Si të gjithë shtetasit e Shqipërisë as unë nuk e di nëse Meta është fajtor për korrupsion dhe deri në çfarë shkalle. Por kam bindjen se nuk është pa gjë. Pasi korrupsioni, bakshishi, mitmarrja etj janë aq të përhapura në vend saqë është tejet e vështirë të gjesh një nëpunës të administratës, një polic, një mjek etj që të mos jetë përzier në këtë vorbull. Lëre më një ish – kryeministër, një ish president që ka aq shumë në dorë!
Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për Ilir Metën, por edhe për Fatos Nanon, Sali Berishën apo Edi Ramën.
I shkruaj me trishtim këto rreshta sepse është vërtet e dhimbshme të mendosh se ata që populli i ka zgjedhur me mirëbesim të drejtojnë shtetin, të kujdesen për qytetarët e këtij vendi si dhe për mbrothësinë e Atdheut, mendojnë veçse për xhepin e tyre. Se si të pasurohen, si të fusin duart në xhepat e të tjerëve apo edhe në arkën e shtetit !
Megjithatë akuzat e mija të pavërtetuara janë shumë më pak se akuzat që Berisha- Meta- Rama i kanë përplasur në fytyrë njëri – tjetrit. Sali Berisha psh e ka akuzuar Ilir Metën as më shumë dhe as më pak por si vjedhës i floririt të Krrabës! Ose ndryshe i thesarit të shtetit! Etj etj.
Hajdutë të rëndomtë që u erri shikimin pasuria, florinjtë, dhe nuk panë dhe as menduan për këtë popull dhe për këtë vend. Ata e kuptuan dhe e përdorën demokracinë si një mjet pasurimi vetjak dhe familjar. Kaq ishte kapaciteti i tyre mendor. Kaq ishte morali i tyre. Kaq ishte formimi i tyre intelektual.
Ndofta në këtë sjellje ka luajtur rol edhe formimi komunist i atyre vetë ose i prindërve të tyre. Ne, që tani përbëjmë brezin e vjetër, e dimë mirë sesi në kohën e komunizmit thuhej se në kapitalizëm njeriu për njeriun është ujk. Se në kapitalizëm mbizotëron degjenerimi, shfrytëzimi i Njeriut nga Njeriu. Se aty kush vjedh një copë bukë futet në burg dhe kush vjedh hekurudhën emërohet senator! E të tjera.
Dhe ndofta ky formim bëri që sapo u përmbys sistemi diktatorial të filloi vjedhja, shkatërrimi, përvetësimi, grabitja dhe shitja e gjithçkaje që ishte ndërtuar me aq mundim, me aq djersë dhe gjak gjatë 45 viteve të sistemit të kaluar.
Bakshishi, si forma më e natyrshme dhe më e vogël e korrupsionit, u kthye në normë në çdo zyrë të shtetit. Saqë pa dhënë para nën dorë nuk mund të zgjedhje asnjë hall. Ehhe kur ishe 100 për qind në të drejtën tënde.
Më kujtohet se para disa vitesh një mjek, mjek i thënçin, deklaroi pa pikë turpi para kamerave, se nëqoftëse nuk na japin bakshish, ne, mjekët, e braktisim që nesër këtë profesion! Dhe çudia më e madhe është se këtë mjek nuk e gjeti asgjë?! Askush nuk u morr me të. Në një kohë kur ky pohim ishte provë e qartë e korrupsionit të tij personal! Aq e zakonshme u duk kjo deklaratë saqë asnjë prokuror nuk hapi dosje ndaj tij!
Por jo. Korrupsioni dhe kapitalizmi për mendimin tim nuk janë sinonime. Provoje t’i japësh bakshish një polici në Danimarkë dhe e shikon se ku përfundon. Fatmirësisht duket se edhe në Shqipëri po ka disa raste kur policët apo zyrtarët e administratës sot nuk pranojnë më bakshish!
Korrupsioni nuk ka të bëjë aq me sistemin sesa me formimin dhe karakterin e njerëzve. Demokracia është një sistem për njerëz me formim të lartë, me karakter dhe virtyte. Prandaj ajo ka dhënë rezultate të shkëlqyera atje ku niveli dhe formimi intelektual dhe njerëzor është i lartë dhe rezultate katastrofike atje ku njerëzit kanë një nivel të ulët formimi intelektual dhe qytetar.
Por nuk mund të mohohet se paraja, siç thuhet, e prish njeriun. Dhe aty ku qarkullon para e madhe, edhe rreziku i përhapjes së korrupsionit është i lartë. Sidomos kur nuk ka as edhe institucione kontrolluese.
Megjithatë bota njeh edhe shembuj kur patriotë apo intelektualë të shquar kanë shkrirë pasurinë e tyre për Atdheun. Këtu nuk bëhet fjalë veç për ndershmërinë e tyre, por edhe për ndërgjegjen e lartë vetjake. Pasi ata nuk mund ta kuptonin apo ta merrnin me mend sesi mund të vidhet arka e shtetit, sesi mund të grabiten njerëzit e thjeshtë, që mezi siguronin bukën e gojës. Jo. Ata pasurinë që tyre e kanë përdorur për motive dhe synime fisnike.
Shumë veta kanë dëgjuar për shembull për fondacionin filantropik Carnegji. Carnegie ka qënë një njeri tejet i pasur që e la me trashëgimi që paratë e tij të përdoreshin veçse për të ndihmuar shoqërinë e vendit të tij. Dhe prandaj ai nuk u la gjë as fëmijëve. Për të cilët u shpreh se edhe ata duhet ta nxjerrin bukën me aftësitë e tyre mendore apo fizike. Po i tillë është edhe rasti i filantropit Alfred Nobel, i cili njihet në mbarë botën për çmimet që shpërndahen çdo vit në fushat e e shkencës, letërsisë, ekonomisë dhe arsimit. Çmime që shoqërohen edhe me një çek prej afro 1 milionë eurosh për fituesin.
Edhe historia jonë kombëtare njeh disa raste të rilindasve tanë të shquar që kanë dhënë pasurinë e tyre kombëtare për „zgjimin“ e kombit shqiptar nga injoranca dhe shtypja.
Është i njohur po ashtu rasti i Qemal Ataturkut, të cilit kur vdiq i gjetën në xhep vetëm një mexhide me vlerë 20 franga ari. Dhe asnjë lloj pasurie tjetër.
Keq është ta përmendësh, por është një fakt i pamohueshëm dhe i njohur gjërësisht se edhe diktatori gjakatar shqiptar, Enver Hoxha, nuk u la asnjë dyshkë gruas dhe fëmijëve të tij, megjithëse i kishte të gjitha mundësitë.
Ndërsa këtyre „demokratëve“ tanë, që lindën pas vitit 1990, iu bë syri „bakër“ për flori dhe pasuri! Dhe ndoshta edhe do tu ishte falur kjo makutëri sikur të paktën të mos e kishin shkatërruar vendin me themel. Edhe viti i mbrapshtë 1997 pati në themel të tij etjen e pakufishme të shqiptarëve për tu pasuruar pa djersë. Por duke vënë kursimet e tyre te Vefa, Gjallica e kompani!
Prandaj arrestimi i Ilir Metës është diçka pozitive. Se për herë të parë ra në rrjetë edhe një peshk i madh! Dhe kësaj i thonë: „tërheqsh këmbën zvarrë“.
Se deri më tani ata e kishin konsideruar veten si të paparekshëm, si zota mbi këtë truall. Por ja Meta u arrestua dhe asnjë gur nuk lëvizi nga vendi!
Sigurisht që media e përlyer edhe ajo në afera bëri „qametin“. Duke u kapur më shumë ndaj formë së arrestimit sesa përmbajtjes dhe shkaqeve të tij!
Një Altin Dumani, i panjohur deri para pak vitesh, po u ngjan sot shqiptarëve si Skënderbeu. Se nuk është e lehtë në mjedisin dhe mentalitetin feudal shqiptar të godasësh të fortin, kapedanin, të parin e fisit. Se shqiptarëve u ka munguar gjithmonë kjo kulturë qytetare. Por megjithatë sot shumica prej tyre shihet se ndjehen të kënaqur.
Se u thye një herë e mirë praktika e tmerrshme e paprekshmërisë. Njerëzit po e kuptojnë se edhe një njeri i mbuluar me ndere, ofiqe dhe nishane nuk është gjë tjetër veçse një njeri i zakonshëm. Madje ndonjëherë edhe më i ulët dhe më i pamoralshëm se njeriu i thjeshtë që rropatet në punë për të mbajtur familjen.
Disa megjithatë nuk rreshtin sot së çjerruri dhe ulurituri se ky arrestim ka prapavija politike, se bëhet me qëllim hakmarrjeje apo për t’i mbyllur gojën opozitës etj etj? Por ata çirren se kanë frikë për veten e tyre. Se shumica prej tyre janë po aq të përlyer sa edhe politikanët e arrestuar apo në kërkim. Siç është psh rasti i zëvendësit te Ramës, Arben Ahmetajt apo edhe i plotë ministrave dhe deputetëve të tjerë.
Por pavarësisht nga të gjitha arrestimi i Ilir Metës përbën një thyerje, një çarje të madhe, një shembull të paparë deri më sot, që padyshim do të ndiqet dhe do t’i hapë rrugë edhe rasteve të tjera. Ky arrestim dëshmoi se paprekshmëria ka marrë fund,se rrëmujës, rrëmetit dhe qametit po u vjen fundi. Se po vendoset më në fund shteti ligjor.
Se dihet mirë se ujku do mjegull – siç thotë edhe një shprehje popullore. Dhe ata që qajnë sot kanë jo hallin e Ilir Metës, por kryesisht hallin e tyre, se mos mjegulla daravitet një herë e mirë dhe edhe ata bien në çarkun e SPAK-ut.
Dhe nëse vazhdohet kështu nuk është çudi që nesër apo pasnesër të shohim edhe Ramën para dyerve të prokurorisë duke dhënë „hesap“ për inceneratorët, tenderat, koncesionet etj etj aq shumë të përfolura. Dhe atëhere askush nuk do çuditet më.
Dhe kjo është gjëja që i tmerron më së shumti ata që ishin mësuar gjatë këtyre 30 e më shumë viteve të peshkonin në ujëra të turbullta. Frika se nesër ndofta edhe ata do të duhet të japin llogari për ato dhjetëra apratamente që zotërojnë, për ato qindra hektarë tokë që kanë, për vilat dhe paratë e depozituara brenda dhe jashtë vendit etj.etj.
Prandaj arrestimi i Ilir Metës është diçka shumë e mbarë, tejet pozitive për shoqërinë shqiptare. U thye një mit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment