Çfarë po ngjet me Ramën?!

    Sapo u nda me një autokrat, Rama u nis me vrull të takojë një tjetër të tillë. Kësaj rradhe është fjala për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.  Por çfarë kanë të përbashkët këta dy politikanë?!  Dihet mirë që të dy i udhëheqin vendet e tyre me dorë të fortë. Fusin deri në burg edhe ata që nuk janë dakort me politikën e tyre. Pavarësinë e gjyqësorit dhe mediave nuk e durojnë dot, prandaj bëjnë çfarë është e mundur për t’i vënë nën kontroll. Njëkohësisht mbajnë marrëdhënie të mira me Putinin ! Por më kryesorja e kryesoreve është se të dy këto figura politike nuk shihen dot me sy nga Brukseli.

      Madje Orbani sapo është kthyer nga një vizitë konfliktuale që zhvilloi këtë javë në Parlamentin Europian ku u prit me “këmbët e para”, siç  thuhet. Disa europarlamentarë madje filluan të këndojnë edhe këngën e njohur antifashiste “Bella ciao”. Dikush tjetër iu drejtua kryeministrit të Hungarisë duke i thënë se ti nuk e ke vëndin këtu ! Ndërsa kryetarja e Komisionit European, Ursula van der Leyen, e kritikoi hapur udhëheqësin hungarez për mbështetjen e tij ndaj Rusisë.

    Ndryshe Orban ka marrëdhënie të ngrohta me shumë nga partitë e ekstremit të djathtë në Europë, duke filluar me partinë e ekstremit të djathtë francez, atë hollandeze etj etj. Por ai është mik i madh edhe me presidentin e Serbisë, Vuçiç.  Edhe Rama nuk i ka marrëdhëniet keq me Vuçiçin. Madje disa gojë të këqija thonin se ai është “vëllami” i tij!

     Ndërsa presidenti turk është ana tjetër e medaljes. Edhe ai mban marrëdhënie të përzemërta me Putinin dhe është në konflikt të vazhdueshëm dhe të hapur me institucionet e Bashkimit Europian.    

      Madje në vizitën e tij në Tiranë, Erdogani i shfaqi hapur prirjet e tij antiperëndimore, islamiste dhe antiizraelite. Saqë e detyroi edhe “vëllanë” e tij të vogël të ndërhynte për të mbrojtur Izraelin dhe kritikuar Hamasin.

      Si spjegohet atëhere që këto vizita dhe takime ngjasin 5 ditë para se kryeministri shqiptar të takojë udhëheqësit e lartë europianë për çeljen e kapitujve të parë të integrimit të Shqipërisë në BE?!  Një moment tejet i rëndësishëm politik ky për fillimin e procedurave konkrete të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian!

     Pyetja që të vjen vetvetiu në mëndje është: A nuk mund të shtyhej takimi i kryeministrit shqiptar me presidentin turk dhe përurimi i xhamisë më të madhe në Ballkan, të paktën një javë?! Po ashtu edhe takimi me Orbanin! Sa për të mos prishur atmosferën e festës gjatë ceremonisë së çeljes së negociatave?!

       Çfarë di më shumë Rama që ne të tjerët nuk e dimë?! Dhe cili ka qënë synimi i vërtetë i takimit të tij me “diktatorin” hungarez, siç e pat cilësuar dikur ish kryetari I Komisionit European, Jean Claude Juncker?!

     Është Shqipëria ajo që ka interesin më të madh në intensifikimin e lidhjeve me Brukselin dhe jo e kundërta. Zyrtarët e BE_së mund të bëjnë fare mirë edhe pa Shqipërinë. Edhe Shqipëria mund të bëjë pa Bashkimin European, siç ka ngjarë gjatë periudhës komuniste, por ajo rrezikon atëhere të mbetet përsëri në “bisht të kavallit”!

     Pak ditë më parë, studiuesi i çështjeve europiane në Paris, Jack Rupnik, deklaroi për stacionin e njohur televiziv franko/gjeramn “Arte” se Ramën e kemi  konsideruar deri vonë si progresist, por ngjarjet e fundit, ( demonstrata e opozitës të hënën që shkoi) përbëjnë regres dhe kthim prapa!

   Ndryshe çfarë do të tregojë Rama me këto takime?! Dhe me kë e ka?! Mos vallë këto veprime dhe takime janë thjesht trille të një truri që nuk arsyeton dot me qetësi, apo  këto lëvizje diplomatike  janë thjesht një shfaqje tjetër e arrogancës dhe narcisizmit të tij?!

    Le të presim dhe të shohim, por sidoqoftë këto akrobacira të panevojshme nuk janë shenja të mira.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment