Sky ECC – mesazheria e krimit që po i tmerron kriminelët shqiptarë

   Ja edhe një gjykatëse nga Elbasani, me siguri ndonjëra nga ato që dolën nga “shkolla e plepave” të Sali Berishës, u arrestua para dy ditësh nga SPAK-u. Nga ky institucion që po u shkakton të dridhura sa kriminelëve shqiptarë, por po aq edhe politikanëve të lartë, gjyqtarëve të korruptuar, madje deri edhe gazetarëve që akuzohen si të përfshirë në organizatat mafioze.

      Ne brezi i vjetër, që e kemi jetuar dhe ndjerë në kurriz diktaturën e sistemit të kaluar, na kujtohet si sot filmi serial “Oktapodhi”, që i mblidhte në shtëpi edhe më harrakatët për të ndjekur me rrahje zemre peripecitë e komisarit të mirë Katani. Luajtur aq mjeshtërisht nga aktori me origjinë të largët shqiptare, Mikele Plaçido, apo edhe nga Remo Girone, Giuliana del Sio, Patricia Millardet në role të tjera.

     Bëhej fjalë për krimin e organizuar dhe të pamëshirshëm në Italinë e asaj kohe, për vrasje, drogë, korrupsion etj etj. Të gjitha të përfshira në një lloj rrjete apo oktapodhi, të cilit sapo i prisnje një kokë i dilte tjetra. Shihej dhe dukej se ishte shumë e vështirë ta luftonje këtë lloj kanceri, njëherë i futur brenda organizmit të shoqërisë italiane.

      Ne në ato kohë nuk i besonim realisht ngjarjet e atij filmi. I quanim të stisuara. Të fabrikuara nga skenaristët dhe regjizorët italianë për të emocionuar publikun. Ne besonim Rai Uno-n me Mara Vernier, ku vetëm kërcehej e këndohej dhe gjithçka ndriste. Ku nuk kishte as varfëri dhe as punohej!

      Por erdhi koha që ato fenomene që kishin pushtuar Italinë e prokurorëve të famshëm Borselino e Falcone, të ekzekutuar nga mafia italiane, të eksportoheshin edhe në Shqipëri. Madje në një mënyrë edhe më të frikshme dhe brutale. Se shteti shqiptar u shkatërrua me themel gjatë periudhës 1990 – 1997, saqë nuk kishte më polici që të të mbronte.

    Krimi shqiptar u rrit dhe u fuqizua aq shumë saqë si një kuçedër kaloi edhe kufirin vendas dhe u hodh edhe përtej detit ku vendosi lidhje me mafian italiane. Por ai u “eksportua” edhe në Angli me “çunat e Londrës”, madje i shtriu tentakulat e tij deri në Kolumbi dhe Ekuador të Amerikës Latine !

       Por erdhi koha që këto tentakula filluan të priten njëra pas tjetrës. Në një bashkërenditje fatlume ndërmjet SPAK-ut shqiptar dhe Europolit perëndimor që zbuloi edhe sesa thellë kishin hyrë metastazat e krimit dhe korrupsionit edhe në shoqërinë shqiptare.

       Se mafia shqiptare është kthyer sot në një organizatë keqbërëse tejet brutale dhe e rrezikshme. Nami i saj i keq është i shtrirë edhe në Belgjikë dhe Hollandë, ku ajo ende po tregohet jashtëzakonisht “aktive” në portet e Anversit dhe Roterdamit, nga ku hyjnë me mijëra tonë kokainë që përmbytin tregjet e mbarë Europës.

        Në këtë”betejë” mafiozët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kishin gjetur një mbrojtje dhe mbulesë të padepërtueshme në veprimtarinë e tyre kriminale. Ata mund të komunikonin lirshëm me njëri tjetrin  sa brenda të njëjtit vend, por po ashtu edhe me bashkëpunëtorët e tyre në shtete të gjendura edhe rreth 2 000 km larg. Sepse ata ishin pajisur me telefona të sigurt dhe të pakapshëm nga sistemet përgjuese të vendeve perëndimore.

      Sistemi në fjalë quhej Sky ECC! Por çfarë ishte ai?! Si funksiononte?! Si spjegohej që as Interpoli dhe as FBI-ja nuk ia kishin dalë deri vonë të deshifronin mesazhet e tij ?! Sepse Sky ECC kishte një shifrim tejet të gjatë dhe të komplikuar, i cili ishte pothuajse i pamundur të thyhej.

      Kjo histori filloi në vitin 2013.  Programuesi i SKY ECC është qytetari kanadez me origjinë kamboxhiane Zhan Fransua Eap (Jean François Eap).

       Në fillimet e veta ky start – up quhej SKY Global dhe shërbente veçse për të të krijuar mundësinë që të flisnje nga një vend në tjetrin, njëlloj sikur flisnje me komshiun tënd. Sepse në ato kohë kohë thirrjet telefonike ndërkombëtare kushtonin shumë shtrenjtë.

      Pikërisht në atë kohë plasi edhe skandali Eduard Snwoden. Ishte ky një ish analist i CIA-s që dëshmoi publikisht para gjithë botës  se si organet e specializuara amerikane të sigurisë informatike mund të hyjnë në çdo smartphon dhe kompjuter nga ku mund të filtrojnë, zgjedhin, regjistrojnë dhe stokojnë gjithçka që ka të bëjë me gjithsecilin prej nesh. Pa marrë lejen tonë dhe po ashtu pa dijeninë tonë.

        Njerëzit në Amerikë atëkohë u tmerruan. Ata kuptuan se ishin të ndjekur këmba këmbës për shkak të telefonit që mbanin në xhep. Diçka e tillë shkaktoi turbullira dhe protesta në mbarë shoqërinë amerikane. « Boll më vëzhguat » – ishte parulla e këtyre demonstratave.

         Sikur të mos mjaftonte kaq, në « lojë » u futën edhe hackerat, piratët e informatikës. Ata zbërthyen kodin e trustit informatik « Apple » nga ku vodhën dhe shpërndanë në internet një shumicë fotosh private, intime dhe personale të yjeve të Hollivudit !

        Gjithkush tashmë e kishte kuptuar : Interneti nuk ishte gjë e sigurt. Përkundrazi ishte një derë e hapur. Me pak zotësi ti mund të hynje, ndiqnje, vëzhgonje jetën e gjithkujt. Nga kjo situatë përfitoi menjëherë Zhan Françua Eap si dhe shumë shoqëri të tjera, që filluan të mendojnë dhe punojnë për „kyçjen“ dhe maskimin e mesazherive apo të të dhënave në kompjuterat dhe telefonat inteligjentë. Sky Global  u kthye kështu në SKY ECC.

       Jemi gjithmonë në vitin 2013. Në atë kohë ishte e mundur që programin SKY ECC ta shkarkonje edhe nga platformat publike. Telefonat më të mirë të asaj kohe si Blackberry, I-Phone dhe Google Pixel u pajisën me këtë program që supozohej si i pathyeshëm. Ku vetëm dërguesi dhe marrësi mund ta lexonin mesazhin dhe asnjë provajdër apo furnizues tjetër interneti. Dhe aq më pak institucionet shtetërore të sigurisë informatike.

         Aq shumë u perfeksionua ky program saqë ai ua kaloi dukshëm në mbrojtjen e sigurisë së jetës private edhe platformave të tilla si Telegram, apo Whatsap dhe Signal. Ishte një program i denjë edhe për vetë shërbimet sekrete të shteteve.  Por e gjithë kjo siguri e kishte edhe një çmim. Dhe çmimi ishte i kripur:  200 euro në muaj! Jo të gjithë mund të shpenzojnë kaq para për sigurinë e tyre virtuale. Por për të pasurit, avokatët, mjekët dhe personalitetet publike kaq para nuk përfaqësojnë ndonjë gjë të madhe. Boll që të dhënat e tyre, komunikimet, mesazhet, fotot, llogaritë bankare të jenë të siguruara.

       Por pati edhe një lloj tjetër klientësh që u treguan shumë të interesuar të kishin nën zotërimin e tyre këto lloj telefonash me këtë program çudibërës të instaluar brenda tyre: Këta ishin anëtarët e Mafias.

        Kriminelët filluan kështu të komunikonin dhe merreshin vesh me njëri tjetrin pa pasur më frikë sidomos për trafikun e drogës, armëve dhe eksplozivëve. Por njëkohësisht po aty ata komandonin edhe vrasjet e kundërshtarëve apo të atyre që « kishin dalë nga rruga e Zotit », pra që ishin larguar nga ky aktivitet !

       Sepse nuk bëhet fjalë veçse për kriminelë shqiptarë. Pasi telefonat që përdornin modulin SKY – ECC ishin shitur anë e mbanë globit. 300 000 karta Sim me programin SKY ECC u shitën kështu anë e mbanë globit.

          Funksionimi i këtyre telefonave ishte relativisht i thjeshtë në vështrim të parë. Këta telefona, që shiteshin në disa night shop-e të specializuara, kishin brenda tyre të instaluar edhe një kartë me programin Sky-Ecc. Përveç kësaj aty nuk gjenje kamera apo wifi, dhe aq më pak GPS. Dhe vetëm ai telefon që mbante brenda tij programin  pothuajse të padeshifrueshëm Sky Ecc mund të komunikonte me një telefon të ngjashëm. Pra kishim të bënim me telefona të sigurt, që punonin brenda një rrjeti të caktuar interneti dhe që mund të komunikonin veçse me njëri tjetrin. Ndryshe një lloj intraneti.

       Vetë drejtorja e përgjithshme e Europolit, Katerina de Bolle, pohon se ky algoritëm, filloi të ndryshojë edhe vetë botën e krimit. Banditët u bënë më të guximshëm, se kujtuan se ishin të paprekshëm, të pazbulueshëm deri edhe nga institucionet perëndimore të sigurisë.

      Por në kohën e sotme, të inteligjencës artificiale dhe të kompjuterave kuantikë, është tejet e vështirë për këdo algoritëm, pavarësisht nga gjatësia e shifrimit të tij, që të mos zbërthehet. Dhe kështu ngjau që edhe kodi i SKY – ECC u thye. Dhe u zbuluan mbi 1 000 000 000 (1 miliard) mesazhe që krimi ndërkombëtar kishte dhënë dhe marrë gjatë gjithë këtyre viteve.

      Dhe për të zbërthyer rrjetin SKY ECC u angazhua e gjithë policia europiane. Europoli, ose ndryshe policia europiane, vuri nën kontroll mbi 170 000 përdorues të këtij programi anë e mbanë Europës.

          Me këtë rast u zbulua edhe diçka që deri në ato kohëra nuk njihej : – u zbulua që furnizuesi kryesor i rrjetit Sky Ecc për Europën e kishte bazën në Bordo të Francës. Gjithçka atëhere u bë më e lehtë për Europolin.

      Vetë policia franceze veproi pa humbur shumë kohë. Ajo vendosi fshehurazi një „çimkë“ në zemrën e këtij provajderi të SKY ECC. Dhe pas 18 muajsh pune të pandalur ajo arriti të zbërthejë edhe kodin e këtij programi. Dhe në shkurt të vitit 2021 kodi i « pathyeshëm » i SKY-it u zbërthye.

       Dhe pas thyerjes së kodit erdhën edhe rezultatet e para. Kështu psh policia gjermane dhe ajo belge vunë dorë mbi 28 tonë kokainë që një anije e nisur nga Amerika Latine do ta zbarkonte „mallin“ në Gjermani dhe Belgjikë. Po ashtu deri më tani janë hapur mbi 2 500  çeshtje hetimore, janë zbuluar dhe sekuestruar 121 tonë kokainë si dhe janë kryer 8 000 deri 10 000 arrestime në botën e krimit, pa përfshirë këtu gjykatësen tonë nga Elbasani

       Sot Zhan Fransua Eap jeton ende i lirë në Kanada. Ndërkohë që atë e kërkon drejtësia amerikane si bashkëpunues në tregtinë e drogës. Por Eap mbrohet duke thënë se ai thjesht ka ndërtuar disa automjete të blinduara dhe të mbrojtura në autostradën e internetit dhe se ai nuk është përgjegjës nëse shoferët e këtyre automjeteve shkelin rregullat e qarkullimit dhe shkaktojnë aksidente!

       Avokatët e tij pyesin nëse duhen futur në burg të gjithë prodhuesit e armëve kur me to vriten qytetarë të pafajshëm apo nxënës shkollash në Amerikë, apo kur ato përdoren gjatë konflikteve dhe luftërave civile ?!  Kush është përgjegjës në këtë rast : prodhuesi apo përdoruesi ?!

       Por FBI-ja i ngriti një kurth krijuesit të Sky ECC. Një agjent i infiltruar prej saj kontaktoi njërin nga ndihmësit e Eap, dhe pasi e trashi muhabetin me të, i pohoi pas disa javësh si rastësisht se i nevojiteshin shumë nga këta telefona për shpërndarësit e tij të drogës!  Ndihmësi i Eap nuk reagoi fare. Dhe ky qëndrim i tij përbën sipas FBI-së një provë të mjaftueshme të përfshirjes së Sky – ECC në trafikun ndërkombëtar të drogës. Por drejtësia kanadeze nuk e quan ende të mjaftueshëm këtë provokim për t’ia dorëzuar shpikësin e algoritmit Sky drejtësisë amerikane.

      Nga 1 miliard mesazhet e zbuluara deri më tani janë përpunuar vetëm 15 përqind e tyre. Sipas specialistëve duke përpunuar në çdo sekondë një mesazh do të nevojiteshin 32 vjet për t’i analizuar dhe transkriptuar të gjitha mesazhet e përdorura gjatë 9 vjetëve të përdorimit ë kësaj platforme.

        Megjithatë Europoli po vazhdon pa ndërprerje punën për zbardhjen e të gjitha këtyre bisedave dhe mesazheve. Dhe kushedi se çfarë të palarash të tjera do dalin për politikanët, gjykatësit, kriminelët, gazetarët dhe avokatët shqiptarë !  Të presim.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment