Kjo pyetje mund të duket disi e çuditshme, por në fakt nuk është edhe aq. Se në Shqipëri ka ende shumë njerëz që, me apo pa të drejtë, nuk ngurrojnë të lavdërojnë të mirat e sistemit të shkuar.
Siç ishin shëndetësia dhe arsimi falas, një mbrojtje e sigurt e vendit. Apo formimi i një aradhe të tërë inxhinjerësh, mjekësh, agronomësh që ia transformuan faqen vendit. Njëlloj si ngritja e mbi 400 fabrikave, uzinave, kombinateve apo hidroçentraleve. Madje këto të fundit përbëjnë edhe sot e kësaj dite burimin kryesor të energjisë elektrike në vend.
Por edhe kundërshtarët e atij sistemi nuk mungojnë, dhe me të drejtë, ta urrejnë atë sistem, që shkaktoi edhe aq shumë viktima të pafajshme. Që ushtroi mbi të gjithë vendin një shtypje të paparë.Kur për një fjalë goje dënohej nga 7 deri në 10 vite burg kushdo që guxonte të ankohej apo të kritikonte të metat e atij sistemi!
Që i mbylli dyert e vendit aq fort saqë kalimi fshehtas i kufirit barazohej me ikjen e kokës. Pa folur këtu për varfërinë që pllakosi sidomos vitet e fundit. Ku edhe qumësht nuk gjenje në dyqane, nëse nuk ngriheshe që në 3 të mëngjezit të zinje rradhën. Ku mezi kishe të drejtë të blinje një pulë hungareze në javë dhe 250 gram kafe në muaj!
E filluan me triska dhe e përfunduan me tollona – pohonin kundërshtarët e atij sistemi. Se privimet dhe mungesat ishin vërtet të tmerrshme. Sidomos që kur u vendos ndalimi edhe i oborreve personale që i siguronin fshatit, por edhe gjysmës së qytetit, mishin, qumështin dhe nënproduktet e tij. Ishte një komunizëm i praktikuar në formën e tij më primitive, më mizore dhe të pashpirt.
Por përkrahësit e tij nuk duan ta mbyllin gojën as sot që të pranojnë disa të meta të pamohueshme. „Ja tani, që erdhët ju në pushtet, çfarë të mirë ka parë vendi?! Apo se është mbushur me drogë. Se disa kanë gllabëruar të gjitha pasuritë kombëtare, ndërsa shumica e popullit ka ngelur me gisht në gojë?!“ – pyesin ata.
Dhe më të ndershmit prej tyre shtojnë:“ „Vërtet në kohën tonë të drejtat e njeriut nuk respektoheshin si sot dhe Sigurimi i Shtetit ishte kthyer në një lloj kuçedre sidomos për intelektualët! Por mos është sot më mirë me mafian dhe organizatat kriminale që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, aq sa na kanë nxjerre namin e zi edhe në gjysmën e botës?!“.
Si tu përgjigjesh këtyre akuzave dhe kundërakuzave që nuk mbarojnë me kaq?!
E vërteta është se Shqipëria e ka lënë sot më të keqen pas. Sidomos periudhën e tmerrshme 1990 – 1997, kur vendi ra pothuajse në humnerë. Rrëzimi i klikës komuniste solli pa dyshim edhe shumë trazira të paparashikuara në atë kohë. Por njëkohësisht edhe shumë të mira me vete.
Shqipëria u hap, u demokratizua. Tani nuk ke më një diktator që rri 40 vjet në pushtet dhe vret dhe pret majtas dhe djathtas. Jo sot shqiptarët kanë të drejtën të zgjedhin politikanët që ata duan për të drejtuar vendin. Prandaj që nga ‚92-shi e sot Shqipëria ka pasur 6 presidentë të ndryshëm dhe mbi 10 kryeministra.
Ndryshe një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve sot janë „rehatuar“ sa në vendet europiano – perëndimore, si në Greqi, Itali, Angli, Belgjikë, Zvicër etj si dhe po aq edhe në SHBA apo në Kanada. Që andej ata kontribuojnë në mbajtjen e familjeve të tyre të mbetura në Shqipëri.
Po ashtu emigracioni i paligjshëm apo deri edhe krimi kanë investuar paratë e tyre të zeza në ekonominë shqiptare, qoftë në pasuritë e patundshme, kryesisht imobilieret, por po ashtu edhe duke ngritur restorante apo hotele në pikat më tërheqëse të vendit. Gjë e cila e ka rritur dhe shumëfishuar turizmin që e ka tejkaluar tashmë shifrën e 10 milionë vetave në vit!
Po të shtojmë këtu edhe iniciativën private që ka mundësuar edhe ngritjen e disa fabrikave në vend, – tablloja bëhet edhe më e plotë. Por më kryesorja është se shqiptarët sot ndihen të lirë sa brenda aq edhe jashtë vendit. Sidomos tani që SPAK ka filluar t’i presë krahët sa krimit të organizuar aq edhe politikanëve të korruptuar.
Sidoqoftë Shqipëria sot është ende tejet larg asaj që ajo meriton të jetë. Por kryesorja është se bota sot nuk na tregon më me gisht si disa dhjetëra vjet më parë. Jo vetëm vendasit, por edhe turistët e ndjejnë veten të mirëpritur dhe të sigurt.
Atëhere pas kësaj tablloje rozë, përgjigja duhet të jetë tejet e thjeshtë: Shqipëria sot është shumë më mirë sesa gjatë periudhës diktatoriale. Jo vetëm që përgjatë 35 vjetëve kanë ngjarë ndryshime të papara në fushën e teknologjisë dhe marrëdhënieve me botën, por edhe sepse niveli i jetesës është ngritur dhe përmirësuar dukshëm.
Atëhere si i bëhet komunizmit të enveristëve dhe nostalgjikëve?! E vërteta është se sistemi komunist diktatorial pati edhe ai të mirat e tij. Të mira që ndihen edhe sot. Dhe jo vetëm hidrocentralet. Por se ai sistem shërbeu edhe si një lloj elektroshoku në trupin e drobitur të Shqipërisë anadollake të pas Luftës së Dytë Botërore.
Sepse vendi kur çlirua nga zgjedha turke kishte mbetur 300 vjet prapa botës së qytetëruar. SIstemi I Zogut hodhi themelet e Shqipërisë së sapo pavarësuar. Por gjendja shoqërore ngjante si dy pika uji me kohën e Turqisë. Madje shumë zyrtarë të dovletit turk veçse ndërruan festen. Nga punonjës të perandorisë turke ata u transformuan në nëpunës të mbretërisë shqiptare.
Pra asnjë revolucion shoqëror nuk kishte ngjarë ende në vend. Bejlerët vazhdonin të zotëronin tokat më të mira të vendit. Bujkërobëria dhe gjysmëtaria nuk ishin zhdukur. Shqipëria ngjante ende si një trup i plandosur përtokë që merrte frymë me vështirësi dhe nuk ngrihej dot në këmbë.
Dhe duket se vendosja e sistemit komunist shërbeu, siç thamë, si një lloj elektroshoku për ta sjellë në vehte. Ai trup i dërrmuar gjatë 500 vjetëve robëri dhe shtypje të paparë nga Anadolli, kishte nevojë urgjente për një operacion të thellë që të ngrihej në këmbë. Pikërisht siç ngjan me një të sëmurë me tumor. Dhe tumori hiqet vetëm me operacion. Me gjak dhe me dhimbje.
Dhe kështu ngjau edhe me Shqipërinë gjatë atyre 45 vjetëve diktaturë të pashembullt. Por njëkohësisht edhe një periudhë pune dhe vetëmohimi si dhe transformimi të paparë në të gjitha fushat e jetës.
Shqipëria gjatë gjithë asaj epoke 45-vjeçare përparoi dukshëm, por shqiptarët mbetën gjithmonë të varfër nga ana materiale. Por u bënë me shkolla, me diploma dhe hapën sytë.
Dhe pavarësisht se regjimi i donte të mbyllur dhe të shkëputur nga bota e jashtme, brezi i ri që u formua në atë kohë, kuptoi se jashtë kufijve të vendit ekzistonte edhe një botë më e begatë, më e pasur dhe më e lirë.
Pra komunizmi dashur pa dashur kishte krijuar varrmihësin e vet – klasën e re intelektuale që nuk mund të pranonte atë shtypje që një njeri i vetëm, i emëruar deri kryearkitekt, ushtronte mbi gjithë vendin!
Dhe ngjau edhe në Shqipëri, ajo që ngjau në të gjitha vendet e Europës Lindore. Sistemi diktatorial dështoi me sukses të plotë. Por jo pa lënë pas vetes edhe shumë viktima të pafajshme.
E keqja ishte se udhëheqësit demo/komunistë që e morën pushtetin atë kohë, nuk e njihnin rrugën për të kaluar pa dhimbje dhe në mënyrë graduale nga sistemi ekonomik i planifikuar në atë të tregut të lirë. Ata ishin mëkuar me thënien leniniste se « nga rrënojat do ngrejmë botën e re » ! Dhe e kthyen Shqipërinë vërtet në rrënojë. Sidomos gjatë periudhës 1990 – 1997.
Por sot Shqipëria e ka kaluar atë etapë. Sot vendi është rreshtuar me aleatët e tij natyralë, – me vendet perëndimore.
Sot, me pak përjashtime, askush nuk ka nevojë dhe as nostalgji më për periudhën gri komuniste. Prandaj ajo që urojnë sot shqiptarët është që ajo kohë të mos kthehet kurrë më.
Shqipëria dhe shqiptarët i kaluan të gjitha provat. Të gjitha eksperimentet që historia apo fati u vuri përballë. Ajo tani sheh vetëm drejt dhe vetëm përpara. Asnjë kthim gjysëm shekulli prapa nuk dëshirohet nga askush. Por as edhe një kthim 11 vjet prapa.
Tani plagët janë mbyllur. Një e ardhme më e mirë e pret vëndin. E ardhme që nuk ka forcë regresive që ta kthejë prapa. As ndjekësit e atij që mbretëroi 40 vjet si sulltan i kuq dhe as ndjekësit e atij që ka mbetur 20 vjet në opozitë! Dhe do të mbesë atje deri kur “ai” lart ta konsiderojë si « non grata » për në parajsë, por si krejt i përshtatshëm për në ferr.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment