Kalliri bosh me kokën përpjetë duhet të largohet

     Britanikët kanë një shprehje të njohur në mbarë botën « Enogh is enogh » .  ndërsa ne shqiptarët kemi për këtë rast shprehjen tonë të vjetër : « U mbush kupa ». Të dyja këto fraza dëshmojnë se ka vajtur aty ku s’mban më.

      Fjala është për skandalet e njëpasnjëshme që po ndjekin qeverinë Rama. Apo më mirë me thënë që po i krijon Rama me paaftësinë apo moskokëçarjen e tij.

       Para pak javësh në këtë blog është botuar shkrimi : « Vetëm një qeverie të paaftë i plasin skandalet njëri pas tjetrit ». Dhe si për çudi apo edhe ngaqë është bërë zakon, këtij vargu skandalesh iu shtua këto ditë edhe një tjetër : rasti një deputeti që bashkëpunonte dhe mbante lidhje të forta me bandat.

      Ministra kusarë, deputetë kriminelë, zëvëndëskryeministra hajdutë dhe të korruptuar deri në palcë : ky është « stani » dhe pasqyra e qeverisjes së Edi Ramës. Dhe siç thotë edhe një fjalë e urtë « ky stan këtë bulmet ka ».

      Dhe « bulmeti » i qeverisë Rama është korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e një shteti autoritar dhe të drejtë, largimi i njerëzve nga vendi, shtypja e njerëzve të thjeshtë nga llumi, mungesa uluritëse e drejtësisë për krimet e ngjara në mes të bulevardit, në Gërdec etj etj. Apo edhe shitja dhe dhënia me koncesion e burimeve naturale të vendit.

      Ndërkohë që Rama « shkëlqen » jashtë vendit. Ai i ka bërë edhe mediat e huaja dhe politikanët e njohur të merren me të. E fundit fare në rradhën e „xhevahireve“ të tij ishte edhe shpallja e krijimit të një „Vatikani bektashi“ në Tiranë. Madje, jo më larg se dy ditë më parë këtë ide e trajtoi në faqet e saj edhe e mirënjohura me famë në botë „The Economist“!

        Ndërsa për marrëveshjen me Melonin lidhur me çvendosjen e shqyrtimit të kandidaturave për azil nga Italia në Shqipëri, nuk mund të numëroheshin komentet dhe analizat e mediave më të mëdha perëndimore që shkruajtën, trajtuan, njoftuan dhe analizuan këtë „gjetje“ fenomenale të dyshes Meloni – Rama.

       Ndofta kjo është edhe arsyeja që Rama fryhet si gjel deti dhe nuk do t’ia dijë për kritikat dhe pakënaqësitë në gjirin e njerëzve.

       Dhe këtu ndeshemi me paradoksin më të madh. Në çdo vend tjetër normal një kryeministër si Rama do të ishte rrëzuar 100 herë deri më tani për këto skandale. Në Perëndim kryeministrat japin dorëheqjen për një shprehje të gabuar apo për një akuzë pa bazë dhe jo më ta kesh mbushur dhe derdhur kupën.

       Veçse kjo nuk ngjan në Shqipëri. Se Rama ka „xholin“ e tij të çmuar Berisha që e nxjerr nga mënga sa herë që i nevojitet. Dhe e tund si një gogol për të trembur kalamjtë.  „Më doni mua, apo doni që të ju kthej Berishën?!“ – lë të kuptohet me veprimet e tij të papërgjegjshme kandidati për kryeministër edhe për zgjedhjet e ardhshme!

      Dhe ndjehet aq i sigurt në fitoren e tij saqë nuk e ka për gjë të mohojë çfarë do lloj përgjegjësie në zgjedhjen e ministrave apo deputetëve të tij. „Ç‘ më duhet mua se çfarë bëj unë“ – kjo duket se është tashmë motoja e tij. „Ata që hanë kumbulla pas kurrizit tim, ta mbajnë vetë përgjegjësinë“ – janë shprehjet e tij të preferuara, kur i kërkojnë llogari se si spjegohet që ai ia var ujkut mëlçitë në qafë!

      Dhe i gjthë ky cirk tregon dhe dëshmon veçse për rrëpirën ku ka rënë opozita. Në çdo vend demokratik të botës një opozitë për të qënë do të kishte përfituar nga 1/10 e skandaleve të Ramës për të ardhur në pushtet. Ndërsa kjo opozitë me plakun me duar të përgjakura në krye nuk të jep asnjë shpresë se do të rivijë në pushtet të paktën edhe pas 10 vjetësh! Nëse Zoti nuk bën ymër që ta marrë me vete monstrën që del çdo natë në penxheren e katit të tetë!

         Dhe ky është fati i Ramës. Se ai mund të jetë çfarëdo, por vetëm budalla nuk është. Prandaj edhe nuk e fut në burg Berishën, se ai i shërben shumë më mirë i mbyllur në kafazin e shtëpisë së tij. Sigurisht që ai nuk është prokuror. Veçse për të varfërit.  

        Diabolik siç është rama e ka vënë nën thundrën e tij të gjithë Partinë Socialiste. Që nuk pipëtin një fjalë kundër « bëmave » të tij të marra. Dhe ka punuar me kohë në këtë drejtim. Së pari ai largoi apo eleminoi të gjitha figurat me personalitet në PS, duku i cilësuar si « xhaketa të vjetra  të kthyera mbrapsht ». Pastaj vuri dhe hoqi sipas midesë dhe sa herë donte ministra apo deputetë. Si ia kishte qefi.

       E vetmja gjë që nuk kuptohet është se si atij i kap dora gjithmonë veçse figura pa asnjë lloj vlere, aftësie apo reputacioni. Dhe normalisht që do ngjasin ato që kanë ngjarë gjithë këto muaj !

       Përgjigja ndaj të gjitha këtyre pyetjeve është vetëm një. Në Shqipëri Partia Socialiste nuk ekziston më. Kemi vetëm një grupim njerëzish që i binden automatikisht Një-shit, ashtu si delet që i binden bariut. Me kusht që ai nuk do t’i hedhë në greminë!

       Nuk ka më parti socialiste me program të majtë, popullor. Madje partia e sotme socialiste është shndërruar veçse në një grupim për të mbledhur dhe siguruar vota kur vjen koha e zgjedhjeve ! Dhe për këtë të gjithë janë të gatshëm dhe të përshtashëm. Duke filluar nga patronazhistët, oligarkët, të fortët e lagjeve, militantët etj etj.

        Dhe vetëkuptohet se me një politikë të tillë të të bërit spektakël Shqipëria mbetet gjithmonë pothuajse kuazi – shtet, por pa u bërë asnjëherë shtet i vërtetë. Me ligje dhe rregulla të sakta dhe të respektuara nga të gjithë. Me rend dhe drejtësi të spikatur, me një nivel të lartë arsimor. Me një mirëqënie që t’i afrohet atyre të vendeve perëndimore, ose më e pakta atyre të rajonit. Pra një shtet i vlerësuar dhe respektuar sa nga qytetarët e tij, or po aq edhe nga bota.

        Ndryshe diktatori gjakatar Enver Hoxha ia dinte vlerën partisë dhe ideologjisë. Siç ia dinë sot po ashtu edhe shumë udhëheqës të botës. Me partinë e tij dhe komunistët e shpifur që i shërbenin me përulje dhe devotshmëri ai mbante nën kontroll çdo banor dhe çdo centimetër katror të vendit. Prandaj sundoi i patrazuar për afro 40 vjet me rradhë. Duke prerë koka majtas dhe djathtas.

     Sigurisht që një regjim i tillë mos u ktheftë më kurrë në Shqipëri. Por ky shembull dëshmon se kur ti ke një ideologji, kur ke një parti të organizuar në celula në çdo cep të vendit që gjallon dhe kontrollon, mundësitë që të paaftit, maskarenjtë, të korruptuarit të dalin në krye pakësohet në minimum.

       Por „demokrati“ Rama nuk dëgjon nga ai vesh. Ai nuk ka nevojë për një parti të majtë, popullore, atdhedashëse dhe të organizuar. Jo. Ai e përdor partinë veçse një herë në 4 vjet si një mashë për të mbledhur vota. Kaq. Nuk i duhet për më shumë.

        Se ai vetë nuk ka ideologji. Ai rastësisht doli në krye të një partie të majtë, duke qënë vetë i djathtë. Te ai nuk dallon dot asnjë lloj ideologjie të majtë apo të djathtë qoftë. Veçse interes dhe prakticizëm. Po kështu do të kishte vepruar ai edhe po të ishte kryetar i Partisë Demokratike, apo zogiste. Nuk ekzistojnë korniza që ta përkufizojnë atë, përveç dëshirës për pushtet.

       Sot Shqipëria gjendet para një detyre urgjente për të larguar këtë klasë politike nga pushteti. Për të gjetur njerëz të rinj, me ide të qarta, që të vihen në shërbim të vendit dhe popullit.

      Ëndrra. Njerëz të tillë nuk gjen dot më. Krimbi ka hyrë tepër thellë. Sidoqoftë shpresa vdes e fundit. Dhe sikur të ngjiste që shqiptarët të tregohen aq të zgjuar dhe të pjekur politikisht në zgjedhjet e pranverës së ardhshme sa për të mos votuar më partitë e Berishes, Metës dhe Ramës,  Shqipëria do të bënte një hop të madh përpara. Se edhe uji i ndenjur qelbet, – thotë populli. 

      Dhe „zgjidhja“ atëhere mund të vijë nga “përzierja e letrave” në zgjedhjet e ardhshme. Kur asnjë parti të mos fitojë dot shumicën absolute. Po a do të tregohen shqiptarët e mbetur në vend kaq të pjekur politikisht?!  Dhe për më shumë a do t’I lejë media e paguar që ata ta vëjnë trurin në punë?!  Apo do t’i trullosë, siç ka bërë gjithmonë, me shfaqjet e saj perverse dhe  do t‘ua bëjë trurin dhallë me emisionet e saj që përhapin veçse vese, manipulim, degjenerim dhe çthurrje?!

       Në fund të fundit nuk thonë kot që çdo popull ka në krye qeverin që Mmeriton. Dhe shqiptarët e kanë merituar plotësisht  Zogun, Enverin, Berishën, Nanon dhe Ramën.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment