(Temë sociale)
Njerëzimi gjatë gjithë historisë së tij ka kërkuar të jetojë në një shoqëri të drejtë e të pastër, ku veset dhe njerëzit e këqinj të mos gjejnë vend. Dhe për këtë shkak ka krijuar edhe ligje që kanë shërbyer gjithmonë si një vegë, instrument, për të vënë një farë ballance ndërmjet të dobtëve dhe fuqishmëve, midis së pasurve dhe të varfërve, midis së drejtëve dhe të ligjve etj etj
Ligjet e para në këtë drejtim janë hartuar nga Hamurabi, perandori i Mesopotamisë antike. (Viti 2 000 deri 1600 para erës sonë). Ato njihen si Kodi (kushtetuta) e Hamurabit që përfshinte 182 ligje dhe nene. Por ato kanë vazhduar edhe më pas duke u « gdhendur » në librat që konsiderohen si të shenjtë si Bibla, Torah, Kurani etj. etj.
Po ashtu në 10 Urdhëresat e Biblës u kërkohet njerëzve të jenë të përkorë, të mos vjedhin, të mos vrasin, të mos jenë ziliqarë e të tjera. Për një shoqëri të drejtë dhe të pastër ka « luftuar » edhe komunizmi me dëshirën e tij të parealizueshme të krijimit të « Njeriut të ri » !
Por siç ndodh shpesh në histori, një ide e mirë, kur çohet në ekstrem apo edhe kur bie në dorë të demagogëve apo përfituesve shkakton shpesh herë më shumë të këqija se të mira.
Shembulli më i fundit, sipas mendimit tim, është ekologjia politike. Ruajtja e ambientit, pasja e një uji të kulluar dhe e një ajri të pastër, mbrojtja e faunës dhe florës etj në tokë dhe në oqeane – kanë qënë dhe mbeten ide gjeniale dhe tejet reale dhe dobiprurëse. Por që kur ranë në dorën e ekologjistëve politikë, këto ide u kthyen në një lloj kamzhiku kundër mbarë njerëzve. Duke i bërë ata përgjegjës si për ngrohjen e ambientit por pothuajse dhe për të gjitha të këqijat mbi Tokë!
Dhe kështu një lëvizje progresiste u kthye në një lëvizje regresive. Aq u pështirosën njerëzit nga kjo teori dhe këto akuza saqë partitë ekologjike, pas një suksesi të para disa viteve, po njohin tashmë rënie katastrofale. Kështu pra ngjan kur i kalon kufijtë e të arsyeshmes dhe llogjikës.
Por ka edhe më keq. Dhe ky është rasti i teorisë eugeniste. Teori që e ka marrë emrin nga shkencëtari britanik, Francis Galton, ( 1822 – 1911).
Eksplorues, gjeograf i talentuar, meteorolog, biologjist etj. Sir Francis Galton, njihet si themeluesi i kësaj shkence që në vitin 1883. Eugenizmi i tij bazohet në teorinë e trashëgimisë dhe lindjeve. Teoria e Galtonit është në fakt një program i seleksionimit artificial për të prodhuar një racë njerëzore superiore. Një lloj SuperNjeriu i dëshiruar dhe ëndërruar edhe nga filozofi gjerman Friedrich Nietzsche (Niçe).
Në vitin 1904, në Londër, Galton prezantoi idetë e tij para një turme të madhe mjekësh dhe shkencëtarësh. Fjalimi i tij, i shpërndarë gjerësisht, do të shërbente më pas si pikënisje për lëvizjet eugjenike amerikane dhe evropiane, të do të përhapen dhe forcohen gjërësisht në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.
“Eugenizmi ose vetëdrejtimi i evolucionit njerëzor”: kjo ishte edhe logo e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar të Eugjenikës mbajtur në vitin 1921, që e përshkruante këtë teori si një lloj peme, trungu i së cilës është krijuar nga fusha të ndryshme të njohurive të njerëzimit.
Megjithëse zyrtarisht shkenca eugjenike lindi në vitin 1860, ideja për të pasur pasardhës të denjë dhe si pasojë edhe një komb të fuqishëm, daton të paktën që në antikitet. Në „Republikën“ e tij Platoni psh pohon se në një shtet ideal të ëndërruar prej tij, (Kalipolis), elita e shoqërisë duhet të riprodhohet vetëm midis vetes, në mënyrë që të ruajë cilësitë e saj!
Një ide kjo e debatueshme kur dihet mirë se shumë shkencëtarë, fillozofë, dijetarë, sipërmarrës të sukseshëm, burra shteti të njohur – kanë rrjedhur prej familjesh fare të thjeshta.
Por njihet psh edhe praktika e spartanëve të famshëm që i „seleksiononin“ bebet e sapolindura, duke i lënë tri ditë e netë mbi një pllakë guri. Më të dobëtit vdisnin, ndërsa ata që do mbeteshin gjallë do të mbushnin rradhët e ushtrisë së fortë spartane. 300 spartanët!
Në fakt vetë etimologjia e fjalës “eugenizëm” rrjedh nga greqishtja e lashtë: eu (“mirë”) dhe gennaô (“lind”), që fjalë për fjalë do të thotë “i mirëlindur”. Ky neologjizëm u përdor për herë të parë në vitin 1883, siç thamë, nga britaniku Francis Galton, i cili jo më kot ishte edhe kushuri i Çarls Darvinit! Dhe jo rastësisht Darvinizmi i ka dhënë krahë kësaj teorie, e cila është cilësuar edhe si „darvinizëm social“.
SIpas saj meritojnë të jetojnë veçse më të shëndetshmit nga ana fizike dhe mendore, më të aftët dhe më të zotët!
Por kjo teori nuk ndalet vetëm te individi, por merret edhe me racat. Sipas eugenizmit ekzistojnë si tipa të aftë por po aq edhe të paaftë, si gjallojnë po ashtu edhe raca të përparuara dhe të prapambetura. Këtu e gjen bazën e tij edhe shqetësimi i Francis Galtonit për përmirësimin e species njerëzore.
Në fund të viteve 1850, nga leximi i « Origjinës së Llojeve » të kushëririt të tij Çarls Darwin, Galton e përforcoi edhe më tepër bindjen e tij evolucioniste, raciste dhe seleksioniste se edhe në shoqërinë njerëzore meritojnë të jetojnë më të aftët dhe më të zotët, pikërisht ata ata që i përshtaten edhe më mirë ambientit.
Aq sa në vitin 1869, në Hereditary Genius, pas një studimi kushtuar gjenialitetit të burrave të mëdhenj britanikë, ai arriti në përfundimin se ky gjenialitet është edhe i trashëguar. Pikërisht me këtë rast atij i lindi edhe bindja mbi nevojën dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së prejardhjes së njerëzve të mëdhenj të kombit, nëpërmjet një organizimi racional të martesave, një disiplinë që ai e emërtoi si “virikulturë”.
Ndërsa në vitin 1883, Galton, boton edhe hulumtimet e tij mbi aftësitë njerëzore dhe zhvillimin e tyre: me anë të shkencës së përmirësimit të linjave të gjakut, nëpërmjet së cilave ai synonte të vinte në jetë edhe tek qeniet njerëzore praktikën e mbarështimit të kafshëve.
Pas vitit 1860 në këtë lëmë të re dhanë kontributin e tyre edhe figura të tjera të njohura të botës shkencore, të cilat hodhën edhe bazat racionale të eugenizmit.
Spencer promovoi me këtë rast të ashtuquajturin Darvinizëm social, duke e aplikuar teorinë e seleksionimit natyror edhe në shoqërinë njerëzore. Ndryshe vepra e shkencëtarit Gregor Mendel mbi trashëgiminë ndihmoi edhe ajo në hedhjen e themeleve të gjenetikës.
Nga ana tjetër, urbanizimi dhe proletarizimi i ndjeshëm i revolucionit industrial pati si pasojë edhe rritjen e sëmundjeve infektive, varfërinë, kriminalitetin, alkoolizmin, etj. Aq sa në Amerikën e viteve 1920 qeveria nxorri edhe ligjin e prohibicionizmit (ndalimit të pijeve alkolike për shtresat e paqytetëruara). Filmi me Kevin Kostner është shumë domethënës rreth gjendjes së lumpen-proletariatit në atë kohë në Amerikë !
Ndërkohë nocioni i degjenerimit ndër masat e „ulëta“ merr një dimension të ri me botimin në vitin 1857 të Traktatit të Morelit mbi Degjenerimin njerëzor. Kështu psh, për shkak të trashëgimisë së sëmundjeve mendore, sipas tij, kërcënohet jo vetëm familja apo shoqëria, por mbarë raca !
E gjithë kjo teori, siç vetkuptohet, e ka zanafillën në veprën e Çarls Darvinit, (1809 – 1882), i cili në vitin 1862 dha përkufizimin e tij të seleksionimit natyror në veprën e tij „Mbi origjinën e specieve“. Aty ai shkroi se “Njerëzit janë të pabarabartë nga natyra. Kjo është edhe pika nga e cila duhet të fillojmë”. Po ashtu filozofi anglez Herbert Spencer (1820-1903) e cilësoi përzgjedhjen natyrore si “përzgjedhja e më të fortit”.
Këto ide si dhe teoria e eugenizmit patën pasoja negative deri në mesin e shekullit të kaluar. I frymëzuar nga këto ide që qarkullonin sa në Evropë aq dhe në Shtetet e Bashkuara, Hitleri përpunoi një ideologji eugeniste radikale, raciste dhe supremaciste rreth racës “sunduese” ariane!
Përmirësimi i racës gjermane ndër të tjera nënkuptonte, sipas tij, edhe eliminimin e qenieve dhe popujve inferiorë, ku ai radhiste çifutët, ciganët, sllavët, homoseksualët dhe të paaftët fizikisht dhe mendërisht.
Më 14 korrik 1933, ai miratoi edhe një ligj për sterilizimin e detyruar të çdo personi që konsiderohej se vuante nga një sëmundje gjenetike të trashëgueshme. Ndërsa në vitin 1936 ai lançoi Lebensborn-in, një program që synonte të inkurajonte lindjen e sa më shumë fëmijëve arianë!
Dhe si rrjedhojë e drejtpërdrejt e gërshetimit të eugenizmit me racizmin, pasojat qenë tejet tragjike për popujt e Europës: me miliona të internuar në kampet e përqendrimit dhe miliona të tjerë të eleminuar në dhomat e gazit.
Prandaj pas Luftës së Dytë Botërore “shkenca” e eugenizmit u ndalua dhe hoq nga qarkullimi.
Por eugenizmi duket se po rimerr jetë përsëri këto vitet e fundit. Sidomos tani që njerëzit në Perëndim po ankohen gjithmonë e më shumë nga rritja e pandalshme e kriminalitetit dhe pasigurisë në vendet e tyre. Si pasoja ata po kërkojnë më shumë autoritarizëm nga shteti ndaj banditëve, kriminelëve dhe drogmenëve. Si dhe ndaj pedofilëve apo mbartësve të deviacioneve të tjera.
Madje edhe eugenisti i njohur, Alexis Carrel, (Njeriu – ky i panjohur) duke bërë thirrje për një shoqëri “të pastër” ka kërkuar edhe eleminimin fizik të familjeve dhe individëve kriminogjenë, pedofilëve dhe vrasësve dhe deri edhe të politikanëve të lartê që i kanë tradhtuar rëndshëm premtimet e tyre para zgjedhësve!
Por eugenizmi i sotëm po merr forma më të sofistikuara dhe më moderne sesa ai racist i fillim shekullit të kaluar. Një formë e fundit dhe bashkëkohore e eugenizmit është edhe ajo e përkrahur nga pronari i Tesla-s, i SpaceX, i Neuralink, Pay Pal, Grok etj, Elon Musk dhe e njohur si Transhumanizmi, që mund të cilësohet pa frikë edhe si një lloj neo-eugenizmi.
Sipas saj statusi social i mbarë njerëzimit apo edhe i individëve të veçantë mund të përmirësohet nëpërmjet “gërshetimit” apo lidhjes së makinave me Njeriun, duke krijuar një lloj Cyborgu apo Mbinjeriu. (Cyborg- një qenie njerëzore aftësitë e të cilit janë shumëfishuar falë instalimit apo lidhjes së tij me module elektronike).
Mbështetësit më të mëdhenj të transhumanizmit i gjejmë sot edhe ndër gjigandët dhe gjenitë e “Silicon Walley”, siç janë psh Larry Page et Sergey Brin (themelues të Google), vetë Elon Musk apo edhe Jeff Bezo i Amazon etj.
Ndërkohë disa “guru” të tjerë të fanta-shkencës flasin dhe parashikojnë një luftë të ashpër për supermaci edhe ndërmjet Njeriut dhe Inteligjencës Artificiale.
Ndryshe një ndër tezat e mbrojtura nga transhumanistët sot është edhe ajo që Perëndimi, ( kupto raca e bardhë ), duhet të lindë sa më shumë fëmijë që të mos zhduket, nëpërkëmbet apo zëvendësohet nga racat e tjera. Vetë Elon Musk është sot babai i 12 fëmijëve!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment