Pak ditë më parë qeveria suedeze shpërndau një broshurë për banorët e saj ku spjegohej se si mund të mbrohesh në rast të një sulmi bërthamor. “Shtrihuni përtokë dhe zini veshët. Largohuni nga dritaret. Siguroni ujë të pijshëm dhe ushqime për një kohë sa më të gjatë” etj. etj. ishin disa nga udhëzimet që rekomandoheshin në atë fletëpalosje!
A ka arsye qeveria suedeze të mësojë popullatën se si duhej të sillet në rast të një shpërthimi atomik? Çfarë di ajo më shumë se njerëzit e zakonshëm?! Dhe e fundit fare: A jemi vërtet afër një lufte të tretë botërore?!
Ka disa fakte dhe të dhëna që e rrisin shqetësimin në këtë drejtim. Së pari në të gjitha mediat perëndimore po flitet gjithmonë e më shumë këto ditë mbi mundësinë e transformimit të konfliktit Rusi – Ukrainë në një përplasje Rusi – Perëndim.
Ditët e fundit administrata e Biden në Uashington vendosi t’i japë leje Ukrainës që ajo të përdorë raketat me qitje të largët, që ajo i ka ofruar Kievit, kundër territorit rus. Veprim ky që u pasua menjëherë nga Parisi dhe Londra. Edhe ato i dhanë leje Kievit të përdorë të gjitha armatimet që këto vende i kanë dhënë Ukrainës kundër Rusisë.
Ndërsa disa javë më parë mas-mediat perëndimore bënë të ditur se mbi 10 000 trupa koreanoveriore ndodhen tani në Rusi të gatshme të hyjnë në luftë kundër Ukrainës !
Deri më tani lufta ishte bërë me « korrespondencë“, nëse mund të shprehemi kështu. Gjitha vendet perëndimore kanë ndihmuar Ukrainën me gjithçka kishin mundësi, që ajo të përballonte agresionin rus. Duke filluar nga armatimet më moderne deri në ndihma financiare që i kanë kaluar 100 miliardë dollarët. Nga ana tjetër Irani, Korea e Veriut dhe së fundmi, edhe Kina, po ndihmojnë Rusinë.
Megjithatë gjendja në frontin e luftës nuk është shumë pozitive për Ukrainën. Me ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme, Rusia po e « gërryen » territorin ukrainas, sidomos këto dy muajt e fundit. Ajo po ashtu po e shton fuqinë e zjarrit ndaj objekteve strategjike ukrainase, siç janë psh termocentralet që prodhojnë energji elektrike. Kjo është e vetëkuptueshme po të krahasojmë numrin e pabarabartë të popullsive në Ukrainë dhe Rusi si dhe forcën ushtarake të këtyre dy vendeve.
Para kësaj gjendjeje dhe duke pasur frikën se Rusia mund ta fitojë këtë luftë, në disa vende të Europës Perëndimore po shtohen zërat për një ndihmë më efektive ndaj Ukrainës. Duke nënkuptuar me këtë « ndihmë më efektive » dërgimin e trupave të tyre në terren !
I pari që ka propozuar dërgimin e trupave perëndimore në fushë-betejën Rusi – Ukrainë, ka qënë presidenti francez, Macron. Ai e hodhi këtë ide që në pranverën e këtij viti. Ide që shkaktoi një zhurmë të madhe në Francë, por që nuk u mirëprit atëkohë nga Berlini dhe Londra.
Por kjo ide ka ridalë përsëri në skenë ditët e fundit. Tani janë disa gjeneralë francezë, që në një letër të hapur botuar te e përditshma e mbarënjohur « Le Monde », i kërkojnë qeverisë franceze në veçanti dhe qeverive perëndimore në përgjithësi, që të ristudiohet mundësia e dergimit të disa qindra apo mijëra « instruktorëve » ushtarakë perëndimorë në Ukrainë.
Polonia, Suedia, Britania e Madhe dhe vendet balltike duket se tani janë mbështetës të vendosur të këtij projekti. E vetmja që ka dalë hapur kundër është Gjermania e kancelarit Scholz.
Duket sikur ka një nxitim të disa qarqeve për të përplasur « heshtat » me Rusinë përpara se presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, të hyjë në Shtëpinë e Bardhë ! Kështu psh administrata e Biden po nxiton që të gjitha ndihmat ushtarake dhe financiare të aprovuara nga kongresi amerikan të arrijnë në Kiev para 20 janarit, ditës ku Trump rimerr postin e presidentit.
Se Trump, ndryshe nga shumë udhëheqës europianë, që nuk duan të dëgjojnë të flitet për paqe, pa e fituar luftën Ukraina më parë, ka një qasje shumë më pragmatike. Ai duket se mbështet një zgjidhje të detyruar dhe të imponuar të këtij konflikti. Së pari ai ka bërë të ditur se nën presidencën e tij, nuk do të ketë më miliarda dollarë ndihma për Ukrainën ! Dhe se njëkohësisht ai do i japë fund këtij konflikti brenda 24 orësh !
Kuptohet se kjo deklaratë është thjesht retorikë. As ai dhe askush tjetër nuk mund t’i japë fund për 24 orë një konflikti që vazhdon prej 1 000 ditësh. Por me rëndësi është që Trump, nuk mendon për fitoren hipotetike deri të pamundur praktikisht të Ukrainës, siç ëndërrojnë disa udhëheqës europianoperëndimorë, por kërkon thjesht ndalimin e menjëhershëm të këtij konflikti. Që ka shkaktuar deri më sot mbi 500 000 të vrarë ! Sa ushtarakë, por po aq edhe burra, gra, fëmijë dhe pleq.
Ideja e presidentit amerikan është e thjeshtë: të ndalohen menjëherë ndërluftimet në vijën e frontit. Dhe kjo vijë të shërbejë si kufiri i një armëpushimi të përhershëm ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Pak a shumë njëlloj si armëpushimi që vazhdon prej më shumë se gjysëm shekulli ndërmjet Koresë së veriut dhe Koresë së jugut.
Pra nuk do të kemi të bëjmë me një traktat paqeje të pranuar dhe të nënshkruar nga Zelenski dhe Putini, por thjesht me një armëpushim, ndalim të luftimeve. Por që do i jepte fund këtij konflikti, që duket si pa zgjidhje, sa në fushën e armëve aq edhe në atë diplomatike.
Por nga ky armëpushim i imponuar shihet dhe kuptohet se Ukraina do dalë me 18 përqind të territorit të saj mangut. Një sipërfaqe kjo sa tri herë sipërfaqja e Shqipërisë! Në këmbim ajo do të duhet të pranohet në Bashkimin Europian dhe do mbesë ushtarakisht si një vend neutral.
Vetëkuptohet se një propozim I tillë Kievit nuk i pëlqen fare. Udhëheqësi ukrainas flet edhe ai për paqe dhe negociata, por me këto ai nënkupton kthimin e të gjitha tokave të pushtuara nga Rusia, plus Krimenë, në gjirin e Ukrainës. Një mundësi kjo që udhëheqësit rus, Putin, nuk i shkon ndër mëndje as edhe kur fle. Ndryshe pse u vranë gjithë ata qindra mijëra të rinj rusë në këtë luftë?!
Siç shihet kemi të bëjmë me dy qëndrime dhe dy strategji të kundërta perëndimore. Njëra palë mendon se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që Putini ta fitojë këtë luftë, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e përshkallëzimit të saj të mëtejshëm, ndofta deri në një përplasjeje Rusi – Perëndim.
Pala tjetër, ku bëjnë pjesë edhe Trump dhe Scholz, mendojnë se bota nuk duhet të hyjë në një luftë të tretë botërore, me pasojë edhe një konflikt bërthamor me qindra milionë të vdekur, për më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës!
Prandaj jemi para një situate tejet kritike dhe të rrezikshme. Të gjithë duket se po nxitohen për të vënë në jetë planin e tyre. Aq më shumë që kanë mbetur fiks edhe dy muaj dramatikë ku gjithçka mund të ndodhë.
I pyetur se çfarë mund të ngjasë psh nëse trupat franceze të dërguara në Ukrainë bombardohen dhe eleminohen nga forcat ruse (?), një gjeneral në pension u përgjigj pa iu dridhur qerpiku, se të njëjtën gjë duhet të ndërmarrim edhe ne atëhere kundër forcave ruse. Që do të thotë as më shumë dhe as më pak por një përplasje e e drejtpërdrejtë e Francës me Rusinë! Si në kohën e Napoleonit dreqi e marrtë.
Me pasojë edhe përfshirjen e mundshme pastaj në betejë edhe të trupave polake, britanike, balltike etj etj. Nuk thonë më kot se lufta është diçka tejet serioze për tu lënë në dorën e ushtarakëve.
Duke parë këto qëndrime dhe këto gjasa të shtrirjes dhe përhapjes së konfliktit, mund të thuhet se është fat për botën mbarë që Trump u zgjodh në Shtëpinë e Bardhë. Sepse ai duket se është i vetmi që mund t’i japë fund këtij konflikti dhe kësaj flake që mund të përfshijë botën mbarë. SIdomos Europën dhe Amerikën e veriut. Por ndofta edhe Japoninë, Korenë e jugut etj etj.
Sigurisht që armëpushimi i propozuar nuk është zgjidhja më e drejtë. Por cila është alternativa?! Lufta e Tretë Botërore?! A e meritojnë popujt e Europës një luftë të tillë, që mund të shkaktojë më së paku shuarjen e qytetërimit perëndimor dhe atij rus dhe ndofta edhe shumë më tepër?!
Prandaj Trump nëse ia arrin të ndalojë konfliktin Rusi – Ukrainë meriton më së paku çmimin Nobël të Paqes. Le të thonë çfarë të duan ata që i hedhin benzinë zjarrit. Që po e zgjasin pa mbarim një konflikt që mund të shtrihet në përmasa të frikshme në mbarë botën! Është e domosdoshme që pas 1 000 ditëve të mbushura me beteja të përgjakshme, mëndjet e ftohta të mendojnë tani më shumë për paqen sesa për luftën, më shumë për diplomacinë se për ushtrinë.
Ky nuk është kapitullim. Ky është thjesht pragmatizëm dhe dashuri për Njerëzimin. Nuk duhet lejuar që një fije shkrepse t’i vëjë flakën një shtëpie të tërë, botës sonë, planetit Tokë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment