejtim.
Rama veçse propozoi që parlamenti i Kosovës të ndërmerrte një nismë pranë kancelarive europiane për të kundërshtuar qëndrimin dhe rolin e Tribunalit të Hagës ndaj komandanteve të lavdishëm të UÇK-së. NIsmë që do të mbështetej njëkohësisht, sipas tij, edhe nga parlamenti i Shqipërisë.
Është e vërtetë e pamohueshme se qeveria e Kurtit nuk po lufton sa duhet që të mbrojë ish komandantët dhe ish- udhëheqësit e lartë të Kosovës. Por nuk duhet harruar po ashtu se Kurti, kur ishte në opozitë, luftoi me të gjitha forcat kundër ngritjes së kësaj Gjykate Speciale për Kosovën. Ndërsa Thaçi, Mustafa dhe të tjerë e mbështetën paarsye krijimin e këtij institucioni ndërkombëtar, që do merrej me “krimet” e UÇK-së në Kosovë!
Aq sa tani duket se qëndrimi i Kurtit ndaj të akuzuarve në Hagë është: “E mbështetët dhe e aprovuat ngritjen e kësaj gjykate speciale?! Vuani tani pasojat e qëndrimit tuaj”.
Por pavarësisht humnerës që ndan sot Ramën me Kurtin, ky i fundit gjeti rastin dje të rikujtonte amanetin e rilindasve rreth bashkimit kombëtar! Që në nisje të fjalimit të tij, Kurti shprehu aspiratën e dy shteteve tona rreth bashkimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar: “Dy shtetet tona janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar. Legjislatura e parë e Shqipërisë e njohu Kosovën që në 1991” – vuri në dukje ai.
Sipas tij, kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është si kufiri i dy barkusheve të zemrës, duke cituar kështu artistin Primo Shllaku.
Po a rreh akoma ideali I bashkimit kombëtar në zemrat e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit?! Kjo është pyetja. Sepse si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ka rryma që shprehen kundër këtij bashkimi. Dhe çudia më e madhe është se shqiptarët e vendit “amë” janë më pro këtij bashkimi se ata të Kosovës! Sipas anketave të zhvilluara.
Ndryshe përkrahësit e “një kombi – dy shtete” duket se i kanë hyrë llogarive se çfarë fitojnë dhe çfarë humbasin nëse ky bashkim bëhet realitet ndonjë ditë. Duke harruar se bashkimi kombëtar është së pari ideal dhe testament i rilindasve tanë të lavdishêm dhe pastaj llogari.
Por edhe në rast se I hyjmë llogarive del se të bashkuar jemi më të fortë sesa të ndarë. Se nuk I thonë kot: “përça e sundo”.
Por në mesin e lokalistëve dhe sovranistëve gjallon edhe një rrymë tjetër e atyre që shprehen për bashkimin e “dy shteteve” në një lloj federate apo konfederate. Që ngjajnë si atavizma të ngelura në zemrën e disa kosovarëve që nga koha e Titos!
Me një fjalë shihet se këta të fundit duan të ruajnë « sovranitetin » e republikës së tyre, duke ndjekur kështu thënien e ish- “kryetarit” të tyre të ndjerë, Ibrahim Rugovës, rreth Prishtines së barazlarguar nga Tirana dhe Beogradi!
Por këta të fundit harrojnë të pyesin se çfarë do të fitonte Shqipëria nga këto federate apo konfederata?!
Shqipëria, si një shtet i pavarur që prej 112 vjetësh dhe i njohur po ashtu edhe nga bota mbarë, ka krijuar në gjirin e saj tashmë një lloj balance apo drejtpeshimi ndërmjet Gegërisë dhe Toskërisë si dhe ndërmjet sunitëve, bektashinjve, katolikëve dhe ortodoksve. Drejtpeshim që rrezikon të përmbyset në favor të Gegërisë dhe sunitëve në rast bashkimi.
Por këto llogari meskine duhen hedhur poshtë pa asnjë ngurrim. Bashkimi kombëtar është jo vetëm amanet i Isa Boletinit me shokë, por edhe aspiratë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Prandaj ky bashkim duhet rivënë në agjendat e dy qeverive në Tiranë dhe Prishtinë. Por vetëm si një bashkim i Kosovës me trungun amë, nga i cili u shkëput padrejtësisht para më shumë se një shekull më parë. Ndryshe asnjê lloj federate apo konfederate nuk bën punë dhe nuk do të pranohet.
Veçse askush nuk është më duke punuar në këtë drejtim. Dhe e keqja më e madhe është se sa më shumë që kalon koha aq më shumë kjo aspiratë largohet nga zemrat e çdo shqiptari.
Prandaj ishte tejet mirë që Albin Kurti e hodhi dje përsëri në qarkullim këtë ide sa gjeniale aq edhe e paharrueshme.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment