Pensionet janë detyrë madhore e qeverisë

    Ditët e fundit në Shqipëri ka shpërthyer një debat i madh lidhur me nivelin e jetesës së  shtresës më të vuajtur të vendit – të pensionistëve. Ata ankohen se megjithëse kanë punuar në të dy sistemet, pensionet që u paguan shteti, nuk u dalin as për të siguruar bukën e gojës! Jo më për të paguar barnat mjekësore, vizitat në spital, dritën dhe ujin etj etj.

     Shtrirja e pakënaqësisë ka qënë aq e gjërë dhe e thellë saqë me këtë problem është detyruar të merret edhe vetë kryeministri i vendit. Dhe ai ka premtuar një bonus, shpërblim, të kënaqshëm për këtë pjesë të popullsisë me rastin e festës së Vitit të Ri!

     Po a është i mjaftueshëm ky bonus?! A i mbulon ai problemet vjetore të pensionistëve?  Vetë kryeministri Rama pohon se çështja e pensioneve në vend është shumë e koklavitur !

     E vërteta është se shumë shqiptarë sot nuk i kanë mbushur vitet e punës dhe të kuotizacioneve për të marrë një pension të plotë. Tranzicioni nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut i çoroditi njerëzit. Disa atëhere filluan të punojnë për « vete » duke shitur deri edhe cigare apo banane në cep të trotuarit apo nga ballkoni i shtëpisë.  Dhe askush në atë kohë nuk paguante as taksa dhe as kontribucione.

       Por vitet rrjedhin shpejt dhe vjen koha e pleqërisë. Kur nuk ke më fuqi të punosh.  Atëhere kujtohesh edhe për pensionin!

       Pyetja është: Çfarë duhet të bëjë qeveria me këtë rast? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Ajo duhet tu sigurojë me domosdo një pension minimum, një pension social të gjithë atyre që nuk kanë bërë vitet e punës dhe që nuk zotërojnë as pasuri, as të ardhura të tjera për të mbijetuar. Dhe kjo përbën një detyrim ligjor për çdo qeveri dhe jo një mirëdashje, që po të dojë e bën, po nuk deshi nuk e bën.

      Por qeveria për ta hequr përgjegjësinë nga vetja deklaron se 500 000 vetët që punojnë, nuk mund të mbajnë në kurriz 800 000 pensionistët !

      Që këtu fillon gabimi. Por më përpara le të ndalemi në vendimet e qeverisë. Jo shumë kohë më parë ajo ngriti rrogat e administratës ! Dhe po ashtu pak muaj më parë ajo rriti ndjeshëm rrogat  edhe të shtresës më të privilegjuar të vendit – deputetëve. Ndërkohë që ajo ankohet se nuk ka para për të rritur pensionet ! Kjo është paturpësi.

        Administrata dihet se është skeleti që mban shtetin në këmbë. Siç dihet po ashtu se ajo nuk fut para në arkën e shtetit, por veçse merr. Por një adminstratë e fryrë dhe e tejpaguar është një gabim i tmerrshëm ekonomik. Se ti vetë do t’i nxitësh njerëzit që të kërkojnë punë vetëm në administratë.  Kur dihet se puna në administratë është tejet më e këndshme dhe më e lehtë se te privati.

      Një politikë e mirë ekonomike do të kërkonte që administrata, me përjashtim të punonjësve të rendit, mbrojtjes, arsimit dhe shëndetësisë, të paguhej me minimumin e rrogës. Çdo qeveri duhet të mbajë një administratë sa më të lehtë dhe efikase që të mos i kushtoi shumë buxhetit të shtetit.

       Rritja e rrogave në administratë është gabimi i parë dhe i qëllimshëm i kryeministrit. Ai e hodhi këtë hap jo se i dhimbsen nëpunësit e shtetit, por veçse për të marrë votat e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

      Por ai duket se harron se janë pensionistët, kontigjenti që voton më shumë dhe që po ashtu mbështet më së shumti Partinë Socialiste!

       Tani le të kthehemi te pretendimi i qeverisë se ata që punojnë nuk mund të paguajnë dot pensionistët ?! Por kush tha që pensionistët duhet të paguhen nga taksat e atyre që punojnë ?!

       Në një shtet normal dhe social duhet të dihet mirë se pensionet duhet të paguhen nga sufiçiti i buxhetit të shtetit. Pra nga diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve.

       Në shumë vende të botës kësaj çështjeje i është rënë shkurt fare. Pensionet i kanë paguar me anë të borxheve që shtetet perëndimore marrin pa pushim.

       Por kjo është një praktikë tejet e gabuar dhe antiekonomike. Sot në Francë psh nuk ka ditë që kryeministri I sapozgjedhur, Barnier, dhe shumica e ministrave të tij, të mos flasin për borxhin tejet të madh të vendit: 3 2 5 0 m i l i a r d ë  euro! Ose ndryshe mbi 110 për qind e prodhimit të përgjithshëm vjetor bruto.

        Jo më kot një nga pinjollët e familjes së bankierëve të famshëm Rothschild, është shprehur vite më parë se një vend mund ta bësh zap ose me shpatë ose me borxhe. Greqia e di mirë se çfarë hoqi dhe po heq nga marrja pa pushim e borxheve. Edhe ajo atëhere kishte një administratë të fryrë dhe të tejpaguar, pa përmendur këtu që edhe grekët, njëlloj si shqiptarët, i bënin bisht pagimit të taksave.

        Po si mund të sigurojë shteti shqiptar sufiçitin buxhetor, kur atë nuk e kanë siguruar dot as vende të fuqishme dhe të zhvilluara perëndimore?!  Gjithçka është çështje e vullnetit politik. Dhe njëkohësisht ndershmërie ose papërgjegjësie.

       Jo më kot thojnë që politikanët mendojnë dhe punojnë për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burrat e shtetit mendojnë për brezat e ardhshëm! Dhe kështu ka ngjarë që politikanët për të fituar zgjedhjet e kanë hapur “qesen”. Dhe i kanë paguar punonjësit e tyre më shumë se sa  mbante edhe “xhepi” i buxhetit të shtetit!

       Kjo praktikë nuk kishte pse të zbatohej edhe në Shqipëri symbyllurazi. Vetëm se e bëjnë të huajt. Pasi kushtet historike kanë qënë krejtësisht të ndryshme.

       Dashur pa dashur kthehemi këtu te roli i shtetit në ekonomi. Në një shtet kapitalist ultraliberal gjithçka është private. Dhe private i paguan shtetit detyrimet ligjore dhe me kaq historia mbyllet. Por në një shtet me një ekonomi sociale të tregut, pasuria dhe të ardhurat duhet të ndahen gjysëm për gjysëm ndërmjet shtetit dhe oligarkut.

      Por çfarë ka ngjarë në Shqipëri gjatë këtyre 35 viteve të fundit? Gjithë pasuria e tundshme apo e patundshme, gjithë burimet natyrore mbi dhe nën tokësore, gjithë bankat dhe fabrikat, kanë rënë në dorë të privatëve. Shteti shikon dhe kujdeset vetëm se çfarë mund të nxjerrë prej tyre. Në shumicën e rasteve jo gjë të madhe, pasi pasunarët e sotëm shqiptarë nuk i tregojnë këmbët! Dhe as paratë.

       Ndërkohë që duhej ndjekur një politikë krejt tjetër ekonomike. Shteti që ka qënë pronar i gjithçkaje në epokën komuniste duhej të kalonte medoemos në shinat e ekonomisë së tregut. Por pa ngritur duart përpjetë. Por me një plan të mirëdetajuar të kalimit nga ekonomia publike në atë private.

       Le të marrim një shembull të thjeshtë. Sot tregu botëror po ka një “uri” të papërmbajtur për mineralin e bakrit dhe nikelit. Çmimet e këtyre lëndëve të para janë dhjetfishuar në krahasim me 30 vite më parë. Atëhere një shtet i aftë dhe i përgjegjshëm jep me koncesion një minierë prodhimi bakri, ta zëmë në Kurbnesh. Deri më tani ka qënë privati që ka shfrytëzuar këto minerale, naftën etj etj.

       Në rastin më të mirë ai i ka paguar shtetit TVSH-në si dhe taksën mbi fitimin që llogaritet praktikisht rreth 20 përqindëshit. Kur në fakt në kontratë duhet të stipulohej qartë se fitimi neto, pra ai i mbetur pasi janë zbritur të gjitha shpenzimet, pagat, investimet dhe mirëmbajtja, duhet të ndahej 50 përqind me 50 përqind ndërmjet shtetit, pronari i vetëm legal i pasurive kombëtare mbi dhe nën tokësore dhe privatit. Dhe pse jo 80 përqind për shtetin dhe 20 për qind nga fitimi neto për privatin?! Qoftë ky vendas apo i huaj?!

        Dhe e dyta. Shteti ngado në botë zotëron një fuqi financiare të pamatë që krijohet sa nga taksat aq edhe nga koncesionet, monopoli e të tjera. Një qeveri e vërtetë që mendon për qytetarët e saj, këto para që gjenden në arkën e shtetit, i investon në veprimtari fitimprurëse me normë të lartë fitimi. Se siç thuhet me të drejtë paraja pjell paranë! Njëlloj siç veprojnë në fakt edhe privatët dhe bankat. Por shteti në këtë rast ka edhe një përparësi absolute që quhet monopol.

       Kështu ka ngjarë që në kohën e Zogut, kur shteti i ruante disa veprimtari fitimprurëse vetëm për veten e tij. Që të mbushte buxhetin, të mbante ushtrinë dhe rendin etj etj.  

        Bankat vendase dhe të huaja, telekomi, koncesionarët e naftës dhe mineraleve, dihet se nxjerrin fitime të çmendura nga veprimtaria e tyre. Megjithëse këto të ardhura ata bëjnë kujdes të madh që të mos ia tregojnë qeverisë.

            Përse vetë shteti të mos investohet në këto domene ekonomike me leverdi të madhe?! Por t’ua lëjë këto degë vetëm privatëve?! Përse të mos ketë psh ndërmarrje shtetërore të import – eksportit?! Të grumbullimit, përpunimit dhe shitjes së vajit, bimëve mjekësore, mineraleve,  etj etj?!

      Por qeveria e Ramës, (dhe askush nuk e kupton përse), investon vetëm në ndërtim dhe mirëmbajtje rrugësh! Që nuk fusin ndonjë lek në arkën e shtetit. Përkundrazi.

      Një tjetër mundësi për rritjen e pensioneve do të ishte edhe pensioni i barabartë për të gjithë. Ti ke punuar në një punë të rëndësishme në shtet ku je paguar tejet mirë. Por tani nuk ka asnjë arsye që pensioni yt të jetë më i lartë se i atij tjetrit. Punove dhe u paguajte për punën e bërë. Tani që nuk punon do të marrësh një pension të barabartë me ata që kanë punuar psh mësues apo minator.

      Ideatori i Kinës moderne kapitaliste, Ten Hsiao Pin, pikërisht në kohën kur Kina po përgatitej të kthehej nga ekonomia e planifikuar në atë të  tregut, është shprehur:“ Nuk ka rëndësi nëse macet janë të bardha apo të zeza. Me rëndësi është që ato të kapin minj“!  Ose ndryshe qëllimi justifikon mjetin.

       Atëhere pse të mos përdorësh ato metoda që sjellin para në arkën e shtetit në vend që të mbushin xhepat e privatëve? Në rast se do të ndiqej kjo politikë ekonomike Rama nuk do të ankohej kurrë se arka e shtetit është bosh dhe nuk ka të paguajë si duhet pensionistët.

        Dhe çudia më e madhe është se edhe në Kosovë, që ka një prodhim të përgjithshëm global sa gjysma e atij të Shqipërisë, pensionistët paguhen më mirë!

      Por për të arritur këtë synim kërkohet përkushtim dhe aftësi dhe jo të ecësh qorrazi. Ndryshe politika ekonomike që është ndjekur këto 35 vjet në Shqipëri nuk ka qënë aspak një strategji e tranzicionit ekonomik, por një strategji e vjedhjes hapur të pasurisë së shqiptarëve.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment