Pyetja tmerruese: „Si e ke vënë gjithë këtë pasuri?!“

       Arrestimi i ish-presidentit, i ish-kryeministrit, i ish -kryeparlamentarit, Ilir Meta, ka shkaktuar një stuhi të tërë në studiot dhe talk-shoet politike në televizionet shqiptare.

     Analistë të njohur dhe të thirrur mbrëmje pas mbrëmjeje në këto emisione politike,  janë bërë si të marrosur nga kjo ngjarje! Sidomos ata që njihen si analistë pranë opozitës.

     Është e çuditshme dhe e pakuptueshme se askush nuk merret me thelbin e problemit, por i kalojnë atij anash dhe ankohen se po shkelet demokracia, po shtypet opozita, po vendoset diktatura dhe marrina të tjera të këtij lloji!

     Nuk jam i sigurt nëse këtu kemi të bëjmë me mungesën e një pune „sqaruese“ nga SPAK apo me spekullime dhe hedhje bombash tymosëse nga këta të ashtuquajtur analistë, për të errësuar të vërtetën.

      Ilir Meta është marrë nën hetim, në mos gaboj, për korrupsion të nivelit të lartë, për mitmarrje, për pasuri dhe para të pajustifikuara etj.

      Atëhere këtu duhet të përqëndrohet edhe debati. Përse e spostojnë, përse hidhen nga një degë te tjetra, përse e anashkalojnë me parulla se „është arrestuar kryetari i partisë opozitare, ish -drejtuesi më i lartë i shtetit?! Se demokracia po jep shpirt në këtë vend. Po vendoset diktatura“ etj etj?!

     Të merresh me këto çështje në vend të problemit kryesor – kjo është më së paku poshtërsi. Që do të thotë se edhe këta lloj gazetarësh apo analistësh janë të përlyer në këtë uturak !

     Se dihet se shumica prej tyre, njëlloj si dhe shumica e politikanëve, kanë vënë pasuri përrallore gjatë këtyre viteve anarshije dhe grabitjeje. Arrestimi i Metës, duket se jo vetëm se do u heqë atyre disa llokma të mëdha nga goja, por ndofta po i tremb, se një fat të tillë mund t’i presë edhe ata, sapo SPAK të mbarojë punë me « peshqit e mëdhenj » !

             Sepse është shumë e vështirë të bëhesh me toka disa hektarëshe, me hotele, me apartamente dhe vila ngado, veçse me rrogën si analist, politikan apo gazetar ! Prandaj ndjehet edhe ky lloj tërbimi në këto studio.

       Dhe marrëzia shkon deri aty, sa që në vend të merren me të vërtetën, pra nëse Meta është pasuruar apo jo në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e tij, këta ronxho bonxho ngrejnë zërin dhe pyesin : „Po Veliajn pse nuk e arreston SPAK. Po Edi Ramën ?! Po këtë apo atë“ ?! Një pohim ky se vjedhin të gjithë.

      SPAK deri tani po bën një punë krejt të pa parashikueshme dhe të pa shpresuar deri disa pak vite më parë. Ai po arreston dhe po akuzon pa dallim sa nga e majta, aq edhe nga e djathta. Saqë të gjithë politikanët si dhe zyrtarët e lartë kanë filluar të dridhen se mos një ditë u vjen rradha edhe atyre.

      Dhe prandaj e akuzojnë SPAK-un se po punon në mbështetje të interesave të Ramës etj etj. Se nuk guxojnë të thonë të vërtetën : Se SPAK është krijim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe se po të ishte për Edi Ramën, Sali Berishën, apo Ilir Metën ai nuk do të kishte ekzistuar kurrë.

       Dhe kush ka thënë se nesër SPAK nuk do t’i hapë dosje edhe Ramës, edhe Veliajt dhe kompani?!  Se sot në Shqipëri zor se gjen njeri të papërlyer. Sidomos nga kasta « e vilave » ! Si i kanë vënë ata këto pasuri ?!

       Kur edhe në Perëndimin e pasur njerëzve të thjeshtë u duhet një jetë e tërë që të blejnë një apartament me rrogën e tyre. Ndërsa në Shqipëri me pak vjet “punë” si politikan, deputet apo edhe analist i njohur, e ke të siguruar pasurinë  edhe për brezat që vijnë !

      Kjo ngjan me atë shprehjen e mjekëve të onkologjikut se : « me pesë operacione kap Maldivet » ! Atëhere pyetja shtrohet : Si u bënë këta njerëz kaq të pasur ?!

       Përgjigja është e thjeshtë : Duke shitur vendin e tyre, Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Është e vërtetë se kur dolëm nga komunizmi, shumica ishte copa copa, saqë nuk kishte ku t’i kapte as edhe qeni. Por Shqipëria vetë ishte tejet e pasur. Me pasuri të pamata tokësore dhe nëntokësore, me rezerva dhe pajisje ushtarake, sikur të ishte Gjermania ! Me naftë, krom, bakër, me lëndë drusore, me burime ujore etj etj. Të gjitha këto pasuri që i takonin një populli të tërë, pra ishin publike apo shtetërore, u shitën apo u privatizuan në disa duar. Ndër ato duar që ishin afër pushtetit të kohës së anarshisë, pra ose afër PS-së, os afër PD-së.

      Shpesh here politikanët, meqë nuk I fusnin dot vetë duart e tyre në këtë pasuri, ngarkonin të tjerë, njerëz të besuar të tyre. Të cilëve u jepnin të drejtën të shfrytëzonin apo të përfitonin nga ky apo ai ankand, nga kjo apo ajo pronë e privatizuar !  Si psh ngjyrosja e hidrokarbureve apo edhe sterilizimi I pajisjeve mjekësore, që binin papritur në dorën e ndonjë sportelisti hotelesh!

       Dhe duke qënë se ata vetë, pra sipërmarrësit ish zhele zhele, nuk kishin asnjë lek mënjanë, politikanët u siguronin hua nga bankat. Pra ishte një zinxhir i mirëvajisur. Politikani kishte në dorë firmën. Ai caktonte një bedel që do të administronte apo përfitonte nga pasuria e ofruar. Për të nisur „aktivitetin“ ai do ndihmohej nga një aksh bankë private apo shtetërore, që kishte nevojë për përkrahjen e këtij politikani. Këtu edhe qarku mbyllej. Dhe në përfundim fitimi ndërmjet bedelit dhe politikanit ndahej përgjysëm.

      Këtu te ky model korrupsioni e kanë bazën edhe kërkesat e Ilir Metës drejtuar iksit apo ipsilonit, bërë të ditura nga media, se „më duhen 200 000 euro menjëherë“!

      A nuk duhet të bazoheshin pikërisht në këto praktika analistët dhe gazetarët shqiptarë që sot janë bërë pikë e vrer pas arrestimit të Metës?! A nuk duhej përqëndruar debati i tyre në një pikë të vetme: sa i pasur është Ilir Meta? Dhe si e ka krijuar gjithë këtë pasuri?! Mos vallë Meta, Berisha apo Rama janë „padrinot“ e tyre, prandaj ata nuk guxojnë „t’i hapin petët lakrorit“?!

     Se këtu rreh edhe çekani. Ti ke vilë në gjirin e Lalzit, ke apartament në Tiranë, ke shtëpi pushimi në rivierën e jugut?! Si e krijove gjithë këtë pasuri të patundshme marramëndëse?! Po sikur tu dalin edhe paratë e depozituara në bankat off-shore, apo në ato të Qipros, Luksemburgut, Austrisë etj etj?

     Llogaria është e thjeshtë: „gjatë këtyre 32 vjetëve që je marrë me politikë ke fituar kaq para, së bashku me bashkëshorten tënde. Por je në zotërim të një pasurie që e kalon së paku dhjetëfish shumën e përfituar nga paga! Ku i ke gjetur paratë e tjera“?!

      Kështu veprohet edhe me çdo kriminel të zakonshëm, të cilit i gjejnë miliona në shtëpi! Përse të ketë përjashtim për ata që e kanë shkatërruar me themel, grabitur dhe shitur këtë vend?!

     Këtu duhet të ishin ndalur dhe këtu duhet të ndalen edhe opininistët vendas. Dhe jo se e kapi prej xhakete apo prej veshi! Se ky është më hajdut se ai, etj etj. Se me sa duket të gjithëve do u vika rradha.

      Dihet se mediat dhe politikanët kanë 30 vjet që po u hedhin hi syve njerëzve. Që po i trullosin me lloj lloj marifetesh dhe poshtërsish. Vetëm e vetëm që ata të “gjuajnë” në mjegull dhe të pasurohen pa fund. Dhe ndofta tani po u vjen koha të japin llogari.

        “Si e ke vënë gjithë këtë pasuri ?! » Kjo është një pyetje tmerruese për shumicën e oligarkëve dhe pasunarëve vendas. Përgjigja normale duhet të jetë : « Me korrupsion, ose me krim ». Se shumë pak e kanë vënë me veprimtari të ligjshme.

     « Vill o shtrig, ç’ke ngrënë” – thotë një fjalë e urtë shqiptare. Ndërsa bota përmend “karmën”. Pra që një ditë ti apo pasardhësit e tu do t’i lajnë të gjitha. Do i zërë kusuri i krimeve dhe vjedhjeve që kanë kryer.    

        Po pikërisht këtë, se mund të jipnin llogari një ditë, këta politikanë dhe analistë duket se nuk e kishin imagjinuar kurrë.  Veçse kështu mund të spjegohet edhe tërbimi i tyre.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment