Dje në Tiranë, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Taip Rexhep Erdogan, u përurua xhamia më madhe në Ballkan, ajo që thërritet si “Namazgjaja”!
Në fakt këtu nuk ka asgjë të re. Që kur Shqipëria u “hap”, në vend janë ndërtuar 100 herë më shumë kisha dhe xhami se fabrika dhe uzina. Madje këto të fundit duhet t’i kërkosh me qiri dhe zor se i gjen. Por janë shtuar restoranet dhe kafenetë si dhe bujtinat dhe hotelet. Shqipëria që sot nuk prodhon pothuajse asgjë, po kthehet pak nga pak në një lloj vendi turistik.
Po le të kthehemi te objekti i këtij shkrimi. Te përurimi i « namazgjasë » dhe shtimi si kërpudhat pas shiut i qindra xhamive të ndërtuara në vend, kryesisht me paratë e grupeve islamike arabe.
Aq sa sot shqiptarët nuk dinë se ku e kanë kokën. Gjithmonë kanë dashur të lidhen me Perëndimin, që nga koha e Rilindasve, dhe gjithmonë Lindja apo Orienti, si një ferrë e keqe i ka penguar të ecin në këtë rrugë. Për shkaqe ideologjike u bëmë dikur vëllezër me Rusin dhe Kinezin, ndërsa sot për arsye fetare jemi rikthyer në vëllezër me turqit.
Çuditërisht ndër 2 milionë shqiptarët e larguar nga vendi, vetëm më pak se 2 000 prej tyre kanë vajtur në Turqi, ndërsa pjesa tjetër është „rehatuar“ në vendet e krishtera perëndimore!
Ka disa pyetje që të vijnë ndërmend kur sheh pompozitetin e përurimit të kësaj xhamie me pjesëmarrjen edhe tê vetë presidentit turk. Kujt i nevojitet kjo xhami?! Kujt i nevojitet Janullatosi në Shqipëri?! A nuk po ndahet Shqipëria kështu në domene dhe çifligje si dikur?! Turqi, Greqi, Vatikan – të gjithë po luftojnë të shtrijnë ndikimin e tyre në këtë vend të vogël të Ballkanit. Për të zezën e të gjithë shqiptarëve. Një herë vjen Papa i Romës, pastaj vjen përfaqësuesi i Patriarkanës greke dhe në fund fare edhe presidenti turk! Të gjithë për të mirën e „vëllezërve“ të tyre të një feje në këtë vend!
Si fillim mu desh të vuanja ca deri sa mësova kuptimin e fjalës « namazgja » ! Fjalë që e paska zanafillën nga gjuha perse dhe që do të thotë « shesh për tu falur ». Pra ndryshe nga xhamia që ka një sallë të mbyllur, namazgjaja ka edhe një shesh të madh dhe të pambuluar ku besimtarët myslimanë mund të falen në raste grumbullimesh të mëdha, si psh gjatë kremtimeve të Bajrramit !
Të gjithë sot janë në dijeni sesi në Bosnjën e myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksve kanë ngjarë krime të tmerrshme që në bazë të tyre kanë pasur ndarjen fetare. Në Liban po ashtu, deri dje maronitët e krishterë, shitët e Hezbollahut dhe sunitët shumicë janë therrur mes vedi po për arsye fetare.
Neve shqiptarëve, të ndarë në të krishterë dhe myslimanë, në ortodoksë, sunitë, katolikë dhe bektashinj duket se na ka ruajtur Zoti nga këto vëllavrasje! Në fakt na kanë shpëtuar Rilindasit tanë të paharruar si dhe… komunizmi! Të mos çuditet askush. Komunizmi kishte shumë të këqija, por pati edhe anë të mira. Njëra nga to ishte edhe ateizmi i detyruar, mbyllja e kishave dhe xhamive dhe largimi i popullsisë nga dogmat e feve. Në atë kohë pati edhe një rikthim drejt „shqiptarizmës“.
Emrat me prejardhje fetare turko/greke ia lanë vendin emrave të pastër shqiptarë, duke filluan nga Fatmir apo Teuta deri në Alban apo Zana. Atëhere ngjau edhe numri më i madh i martesave të përziera. Në atë kohë pak rëndësi kishte nëse ishe mysliman apo i krishterë. Kishte kritere të tjera vlerësimi !
Ndërkohë Pashko Vasa dhe Ndre Mjeda, Çajupi dhe Naim Frashëri apo Mit‘hati, isa Boletini apo Ismail Qemali nuk panë atëkohë mbi këtë tokë myslimanë a të krishterë, por vetëm shqiptarë, që duheshin çliruar nga zgjedha turke për të ecur në rrugën e mbrothësisë nën shembullin e Perëndimit.
Por sot kanë ardhur kohë të tjera. Fetë janë „ringjallur“. Madje kanë marrë edhe shumë fuqi. Kur dihet mirë se forcimi i fesë zbeh ndjenjën kombëtare. Kështu një mysliman i devotshëm, që falet 5 herë në ditë, e ndjen veten sot më të afërt me një turk, se me një bashkëkombas të krishterë. Dhe po kështu edhe për një ortodoks apo katolik.
Deri më tani, për fat të mirë, nuk kemi pasur përplasje fetare. Shqiptarët, në shumicën e tyre, nuk duan t’ia dinë për fe. Dhe kjo është diçka shumë e mirë për unitetin e popullit.
Por janë disa që nuk rrinë dot pa i hedhur benzinë zjarrit. Dhe këta nuk janë aq shumë predikuesit apo ndjekësit e fesë, sesa janë politikanët vendas. Sidomos ata të tipit të lartë si presidentë apo kryeministra.
Hiqen aq të përkushtuar ndaj riteve fetare saqë nuk lëjnë rast, nuk lënë Krishtlindje, Bajrram apo Nevruz pa vajtur dhe u takuar me krerët e këtyre feve, duke uruar nga « zemra » të gjithë besimtarët për festën e tyre !
A thua se janë kaq besimtarë të mëdhenj ?! Normalisht çdo besimtar ka bindjen e palëkundur se feja e tij është më e bukura, më e drejta, më e mira dhe më e pastra. Ndërsa këta mytyberët tanë politikanë janë dashamirës me të gjitha fetë e botës, duke përfshirë këtu edhe budizmin apo taoizmin!
Nuk ka nevojë ta lodhësh mëndjen shumë për të kuptuar se ata fetë i përdorin thjesht si një vegjë për të fituar mbështetjen e besimtarëve. Se për fetë as nuk duan t‘ia dinë, por edhe në këtë rast mendojnë veçse për votat që do i çojnë apo mbajnë në pushtet!
Dhe janë aq të pacipë saqë nuk duan t’ia dinë fare se me këto veprime po vëjnë në rrezik deri edhe kohezionin kombëtar, duke i ndarë njerëzit nga njëri tjetri.
Kjo komedi filloi që në vitet e para të „demokracisë“, kur në vend u ftua së pari Papa polak , Vojtila. Pastaj hymë në Konferencën e vendeve islamike. Më tej pranuam në krye të kishës autoqefale të Fan Nolit një dhespot grek. Një dhespot nga ata që që nga fillimet e shekullit të kaluar, e kanë luftuar këtë autoqefali, (pavarësi nga patriarkana greke), saqë nuk kanë ngurruar të vrasin deri edhe klerikë ortodoksë shqiptarë. Vetëm për shkak se këta e quanin veten ortodoksë shqiptarë dhe jo grekë! Madje edhe një agjent i kishës greke , i shpallur edhe shenjtor, i kërcënonte shqiptarët me shkishërim nëse ata flisnin shqip në shtëpitë e tyre!
Pyetja shtrohet: a kanë nevojë sot shqiptarët për kaq shumë kisha dhe xhamia?! Për kaq shumë katedrale dhe namazgja?! Kujt i shërbejnë ato?! Kur dihet se populli shqiptar nuk ka qënë kurrë shumë i dhënë pas fesë. Me veprimet e tyre të dëmshme politikanët shqiptarë janë duke përçarë dhe vënë në konflikt shqiptarët me njëri tjetrin. Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi total i vendit nga ana e tyre dhe nxjerrja e Shqipërisë në ankand. Dhe kjo është baraz me tradhti kombëtare.
Si në shumë fusha të tjera, edhe në fushën e fesë, Shqipëria sot ka bërë regres, kthim prapa. Aq sa sot më shumë sheh të rinj me mjekër dhe pantallona treçerekshe apo edhe vajza të mbuluara, sesa të vjetër dhe të moshuar që ndjekin ritet fetare. Sepse ata që janë nga 60 vjeç e lart u edukuan në atë kohë me një frymë përparimtare, ateiste dhe shkencore. Këta të moshuar, në kohën e tyre, kanë ndjekur më shumë bibliotekat se sa kishat dhe xhamitë.
Predikimet dhe lutjet e djeshme në turqisht në mes të Tiranës po ashtu nuk kishin se si të mos të linin një shije të hidhur. Ato të kujtonin kohën kur turqit luteshin dhe faleshin para mureve të Krujës të mbrojtura me aq heroizëm nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për t’i rrëzuar ato.
Po ashtu ato të sillnin ndërmend fillimin e shekullit të 20-të, kur Shqipëria rrezikonte turqizimin e plotë. Pikërisht në atë kohë turçelinjtë shqiptarë këndonin:“Gjithë të zezat i kam punue, veçse me fol shqip nuk kam pranue“! (Ibrahim Dalliu. Patriotizma në Tiranë. Botim i vitit 1930). Kjo ka qënë edhe dëshira më e madhe e Athinës dhe Stambollit. Që shqiptarët të harronin gjuhën e të parëve të tyre, të harronin zakonet e tyre dhe të merrnin tabiatet e fqinjëve apo të pushtuesve shekullorë.
Dhe kur shprehemi se „feja e shqiptarit është Shqiptaria“ kjo nuk është një frazë boshe. Kjo shprehje përbën një udhërrëfyes kombëtar se shqiptarët nuk duhet të shohin kisha dhe xhamia! Dhe sidomos kjo thirrje u drejtohet mbi të gjitha politikanëve tanë!
Po atëhere kujt i shërbejnë Sali Berisha me Edi Ramën, Fatos Nano me Ilir Metën që e kanë përmbytur këtë vend me institucione kulti, dhjetëfish më shumë se sa kishte edhe në kohën e Zogut?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment