Sot është 29 Nëntor, dita e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Është po ashtu dita e fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste në vend. Dhe e partisë unike në pushtet, që nuk pranonte ta ndante as edhe një grimë pushtetin e saj me forca të tjera. Të cilat i shtypi, i persekutoi dhe i eleminoi përdhunshëm së bashku me përfaqësuesit e saj.
Aq sa disa janë shprehur se një pushtim i huaj u pasua nga një tjetër. Kësaj rradhe nga një pushtim prej së „brendshmi“. Madje që për vrasjet dhe dhunën që ushtroi ia kaloi edhe pushtimit italian dhe atij gjerman së bashku!
Por këtu ka shumë për të lënë dhe për të marrë. Prandaj sot nuk do të ndalemi te periudha e sundimit të së ashtuquajturës „diktaturë e proletariatit“, që në fakt u shndërrua në diktaturën e një personi të vetëm, i cili sundoi me dorë të hekurt për 40 vjet me rradhë.Duke vrarë dhe prerë pa asnjë mëshirë kokat e miqve dhe armiqve. Dhe u largua me dëshpërim të madh nga pushteti veçse kur „ai lart“ e thirri se po e priste ferri.
Sot do të ndalemi të shyrtojmë dhe mendojmë se çfarë mund të kishte ngjarë nëse nuk do të ishte formuar lëvizja nacional-çlirimtare. Ndryshe nëse edhe partizanët nuk do të kishin luftuar.Por do të kishin pritur edhe ata të shihnin më parë, si ballistët, se kush do ta fitonte luftën!
Dhe se dyti si do të ishte Shqipëria sikur pushtetin ta kishin fituar klasat e vjetra, pra bejlerët dhe agallarët. Me një fjalë ata që kishin sunduar edhe në kohën e Zogut! Për tëkuptuar nëse periudha komuniste ishte një epokë progresi apo regresi për vendin.
Dihet se Shqipëria u pushtua relativisht lehtë nga Italia fashiste. Dhe kjo ishte lehtësisht e kuptueshme. Jo vetëm se Italia e atëhershme kishte një popullsi prej 40 milionë banorësh, pra 40 herë më të madhe se Shqipëria 1 milionëshe, por edhe sepse zhvillimi i saj ekonomik, kultural, social etj ishte vite drite para atij të Shqipërisë, që kishte më pak se 30 vjet që kishte fituar pavarësinë nga çallma dhe jatagani osman !
Dhe dihet se Duçja kishte planifikuar të sillte në Shqipëri 5 milionë kolonë italianë. Dhe sikur të mos mjaftohej vetëm me Shqipërinë e vogël, dalldisja e Duçes, bëri që ai të sulmonte edhe Greqinë ! Duke marrë pas vetes edhe Shqipërinë e pushtuar dhe të qeverisur nga kolaboracionistët !
Dhe ishte pikërisht në atë kohë, pra në periudhën e sundimit italian, që në Shqipëri u formua, nën kujdesin e të dërguarve të Titos, edhe partia komuniste si dhe lindën edhe çetat e para nacionaliste që shtinë pushkë kundër pushtuesit.
Partia Komuniste, e maskuar në atë kohë nën petkun e Frontit nacional-çlirimtar të luftës pa « dallim feje, krahine dhe ideje », mobilizoi një pjesë të mirë të rinisë në çetat partizane.Që më vonë u kthyen në batalione dhe brigada.
Dhe nuk ishin pak këta luftëtarë të lirisë. Por disa dhjetra mijëra djem dhe vajza të gatëshme të sakrifikonin edhe jetën e tyre të re për vatanë. Shumë pak prej tyre kishin dëgjuar të flitej për komunizmin dhe pothuajse shumica e tyre nuk e dinin fare se Enver Hoxha bënte hije mbi dhé.
Ata u ngritën në luftë kundër pushtuesit, ashtu si dikur të parët e tyre kishin luftuar kundër hordhive të pamata osmane, nën udhëheqjen e heroit të pavdekshëm Skëndërbe.
Dhe nuk ishin ngritur në luftë për ofiqe dhe nishane. Por thjesht nga zjarri patriotik që u vlonte në gji. Dhe aq më pak për diktaturën personale të Enver Hoxhës. Respekt të pafund për ta.
Pa dyshim, si të rinj që ishin, ata ëndërronin për një botë të re. Për një Shqipëri të përparuar, demokratike dhe moderne. Për një popull të arsimuar dhe krenar për historinë e tij.
Pavarësisht kësaj pushtimi italo-gjerman zgjati mbi 5 vjet. Me shumë të vrarë. Me shumë shkatërrime dhe gjak të derdhur. Ndërkohë një forcë tjetër politike, Balli Kombëtar, i përbërë nga brezi i vjetër, nga ata me guante dhe borsalina, rrinte i tërhequr. Priste të shihte një herë se kush do ta fitonte luftën dhe pastaj të rradhitej me fitimtarin. « Pse të na vritet rinia kot, për interesat e të mëdhenjve të kësaj bote », – ishte arsyetimi dhe llogjika e tyre.
Deri sa erdhi një ditë që Gjermani ua preu shkurt : ose me ne ose kundër nesh. Ose me komunistët ose kundër tyre. Dhe ballistët, ndërmjet të cilëve edhe disa figura nacionaliste me emër të nderuar, që e kishin në zemër bashkimin me Kosovën, u bashkuan hapur me pushtuesin për hir të Shqipërisë së Madhe, të premtuar nga gjermanët.
Por lufta përfundoi më 29 nëntor 1944, që përkujtohet edhe sot si dita e çlirimit të vendit. Ndërsa Berlini ra më 8 maj 1945.
Dhe erdhi koha e llogarive. Atëhere doli në skenë partia komuniste e udhëhequr deri në atë kohë nën rrogoz nga Enver Hoxha. Dhe filluan spastrimet dhe raprezaljet ndaj kundërshtarëve dhe kolaboracionistëve. Por fatkeqësisht jo vetëm kundër atyre që kishin luftuar kundër partizanëve, por edhe ndaj atyre që ishin disi të kamur, që kishin një kulturë perëndimore që nuk u përputhej me komunizmin.
Por makina gjakatare e prerjes së kokave nuk bënte më dallim. Mjafton që të mos e donje komunizmin dhe kjo ishte një arsye e mjaftueshme që të të kalonin në satër!
Megjithatë një rrezik tjetër i madh i kërcënohej vendit. Greqia nuk e kishte harruar Vorio – Epirin. Dhe bashkimi me dhunë i forcave shqiptare me ato italiane përbënte një provë të mjaftueshme që Athina ta konsideronte Shqipërinë si bashkëpunëtore efocave të boshtit, pra ta rendiste në krahun e fuqive të mundura, Gjermanisë dhe Italisë.
Rreziku ishte aq i madh që Shqipëria e Jugut të kollofitej nga Greqia. saqë Enver Hoxha u nis vetë për në Paris, ku asokohe po mbahej Konferenca e Paqes që do merrte vendimet dhe do caktonte dëmshpërblimet ndaj vendeve të „Boshtit“. Kështu psh u vendos që Sudetet e banuara deri atë kohë prej gjermanëve t’i takonin tani Çekisë. Kufiri Oder-Najse u shty drejt perëndimit dhe Polonia fitoi tokat që kishte humbur. Ndërsa Greqia përfitoi nga kjo gjendje për të larë „hesapet“ me çamët, që për hir të së vërtetës ishin bashkuar me gjermanin për t’i shpëtuar shtypjeve dhe mizorive greke ndaj tyre. SI hapi i parë drejt Vorio Epirit.
Prandaj Enver Hoxha u detyruar të deklaronte në konferencën e Parisit se ai „nuk kishte vajtur atje për të dhënë llogari, por për të kërkuar llogari!“.
Ndërkohë që në Jaltë, Stalini, Ruzvelti dhe Çurçilli, kishin vendosur të mos njihej asnjë ndryshim kufijsh i ndërmarrë nga forcat nazi/fashiste. Si rrjedhim Kosova mbeti përsëri brenda Jugosllavisë!
Pretendimet greke ndaj Vorio Epirit nuk u pranuan nga Fuqitë fitimtare të Luftës së Dytë Botërore, edhe sepse ata e kishin njohur lufën e popullit shqiptar kundër forcave nazifashiste. Ishin vetë instruktorët anglo-britanike të atashuar pranë forcave të nacional- çlirimtares që ishin dëshmitarë të kësaj lufte pa kompromis dhe me humbje të rënda kundër pushtuesve hitlerianë.
Ndryshe Shqipëria kishte tani edhe një forcë të armatosur të gatëshme për të mbrojtur vendin, prej afro 80 000 trupash të armatosura edhe me armatime dhe veshmbathje nga vetë britanikët. Kush kishte dëshirë tani të hapte një front lufte edhe me shqiptarët, kur sapo kishte përfunduar kasapahana e paparë e Luftës së Dytë Botërore?!
Dhe kështu Shqipëria mbeti e paprekur dhe hyri në rrugën e sistemit komunist, i shoqëruar nga një dhunë e egër dhe mizore dhe po ashtu edhe nga një zhvillim i paparë ekonomik, social, arsimor dhe shkencor i vendit.
Por për këto do shkruajmë në numrin e nesërm.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment