Si sot pas dy javësh, Amerika, e cilësuar me apo pa të drejtë, si shteti më demokratik në botë, do të zgjedhë dhe do njohë presidentin e saj të rradhës. Janë në garë një ish-president dhe një zëvendës-presidente ende në detyrë. Dhe sondazhet e fundit, sa nga e majta dhe po aq edhe nga e djathta, përputhen të gjitha në një pikë: askush nuk mund të parashikojë sot me saktësi se kush do të fitojë më 5 nëntor! Aq afër janë me njëri tjetrin në preferencat e publikut Trump dhe Harris.
Por njëkohësisht hulumtuesit e opinionit publik po vënë re një prirje tejet domethënëse: Trump ka marrë vrull, ndërsa Kamala Harris gjendet në një lloj statuquo-je. Dhe gjithmonë sipas studiuesve të opinionit publik, dy – tre ditët e fundit para 5 nëntorit, do të jenë tejet vendimtare për të vendosur fituesin si dhe për të bindur të lëkundurit dhe të pavendosurit. Kush do të jetë më bindës, kush do të arrijë të nxjerrë sa më shumë nga mbështetësit e tij në votime, – ai do të fitojë, shprehen ata.
Dhe të gjithë janë në një mëndje: Kamala Harris mund të fitojë veçse në rast se i bind të gjithë zgjedhësit spanjisht-folës dhe ata afro-amerikanë që të dalin të votojnë. Sepse këto shtresa tradicionalisht kanë votuar për demokratët, për Obamën, Clinton-in etj. etj.Edhe sot kjo shtresë votuesish në rritje vazhdon gjithmonë të votojë 60 përqind në favor të demokratëve.
Se mbështetësit dhe militantët e Trump-it nuk ka nevojë t’i bindësh apo t’i ftosh që të shkojnë të votojnë. Se ata që tani po mprehin armët!
Dhe duket se Trump ka zbuluar tashmë edhe çelësin që do i hapë përsëri dyert e Shtëpisë së Bardhë. Ky çelës, kjo armë magjike, duket se do të jetë anti-uokizmi. Një rrymë kjo e përhapur masivisht vitet e fundit sa në Amerikë aq edhe në Europë.
Termi anglo-amerikan “woke” fillimisht i referohej të qenit i vetëdijshëm për çështjet që lidhen me drejtësinë sociale dhe barazinë racore, me historinë koloniale etj etj. Pra ishte një lëvizje përparimtare, por që më pas devijoi dhe degjeneroi drejt praktikave radikale, si ajo kundër mashkullit të bardhë, heteroseksual dhe normal.
Kjo lëvizje u përforcua sidomos pas së ashtuquajturës Black Lives Matter si dhe gjatë fushatës pë mbrojtjen e të drejtave të grave, siç është psh lëvizja “MeToo”, që u kthye pastaj në një revoltë edhe kundër burrave dhe rolit të tyre në familje!
Rrafshimi i të gjitha vlerave të së kaluarës si dhe sheshimi i ndryshimeve edhe ndërmjet gjinisë femërore me atë mashkullore, – janê po ashtu në qëndër të këtyre lëvizjeve të ashtuquajtura progresiste!
Por Trump nuk e fsheh dhe nuk do të fshihet. Ai e pohon haptazi se është një konservator i përbetuar, një tradicionalist i vyer dhe një mbrojtës i vendosur i familjes klasike burrë – grua – fëmijë.
Së fundmi ai është shprehur qartazi edhe si mbrojtës i “mashkullit të vërtetë”, i atij mashkulli që adhurohet nga femrat, që nuk ka frikë të zihet edhe me grushta apo edhe të përdorë armën për të mbrojtur nderin e familjes, pronën e tij private dhe mbarë Amerikën nëse ajo sulmohet apo sfidohet.
Amerika e tij është Amerika e John Uejni-it, (Waine), e muzikës country, e vlerave të harruara apo të përbuzuara gjatë këtyre 50 viteve të fundit.
Trump, siç thamë, është për meshkujt e fortë, virilë dhe me testosteronë të lartë. Edhe veten e tij ai e përshkruan si një mashkull alfa, zotërues, patriarkal dhe mbrojtës i vlerave familjare. Por njëkohësisht edhe si mbrojtës i brishtësisë dhe i natyrës femërore.
Megjithëse konservator dhe patriarkal ai vetëdeklarohet si mbrojtës i të drejtave “hyjnore” të të gjithë femrave, të të gjitha nënave, motrave, bashkëshorteve dhe vajzave në çdo familje.
Qëndrimet e tij të fundit bien ndesh me politikat « progresiste » të këtyre 50 viteve të fundit të meshkujve që shpallin hapur “coming out”-in e tyre, pra që pranojnë se janë gay dhe se i përkasin familjes LGBTQ+ Dhe po ashtu edhe kundër çmendurisë së “Prindit 1” dhe “Prindit 2”.
Me një fjalë strategjia e tij e fitores mbështetet mund të themi te „mashkullinizimi i shoqërisë”, te meshkujt cowboy, të atyre që janë burra të vërtetë, të cilëve u bën thirrje që t’i bashkohen fushatës së tij.
Dhe kjo strategji e re duket se po jep frytet e saj. Shumë nga ata që njihen si meshkuj të fortë dhe burra të vërtetë në shoqërinê amerikane po i bashkohen tani fushatës së Trump-it. Dhe kështu ndërsa nga njëra anë kemi artistët e Hollivudit që mbështesin Kamala Harris, meshkujt „alpha“ po dalin sot shesheve të Amerikës me fytyrën e Trump-it në bluzat e tyre!
Siç shihet zgjedhjet e 5 nëntorit nuk janë vetëm zgjedhje politike, midis së majtës dhe së djathtës, por janë kthyer edhe në zgjedhje sociale dhe societale. E thênë thjesht këto zgjedhje do vërtetojnê se çfarë shoqêrie duam për nesêr.
Zgjedhje që do tê kenê njê ndikim dhe pasoja të dukshme sa në vetê shoqëritë perëndimore, si në Amerikë apo në Europë, por po aq edhe përtej tyre.
Prandaj ato do të jenë tejet interesante dhe me rëndësi jo vetëm për Amerikën, por edhe për botën mbarë. Sepse sot gjendemi jo vetëm para një udhëkryqi dhe ndryshimeve radikale në jetën politike, ekonomike dhe sociale të shteteve dhe popujve, por po aq edhe në gjeopolitikën ndërkombëtare.
Prandaj zgjedhja ndërmjet Harris dhe Trump do përcaktojë jo vetêm kahet dhe trendet që do ndjekê Amerika në vitet e ardhshme, por ato do të kenê rêndësi edhe për paqen dhe sigurinë në botë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment