Si sot 80 vjet më parë.

       17 Nëntori 1944 ka hyrë në historinë e vendit tonë si dita e çlirimit të Tiranës. Në fakt, Tirana, ishte pothuajse i vetmi qytet i Shqipërisë që u çlirua me forcën e armëve dhe pas një beteje të stërzgjatur dhe gjakderdhëse.

      Në atë kohë, pra në nëntor të vitit 1944, forcat hitleriane ishin duke u tërhequr nga Ballkani, për të mbrojtur Gjermaninë, e cila po sulmohej furishëm nga trupat sovjetike si dhe ato amerikano/angleze.

     Por në Greqi kishin mbetur ende disa batalione dhe regjimente gjermane që nuk ishin dot tërhequr në kohë. Dhe rruga e « kthimit » të tyre kalonte nëpër Tiranë. Prandaj edhe trupat gjermane u detyruan të organizonin një rezistencë të fortë disaditore, para se të gjitha forcat e tyre të ishin tërhequr.

     Për këtë luftë ka shkruajtur edhe « komandanti legjendar » apo « multi-agjenti » Mehmet Shehu ! Në atë libër ai përshkruan me vërtetësi dhe pathos luftën dhe sakrificat e partizanën për të vënë nën kontrollin e tyre, kryeqytetin e vendit, por pa harruar të përshkruajë edhe rezistencën e fortë të trupave hitleriane.

    Në fakt ishte vetë Mehmet Shehu që udhëhqi këtë betejë disa ditore. Por « lulet » i takuan  Enver Hoxhës. Në foton e hyrjes së batalioneve partizane në Tiranë, pikërisht më 17 nëntor 1944, në rradhë të parë shihet Enver Hoxha me buzëqeshjen e tij djallëzore dhe pas tij, andej nga rreshti i tretë duket edhe Mehmet Shehu ! Dhe siç dihet 12 ditë më pas, më 29 Nëntor, trupat gjermane u larguan përfundimisht nga Shqipëria.

      80 vjet më pas kësaj ngjarjeje, gjithkush ka të drejtë të hedhë shikimin pas dhe të përpiqet të kuptojë historinë e Shqipërisë së asaj kohe. Aq më shumë që gjërat tani janë bërë « çorap ».

     Shumëkush i lidh dhe i barazon 17 dhe 29 Nëntorin me sundimin tiranik të të partisë së punës së Shqipërisë që nga 1945 deri më 1990-tën. Madje disa të tjerë duan ta kthejnë historinë me kokë poshtë, duke dashur t’i kthejnë bashkëpunëtorët e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste në heronj të lirisë dhe demokracisë !

        Por për të njohur të vërtetën, nuk mjafton t’i referohesh historiografisë komuniste të asaj kohe, që e ka ndryshuar dhe përshtatur atë si i donte qejfi. Por një rol të madh dokumentar dhe faktik lozin këtu edhe arshivat e mbretërisë britanike si dhe kujtimet e vetë oficerëve gjermanë.

        Siç dihet në atë kohë, Britania e Madhe dërgoi në vendin tonë  disa oficerë të saj, që kishin për mision të nxisnin edhe më shumë luftën kundër armikut të tyre, Gjermanisë naziste.

      Njëri prej tyre ishte edhe lordi Rexhinald Hibert. Ai madje ka shkruar edhe një libër për misionin e tij në Shqipëri gjatë viteve 1943 – 1944, “Fitorja e hidhur” si dhe rolin që kanë luajtur gjatë kësaj beteje forcat komuniste, balliste, apo kolaboracioniste. Dhe aty ai i vë pikat mbi “i”. Ishin partizanët ata që luftuan me heroizëm dhe pa kompromis kundër gjermanëve, ndërsa ballistët bënin sikur po luftonin! Deri sa të hidheshin krejtëisht në anën e pushtuesit!

      Sepse në atë epokë në Shqipëri ekzistonin tri forca politike të ndara qartas njëra nga tjetra. Forca e parë për nga rëndësia paraqitej nacional-çlirimtarja e udhëhequr nga Partia Komuniste, e themeluar më 8 nëntor të vitit 1941. Forca e dytë, Balli Kombëtar, i themeluar një vit më pas, nëntor 1942, përbëhej nga nacionalistë të vjetër si dhe intelektualë. Në forcën e tretë përfshiheshin thejsht kolaboracionistët e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. 

         Këta të fundit nuk kishin asnjë lloj parimi apo ndjenje kombëtare. Shumica e tyre përbëhej nga intelektualë nga zonat katolike të vendit, që e konsideronin pushtimin fashist, si”shpëtim” për ta dhe vëllazërim me Vatikanin. Por po aty bënin pjesë edhe shumë njerëz me prejardhje ortodokse apo myslimane.

         Një njeri i afërt i imi, profesori i gramatikave shqipe, Petër Elezi, që e ka pasë jetuar atë kohë, më ka treguar se ato ditë, pra në prill të vitit 1939, Lalë Krosi, një  oborrtari i njohur I mbretit Zog, dilte ato ditë rrugëve të Tiranës dhe thërriste: Rrofsh o Duçe që na shpëtove nga tirani Zog”!

        Tek y grupim bënin pjesë edhe bejlurçinat e kohës dhe sidomos ata që shpallën dhe duartrokitën formimin e “Asamblesë Kombëtare” që shpalli bashkimin e pandashëm të Italisë fashiste me Shqipërinë.

        Ishte po ky soj njerëzish që nxituan t’I ofronin mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit, kurorën e Skënderbeut. Sigurisht që kjo farë tradhtarësh nuk shkrehu asnjë pushkë kundër pushtuesit. Përkundrazi ata bashkëpunuan, sidomos me regjimin e Duçes, duke marrë dhe poste kryeministrash apo ministrash. Gjithë lufta e tyre u përqëndrua ndaj nacional-çlirimtares.

        Historia e ballit Kombëtar është disi më e koklavitur. Pasi ndenjën në heshtje përgjatë tre viteve të okupacionit fashist dhe kur e panë se nacional – çlirimtarja po rritej dhe forcohej çdo ditë dhe Italia fashiste po merrte rrokullimën, ballistët e panë të udhës të dilnin nga përgjumja dhe të hidhnin edhe ata nja dy a tre pushkë kundër italianit.

      Politikën e „Ballit Kombëtar“ të asaj kohe e ka përshkruar në një mënyrë të papërsëritshme Shefqet Musarai në poemën e tij satirike „Epopeja e Ballit Kombëtar“!

       Themelimi i „Ballit Kombëtar“ ishte i lidhur edhe me frikën e kastës të vjetër se mos komunistët merrnin pushtetin. Por udhëheqja e „Ballit“ përbëhej nga njerëz të zgjuar dhe me shkollë. Strategjia e tyre në atë kohë ishte:“Të mos vritet rinia kot për interesat e Fuqive të Mëdha. Të ruajmë forcat për më vonë“!

       Ballistët, shumë prej të cilëve ishin pasardhës të figurave të njohura që kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia më 1912-tën, ishin ithtarë të përbetuar të Shqipërisë natyrale, me Kosovë dhe Çamëri brenda.

        Por Duçja nga ana e tij kishte plane të tjera, pavarësisht se shpalli gjoja „Shqipërinë e Madhe“. Shqipëria ishte e pasur me naftë dhe minerale që Italisë i mungonin dukshëm. Prandaj plani tij i vërtetë ishte italianizimi i vendit. Për të realizuar këtë synim ai kishte parashikuar edhe vendosjen e 5 milionë kolonëve italianë në vendin tonë.

       Por “Balli” gaboi rëndshëm sidomos kur forcat gjermane pushtuan vendin. Edhe ata shpallën dhe njohën Shqipërinë etnike në kufijtë e saj natyralë. Pikërisht në atë kohë dhe lufta partizane kishte marrë hov të paparë. Dihej se partia komuniste shqiptare u formua me ndihmën e emisarëve nga Beogradi. Partizanët e Titos po zhvillonin në atë kohë një luftë titanike me ushtrinë gjermane. Thuhej se partizanët jugosllavë numëroheshin deri në 1 million veta !

       Gjermanët në atë kohë thuhej se nuk kishin interesa në Shqipëri dhe ndodheshin aty « në kalim », për të mos lejuar vendosjen e forcave amerikano/ britanike.

      Por si pasojë e goditjeve të parreshtura të forcave partizane, Gjermani nuk mund t’i linte ballistët të rrinin si vëzhgues të paanshëm. Aq më shumë që edhe ata në atë kohë kishin krijuar « Regjencën » e tyre me shumë figura nacionaliste në krye të saj.

      Prandaj udhëheqësit e Verhmatit gjerman u kumtuan troç ballistëve se ata nuk mund të rrinin në dy karrige : Ose me ne, ose kundër nesh » – ishte ultimatumi gjerman.

       Krerët e « Ballit » vunë re në atë kohë se « inglizi » po i ndihmonte si shumë forcat partizane me armë, ushqime dhe veshje. Ndërkohë, që ndryshe nga Britania, Gjermania njihte dhe pranonte ëndrrën e tyre për Shqipërinë etnike.

      Të vënë para këtij ultimatumi apo kësaj zgjedhjeje të detyruar, « Balli » vendosi bashkëpunimin me gjermanët. Si mund të bashkohej ai me Partinë Komuniste e udhëhequr nga serbët ?!

       Por Gjermania e humbi luftën dhe bashkë me të edhe « Balli » dhe përkrahësit e tij. Dhe pikërisht si sot 80 vjet më parë forcat partizane filluan një raprezalje të paparë në Tiranë ndaj të gjithë përkrahësve dhe bashkëpunëtorëve të Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. E cila mund të krahasohet vetëm me atë të Xhaferr Devës më 4 shkurt.

       Duke « djegur shpesh herë edhe të njomin me të thatin » ! U vranë dhe u ekzekutuan edhe patriotë dhe nacionalistë që nuk kishin bashkëpunuar fare me pushtuesin, por thjesht se njiheshin si antikomunistë!

       Dhe kështu vazhdoi deri më 1990-tën. Për më shumë pasi kishte vrarë të gjithë “armiqtë”, Enver Hoxha nuk ngurroi tu priste kokat edhe bashkëluftëtarëve të tij. Duke filluar nga Koçi Xoxe deri te Beqir Balluku, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe dhjetëra të tjerë. Aq sa thuhet se gjatë sundimit të tij 40 vjeçar ai vrau dhe persekutoi më shumë komunistë se antikomunistë!

        Sidoqoftë ata që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vatanit si Margarita Tutulani, Vojo Kushi, Qemal Stafa, Vasil Shanto etj etj, afërsisht 28 000 dëshmorë, nuk luftuan dhe u vranë për Enver Hoxhën, por për Shqipërinë.

      Prandaj kjo ditë, 17 Nëntori, duhet përkujtuar edhe në nderim të tyre.

Nga Viron Gjymshana      

Lini një koment