Përse fitoi Trump. Dhe Ballkani tani ?!

     Sipari u ul. Shfaqja mbaroi. Trump fitoi.

  Këto zgjedhje ishin nga më të « shtrënguarat » e këtyre viteve të fundit. Asnjë nga analistët, studiuesit e jetës politike, specialistët, gazetarët apo sociologët e shumtë nuk guxuan deri një minutë para se të fillonte numërimi i votave, të shpreheshin në favor të njërit apo tjetrit kandidat. Me përjashtim, vetëkuptohet, të militantëve, që njësoj si tifozët e futbollit, nuk mund ta imagjinojnë kurrë humbjen e ekipit të tyre të zemrës.

         Të gjithë ata që e kanë pasion politikën po përpiqen tani të japin 1 0001 arsye për fitoren e Trump dhe humbjen e Harris.  Llogjika ta do të thuash se Kamala Harris u përpoq të kthehej në një lloj dige kundër valës së papërmbajtshme që ka përfshirë kohët e fundit qytetërimin perëndimor.

          Dihet se Perëndimi është në rënie. Në botë kanë filluar të dalin fuqi të reja që duan t’ia marrin « kurorën » Amerikës, Francës, Britanisë së Madhe etj që për më shumë se 500 vjet kanë zotëruar botën. Duke e nënshtruar atë sa me forcën e armëve, por po aq edhe në sajë të përparësisë në fushat e  ekonomisë dhe shkencës.

         Por bota është me rrota – thuhej dikur. Dhe këto vende që kanë qënë të shtypura apo edhe të përbuzura prej shekujsh, si psh Kina, India etj u ngritën pak nga pak në këmbë. Ato e kanë shprehur tashmë hapur se nuk e durojnë dot më dominimin perëndimor.

        Jo më kot, një alternativë e njohur si BRICS, (Brazil, Rusi, Indi, Chine, Sud Afrika) etj po afrohen gjithmonë e më shumë me njëri tjetrin pikërisht për të krijuar një ballancë me Perëndimin.

        Pas shpërnguljes së uzinave dhe fabrikave perëndimore drejt Kinës, së bashku me teknologjinë e tyre gjatë këtyre 40 viteve të fundit, tani edhe pasuria po rrjedh sot drejt vendeve të Azisë.

          Në Perëndim janë të ndërgjegjshëm tani për situatën e re që po krijohet. Ata po e ndjejnë mirë se Perëndimi i sotëm nuk është më ai i para 100 viteve, as i para 50 viteve, madje as ai i vitit 1989, kur ushtronte një lloj manjetizmi vezullues ndaj popujve të mbarë botës.

       Historia flet vetë. Çdo perandori që ka sunduar “botën” që nga koha e asirianëve, babilonëve etj, dikur ka perënduar. Kështu ka ngjarë psh edhe me perandorinë romake. Pasi pushtoi pothuajse të gjitha territoret që njihte në atë kohë, romakët u dhanë pas qefit, lluksit, shthurrjes morale. Hunët, vizigotët dhe fise të tjera alemanike iu sulën këtij “Edeni” mbi Tokë. Romakët e kishin humbur atëkohë shpirtin luftarak dhe të ngadhnjimeve. Dhe Roma që kishte vendosur ndikimin e saj nga Egjipti në Ballkan, dhe nga Spanja në Angli, u kthye në rrënojë.

        Por njerëzit sot në Europë apo në Amerikë nuk duan të pësojnë të njëjtin fat. Prandaj ata tani po pyesin veten se ku kanë gabuar. Dhe po ndjejnë nostalgji për atë kohë kur ndjeheshin të respektuar dhe admiruar në mbarë botën.

        Dhe vetëkuptohet se ata udhëheqës apo demagogë që u premtojnë kthimin e “parajsës së humbur” ngjallin shumë shpresa.  “Make America great again”!  Kjo ishte edhe ëndrra e amerikanëve që Trump e kuptoi aq mirë.

         Njerëzit ne Perëndim, po ashtu ndjeheshin të çoroditur dhe të hutuar nga “modat” e reja që po dilnin në skenë si kërpudhat pas shiut. Sidomos nga teoria e “uokizmit”, e fshirjes së vlerave tradicionale, e familjes burrë-grua-fëmijë dhe zëvendësimi I saj nga prindi 1 dhe prindi 2, nga fshirja e dallimeve gjinore mashkull – femër, duke i përzierë ato me çdo lloj gjinish antinatyrë dhe perversitetesh të tjera.

          Pra një nga arsyet kryesore që fitoi Trump ishte edhe konservatorizmi i tij. Por njëkohësisht ai u premtoi zgjedhësve se do të rikthente të gjitha fabrikat në Amerikë. Se do u vinte taksa doganore të rënda prodhimeve kineze të subvencionuara edhe nga shteti i tyre. Se do ndalte valën e papërmbajtëshme të emigrimit të paligjshëm etj etj.

         Nga ana tjetër demokratët nuk kishin çfarë të propozonin më shumë se të drejtën e grave të ngelnin me barrë dhe të abortonin sa herë të donin! Apo edhe mbështetjen për pakicat etnike, seksuale, fetare, grupet LGBTQ etj etj. Pra asgjë që të peshonte vërtet në gjirin e popullsisë amerikane.

          Po Ballkani në të gjithë këtë tabllo? Pa dyshim se serbët e kanë brohoritur fitoren e Trump. Sepse ai që pritet të jetë ministri i ri i jashtëm i Amerikës, mund të jetë Riçard Grenell. Kundërshtar i deklaruar i kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, të cilin e ka cilësuar hapur si anti-amerikan dhe mirëdashës me presidentin serb Vuçiç. Me të cilin ka dalë edhe në një foto miqësore, para 2- 3 vitesh më parë.

        Trump nuk bën shumë negociata dhe bisedime. Ai veçse vendos dhe i zgjidh shpesh problemet me “sëpatën e dardharit”! Dhe nuk pranon kundërshtime. Jo më kot cilësohet edhe si një mashkull alfa. Dhe një nga vendimet e tij, për të mbyllur një herë e mirë konfliktin serbo/kosovar mund të jetë edhe kalimi i 4 komunave në veri të Mitrovicës nën sovranitetin e Serbisë! Apo edhe tërheqja e trupave amerikane nga baza e Bondstilit në Kosovë.

       Njerëz të afërt me Trump janë të bindur se ai do ta « zgjidhë » edhe konfliktin në Ukrainë, duke i njohur Rusisë të drejtën e sovranitetit në rajonet që ajo i mban sot të pushtuara. Edhe palestinezët nuk duhet të ndjehen shumë të lumur me Trumpin president. Dhëndrri i tij Jared Kushner, njihet si një sionist radikal, që mbështet rikrijimin e Izraelit biblik!

      Dihet dhe vetëkuptohet se Amerika e Trump-it do të mbrojë në rradhë të parë interesat e saj. Dhe do përqëndrohet atje nga i vjen rreziku. Pra drejt Kinës.  Problemet e Ballkanit, Ukrainës dhe Lindjes së Mesme Trump do të përpiqet t’i zgjidhë shpejt, për tu përqëndruar siç thamë, te rivaliteti  politiko/ ekonomik dhe ushtarako/shkencor me Kinën.

       Koha do të dëshmojë se bota duke filluar nga sot nuk do të jetë më e njëjta. Për mirë apo për keq.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment