Shqipëria është kthyer përsëri në qendrën e vëmendjes së mediave europiane. Dhe këtë herë jo për ndonjë protestë « madhështore », as për ndonjë dyndje refugjatësh nga vendi ynë drejt vendeve europiane, as për ndonjë 1997-të dytë dhe çuditërisht as edhe për ndonjë « Lezarat » të ri. Aq më pak për lajmin e fundit të çeljes së kapitullit të parë të procesit të integrimit praktik të Shqipërisë në BE.
Jo. Kësaj rradhe Europa po merret me Shqipërinë, thjesht se ajo është shndërruar në strehën e refugjatëve, që nga Afrika apo Lindja e Mesme nisen drejt Italisë!
Për këtë çështje është folur gjërë e gjatë në mediat e huaja që kur kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, njoftoi botën mbarë se ajo ka arritur një marrëveshje me kryeministrin shqiptar Edi Rama, që do i mundësoi Italisë të transferojë në Shqipëri kandidatët që kërkojnë atje azil dhe mbrojtje. Që nga ajo ditë të gjitha qeveritë europîane, sidomos ato të djathta, kanë thirrur me një zë « Eureka ». E gjetëm çelësin, e gjetëm zgjidhjen!
Qeveritarë dhe politikanë europianë, të majtë dhe të djathtë, u vunë menjëherë në garë se kush do ta përgëzonte i pari kryeministren italiane për « guximin » dhe « zgjuarsinë » e saj. Të gjithë tani ëndërrojnë veçse ta imitojnë. Dhe po i hedhin sytë sa majtas dhe djathtas për të zbuluar ndonjë Shqipëri të re! Kur vetëm 2 vjet më parë Melonin dhe partinë e saj e quanin post fashiste.
Nuk ngeli kryeministër, duke filluar nga laburisti britanik Keir Starmer, kancelari social-demokrat gjerman Olaf Scholz dhe deri te shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pa u turrur në Romë për të përgëzuar kryeministren italiane.
E vërteta është se mbyllja e kufijve të Europës ndaj kërkuesve të azilit dhe emigrantëve është një kërkesë që vjen në rradhë të parë nga vetë popullsitë e vendeve europiano-perëndimore. Megjithëse kjo kërkesë bie haptazi ndesh me politikën e Shoqërisë së Hapur apo edhe Globalizmin që ka sunduar në Perëndim gjatë 50 viteve të fundit. Por presioni popullor ishte i tillë që mbështetësit e kësaj politike u detyruan të tërhiqen.
Në fakt kufijtë e hapur ashtu si dhe globalizmi i kanë shërbyer mirë e bukur deri më sot korporatave dhe elitave industriale perëndimore. Ishin ato që kishin nevojë më së shumti për krahë pune të lirë, që të mos detyroheshin t’i rrisnin rrogat e punëtorëve vendas përtej një kufiri të lejuar.
Është afërsisht e njëjtë si gjendja sot në Shqipëri. Pronarët nuk po gjejnë dot më krahë pune të lirë që t’i shfrytëzojnë duke i paguar me gjysmën e pagës që meritojnë. Dhe çfarë po bën qeveria Rama ?! Ajo po i hap tani dyert për emigrantë me kontratë nga Bangladeshi apo Filipinet. Kështu që Shqipëria po kthehet sot nga një vend “eksportues” i emigrantëve në një vend “importues”!
Dhe një dukuri e tillë ka qënë një praktikë e njohur në vendet perëndimore. Sa për histori njëri nga ata që u ngrit kundër emigracionit, që rrezikonte uljen e rrogave dhe mirëqënies së punëtorëve vendas, ka qënë kryetari i Partisë Komuniste Franceze, George Marchais. Në vitin e largët 1981 ai kërkoi madje ndalimin e plotë të emigracionit në Francë!
Po kush dëgjonte nga ai vesh! Dhe kështu kaluan mbi 4 dhjetëvjeçarë, ku emigrantët mirëpriteshin. Sot kohët kanë ndryshuar përfundimisht.
Europa nuk është më qëndra e botës. Niveli ekonomik ka rënë ndjeshëm në krahasim edhe me 30 – 40 vjet më parë. Dhe aty ku ai nuk ka treguar rënie, kjo ka ngjarë veçse falë borxheve të stërmëdha që shtetet i kanë bankave private!
Sot radiot dhe televizionet e botës u çanë duke dhënë lajmin dhe pamjet e zbritjes në portin e Shëngjinit të anijes italiane me azilantët nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Dhe është vërtet për të ardhur keq që dënimi me vdekje i azilit dhe emigracionit sot në Europë, vjen nga dy vende që kanë qënë kampionë të emigracionit. Është e njohur psh historia e italianëve që në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të atij të 20-të përmbytën botën me emigracionin e tyre. Aq sa sot në Argjentinë, Australi apo edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogariten në dhjetra milionë banorët me prejardhje italiane.
Ndërsa shqiptarët lanë nam në fillim vitet 90 të shekullit të kaluar kur u kacavirrën direkëve të vaporëve si mizat e lisit për të mbërritur në “parajsën e premtuar”. Madje ishim ne që përhapëm edhe “yxhymin” e marrjes me sulm sa të ambasadave të huaja në vendin tonë aq edhe në dyndjen me skafe drejt vendeve perëndimore.
Por siç duket edhe Meloni, edhe Rama, i kanë harruar apo injoruar historitë e vendeve të tyre.
Megjithatë e vërteta është se Europa ka pritur gjatë këtyre 50 viteve të fundit miliona emigrantë të vajtur sa nga Afrika, Lindja e Mesme, por deri edhe nga Lindja e Largme. Por kriza, mbyllja e vendeve të punës dhe mospërputhja e kulturave apo krijimi i shoqërive të ndara multikulturore, i ka bërë popujt europianë të kthehen në kundërshtues të prerë të pranimit të emigrantëve të rinj.
Pasi ata po konstatojnë se asimilimi i këtyre emigrantëve në gjirin e popullsive pritëse ka dështuar. Ndryshe sa ka ngjarë me polonezët, portugezët, spanjollët apo italianët që janë asimiluar në shoqëritë pritëse, qoftë në Gjermani, në Francë e kudo tjetër.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: azili dhe emigracioni tashmë kanë vdekur si një mundësi e njerëzve të varfër dhe të dëshpëruar për të siguruar një jetë më të mirë në vendet e zhvilluara demokratike.
Bota tani duket e vogël, kur mendon se ajo sot mban mbi 8 miliardë njerëz. Ndërkohë që vetëm para 60 vitesh, saktësisht në vitin 1960, numri i banorëve të Tokës nuk i kalonte të 3 miliardët. Rasti i Afrikës është shumë domethënës në këtë drejtim.
Afrika në fillim të shekullit të kaluar ishte e populluar nga vetëm 100 milionë njerëz! Sot numri i banorëve të saj është 15 fishuar, duke arritur në afro 1.5 miliardë njerëz. Ndërsa vetëm pas 25 vjetëve të tjera, pra në vitin 2050, numri i banorëve të këtij kontinenti do të shtohet edhe me 1 miliard njerëz të tjerë!
Në këto kushte, kur njihet edhe gjendja e prapambetur, varfëria dhe uria që ekziston në këto vende, Europa po ndjen rrezikun e përmbytjes nga vala e refugjatëve që nuk do kenë rrugë tjetër për të mbijetuar, veçse duke iu sulur vendeve të pasura të Perëndimit!
Siç shihet sido që ta kthesh e ta rrotullosh „muhabetin“ Europa ka të drejtë të kthehet në një lloj kështjelle, për tu mbrojtur nga valët e dyndjeve të emigrantëve të padëshiruar. Dhe Meloni me Ramën i kanë dhënë një „dorë“ kësaj politike të re të vendeve europiane.
Dhe fatkeqësisht tani mund të konstatojmë dhe të shprehemi pa frikë se gabojmë, se edhe zyrtarisht azili në vendet perëndimore vdiq!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment