Vrasja e 14 vjeçarit – thjesht pasqyrë e shoqërisë së sotme

      Një ngjarje e rëndë ngjau këto ditë në njërën nga shkollat e Tiranës. Një adoleshent 14 vjeçar vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, thjesht për fjalë goje.

     Opinioni publik u trondit. Madje pati edhe gazetarë dhe opinionistë që u « mallëngjyen » aq shumë sa gati nuk po derdhnin lotë. Ndërsa opozita bëri atë që di të bëjë më mirë¨: E drejtoi gishtin nga qeveria, duke e bërë atë fajtore për zënkën ndërmjet dy të rinjve !

     Vrasja e një të riu, apo e kujtdo tjetër qoftë, përbën pa asnjë dyshim një ngjarje tejet të rëndë dhe të dhimbshme, sidomos për familjen e viktimës.

      Humbja e një njeriu të afërt të trondit vërtet pa masë. Por përtej këtij fakti, ajo që të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë, është hipokrizia e shoqërisë shqiptare. Të gjithë bëjnë të çuditurin apo edhe të revoltuarin përballë kësaj ndodhie !

       Po a është vërtet për tu çuditur kaq shumë ?! Një vrasje si kjo, apo edhe vrasje të tjera, a janë vërtet ngjarje të rralla dhe të jashtëzakonshme ?!

       Në fakt kemi të bëjmë thjesht me një ngjarje të kronikës së zezë. Njëlloj si lajmet e tjera kur njoftohet për një të ri që ka vdekur nga përdorimi i narkotikëve, apo për vëllain që vret vëllanë për një vijë uji etj etj.

       Këto janë ngjarje që kanë ndodhur, po ndodhin dhe do ndodhin edhe në të ardhmen.Sepse shoqëria njerëzore, qoftë edhe individi, nuk janë të përsosura. Në këtë shoqëri, si dhe kudo tjetër, do të gjesh vrasës, kriminelë, njerëz të degjeneruar pa din e iman, hajdutë , përvetësues dhe plot plehra të tjera. E tillë është bota. Të tillë janë njerëzit.

       Ndryshe detyra primare e çdo shoqërie apo e çdo shteti sidoqoftë është që këto ngjarje të pakësohen sa më shumë që të jetë e mundur. Që ato vërtet të konsiderohen si ngjarje të jashtëzakonshme.

       Por a janë dhe a mund të kthehen këto ngjarje të zakonshme në të jashtëzakonshme në Shqipëri ?! Kjo është pyetja. Dhe këtu duhen ndalur sociologët, opinionistët, analistët etj etj. Sepse që ngjarje të tilla të jenë sa më të pakta, nevojitet të kemi një shoqëri të shëndoshë sa nga ana morale aq edhe psiqike. Nevojitet pikë së pari qytetari dhe po ashtu njerëz me formim të lartë kulturor dhe moral.

        Nevojitet po ashtu një shtet i fortë dhe autoritar dhe një edukatë e fortë në familje. Si dhe një shkollë dhe arsimim cilësor ku mësuesi të jetë një autoritet i respektuar nga nxënësit, që të mos ia bëjnë fjalën dysh etj etj.

      Po shoqëria shqiptare ai i ngërthen sot këto cilësi?! Pa asnjë dyshim që jemi vite larg një shoqërie të civilizuar dhe të edukuar. Nën pretekstin se “edukimi i njeriut” i takonte komunizmit, sot kemi hequr dorë nga çdo lloj edukimi dhe morali. Ndryshe po punojmë fort për çedukimin dhe imoralitetin, që po na kthehen pothuajse në vlera!

       Cila është edukata që familja, shkolla dhe shoqëria i ofrojnë sot të riut?!  Çfarë ofrojnë sot mediat, televizionet dhe jeta reale për të?!  Ky është edhe problemi. Si mund të eleminohen këto dukuri, kur në ekranet e televizioneve ndeshesh çdo ditë vetëm me dhunë, me vrasje apo pornografi?!  Kur krimineli lartësohet, si psh te filmi “Scarface” me Al Pacinon ?! Ku gjendet shembulli i mirë ?! Ku është heroi pozitiv që duhet të merret si shembull nga të rinjtë e sotëm ?!

      Çdo kohë ka pasur dhe ka nevojë për shembuj pozitivë.  Dikur ishte feja që i nuk i lejonte të rinjtë të « rrëshkisnin «  në rrugën e gabuar. Ndryshe të vjetrit e mbajnë mend se dikur vjedhësit i nxirrnin me foto te « Bodeci » i rrugës së Barrikadave, afërsisht përballë ish-Muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare.

     Sigurisht që ajo epokë kishte edhe të zezat e saj të pamohueshme dhe ishte tejet larg të qënit idilike. Por të paktën atëhere vesi luftohej. Edhe në 10 urdhëresat e Biblës u kërkohej besimtarëve që të mos vrisnin, të mos vidhnin etj etj. Pra ka ekzistuar gjithmonë dëshira për një botë më të mirë dhe më të drejtë.

       Po sot me çfarë mëkohet rinia në Shqipëri ?! Çfarë modeli i ofrohet ?! Cili është sot roli i babait, apo I të parit të shtëpisë në familje?!

      Nëna psh a po përpiqet sot që vajza e saj të jetë model në veshje dhe në sjellje, apo dëshiron vetëm që ajo të jetë sa më seksi dhe të gjejë një burrë sa më të pasur! Pa pyetur fare se si është bërë ai i pasur !

      Po « Portokallia », « Big Brother », « Për – Puthen » çfarë modeli I ofrojnë sot shoqërisë apo edhe rinisë?!

      Ekziston një ndryshim i madh sot ndërmjet shoqërisë shqiptare dhe asaj perëndimore, përsa i takon këtyre çështjeve të moralit dhe edukatës në shoqëri. Në Perëndim njerëzit janë në gjendje ta ndajnë grurin nga egjra. Të kuptojnë atë që është thjesht komerciale nga realiteti!

       Ndërsa shqiptarët ranë si daci në kos. Atë që ishte imagjinare, trillim apo thjesht komerciale ata e morën si për te vërtetë. Dhe kështu spjegohet rënia pas parasë së pisët, drogës, krimit, prostitucionit të shumë të rinjve sot.

       Prandaj nuk duhet të bëjmë të çuditurin apo të lemeriturin për një ngjarje të rëndë në një nga shkollat e Tiranës. Çfarë do mbjellësh do korrësh, – thotë një fjalë e urtë. Demokracia para se të jetë sistem, është edukatë, traditë dhe kulturë. Jo të gjitha vendet dhe kombet janë të përgatitura për të.   

      Megjithatë shpresa nuk duhet humbur. Sistemi i sotëm të ofron edhe ilaçin për t’i bërë ballë sëmundjes. Por siç është i sëmuri në dorë të mjekut, ashtu edhe shoqëria është në dorë të atyre që e qeverisin.

       Në rast se këta të fundit kujdesen veç për vete, jepen pas parasë dhe qejfeve dhe nuk kanë as norma morali dhe edukate, është e gjithë shoqëria që vuan.

      Siç kam shkruajtur edhe më parë, Qemal Ataturkut, kur vdiq, i gjetën vetëm një mexhide në xhep. Aq ishte pasuria e tij. Edhe në Shqipëri ka pasur njerëz që nuk kanë jetuar dhe luftuar për pasuri. Madje e kanë shkrirë edhe atë që kanë pasur për vatanin.

      Kur të fillohet të mendohet edhe për ngritjen e shoqërisë, edhe për edukatën dhe moralin e anëtarëve të saj, (dhe jo vetëm për të bërë para me çdo kusht dhe mënyrë) edhe këto ngjarje si ajo e shkollës së Tiranës do të pakësohen ndjeshëm. Roli i shtetit, i prindit, i mësuesit është parësor si në ngritjen, por po ashtu edhe në rrënimin e një populli.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment