Globalizmi dhe ekologjia po e fundosin Europën

         Lajmi ra si bombë. Trusti i mirënjohur i prodhimit të makinave, « Volkwagen », do të mbyllë tri uzina të prodhimit të veturave në Gjermani. Diçka e tillë nukkishte ngjarë në këtë vend që nga viti 1936, që kur Hitleri vendosi prodhimin e veturës së popullit, siç edhe përkthehet fjala « Volkswagen ».

        Shoqëria gjermane ndjehet tashmë e tronditur. Të gjithë janë duke e kuptuar se „vitet e arta“ po përfundojnë. Se kriza ka kaplluar jo vetëm Gjermaninë, por edhe mbarë vendet perëndimore. Mbyllje të parreshtura fabrikash dhe uzinash. Rritje e paparë e borxhit publik që shtetet u kanë bankave dhe pamundësia e këtyre shteteve për t‘i shlyer këto borxhe.

        Dihet dhe është e provuar historikisht se krizat kanë qënë gjithmonë të pranishme në ekonominë kapitaliste. Edhe përpara kohës së Marksit. E fundit në rradhë ka qënë ajo e 16 viteve më parë, për shkak të falimentimit të shumë bankave perëndimore, huamarrësit e të cilave, nuk mund të paguanin dot kredinë. Kjo krizë u njoh si ajo e „sub-primeve“. Për të mënjanuar falimentimin e këtyre bankave „ too big to fail” shtetet nxorrën nga xhepi shuma kolosale parash, duke shtuar kështu edhe më tej barrën e borxheve!

         Kriza e ardhshme, që shihet në horizont, pritet të jetë edhe më frikëshme dhe shkatërrimtare edhe se ajo e vitit 2008. Sepse i ka rrënjët edhe më të thella.

      Gjithçka filloi që para viteve 2 000 kur globalizmi, pra qarkullimi i lirë dhe pa pengesa doganore i mallrave dhe kapitaleve, ishte në kulmin e vet. Pikërisht në atë kohë në Perëndim nisi edhe epidemia e mbylljes dhe transferimit të teknologjisë, fabrikave dhe uzinave nga vendet perëndimore drejt vendeve aziatike, kryesisht Kinës. Ku fuqia punëtore paguhej rreth 20 herë më pak .

         Deri në atë kohë, Kina, shihej nga vendet perëndimore pothuajse me përçmim apo mëshirë. Se niveli i saj i jetesës, i shkencës apo edhe i prodhimit industrial ishte tejet i ulët, krahasuar me Perëndimin e zhvilluar.

   Por ishte Ten Hsiao Pin, ai që nga vitet ‚80 të shekullit të kaluar u propozoi perëndimorëve që ata të investonin dhe prodhonin në Kinë, ku rrogat ishin aq të ulta!

       Dhe duket se udhëheqësi kinez e kishte ngritur me kujdes kurthin e tij. Firmat perëndimore u sulën atëhere të gjitha drejt Kinës, ku kosto e prodhimit u dilte tejet e ulët, në krahasim me vendet e tyre, ku detyroheshin të mirëpaguanin punëtorët e tyre. Dhe kështu që nga maja e gjilpërës dhe deri te prodhimi i autoveturave dhe avionëve, gjithçka filloi të prodhohej në Kinë, që u cilësua atëhere si „punishtja e botës“!

        Marka të famshme perëndimore, ngandonjëherë deri 200 vjeçare, ruajtën atëhere vetëm emrin dhe famën e tyre. Se malli tashmë mbante siglën „Made in China“. Aq sa edhe firma e njohur ameriakne “Apple”, smartphonët e saj i prodhon thuajse 100 për qind në Kinë.

         Por kinezët nuk u mjaftuan me kaq. Në të njëjtën kohë ata kopjuan dhe vodhën teknologjinë perëndimore dhe filluan të ngrinin uzinat dhe fabrikat e tyre. Kështu që  nëse në Kinë „Apple“ prodhonte telefonin inteligjent « I-phone“ në Kinë filluan të prodhoheshin njëkohësisht edhe „Huawei“, „Xiaomi“, „Vivo“ apo „Oppo“.

        Dhe po ashtu nëse „Benz-Mercedes“ filloi të prodhohet në Kinë, po atje nën kujdesin e qeverisë së Pekinit, u ngritën disa uzina të prodhimit të automjeteve me teknologjinë e kopjuar gjermane. Dhe e njëjta gjë ngjau në të gjitha degët dhe sektorët e ekonomisë që u transferuan nga Perëndimi drejt Kinës.

       Si pasojë u shtua edhe konkurrenca. Miliarderët dhe oligarkët perëndimorë bënë vërtet miliarda gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit, duke i prodhuar mallrat e tyre në Kinë dhe duke i shitur në Perëndim! Por tani duket se ka ardhur koha që të ngjasë ajo që populli ynë e ka përdorur si shprehje:“Vill o shtrig ç’ke ngrënë“!

      Bota dhe Perëndimi po tmerrohet sot nga konkurrenca e mallrave kineze. Duke filluar nga tekstilet, makineritë dhe deri te high-tech. Saqë tani po flitet haptazi për rivënien e masave doganore ndaj prodhimeve kineze, shpesh here të subvencionuara edhe nga shteti, me synim rrënimin dhe falimentimin e konkurrencës së mallrave perëndimore.

       Një praktikë e tillë është vënë kohët e fundit re sidomos në fushën e prodhimit të automobilave. Aq e fortë është konkurrenca e veturave elektrike kineze saqë Amerika e Biden vendosi vetëm pak kohë më parë një taksë doganore prej 100 për qind për veturat e importuara nga Kina! Ndërsa Europa, pas diskutimesh të pafundme, mezi e çoi këtë taksë në 35 për qind, duke filluar nga sot 1 nëntor!

      Po le të kthehemi te rasti gjerman i “Volkswagen”-it që dëshmon më së miri sesi globalizmi dhe ekologjia po e fundosin Europën. Marka e famshme gjermane që prodhon jo vetëm « Golf »-in, por edhe „Bugati“-n, „Audi”-n,”Posche”, “Lamborghini”, “Seat”, “Skoda” etj ndeshet sot me një problem të madh: atë të mbiprodhimit. Pra ajo prodhon më shumë autovetura sesa mund të shesë!

      Por nuk është vetëm kjo arsyeja. Firma gjermane nuk i shet dot më automjetet e saj si përpara pasi tregu është përmbytur tashmë nga autoveturat kineze më të lira dhe më moderne! Edhe blerja e makinave të reja ka pësuar ulje të ndjeshme në Europë këto vitet e fundit.

         Kështu psh  ndërsa gjatë viteve 2014 deri më 2019 çdo vit shiteshin më shumë se 15 milionë automjete, ky numër ka rënë në 12 milionë këto 5 vitet e fundit. Tre milionë vetura më pak janë baraz me prodhimin vjetor të 10 uzinave që duhet të mbyllen ! Dhe tre uzinat që janë caktuar të mbyllen në Gjermani do i sjellin firmës një kursim vjetor prej 4 miliardë eurosh. Por do të krijojnë njëkohësisht edhe mijëra të papunë të tjerë. Por edhe ata punëtorë që do mbeten duhet të pranojnë një ulje pagash deri në 10 për qind!  

         Vetë Komisioni European, duke u ndeshur me konkurrencën kineze arriti në përfundimin  se makinat elektrike kineze që përbëjnë sot 8% të tregut evropian, krahasuar me 1% në vitin 2019, mund të arrijnë në 15% në vitin 2025. Komisioni pohon po ashtu se çmimet e makinave elektrike kineze janë zakonisht 20% më të ulëta se ato të makinave elektrike evropiane.

      Kjo rënie e shitjeve ngjau edhe sepse Kina punoi me “qitje të largët ». Që afro 2 dekada më parë ajo e vuri theksin te prodhimi i autoveturave elektrike. Se ajo e kuptoi se në këtë drejtim kishte avantazhe të mëdha krahasuar me Perëndimin. Dhe ky avantazh, përparësi, nuk ishte vetëm krahu i lirë i punës, por edhe materialet që duhen përdorur për prodhimin e këtyre automjeteve elektrike. Kryesisht ato të prodhimit të baterive elektrike të përbëra nga litiumi, kobalti dhe minerale të tjera që janë të rralla në Europë.

      Dhe ajo arriti gjithashtu t’i bindë shoqëritë europiane se duhet kaluar doemos dhe sa më shpejt që të jetë e mundur nga prodhimi i veturave me djegie të brendshme, benzinë dhe naftë, në ato elektrike, që e mbrokan më mirë ambientin !

       Por nuk është vetëm « Volkswagen“ dhe Gjermania që po vuan sot nga konkurrenca kineze. Edhe trusti tjetër i prodhimit të veturave, « Stellantis » ankohet se shitja e markave të saj « Chrysler », « Jeep », « Citroën », « Opel », « Peugeot », « Alfa Romeo », « Fiat » etj po shet tani 25 përqind më pak automjet se 2 – 3 vite më parë !

     Çudia është se Perëndimi po vret veten me duart e tij . Shembulli i uzinës « Fiat » që duhej të ndërtonte në jug të Italisë një uzinë të re është shumë domethënës. Aty ishte parashikuar të prodhohej vetura me benzinë « Panda ». Por ajo është bllokuar nga frika se Bashkimi Europian mund t’i vendosë një gjobë marramëndëse « Fiat »-it nëse ai prodhon këto vetura që ndotin ambientin ! Ndërkohë që shitjet e veturës elektrike « Fiat 500-e » që prodhohet në Torino kanë mbetur në vend, se nuk i blen kush !

      Vetë « Volkswagen » do të paguajë një gjobë prej 8 miliardë eurosh vitin e ardhshëm për ndotje të supozuar të ambientit si pasojë e vazhdimit të prodhimit të makinave diezel dhe benzinë !

      Por përveç mbylljes së tri uzinave në Gjermani, « Volkswagen » ka vendosur të mbyllë tani edhe filialin e saj të prodhimit të veturave luksoze « Audi » në Bruksel. Në këtë filial prodhohen modelet “Q8” dhe “Sportback”. Dhe sikur të mos ketë nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara, « Volkswagen » njoftoi me këtë rast se do ta zhvendosë prodhimin e « Q8 » dhe modeve pasuese në Meksikë ! Si pasojë mbyllja e kësaj fabrike në Bruksel do të lëjë pa të ardhura më shumë se 3 000 familje.

       Duke analizuar pasojat e rënies së industrisë së automobilit në Europë, agjencia kroate e lajmeve « Hina » jep edhe një pasqyrë të historisë së kësaj dege të industrisë europiane që kur është krijuar.

       Ajo kujton se si MG (Morris Garages), e themeluar në vitin 1924 në një fabrikë britanike, është kthyer tash në një pronë të  kompanisë kineze SAIC Motor Corporation.

“Forthing”, një markë tjetër, që nga viti 2001 po përparon brenda « Dongfeng Motors », një nga kompanitë më të mëdha kineze të makinave. Hina vëren se disa nga modelet e këtij prodhuesi ngjajnë si dy pika ujë me disa automjete të klasit të parë evropian !

        Geely, gjithashtu, u themelua në vitin 1986, duke prodhuar fillimisht motoçikleta dhe frigoriferë, dhe hyri në industrinë e automobilave në 1997. Në vitin 2010 me ndihmën e qeverisë kineze bleu Volvo-n, dhe shtatë vjet më vonë edhe Lotus-in. Tani ajo konkurron rëndshëm prodhuesit evropianë të makinave me histori shekullore.

      Por ekzistojnë gjithashtu edhe BYD, XPeng, Dongfeng, Link&Co që po rivalizojnë fuqishëm në çmim dhe ofertë me automjetet perëndimore.

        Prandaj ekspertët perëndimorë janë sot tejet të shqetësuar. Askush prej tyre  nuk e di se çfarë rezervon  e ardhmja. Por ekziston frika e bazuar se Evropa mund të mbetet pa disa nga prodhuesit e saj të automjeteve vitet e ardhshme. Thjesht si pasojë e konkurrencës kineze. E njëjta frikë ekiston sot edhe në Amerikë. Prandaj edhe taksa 100 për qind.

“Nëse prodhuesit kinezë arrijnë të zotërojnë dhjetë për qind të tregut të automjeteve në Evropë, kjo do të thotë 1.5 milionë makina. Kaq janë montuar në shtatë fabrikat tona”, kumtoi  për gazetën franceze të biznesit „Les Échos“, padroni i „Stellantis“, Tavares. Ai pohoi po ashtu se me një ritëm të tillë të konkurrencës kineze, prodhuesit evropianë do të duhet të mbyllin fabrikat ose t’ia dorëzojnë ato vetë kinezëve.

     Çuditërisht Gjermania mbetet kundër vendosjes së taksave ndaj prodhimeve kineze. Se edhe ajo si dhe Kina e kanë mbështetur ekonominë e tyre te eksporti. Prandaj kur Bashkimi Europian vendosi rritjen e taksave doganore ndaj eksporteve kineze, Gjermania votoi kundër!

        Gjermania, Hungaria, Malta, Sllovakia dhe Sllovenia, të cilat së bashku përfaqësojnë 22.65 për qind të popullsisë së Unionit, ishin kundër vendosjes së re të detyrimeve doganore për importin e automjeteve kineze, gjë që megjithatë nuk mjaftoi për të refuzuar propozimin e Brukselit. Një shumicë e cilësuar e 15 anëtarëve, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë, do të duhej të votonte kundër, që kjo masë të hidhej poshtë.

       Pyetja tani është: Mos është kujtuar disi me vonesë sot Perëndimi për të mbrojtur prodhimin, teknologjinë dhe vendet e tij të punës përballë kollosit gllabërues kinez?! Dhe ndryshe a fituan popujt e Europës nga globalizmi apo humbën?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment