Për festën e pavarësisë, heronjtë dhe firmëtarët e saj, është shkruar pa fund në çdo përvjetor. Por një petal trandafili në një kupë të mbushur plot me kujtime nuk i prish punë askujt. Dhe ky petal është Hafiz Ibrahim Dalliu, i cili ka rrëfyer si dëshmitar okular i asaj ngjarjeje të paharruar gjendjen e vendit ditën kur u shpall pavarësia, si sot 112 vjet më parë.
Të gjitha këto përjetime ai i ka përshkruar me realizëm dhe vërtetësi në librin e tij:”Patriotizma në Tiranë”, botim i vitit 1930 nga shtëpia botuese “Tirana”.
Ibrahim Dalliu, siç thamë, ishte bashkëkohës dhe veprimtar i atyre viteve. Pra fjala e tij ka vlerën e dokumentit. Që në fillim të librit të tij ai vëren se fjala patriotizëm është një fjalë e shenjtë që përmbledh shpirtin e të gjitha virtuteve njerëzore dhe kombëtare. „Patrioti duhet të jetë më së paku një njeri dashamirës, këshillues, shërbëtor dhe prijës i kombit në të mbarë. Duhet të përpiqet e të luftojë me mish e me shpirt për ta nxjerrë kombin prej errësinës së pa dijes në dritë të dituniës dhe prej kthetrave të sundimit të huej në lirinë kombëtare. Atij duhet ti ndizet gjaku dhe ti idhnohet zemra kur të shofi dhe të ndigjojë se po i cënohet dhe po i merret nëpër – këmbë e drejta e kombit të vet „– vëren autori i librit.
Megjithatë ai pohon se shumë pak veta mund ta meritonin atëhere emrin patriot, sepse shumica e njerëzve kishin frikë nga qeveria xhon-turke dhe spiunët e saj. Se mund të mbeteshe pa punë, pa rrogë dhe se në fund fare mund edhe të të vrisnin!
Më poshtë ai dëshmon se halldupët e Tiranës kanë qënë shumë të egër dhe se iu kanë kundërvu idesë kombtare me rreptësinë më të madhe. Se ata i kanë marrë mënië shkronjave shqipe deri në atë gradë saqë disa prej tyre thojshin:
“Gjithë të zezat i kam punue,
por shqip shyqyr nuk kam këndue“.
Ibrahim Dalliu shkruan në librin e tij se qeveria xhon – turke e asaj kohe ishte edhe kundër të folurit në gjuhën shqipe, se sipas saj gjuha shqipe të bën kaurr dhe të bënë me lan pas dore Kuranin.
Më pas autori i librit pohon se këta halldupër kishin heq të zezat e ullirit nga feudalët e tipit Esad Pasha në kohën e sulltan Hamidit dhe prandaj tani ishin bashkue me xhon – turqit.
Situatën e turbullt para shpalljes së pavarësisë ai e përshkruan me vargjet e mëposhtme:
Vegjëlia s’kishin fort faj,
gaboheshin si budallenj,
pyetshin ca hoxhë e dervisha
dhe ca priftën nëpër qisha,
kush të drejtën sua kallxonte
kush mund propaganda bânte,
kah tja mbajshin xhahiltë shkretë
më nj’ ânë derr dhe më nj’ ânë det.
Më pas ai flet për hipokritët dhe ledhatarët, siç i quan ai, që deri dje kishin sharë në Stamboll gjuhën shqipe, ndërsa sot e kanë dredhur fletën dhe duan të marrin edhe çelësat e vendit në dorë!
Autori rrëfen më pas se përveç shtypjes shtazarake të ushtruar nga Durgut Pasha, turqit bënin çmos që t’i vinin shqiptarët edhe kundër njëri tjetrit, duke i quajtur qafira, qoftë të krishtenët, qoftë bektashinjtë.
“Por na shqiptarët, të çfarëdo feje qofshim, jemi vllazën gjaku, vllazën gjuhe dhe vllazën vatani (atdheu) me njëri tjetrin dhe do shkojmë gjithmonë mirë me njani – tjetrin për lulzimin e atdheut tonë dhe do ta mbrojmë atë të gjithë me gjakun tonë”- nënvizon H.I. Dalliu.
I cili pohon po ashtu se populli nuk i donte fare turqit pushtues “pasi ata ishin imorala dhe s’dishin me folë shqip. Neve edhe sikur të na ziejnë për 100 vjet në një kazan bashkë me turqit, nuk na puqen ynyrnat t’ona me të a’tyret”, – vëren ai.
Libri “Patriotizma në Tiranë” shfaq një tabllo shumë të zezë të Shqipërisë së asaj kohe. Ku Esat Pasha punonte kundër Ismail Qemalit, ku haxhiqamilistët kërkonin largimin e princ Vidit nga Shqipëria dhe kthimin e hyqymetit turk. Aty tregohet për ndërhyrjet e armatosuara, të pasuara nga mijëra viktima, të andartëve grekë në Gjirokastër, Berat dhe Korçë si dhe të trupave serbe që hynë askohe dy herë në Tiranë dhe pushtuan edhe Durrësin, Lezhën dhe Shkodrën.
Në 100 faqe të ngjeshura me fakte, emra, data dhe rrëfenja përshkruhet me imtësi gjendja e Shqipërisë në ato kohë të turbullta, aq sa të duket sikur Shqipëria shpëtoi për një qime nga shpërbërja e saj si shtet i sapoformuar.
Po ashtu autori nuk ka lënë pa përmendur edhe rolin e Bedri Pejanit, Isa Boletinit apo Xhaferr Devës në ato kohë si dhe masakrat që kreu Durgut Pasha në Kosovë bash kur Shqipëria po përpiqej të fitonte pavarësinë.
Përveç intrigave politike, hoxhë Ibrahim Dalliu shkruan edhe për ngritjen e Normales së Elbasanit, për përpjekjet e pjesës më patriotike të vendit për të përhapur gjuhën shqipe mee alfabetin e saj latin etj etj.
Dhe është tejet e vështirë të përmbledhësh në pak rrjeshta gjithë kumtin e atyre muajve, javëve dhe ditëve dramatike.
Por ky libër ka një vlerë të madhe edhe dokumentare, përveç asaj patriotike, pasi është shkruajtur nga një pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje.
Gjithë paria e Shqipërisë parakalon në ato faqe me të mirat dhe të këqijat e saj, me patriotizmin e disave dhe tradhtitë e disa të tjerëve.
Ndjehet se kanë qënë kohë tejet të turbullta dhe të vêshtira për mbijetesën e kombit dhe shtetit shqiptar.
Aq sa duket tepër e vështirë sot të kuptosh përthyerjet dhe plasaritjet e asaj kohe. Ishte shpirti patriotik i një pjese të ndriçuar të kombit në atë kohë, rilindasve tanë, ku mund të përfshihet pa frikë edhe hoxhë Hafiz Ibrahim Dalliu, që mundësoi që ndjenja kombëtare, historia e Skënderbeut e ruajtur dhe e trashëguar në shekuj, të bënte të mundur që shqiptarët të shpëtonin në atë kohë nga zhdukja dhe ndofta edhe nga ndarja e vendit.
112 vjet më pas, sot shqiptarët përbëjnë një komb të dalluar dhe të përveçëm në Ballkan, një komb me dy shtete, që një ditë do të bashkohen në një, ashtu siç bashkohet Drini i Zi me Drinin e Bardhë para se të derdhen në detin Adriatik.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment