Një vrasje politike në Amerikë dhe një korrupsion i paturpshëm në Shqipëri

         Përsëri një mjek, si shumë të tjerë si ai, është bërë i « famshëm » në Shqipëri. Jo se është ndonjë mjek i jashtëzakonshëm, tejet i zoti dhe i kushtuar ndaj misionit të Hipokratit. Jo. Bëhet fjalë thjesht vetëm për hajdutin e rradhës në fushën e shëndetësisë në vend. Pra për një hajdut me diplomë, i quajtur Edvin Prifti. Të cilit policia i gjati 500 milionë lekë cash në shtëpi, ose 500 mijë euro!

           Opinioni publik u revoltua edhe një herë tjetër. Siç ka ngjarë edhe në plot raste të tjera. Por edhe kësaj rradhe pa fuqi; siç e ka zakon. Sepse shqiptarët mblidhen dhe reagojnë me forcë veçse kur i thërret i pari i fisit apo bajrraktari i krahinës. Me përjashtim të rastit të ndalimit të hyrjes në vend të mbetjeve kimike nga jashtë para disa vitesh. Që e detyroi qeverinë Rama të tërhiqej nga risku i helmimit të mjedisit në vend.

          Sepse shqiptarët kanë parë, dëgjuar dhe provuar aq shumë në kurriz gjatë këtyre 34 vjetëve, saqë nuk mund  të indinjohen nga 500 mijë euro të qelbura. Se në Shqipëri sot flitet për miliona. Jo për të gjithë. Por për ata që « llogariten » ! Pra që kanë pushtet. Që njihen si të « fortët e lagjeve ». Që kanë namin e atij që është marrë me drogë apo krime anë e mbanë Europës etj etj.

        Miliona që përdoren për të shpërblyer qoftë një vrasës me pagesë, qoftë për të ngritur kulla, apo për shuma të tjera marramëndëse për të fituar psh një tender inceneratori etj etj.

        Dhe kur në këtë « valle » përfshihen deri edhe ish-kryeministra, ish-presidentë, ish-zëvendës-kryeministra, (mjekët dhe gjykatësit nuk quhen) shqiptarët kanë të drejtë të ndjehen apatikë dhe të pafuqishëm përpara të këqijave që kanë kaplluar vendin.

     Se, siç thotë edhe ajo shprehja e njohur, kur gjenerali këput një kokërr mollë, ushtarët e shkulin pemën me gjithë rrënjë. Ndryshe kur vjedhin ata që janë zgjedhur për të drejtuar vendin dhe të kujdesen për popullin, si mund të mos vjedhin, mjekët apo gjyqtarët e shkretë ?!

      Aq më shumë kur bëhet fjalë për mjekësinë e sotme. Kur edhe gjelat e detit e kanë kuptuar se nëse do të trajtohesh si duhet, duhet të paguash! Para disa muajsh u përfol psh rasti i disa mjekëve të onkollogjikut. Që as skuqeshin dhe as zverdheshin kur u kërkonin haptazi ryshfete familjarëve të pacientëve. Se Maldivet, Karaibet, Teneriffet  etj „kapen“ thjesht edhe me 4 operacione. Dmth me paratë nën dorë që këta mjekë merrnin nga të afërmit e pacientëve!

      Aq „baltë“ është bërë problemi i mitmarrjeve në vend, saqë para disa vitesh një mjek deklaroi me zë të lartë, se nëse pacientët nuk paguajnë, ata e linin profesionin që nesër ose largoheshin menjëherë për në Gjermani. Deklaratë që për më shumë e kap edhe ligji i marrjes dhe dhënies së rryshfetit!  Por me kë e ke! Mjekut që kërkoi publikisht rryshfet as edhe një gjemb nuk i hyri në këmbë!

      Të gjitha këto dukuri dëshmojnë se Shqipëria, vuan edhe ajo, nga një sëmundje e rëndë dhe pothuajse vdekjeprurëse: nga mungesa e shtetit.  Aq sa edhe SPAK-u nuk di nga t’ia fillojë më parë: nga koka që është qelbur apo nga bishti që mban erë. Kaq shumë ka korrupsion, vjedhje, krime dhe paligjshmëri në këtë vend.

      Dhe kur njerëzit e ndershëm revoltohen ka edhe nga ata që i dalin në mbrojtje rryshfetit apo edhe hajdutllikut. Dhe në internet gjen edhe komentues që i cilësojnë njerëzit e ndershëm si bagëti !

       « O popull bageti , qe ankoheni per kete doktorin. Por ky doktori ju ka sherbyer. Nderkaq ju i thurni elozhe Rama hajdutit qe po ju vjedh e po ju grin per dite more, dhe po ju nxin jeten me pensionet dhe rrogat me te uleta ne Europe . Ky doktori edhe po ka mare leke nga pacientet ju ka sherbeyer ne nje fare menyre, diku ka pasur sukses, diku jo. Varet edhe nga fati ajo punë, Por ama doktori ka punuar sa ka mundur per ato para qe i keni dhene ju. Nderkaq kjo qeveri qe ju more idioter e doni kaq shume , po ju nxin jeten dhe po ju vjedh parate e taksave tuaja perdite, dhe ju e doni „ – shkruan një nga ata që mendon se meqë vjedhin ata „lart“, këtu „poshtë“ duhet të bëhet nami! Kush është bagëtia këtu?!

      Një tjetër shkruan: „Një njeriut tim ai (kardiokirurgu) i dha garanci per nderhyrjen ne zemer dhe mbas nje dite pacienti vdiq. Dhe ky mjek perveçse mori 8.000 euro po mundohesh te ikte pa u dhënë shpjegime familjareve, duke u thene se do ua shpjegoi infermieri“ (!).

Dhe po ai i mësipërmi që mbron doktorin nga bagëtia komenton përsëri: „Or rob idiota,nuk kuptoni apo nuk doni? Doktori i madh i ka dyert hapur ne gjithe spitalet e BE,Amerike etj, Po ju more derdimene dhe qyqare a do vraponi ne Turqi te paguani nga 50-80000 $ per nderhyrje ne zemer?Apo do degjoni llomotitjet e qeverise dhe do prisni zgjidhje per kushte te mira dhe per doktore gjenial qe punojne per shpirt te babes?Iluzione se si duhet te ishte dmth,por kur eshte e pamundur cfare do beni do vdisni si miza?!Po kur nje operacion qe ndan jeten nga vdekja ka garanci suksesi qe ne fillim nga doktori gjenial dmth,diskuton njeriu qe ka 2 pare mend qe ti jape nje dhurate 1500-2000€ me gjithe shpirt ??Apo do vrapoje ne Turqi apo spitale private qe pervec rrjepjes nuk ke garanci.Eshte ceshtje jete vdekje or kanibale or felliqesira.Lereni gjeniun dhe te themi lavdi zotit qe mund te gjejme zgjidhje.Mendoni te keni probleme zemre per vete,prinder femije cfare do mendoni?Idealizma qe nuk ka askund apo nje zgjidhje e sigurte?“.     

              Ja pra si justifikohet haptazi vjedhja dhe korrupsioni nga njerëz me një ndërgjegje shtaze ose pa ndërgjegje fare. Thjesht kontigjente burgu apo frekuentues bordellosh. Jo më kot në Shqipëri ende 30 përqind e popullsisë voton akoma për Sali Berishën!

            Por nuk mungojnë dhe reagimet e njerëzve të ndershëm. Sa ndaj mjekut hajdut, por po aq edhe mbrojtësve të tij. Se dihet se edhe vrasësit serialë kanë amiruesit e tyre në shoqëri. Në këtë rastin e fundit janë sidomos  disa femra që lidhin letërkëmbim me killerin serial!

       “Hajdut ku i gjete leket. Duke rjepur te semuret, po te ishe ne europe me keto lek te vjedhura, dije ku shkon, Çou enver prej varrit, tredhi keta kriminela, ti ke ken zabiti i horave…”.

         Një tjetër: “Po ta pret mëndja që do ktheheshe në Shqipëri…. . Këtu mjeku specialist fiton shumë herë më tepër se në Zvicër, SHBA, Gjermani apo Dubai……. . Mjerë kush ka hall, por ju të ripni”.

        “Qenke plerë. Doktori punon në shtet,dhe duhet t’i mjaftojë rroga,se punon me aparaturat,me narkozën dhe ilaçet e shtetit,shteti shqiptar e ka mbajtur me bursë që ka studiuar jashtë,ka bërë shkollën për kardiokirurg, që të operojë ata shqiptarë që nuk mund të shkojnë tek privati,garanci sjepte fare për jetën,garanci ka vetëm zoti,uroj të shesësh shtëpinë dhe të operojnë me zemër të hapur kasap!    

      “Edvin Prifti, fshatari nga Erseka që s’kishte bukë të hante,por kërkon të pasurohet me vdekjet e shqiptarëve,se edhe kur vdesin pacientët, mban gjysmat e lekëve!”.

       “Ky doktor” nese do te fitoje 500 mije euro me pune te ndershme, le te rrije ne Amerike ku funksionon sistemi me siguracion shendetesor privat. Nese do kthehesh ne Shqiperi, 500 mije euro mund t’i fitosh vetem duke zhvatur fukarenjte qe shesin shtepite” – shkruajnë disa të tjerë.

        “Mjeket e dikurshem ishin heronj qe punonin ne kushte mizerabel, me paisje te kohes se qepes dhe me paga qesharake per ato qe benin. Keta te sotmit jane tregetare qe bejne pazar me jete njerezish. Eshte fyerje per brezin e mjekeve te dikurshem qe edhe keta te sotmit ti quajme doktora. Mjeku halabak qe perfiton nga halli njerezve, nuk ka asnje ndryshim nga nje vrases me pagese.Nuk mund te kërkon rryshfet kur je ne orar te punes se shtetit,ne ambientet e shtetit dhe me cdo shpenzim te shtetit pra te te gjithe qytetareve qe paguajne per shendetesine. Po ta mbajti bytha hap klinike private dhe verja cmimin sa te duash,por vetem thuaja perpara,deklaroi,paguaj taksa dhe po qe i zoti puno.Jo ne keto kushte qe ke punuar zoterote.Ne fakt ti dhe shume te tjere si puna jote jeni nje grup hajdutesh ordiner e aq me teper hajdute te jetes njerezore ose shqip kriminela“.

     Një tjetër dëshmon: „Une jam operuar ne Padova te Italise,ne Institutin kardiokirurgjik universitari qe mban emrin e kardiokirurgut te shquar Italian ” GALLUZZI.Ke degjuar per kete emer dhe kete Institute? E pra,u operova ne zemer,por nuk pagova asnje kokerr leku.Ne vitin 2006 ime shoqe u operua tre here nga nje ekip italo Francez ne spitalin universitari te Ankones.Ne krye te ekipit neurokirurgu i shquar Francez,dr.Moro.Ke degjuar per Te? Pyet prof.Petrelen se ta shpjegon ai.Erdhime gjithe ekipin e tij tre here nga Parisi.Tre muaj ne spital dhe nuk paguam asnje qindarke.Aty kam pare kur deshtoi nderhyrja e dyte dr de Nikolen te qaje me lot ne sy per nje shqiptare.Aty kam pare prof.Neurokirurg Caruselin qe ti rrije te koka shqiptareve.Por asnjeri si ne ankona dhe ne Padova me gjithe sherbimin e jashtezakonshem,nuk na pa nga duart,nuk na vuri cmim.Po e theksoj, Asnje Qindarke.

         Ky zoteria ka perdorur hapesirat publike (spitale shteterore) me infrastrukturen dhe pajisjet e tyre dhe eshte paguar po nga publiku. Nese nuk i pelqente paga tek shteterori të shkonte tek privati! Por shkon tek shteterori me mendesine per te zhvatur popullit e mjere, se i bie qe qe nga fillimi e ke ndare mendjen jo vetem te mos zbatosh betimin e Hipokratit por edhe te mos zbatosh ligjet e vendit E kuptoj cfare do te mendosh që nevoja dhe lufta me jeten te besh ti japesh doktorit sa te kerkojë por kjo nuk nuk e ben te drejte veprimin dhe as te ligjshme, pse nuk ndodh kjo ne spitale shteterore/publike ne vende si Italia dhe Franca pa shkuar ne vende te tjera me larg?!!!!- shkruajnë disa të tjerë.

        Ja pra këto ishin disa nga reagimet e njerëzve të thjeshtë ndaj mjekut sharlatan dhe hajdut. Ndërkohë do kalojmë në mënyrë virtuale Oqeanin Atllantik dhe hidhemi në Amerikë. Aty ku edhe shëndetësia, edhe arsimi i lartë janë private. Dhe për tu shërbyer apo për t’i ndjekur ato duhet të paguash qimet e kokës!

      Para pak ditësh edhe në Amerikë opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar, u njoh me një akt të rëndë dhe tronditës. Një i ri 26 vjeçar me origjinë italiane, Luixhi Mangione, vrau me qetësi në mes të sheshit Manhatan të Nju jorkut një nga manjatët më të famshëm të sistemit të asikuracioneve shëndetësore në Amerikë, miliarderin Brian Thompson.

               Ky i fundit ishte padroni i trustit më të fuqishëm të sigurimeve shëndetësore në Amerikë, i njohur si United Health Care. Një shoqëri sigurimesh shëndetësore kjo me mbi 50 milionë klientë, që arrinte fitime vjetore prej mbi 16 miliardë dollarësh në vit!

            Luigi Mangione e spjegoi veprimin e tij me dëshirën për të denoncuar sistemin amerikan të shëndetësisë, më i shtrenjti në glob, në një kohë kur mesatarja e jetës atje zë vendin e 42 në botë! Për më shumë, sipas specialistëve të sistemit shëndetësor amerikan, kjo shoqëri sigurimesh nuk rimbursonte mbi një të tretën e klientëve të saj, kur ata i nënshtroheshin ndërhyrjeve mjekësore!

         Pa asnjë dyshim veprimi i këtij të riu është një veprim politik terrorist. Apo revolucionar sipas disave! Prandaj ai ka shkaktuar debate të ashpra në Amerikë. Shumica dërrmuese e publikut amerikan i ka dalë në mbrojtje veprimit të këtij të riu. Dhe këta “shumica” përbëjnë disa qindra mijëra amerikanë që kanë publikuar “e-moji” pozitive për veprimin e Luigi Mangiones!

     Por përveç mbështetjes që ai ka gjetur në publikun amerikan, diçka tjetër ka tërhequr vëmendjen e hetuesve amerikanë që po marrin në pyetje të riun terrorist. Ata i ka tërhequr në mënyrë të veçantë rrugëtimi dhe origjina e këtij të riu.

     Ndryshe nga sa mund të mendohet ky i ri kishte mbaruar njërin nga universitetet më të mira në vend. Po ashtu ai përveçse ishte i pashëm, vinte edhe nga një familje e kamur. Pra asgjë e përbashkët me “leckamanët” marksistë të përshkruar zakonisht në masmediat dhe filmat amerikanë.

      Ndofta një ndjenjë e tepëruar për drejtësi dhe barazi shoqërore e ktheu këtë të ri në një terrorist. Që për më shumë u largua nga vendi i ngjarjes qetësisht, hypur mbi një trottinetë dhe as që u përpoq më pas që të fshihej. Pra ai “zotëron” të gjithë përbërësit që të konsiderohet si një “hero” edhe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij.

     Sigurisht që xhesti i tij është terrorist. Dhe asnjë krahasim nuk duhet të bëhet ndërmjet veprimit të këtij të riut amerikan ndaj një sistemi amerikan shëndetësie, mbështetur te privati, me veprimet e mjekëve të korruptuar dhe hajdutë shqiptarë.

        Vrasja në çfarëdo kushtesh të kryhet mbetet një vrasje dhe veprim terrorist. Pra Luigi Mangione nuk duhet të shërbejë kurrsesi si një shembull që duhet të ndiqet edhe në Shqipëri.

       Por këto ngjarje në dy vende aq të ndryshme të botës, dëshmojnë për  një problem të madh mbarëplanetar. Se etja për fitim, për dollarë apo lekë, dëmton rëndshëm çdo sistem shëndetësor në botë.

       Dhe ndofta ngjarje të tilla negative si ajo e kardiokirurgut shqiptar Edvin Prifti apo edhe e terroristo/revolucionarit amerikan Luigi Mangione, të çojnë ndërmend kohën kur në shumicën e vendeve të botës, mendohej se shëndetësia dhe arsimi janë fusha të ekonomisë që nuk duhet të shërbejnë kurrsesi si mjet për tu pasuruar dhe për të bërë para, por thjesht dhe vetëm për t’i shërbyer falas Njerëzimit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment