Kush fiton dhe kush humbet nga rënia e regjimit në Siri?!

      Ja edhe regjimi diktatorial i Asadit në Siri u përmbys. U përmbys nga një koalicion i përbërë nga një sekt islamist, i quajtur Hayat Tahrir al-Sham,    nga një formacion laik anti Asad i njohur si ushtria kombëtare e Sirisë dhe nga forcat e armatosura kurde.

      Gjithë bota u çudit nga kjo rënie e shpejtë (për 10 ditë) e një regjimi që mendohej se do mbrohej me çdo kusht, jo vetëm nga forcat e tij të armatosura, por edhe nga aleatët e tij të deritanishëm!

      E vërteta është se regjimi i deridjeshëm në Siri ishte një regjim diktatorial. Bashar al Asad-i e kishte trashëguar „fronin“, në fakt republikën, nga i ati i tij, që të dy së bashku kanë sunduar këtë vend me dorë të hekurt përgjatë 54 viteve me rradhë.

    Prandaj edhe reagimet nga bota pas kësaj përmbysjeje janë nga më të ndryshmet. Disa janë të gëzuar, disa të hidhëruar dhe të tjerë të shqetësuar. Kështu psh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi rënien e regjimit në Siri, si një ditë historike! Sepse Siria e Asadit ishte deri dje një nga kundërshtaret më të vendosura të shtetit izraelit.

      Sepse sado i dobët, regjimi në Damask, nuk mund të rrëzohej aq kollaj pa një ndërhyrje të huaj. Analistët dhe specialistët e politikës ndërkombëtare tregojnë sot me gisht Turqinë, si mbështetësen kryesore të forcave anti – Asad, si atyre xhihadiste, por po ashtu edhe të ushtrisë kombëtare siriane. Me përjashtim të forcave kurde, të cilat Erdogani i ka halë në sy.

        Në fakt forcat kryengritëse anti-Asad ishin jo vetëm të mirëpërgatitura , por edhe të mirëpajisura ushtarakisht. Kush i pajisi këto forca rebele me xhipsa, mitralozë dhe automjete të blinduara fringo të reja?!

       Rënia e regjimit në Siri ngjan në një kohë tejet kritike në Lindjen e Mesme. Kur forcat e Hamasit në Gaza janë dobësuar shumë si pasojë e konfliktit me ushtrinë izraelite. Konflikt që deri më sot ka shkaktuar mbi 45 000 të vrarë, duke përfshirë këtu edhe fëmijë, gra dhe pleq dhe që  nisi që nga 8 shtatori i vitit të kaluar, kur forcat e Hamas-it sulmuan popullsinë civile në Izrael.

        Po ashtu edhe grupi i armatosur shiit, Hezbollah, është dobësuar ndjeshëm pas sulmeve të parreshtura të aviacionit izraelit. Saqë tani që forcat izraelite vranë edhe Hasan Nasrrallahun, liderin historik të kësaj force me bazë në Liban, Hezbollahu i udhëheqësve të rinj, po i lutet tani Izraelit për paqe dhe armëpushim!

     Ka mbi 12 vjet që regjimit të Asadit po i tundeshin këmbët. Afërsisht që kur filloi „pranvera arabe“, që fshiu nga skena udhëheqësit në Tunizi, Egjipt etj. Në atë kohë ishin vendet perëndimore, pa harruar këtu Izraelin, që ishin vënë në ballë të luftës edhe për rrëzimin e regjimit në Damask.

     Por gjendja u komplikua, kur kundërshtarët e Asadit zbuluan fytyrën e tyre të vërtetë: antiperëndimore, islamiste dhe xhihadiste. Kjo mbështetje ndryshoi menjëherë që kur këto forca barbare krijuan edhe kalifatin e tyre islamik, që shërbeu më pas si bazë e sulmeve terroriste të ngjara në Paris, Bruksel, Madrid, Londër etj.

      Atëhere vendet perëndimore, së bashku me ato ruse dhe kurde, ndërmorrën një fushatë të paparë sulmesh ajrore dhe tokësore kundër ISIS-it islamik. i cili u detyrua të lëshojë të gjitha pozicionet që kishte fituar deri atëhere dhe të strukej në një cep të Sirisë. Aty nga shpërtheu përsëri këto ditët e fundit.

      Siria përgjatë këtyre viteve të fundit i ngjante një tepsie me bakllava ku çdonjëri kishte të drejtë të shtrinte dorën dhe të rrëmbente një copë. Izraeli kishte psh një vit që bombardonte sa herë të donte caqet ushtarake siriane. Turqia nga ana tjetër ndiihonte me para dhe armatime forcat anti-Asad. Edhe vendet perëndimore ndërmerrnin kohë pas kohe veprime ushtarake në siri. Nga ana tjetër Irani dhe Rusia e konsideronin Sirinë si domenin e tyre, ku të tjerët nuk duheshin lejuar të fusnin hundët!

    Dhe ndërsa Izraeli dhe Turqia po bëjnë sot festë, tani që armiku i tyre personal u rrëzua nga froni, Rusia, Irani, por edhe Hezbollahu, apo Hamasi, kanë filluar zinë.

    Rusia psh rrezikon tani të humbasë edhe të vetmen bazë ushtarake që kishte në Mesdhe. Pas asaj të Karaburunit që e humbi në vitin 1960! Ndërsa Irani humbet një aleat të vyer në luftën e tij ndaj Izraelit.

        Sepse duhet kuptuar se përplasjet në Siri kanë edhe bazë fetare. Pavarësisht se regjimi i Asad-it ishte laik dhe të gjitha fetë kishin të njëjtat të drejta dhe detyra, vetë Asadi i takonte ritit shiit, që mbetet pakicë në vend. Ndaj synitëve shumicë.

    Përballë këtyre ngjarjeve të papritura në këtë vend, presidenti i ardhshëm amerikan, Trump, ka ngritur supet dhe ka pohuar se ajo që po ngjet në Siri, nuk është punë e Amerikës! Ndërsa europiano-perëndimorët nuk e dinë ende nëse duhet të qajnë apo të qeshin. Pa asnjë dyshim që Europa e ka dëshiruar me gjithë zemër përmbysjen e regjimit të Asadit.  Njëlloj si Izraeli.  Por tani ajo po pret të shohë se çfarë do ngjasë. Sepse ajo ka një përvojë tejet te hidhur kur forcat islamiste marrin pushtetin në vendet arabe.

       Kujt do t’i ngjajë Siria nesër?! Turqisë së Erdoganit apo Afganistanit të talebanëve?! Kjo është pyetja. Ndryshe a do të mjaftohen tani forcat islamiste në Siri të  shohin “punët” e tyre dhe të mos përfshihen në xhihadin Islamist?!

      Megjithatë Perëndimi duket se ka arsye të ndihet më tepër i gëzuar se i shqetesuar nga ngjarjet e fundit. Optimizëm që u përcillet edhe nga deklaratat që vijnë nga Tel-Avivi. Sepse Izraeli me shumë gjasa është më i mirinformuari se çfarë po ngjet këto ditë dhe se çfarë përfaqëson hayat Tahrir al Sham!

     Por diçka është e sigurt: Siria ka hyrë tani në një periudhë turbullirash të paparashikuara. Duket se po përsëritet skenari i Libisë së Kadafit dhe Irakut të Sadamit. Këto regjime diktatoriale, por njëkohësisht laike, socialiste dhe anti-izraelite u përmbysën me forcë nga ndërhyjet ushtarake të Amerikës, Francës dhe Britanisë së Madhe.

    Dhe ndërsa në ato kohë këto vende vuanin nën peshën e një diktatori, sot ato vuajnë nën peshën e 1 000 diktatorëve. Ato tani janë harruar dhe askush nuk kujdeset më për to.

    Edhe Siria me siguri do të përfundojë si ato. Në një vend të copëtuar në 100 pjesë. Në një luftë civile ndërmjet forcave islamiste, atyre laike apo kurdëve. Dikujt apo disave mund tu vijë shumë për mbarë që edhe Siria po ndjek rrugën e Irakut dhe Libisë! Por nga ana tjetër mbetet edhe një pikëpyetje e madhe se përse Asadi e lëshoi kaq shpejt pushtetin ?! Përse Irani dhe Rusia nuk ndërhynë për të mbrojtur aleatin e tyre ?! Çfarë qëndrimi do mbajë regjimi i ri i përfaqësuar kryesisht nga forcat e  Hayat Tahrir al-Sham-it ndaj Izraelit, që është gëzuar kaq shumë nga rënia e Asad-it ?! Sidoqoftë është e sigurt se populli sirian nuk do të fitojë asgjë nga këto ngjarje dhe përmbysje.  

      Aq më shumë që ndonjëherë është tejet e vështirë të zgjedhësh ndërmjet ligjeve të diktaturës dhe atyre të xhunglës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment